Shifranti i policisë, anëtar i AKSH-së
Pranga 68-vjeçarit maniak, i zbulohen listat e armatës
--------------------------------------------------------------------------------
Gerti Xhaja
TIRANE
Një aksion i rastësishëm i policisë për të bllokuar një shtëpi që përdorej si bazë nga një prostitutë, ka zbuluar në të vërtetë një bazë të AKSH-së në Tiranë. Agjentët e Antitrafikut kanë gjetur gjatë një kontrolli në banesën e ish-shifrantit të ministrisë së rendit, tashmë në pension, Sulejman Bashit, serverin kompjuterik të faqes së internetit të AKSH-së dhe disa lista me emra që dyshohet se mund të jenë veprimtarë të kësaj organizate të cilësuar nga SHBA si terroriste. Sipas policisë, 68-vjeçari, ka patur një fantazi të shfrenuar erotike dhe ky fakt ka sjellë edhe zbulimin e materialeve kompromentuese në banesën e tij pranë Brrylit në Tiranë. Burimet policore thanë për Gazetën se nuk disponohen informacione të sakta për rolin e tij në Armatë, ndërkohë që vazhdojnë verifikimet për të. Hetuesit kanë mundur të sigurojnë në burg Bashin me akuza të tjera, duke fituar kohë për të faktuar bashkëpunimin e tij me AKSH-në. Arrestimi i tij është kryer paraditën e së martës dhe është mbajtur sekret nga policia, ndërsa akuza zyrtare për të është shfrytëzim prostitucioni për qëllim fitimi dhe pornografi. Ai ndodhet i siguruar në ambientet e paraburgimit të burgut 313 të Tiranës dhe gjatë këtyre ditëve është marrë në pyetje nga inspektorët e antiterrorit të policisë dhe ata të SHISH-it.
Arrestimi
Policia ka zbuluar fillimisht shijet e çuditshme seksuale të pensionistit, që jeton i vetëm pas divorcit. Kanë qenë inspektorët e Antitrafikut ata që ndaluan fillimisht një prostitutë 21-vjeçare në bulevardin "Zogu i Parë" dhe prangosën Dhurata Markun, 23 vjeçe, si tutore të saj. Ndërsa dy ditë më vonë ata arrestuan Bashin si bashkëpunëtor të kësaj të fundit në shfrytëzimin për qëllime fitimi të prostitutës. Në banesën e 68-vjeçarit, e cila shërbente dhe si ambient për kryerjen e prostitucionit, janë gjetur një mal me kaseta porno, si dhe objekte erotike. Mes tyre u gjet dhe kompjuteri i serverit i faqes së internetit të AKSH-së. Pas dëshmive të prostitutës dhe tutores Marku, si dhe sekuestrimit të sendeve kompromentuese, hetuesit e arrestuan 68-vjeçarin në kushtet e flagrancës, nën akuzën e shfrytëzimit të prostitucionit. Me këtë akuzë, dje Gjykata e Faktit e Tiranës vendosi masën e arrestit "burg pa afat" për të.
Hetimi
Arrestimi i ish-punonjësit për 30 vjet në Ministrinë e Rendit, i dyshuar si aktivist i AKSH-së, e gjeti të papërgatitur policinë dhe shërbimin informativ kombëtar. Asnjë nga këta nuk kishte informacione për aktivitetin e 68-vjeçarit. Ndërkohë, hetuesit nisën verifikimet e listës me adresa të personave që pretendohen se janë anëtarë të formacionit luftarak. Sipas burimeve, krahas njerëzve të njohur të këtij formacioni, kishte edhe emra personash të tjerë për të cilët nuk ka pasur informacione.
Prostituta zbuloi AKSH-në
Mbrëmjen e së hënës Antitrafiku i policisë së Tiranës ndaloi Dhurata Markun, 23 vjeçe. Sipas policisë, ajo shfrytëzonte prej disa muajsh një 20-vjeçare për prostitucion në qendër të Tiranës dhe pranë stacionit të trenit. Në momentin e ndalimit asaj iu sekuestruan 70 mijë lekë të reja, të cilat i kishte nxjerrë nga prostitucioni. Ajo do të zbulonte më pas bashkëpunëtorin tjetër të saj, Sulejman Bashi, që ambientet e shtëpisë së tij i shfrytëzonte për takimet me klientët.
GAZETA SHQIPTARE 23.Janar 2005 Faqja 9
http://www.balkanweb.com/gazeta/gazeta.htm
Krijoni Kontakt