Komente

Eduard Zaloshnja - 27/01/2005



Opsioni i menaxhimit privat të sistemit doganor nuk është i ri, por në Shqipëri është thjesht një tabu që nuk është diskutuar asnjëherë


Në dekadat e fundit mendimi politik botëror po anon gjithnjë e më tepër drejt idesë se sektori privat është më eficent në ofrimin e disa shërbimeve që tradicionalisht kanë qenë ekskluzivitet i sektorit shtetëror. Si rezultat i kësaj tendence, në shumë vende të botës është rritur ndjeshëm kontraktimi i shërbimeve nga ana e agjencive shtetërore.
Shembuj të këtij fenomeni mund të gjenden në të gjitha kontinentet, por për ilustrim vlen të përmendet një kontinent që shquhet më tepër në këtë drejtim. Është fjala për kontraktimin që agjencitë shtetërore amerikane i bëjnë shërbimit të përgjigjes së telefonatave të shtetasve. Kështu, p.sh., kur banorët e shtetit të Xhorxhias marrin sot në telefon agjenci shtetërore për ankesa, vërejtje ose informacione të ndryshme, gjasat janë të mëdha që telefonit të mos i përgjigjen punonjës shtetërorë xhorxhianë. Në vend të tyre telefonit i përgjigjen punonjësit e një kompanie private në Indi, nga zyra që janë 15 mijë kilometra larg Xhorxhias. Kjo, sepse shtetit të Xhorxhias i leverdis ekonomikisht që në vend të punonjësve shtetërorë, këtë shërbim t’ia kryejë kompania private indiane.
Ndërsa, duke u afruar më afër Shqipërisë e problemeve akute të saj, një shembull të kontraktimit të shërbimeve që tradicionalisht i kryejnë agjencitë shtetërore mund të gjendet në Bullgari.
Në nëntor 2001, pas një eksperience negative me doganat, qeveria bullgare nënshkroi një kontratë trevjeçare me kompaninë britanike “Crown Agents” për ristrukturimin dhe modernizimin e tyre, sipas standardeve të kërkuara nga BE-ja. Dhe që atëherë, nga viti në vit, arkëtimet e taksave doganore kanë pësuar një rritje mesatare vjetore prej 300 milionë dollarësh.
Ishte ky rezultat pozitiv i arritur nga “Crown Agents”, një ndër faktorët kryesorë që i mundësuan Bullgarisë avancimin e ndjeshëm në procesin e integrimit europian, duke e bërë atë kandidate për pranim në BE në vitin 2007. Gjithashtu, ishte ky rezultat pozitiv që e shtyu ministrin bullgar të Financës, Milen Velçev, të rinovonte kontratën me kompaninë “Crown Agents”.
Ndikuar ndoshta nga eksperienca bullgare, një ide identike rreth ristrukturimit e modernizimit të doganave shpalli para dy vjetësh në Shqipëri edhe ish-kryeministri Majko, por zëri i tij i vetëm i ngjau një zëri në shkretëtirë. E sugjeruar jo rastësisht nga një prej të paktëve politikanë, që nuk është përfolur për korrupsion, ajo ide nuk u mbështet nga politika shqiptare, sepse ajo sheh te postet në dogana monedhën për shpërblimin e mbështetësve të korruptuar.
Kjo është me të vërtetë shqetësuese, kur dihet se Shqipëria shquhet në Ballkan për nivelin e ulët të arkëtimit të taksave doganore e tatimeve.
Ajo që të shqetëson më shumë është se ndërkohë që ka pasur me bollëk artikuj dhe debate televizive rreth korrupsionit në dogana, që prej hedhjes në qarkullim të idesë së Majkos fare pak jehonë ka gjetur ajo në media. Thënë më shqip, të shqetëson fakti që pak presion publik është bërë deri më sot që ujkut t’i hiqen mëlçitë nga qafa.
Pasi e konstaton këtë mosreagim publik, a duhet dëshpëruar? Po të kihet parasysh shtrëngimi i vazhdueshëm i rripave të politikës shqiptare nga BE-ja dhe fuqizimi i lëvizjeve qytetare, të lindura kohët e fundit në Shqipëri, ndoshta nuk duhet dëshpëruar. Presioni që mund t’i vijë politikës shqiptare në të ardhmen e afërt nga këto dy drejtime të jep shpresë se ajo do të detyrohet eventualisht të heqë dorë nga praktika e mbajtjes së doganave nën kontrollin korruptiv të saj. Kjo gjë që do të krijonte mundësinë që ristrukturimi i doganave, sipas shembullit bullgar, të konsiderohej seriozisht nga ekspertët, duke rritur kështu ndjeshëm edhe gjasat për ristrukturimin dhe modernizimin e tyre nga një kompani prestigjioze ndërkombëtare.