Ndriçime
Nexhat Agolli, figurë qëndrore e atdhetarizmit
shqiptar në Maqedoni
(Botohet me rastin e vrasjes tinëzare nga sigurimi
jugosllav)
Shkruah: Ibrahim Egriu, Suedi
Pas arrestimit në banesën e tij nga policia sekrete
jugosllave, atë e vunë nënë torturat më çnjerëzore për
ta detyruar që të tradhtojë çështjen e shenjtë
kombëtare e bashkëluftëtarët e tij ilegalë që kish në
Prishtinë e Shkup si : Rifat Berisha i Drenicës,
Xheladin Hana i Gjakovës e të tjerë në Kaçanik, Dibër,
Gostivar e gjetkë. Udbashët e Beogradit e mbytën duke
e torturuar gjatë natës së 27-28 prillit 1949, në
njërën nga qelitë e burgut të Shkupit. Trupi i pajetë,
i përshkuar nga bajonetat e udbashëve, u bart nga
qelia e njomur me gjakun e tij dhe u vendos pas mesit
të natës në Sheshin e Shkupit, ku u qëllua me një
breshëri automatike për të krijuar përshtypjen në
popull se u vra në tentativë arratisje nga burgu ku
ndërkohë qe mbajtur edhe "Proçesverbali fiktiv".
"I heshtur, as në varr nuk dua të jem!"
Nexhat Agolli, bashkëpunëtor i ngushtë i Lazim
Rexhepit nga Shipkovica(foto), nuk ishte nga ata që
mund të qëndronte indiferent, as ndaj akuzave, e as
ndaj krimeve antishqiptare. Ai u deklaronte
autoriteteve jugosllave e maqedonase se: "Pritja në
heshtje nuk më pëlqen. I heshtur, unë as në varr nuk
dua të jem" dhe, më tej, u vinte në dukje se "në masat
shqiptare vërehen zhgënjime përsa u është premtuar:
Liria, barazia e plebishiti". Logjika e tij politike
dhe juridike ishte aq e fuqishme, sa ato detyroheshin
që t'i përgjigjeshin me terminologjinë demagogjike e
justifikuese të atij momenti politik: "Kah ajo ditë po
shkohet, por le të kalohen njëherë plagët e luftës, e
këto, pa dhëmbje nuk kalohen". Por, Nexhati, me një
vizion të gjërë kombëtar vërente se, gjithçka që po
ndodhte kundër popullsisë shqiptare, nuk ishe as e
rastit, as kalimtare e aspak e justifikueshme, por
tërësisht e pafalshme.
Ai, së bashku me vëllain e tij Qemal Agollin e Haqif
Lleshin, Sali Lisin etj. ngrinte zërin tek udhëheqësit
serbë e maqedonas, përkatësisht tek Svetozar
Vukmanoviq Tempo e Lazar Kolishevski për lirimin e
dhjetëmijë shqiptarëve, të cilët mbaheshin në izolim
në Stacionin e Monopolit të Duhanit në Tetovë në
gjendje torturash e pa shpresë shpëtimi, ( nga të
cilët brenda një nate qenë masakruar 1.200 veta, ashtu
siç ndodhi dhe në Gostivar, Kërçovë, Dibër e gjetkë e
për të cilët spekulohej tmerrësisht nën akuzën
"bashkëpunëtorë të fashizmit" ).
Ndërhyrja e Nexhat Agollit, aq e guximshme, përbën
një akt të madh atdhetar sepse shpëtoi kështu mijëra
jetë shqiptare nga vdekja e sigurtë, pa përfillur
fatin e jetës së vet kështu që, mbi këtë bazë, pati
shumë familje shqiptare që e mbiquajtën meritueshëm:
shpëtimtar të jetës së tyre, e që e përcollën me
buqeta lulesh. Si deputet i popullsisë shqiptare, ai
ngriti zërin që shqiptarëve t'u jepeshin të drejtat
dhe liritë e premtuara, barazia kombëtare, simbolet e
tyre historike, e drejta e përdorimit të gjuhës, e
drejta e arsimit, kultures, barazia e përfaqësimit në
pushtetin legjislativ, egzekutin e gjuhësor etj. Eshtë
veçori e veprimtarisë kombëtare të tij që, pa pritur
se çdo të ndodhte me fatin e vetëvendosjes kombëtare,
krijoi dhe shtriu bërthama arsimore e kulturore në
gjirin e vetë njësive ushtarake shqiptare gjatë luftës
e në rimëkëmbjen e rrjetit shkollor e të aktiviteteve
kulturo-artistike në terrenin e hapsirave shqiptare.
Ai, qysh në procesin e vetëçlirimit nga pushtuesi
nazifashist, i jepte rëndësi arsimit e kulturës e për
këtë, si hallkë kryesore vlerësonte shkollën, kuadrin
arsimor e tekstet shkollore.
