Kokëdhima: Nano, jo privatizime në fund të mandatit
D. Tanushi
TIRANË – Botuesi i gazetës “Shekulli” Koço Kokëdhima deklaroi dje, gjatë një konference për shtyp se qeveria e drejtuar nga Fatos Nano po përgatit privatizime me procedura të përshpejtuara dhe korruptive në fund të mandatit të saj. “Asnjë qeveri e moralshme nuk mund të bëjë në ditët e fundit të mandatit të vet tjetërsime të sektorëve strategjikë, siç është infrastruktura e ARMO-s, siç është Telekomi shqiptar apo licenca të tjera që ka përgatitur të japë e të privatizojë qeveria e zotit Nano”, -u shpreh Kokëdhima. E moralshme, tha ai, është që kjo qeveri, zoti Nano të shkojë në zgjedhje dhe nëse fiton zgjedhjet, le t’i shesë pa lekë edhe malet e Shqipërisë, edhe gurët, edhe fushat, edhe lumenjtë, të gjitha gjërat le t’i shesë siç ka bërë në vitin 2004 dhe në vitin 2005, le t’i shesë të gjitha interesat e shqiptarëve, por në fund të mandatit të vet nuk mund të bëjë gjëra të tilla. “Nuk dua të ndalem këtu dhe të theksoj fare kujdesin që ka bërë qeveria për të përjashtuar çdo mundësi që në këta sektorë të jenë të pranishëm ose të marrin pjesë grupet e interesave të vendit. Kërkesa që unë dua të bëj sot është se i drejtohem pjesës së shëndetshme të deputetëve të majtë e të djathtë që të ushtrojnë të gjithë influencën e tyre për t’i ndaluar këto privatizime, koncesione, dhe tjetërsime të bëra me emergjencë dhe me procedura korruptive e selektive”, -deklaroi Kokëdhima. Ne kemi përcjellë, vijoi ai, një vit të vështirë në marrëdhëniet tona me qeverinë. “Në fund të një viti më parë nisëm përpjekjet për t’i kthyer buxhetit të shtetit 31 milionë dollarë që u tentuan t’i hiqeshin nga privatizimi i Bankës së Kursimeve, një betejë që ne e fituam. Ne u përpoqëm vitin e shkuar dhe arritëm të frenojmë projektin më të shëmtuar në historinë e Shqipërisë, projektin e pushtimit të Shqipërisë nga plehrat e Italisë, që është njolla më e rëndë që mund të nënshkruajë një qeveri e Republikës së Shqipërisë dhe u përpoqëm vitin e shkuar pa sukses të ndalonim kontratën e koncesionit të Rinasit”, -komentoi botuesi Kokëdhima. Ne u përpoqëm pa sukses vitin e shkuar të ndalonim kontratën e koncesionit të Portit të Vlorës, të cilat janë çnderuese për një popull, për një shtet, për një vend, tha më tej ai. Sipas Kokëdhimës, asnjë qeveri kuislinge nuk mund të nënshkruajë kontrata kaq turpëruese sa kontratat që ka nënshkruar qeveria e zotit Nano. “Ato janë koncesione që kanë vetëm një kah interesi, kanë vetëm përfituesit e tyre. Ne i kemi publikuar këto çështje dhe nuk kemi mundur t’i ndalojmë megjithë përpjekjet që kemi bërë”, -nënvizoi Kokëdhima. Megjithëse qeveria, zoti Nano është në prag të zgjedhjeve, po ta keni vënë re ka një axhendë shumë të ngjeshur privatizimesh të sektorëve strategjikë dhe tjetërsime lejesh dhe licencazh shumëmilionëshe, në të cilat jo vetëm që mungojnë plotësisht procedurat transparente, përgatitjet e nevojshme që këto privatizime, koncesione t’i sigurojnë vendit tonë përfitime maksimale, përfitime të arsyeshme, por jam i sigurtë që ato janë duke u zhvilluar në kushte emergjence dhe parashikohen deri në ditët e fundit të mandatit të kryeministrit, shpjegoi botuesi i sh.a “Spekter”.
