Lajme nga Personazh
“Jetova me pasaportë greke, italiane e turke”
Autori i Lajmit: Ilir Bushi
Quhet Hamza Hatika. Ka lindur në Tiranë, më 19 tetor të vitit 1967 dhe pas 11 vitesh në emigracion, tani është rikthyer përsëri në qytetin e tij të lindjes. Gjatë këtyre viteve është respektuar kudo në Europë me pasaportë greke, italiane e turke, ndërkohë që sapo e morën vesh se është shqiptar, i vunë prangat.
Dhe pastaj e rikthyen në Shqipëri, ku tani ka vendosur të ushtrojë profesionin e tij të saldatorit dhe të mos provojë më emigracionin. “Kur jetoja në Norvegji si italian, grek, apo turk më jepnin menjëherë punë dhe shtëpi me qira, ndërsa kur morën vesh se isha nga Shqipëria, thirrën policinë dhe më arrestuan, duke më dërguar pullë poste në Tiranë me avionin e parë”, shprehet ai. Dhe më tej, duke rrëfyer aventurën e falsifikimit të emrit apo të pasaportës, Hatika thotë se sekserët norvegjezë kërkonin nga 1 mijë dollarë për çdo pasaportë të rreme. “Dhe njeriu që shkonte për të punuar ndershmërisht me qëllim që të ndihmonte familjen, harxhonte qimet e kokës vetëm për të rregulluar dokumentat e qëndrimit, duke ndërruar emrin dhe identitetin”, sqaron ai.
Kur jeni nisur në emigracion?
Unë kam njohur rrugët e kurbetit që kur isha 24 vjeç. Duke mos pasur mundësi punësimi në Shqipëri, ashtu si mijëra shqiptarë të tjerë jam nisur jashtë shtetit për arsye ekonomike. Fati im ishte se unë që atëherë zotëroja anglishten dhe italishten. Prandaj rrugën e parë e bëra për në Gjermani. Ishte viti 1993, kur unë shkova drejt e drejt, sipas të gjitha rregullave dhe në bazë të dokumentacionit të plotësuar. Mirëpo, sapo më mbaroi leja e qëndrimit, filluan presionet dhe vështirësitë. Unë doja të punoja se profesionin e kisha shumë të mirë. Rrugë tjetër nuk kisha, prandaj të gjitha drejtimet më çuan tek sekserët e falsifikimit të pasaportave. Kështu, pasi ika në Norvegji, vendosa të regjistrohem me një pasaportë me nacionalitet grek. Kjo gjë më piu ujë dhe punët më ecën mirë. Zura një shtëpi me qera dhe fillova të shpreh talentin tim në punët e saldim-montimeve. Mirëpo, doli nevoja e sigurimeve shëndetësore. Në këtë pasaportë që kisha marrë herën e parë, emrin e kisha shqiptar dhe vetëm nacionalitetin e kisha të shënuar si grek. Prandaj, unë vendosa të marr një pasaportë tjetër. Atë kohë jetoja në Oslo.
Si vepruat për të marrë pasaportën e re?
Si gjithmonë, në një qytet europian ata që nuk mungojnë janë sekserët. Duket se ky zanat u jep atyre shuma të majme, prandaj nuk heqin dorë. Edhe mua, njerëzit e njohur më gjetën një të tillë. Ishte një djalosh 30-vjeçar nga Norvegjia. Ai më përgatiti brenda dy ditësh një pasaportë me emrin e një qytetari grek (quhej Jorgo) dhe me fotografinë time.
Sa ju kërkoi për këtë shërbim?
Mua më kërkoi 1 mijë dollarë, megjithëse ai thoshte që në raste të tilla merrte më shumë. Kurse unë për ato 1 mijë dollarë duhet të punoja plot një muaj e ca.
Si vazhdoi jeta juaj me emrin e ri Jorgo?
Me këtë emër pata shumë fat. Sepse fillova punën në një brigadë për ndërtimin e katër diskotekave më të famshme të Norvegjisë. Po kështu, pata edhe shumë porosi e punë të tjera private. Shkurt, fitova goxha para. Mirëpo një ditë dikush më spiunoi nga xhelozia dhe unë e lashë punën e shtëpinë me qera. Kërkova një pasaportë tjetër italiane dhe fillova kështu aventurën e re me emrin italian Paolo. Edhe për këtë pasaportë pagova në dorë 1 mijë dollarë të tjera. Këtë e bëra se doja të qëndroja në Norvegji, ku kushtet e punës dhe rrogat ishin shumë të mira.
Nuk kishit rrugë tjetër për të mbijetuar në Oslo?
Jo. Rruga tjetër ishte që të martohesha me ndonjë vendase dhe të bëja celebrimin, apo pasaportizimin. Mirëpo unë doja që të kthehesha një ditë në vendin tim, sapo të kisha mbledhur disa të holla. Në mënyrë që ta ndërtoja këtu familjen time.
Si i kaluat më tej ditët me pasaportën italiane?
Punova disa kohë i qetë, por përsëri njerëzit egoistë më njohën dhe më raportuan. Për këtë arsye, për herë të tretë në jetën time m’u desh që të ndërroja pasaportën dhe emrin. Këtë radhë zgjodha një pasaportë turke. Me emrin Ramazan. Këtu dua të shtoj se gjatë këtyre vështirësive që kaloja, unë kisha një plus shumë të madh, se dija gjuhë të huaja. Edhe me gjuhën norvegjeze po përshtatesha shumë mirë.
A kishte shqiptarë të tjerë në Oslo?
Kishte shumë pak. Hera-herës vinin shqiptarë nga Shqipëria dhe, kur qëllonte ndonjëri që ishte pa dokumenta të rregullta, shoqërohej me pranga në polici. Më pas e nisnin pullë poste në Tiranë. Unë i shikoja shpesh këto pamje kur ndodhesha në shoqërinë e norvegjezëve. Në përgjithësi vija re ngado se për shqiptarët ekzistonte një përshtypje e keqe.
Çfarë ndodhi më tej me ty?
Pas 11 vitesh në jetën e emigrantit, unë pata një rast të mirë për të punuar në një objekt. Mirëpo, aty kishte shumë montatorë-saldatorë të tjerë që donin të fitonin tenderin apo konkurrimin e objektit. Duke qenë se unë isha një usta i mirë, pronarët më zgjodhën mua.. Dhe pas kësaj ngjarjeje përsëri dikush spiunoi në polici. Këtë radhë nuk kisha më as kohë dhe as dëshirë që të fshihesha. Prandaj kur shkova në polici u thashë hapur se jam shqiptar dhe se kam ardhur që të punoj për të siguruar jetesën dhe të ardhmen. U tregova punët që kisha bërë dhe kurikulumin tim profesional. Por nuk ishte nevoja.
Përse nuk ishte nevoja?
Sepse ata sapo e morën vesh që isha shqiptar, më vunë prangat. Dhe po atë ditë me avionin e parë më hipën aty të shoqëruar nga një polic. Kur erdha në Tiranë, polici më dorëzoi tek autoritetet vendase dhe pas një procedure të gjatë, më dërguan në shtëpinë time.
A ke dëshirë ta provosh përsëri emigracionin?
Jo. Tani do të punoj në vendin tim me identitetin dhe emrin që kam. U lodha duke falsifikuar pasaportën time dhe duke jetuar nëpër botë me emra të rremë. Tani kam vendosur të qëndroj përgjithmonë në shtëpi, pranë nënës time, e cila prej 11 vitesh nuk e bënte gjumin rehat duke më pritur mua.
Krijoni Kontakt