Me përkushtim të veçantë, ai siguroi hapjen e Kursit
Pedagogjik Shqiptar në Shkup, krahas atyre që aso kohe
hapeshin në Prizren e Prishtinë e që merrnin për
ndihmë dhjetra arsimtarë nga shteti i pavarur
shqiptar, pra nga Shqipëria. Më 1945, ai hapi shkollën
"Liria" në gjuhën shqipe, ndërsa për drejtor emëroi
pishtarin e arsimit, Abdi Begun-Haxhiu. Pastaj,
kujdesi i tij direkt ish përqëndruar edhe tek nevoja e
një Tribune Publicistike të asaj kohe e kështu, në
bashkëpunim me bashkëluftëtarët e vet Xheladin Hanën
në Prishtinë e Ali Mullain në Dibër, nxorrën në dritë
Gazetën e Parë Shqipe"Flaka". Kështu, kjo Tribunë
Publicistike e nisi fillin e jetës e, prej saj, filloi
të rrezatonte mendimi e vullneti i popullsisë
shqiptare, ndonëse pasoi cenzurimi e persekutimi i
kësaj gazete së bashku me vetë nismëtarin e saj,
Nexhat Agollin.
Në drejtim të vetëvendosjes kombëtare shqiptare, si
Nexhati ashtu edhe bashkëluftëtarët e tij e vetë
popullsia shqiptare, po vetëdijësoheshin se çështja e
tërësisë kombëtare shqiptare po tradhtohej jo vetëm
nga udhëheqja e shtetit jugosllav, por edhe nga vetë
Fuqitë e Mëdha, të cilat deklaruan paprekshmërinë e
kufijve të paraluftës, gjë që për kombin shqiptar
përligjte ricoptimin e tij në dobi të Jugosllavisë.
Dhe, nga baza juridike, Nexhat Agolli, gjithnjë e
quajti Jugosllavinë krijesë artificiale, të ngritur
mbi bazën e dhunës dhe të padrejtësisë kombëtare e
njerëzore ndaj kombit shqiptar. Nexhati e ndjeu thellë
edhe shpatën tjetër të Beogradit kur, trevat shqiptare
nuk i la si një tërësi të vetme në përbërje të tij,
por i coptoi midis tri republikave, ndonëse kishin
kompaktësinë e vazhdimësinë e tyre etnike. Shovinistët
jugosllavë kishin vendosur që, në përbërje të shtetit
federativ, të mos lejohej faktori unik shqiptar,
ndërsa në të ardhmen të mos ekzistonte faktori unik
shqiptar as edhe në Gadishullin Ballkanik. Ai, kishte
ardhur edhe në përfundim tjetër se, si fuqitë
perëndimore edhe ato lindore, i'a kishin bërë me hile
Shqipërisë si tërësi kombëtare e Shqipërisë si shtet i
pavarur.
Dihet dhe fakti se, Nexhat Agolli dhe shumë atdhetarë
të tjerë, kanë qenë të papajtueshëm me aneksimet e
trevave shqiptare ndaj Serbisë, Maqdonisë e Malit të
Zi, kur dihej se ato ishin e janë etni shqiptare.
Figura e Nexhatit bëhet edhe më madhore përmes
konfrontimeve në vazhdimësi dhe pas Konferencës së
Paqës në Paris të vitit 1946 e deri në vitin 1949,
duke qenë në brendinë e planeve antishqiptare të
qarqeve sunduese serbojugosllave; ai e thoshte fjalën
e vet kundër pabarazive e padrejtësive ndaj popullsisë
shqiptare. Por, mendimet dhe qëndrimet e tij nuk ishin
të mbyllura në vetvete. Ato gjenin pasqyrimin e tyre
edhe në organizimin e veprimtarisë ilegale e të
programuara, thelbi i së cilave ishin - bashkimi
mbarëkombëtar shqiptar.
Lidhjet e tij me atdhetarët e tjerë të shquar, siç
ishin: Rifat Berisha, ish-nënkryetar i Këshillit
Nacional-çlirimtar të Kosovës e Rrafshit të
Dukagjinit, Xheladin Hanaisht, drejtor i
gazetës"Rilindja"e disa aktivistë të tjerë, kishin
tërhequr vemendjen UDB-së qëndrore të Jugosllavisë.
Kështu, në maj të vitit 1948, shkarkohet nga
funksionet ekzekutive, kurse në mesnatën e 15-16
prillit 1949, arrestohet në banesën e tij, ndërsa, më
27-28 prill 1949 ekzekutohet barbarisht e tinëzisht.
Nexhat Agolli, si luftëtar i ditur, i guximshem e si
atdhetar i paepur qe kthyer në legjendë, ndërsa jeta e
vepra e tij mbeten burim frymëzimi. Ai përbën njërën
nga figurat më të kompletuara në dije, me botkuptim të
thellë kombëtar e plot virtyte për çka meriton nderime
e respekt të thellë e të përjetshëm. Figura dhe vepra
e tij përbën kushtrim për liri e bashkim kombëtar.
P.S. Të dhënat e këtij shkrimi, janë marrë nga
shënimet e profesorit të nderuar, z.Shaban Braha,
kryetar i luftëtarëve të Tiranës, me rastin e mbajtjes
së Simpoziumit i cili fjalën e rastit, i'a kushtoi
figurës patriotike të Nexhat Agollit: atdhetar,
intelektual, ushtarak e qeveritar i viteve të
pasluftës në Maqedoni. Lavdi veprës së tij!
(Zgjodhi
për shtyp: Baki Ymeri)
Krijoni Kontakt