"Kjo është protestë për bukën e gojës. Ne kërkojmë zgjidhjen e kërkesave tona ekonomike, ndërsa qeveria na lëshon forcat speciale për të na dhunuar barbarisht"
Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Transporteve, Gëzim Qato dhe 30 shoferë autobuzësh, u arrestuan dje nga Forcat Speciale. Sindikata e Transporteve kishte paralajmëruar prej disa ditësh zhvillimin e një proteste me shoferët e autobuzëve nga i gjithë vendi para Ministrisë së Transportit për zgjidhjen e kërkesave të tyre ekonomike, por qeveria lëshoi forcat policore për të shpërndarë me forcë protestuesit paqësorë. Rreth 300 shoferë nga të gjitha rrethet e vendit u mblodhën dje në mesditë për të protestuar, por forca të shumta të Policisë së Rendit dhe të Forcave Speciale rrethuan protestuesit dhe u përleshën me to, duke përdorur dhunë ndaj tyre. Forcat Speciale tërhoqën zvarrë disa nga shoferët protestues dhe më pas i futën në furgonët e policisë. Ndërmjet të arresturave ndodhej edhe Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Transporteve, Gëzim Qato.
Protesta nisi në orën 11:00 nisën protestën nga sheshi "Nënë Tereza", por shoferët nuk u lejuan të shkojnë deri te Ministria e Transporteve. Forcat Speciale u zunë pritë protestuesve në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" pranë Parkut "Rinia" në Tiranë dhe përdorën shkopinjtë e gomës për t'i shpërndarë ata. Në çastin kur Forcat Speciale përdorën dhunë ndaj protestuesve, ata hodhën parrulla kundë qeverisë, si "Poshtë qeveria, "Poshtë Fatos Nano", "Poshtë mafia qeveritare", etj. "Kjo është qeveri mafioze. Ne kërkojmë zgjidhjen e kërkesave tona ekonomike, ndërsa qeveria na lëshon Forcat Speciale për të na dhunuar barabarisht", tha njëri nga shoferët protestues. Ai shtoi se kishte ardhur nga Fieri për t'iu bashkuar protestës së paralajmëruar nga Sindikata e Pavarur e Transporteve, por sipas tij, qeveria e Fatos Nanos, jo vetëm që nuk i zgjidh kërkesat, por përdor policinë për të masakruar qytetarët e pafajshëm. Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Transporteve, Gëzim Qato dhe 30 shoferët e autobuzëve, deri në orët e vona të mbëmjes së djeshme nuk u liruan nga policia. Sindikata e Pavarur e Transportit kishte kërkuar leje zyrtarisht Policisë së Tiranës për zhvillimin e protestës, por policia nuk kishte dhënë leje.
Presidenti i Sindikatës së Pavarur të Transporteve, Gëzim Qato, deklaroi fillimisht para protestuesve se kjo Sindikatë kishte 4 muaj që kërkonte realizimin e kërkesave, por zëri i shoferëve kishte rënë në vesh të shurdhër. Për këtë shkak shoferët e autobuzave në të gjitha qytetet kryesore të vendit rifilluan protestën për realizimin e kërkesave të tyre ekonomike. Sipas kryetarit të Sindikatës, Gëzim Qato, qeveria kishte premtuar para vitit të ri se do të realizonte kërkesat e Sindikatës së Transporteve, por në fakt nuk realizoi asnjë kërkesë, duke i detyruar shoferët të rifillonin protestën. Greva e Sindikatës së Pavarur të Transporteve është përkrahur edhe nga Sindikatat e Pavarura të Naftës, Minierave, Telekomit, Kimisë, Energjitikës, Mbrojtjes, Tekstilit, Bujqësisë, Ushqimit, etj. Greva e shoferëve të autobuzëve ka paralizuar transportin e udhëtarëve në të gjithë vendin, duke krijuar kaos tek qytetarët.
Krijoni Kontakt