Amendamenti
Kokëdhima kundërshtoi dje, gjatë konferencës për shtyp edhe amendamentin që pritet të shqyrtohet në Kuvend, sipas të cilit botuesit e mediave përjashtohen nga tenderat publikë. Ai e ka quajtur këtë një sulm personal ndaj tij dhe mediave që drejton, prej qeverisë “Nano”. “Këto qëndrime, këto iniciativa janë të motivuara me interesa politike të qeverisë, të kryeministrit, i cili në pamundësi për të vënë nën kontroll mediat e grupit tonë, përpiqet të shfrytësojë rrugë të tjera, mjete të tjera që t’i dëmtojë, t’i dobësojë pse jo edhe t’i likujdojë këto media që ai nuk i kontrollon dot”, -tha Kokëdhima. Ato nisma, që nisen për të vendosur çmime dhe formulime apo rregullime të posaçme për tregun e shtypit janë realizuar jo vetëm nga institucione të tjera ndërkombëtare siç është OSBE-ja, por janë deklaruar, janë shpallur si iniciativa që nuk synojnë zhvillimin, por përkundrazi pengimin dhe dëmtimin e shtypit dhe të mediave në Shqipëri, theksoi ai. “Përmes këtij ligji dhe këtyre amendamenteve qeveria synon që kompanitë tona mediatike, të cilat janë kompani fitimprurëse dhe kanë bazën e pavarësisë së tyre tek rezultatet financiare, të kufizojë të ardhurat, të kufizojë shitjet, t’i shndërrojë në kompani me humbje me qëllim që pastaj ne të shkojmë t’i shtrijmë dorën shokut Fatos, që të mund të na japë para për t’i mbajtur këto kompani e t’i bëjmë fresk kur ai të ketë vapë apo t’i bëjmë ngrohtë kur ai të ketë ftohtë”, -shpjegoi Kokëdhima. Ai u shpreh se gjatë vitit 2004 nuk ka marrë pjesë në asnjë tender të qeverisë apo të institucioneve vartëse të saj, për arsye se të gjitha buxhetet publike dhe shtetërore shoku Fatos i ka bërë me vendime dhe prokurime të drejtpërdrejta, pa garë. “Nëse ka këtu një problem, problemi është t’i heqim shokut Fatos mundësinë që t’i bëjë ai ndarjet me dorën e vet të projekteve dhe të buxheteve dhe këto procedura t’i nënshtrohen ligjit të konkurrencës së hapur. “Ky është një sulm i menduar mirë nga qeveria. Unë mund t’ju them pa patur mungesë modestie, se zoti Nano ka një problem të fortë të rëndësishëm sot, pamundësinë e tij për ta vënë nën kontroll grupin tonë të mediave dhe për të cënuar besueshmërinë e këtij grupi në të gjitha komponentët e vet. Dhe që ky është një shantazh dhe një sulm mbi ne kjo nuk ka asnjë dyshim”, -tha ai. “Për kë e ka për shembull. Mendoni se e ka shoku Fatos problemin me zotin Nikollë Lesi kur flet për çmimin e shtypit? Mendoni se e ka me zotin Bolino kur flet për ndërmarrjet që ofrojnë shërbime në sektorët publikë dhe shtetërorë? Mendoni se e ka për gazetën “55” problemin, për Fahriun apo për mikun tim Mero Baze, kur flet për ndarje të bizneseve, të kompanive, investitorëve nga mediat?!”, -ka marrë shembull Kokëdhima. Ai tha se, “ne do të bëjmë ato që kemi mundësi të bëjmë. E para ne duhet të informojmë publikun se çfarë ndodh dhe së dyti do të mendojmë projekte konkrete për t’iu përgjigjur këtyre akteve politike të qeverisë me mjete ligjore, teknike, juridike ose me mjete politike”.
Krijoni Kontakt