Gjykata e Londrës dënon me 6 vjet shqiptarin që shfrytëzonte për prostitucion një minorene ruse
Beratasi, ditën burrë, natën tutor
E reklamonte 17-vjeçaren edhe në faqet e internetit
--------------------------------------------------------------------------------
Gazeta Shqiptare
Nga Londra , Muhamed Veliu
Shqiptari i vetëquajtur Niki Dimitrov jetonte në veri të Londrës dhe paralelisht me angazhimin si tutor i një prostitute minorene, ai jetonte një jetë të dyfishtë edhe me bashkëshorten shqiptare. Tutori shqiptar i një ruseje 17-vjeçare është dënuar dje nga gjykata e "Southwalk Crown Court" në Londër me gjashtë vjet burg për shfrytëzimin dhe kontrollin e saj si prostitutë në disa shtëpi publike. Shqiptari i vetëquajtur Niki Dimitrov banonte në veri të Londrës dhe paralelisht me fshehjen e identitetit, ai jetonte një jetë të dyfishtë edhe me bashkëshorten shqiptare. Gjithçka është zbuluar kur një thes me rrobat e minorenes ruse është gjetur nga e shoqja e shqiptarit në dhomën ku jetonte me të, çka i ka dhënë fund të jetuarit të tij paralelisht si bashkëshort dhe tutor. E nëse gjykata ka zbardhur të gjitha detajet e aktivitetit kriminal të shqiptarit, ende nuk është bërë e mundur të zbulohet identiteti i tij i vërtetë.
Arrestimi
Një kontroll rutinë në 7 qershor 2004 i skuadrës së antiprostitucionit në një shtëpi publike në "Harrow Road" të Londrës ka zbuluar minorenen ruse, e cila shfrytëzohej nga shqiptari. Ajo është marrë menjëherë nën kujdesin e policisë, nga ku më pas ka treguar se shfrytëzohej nga një djalë shqiptar, të cilin ajo e njihte me emrin Daniel. Një operacion survejimi i ndërtuar me kujdes dhe i koduar me emrin "Rusia", pas katër javësh ka prangosur tutorin shqiptar, më 7 korrik 2004. Menjëherë pas arrestimit policia, gjatë kontrollit të shtëpisë së 29- vjeçarit, gjeti edhe një sërë dokumentesh që kishin të bënin me agjencitë e internetit, ku ai kishte reklamuar minorenen ruse. Nga dokumentet bankare është zbuluar se, megjithëse shqiptari ka qenë i papunë ai kishte në llogarinë e tij bankare 10 050 paund, të depozituara në tre javë. Pas ndalimit, ndaj tij u ngritën akuzat e të jetuarit me të ardhura nga imoraliteti, shfrytëzim minoreneje për prostitucion dhe falsifikim dokumentesh.
Viktima
Gjatë dhënies së dëshmisë, 17-vjeçarja ruse ka rrëfyer se si ishte trafikuar në Angli nga "Dimitrovi", i cili besohet se e ka blerë nga të tjerë shqiptarë në Belgjikë. Me të mbërritur në Londër, destinacioni i saj do të ishte prostitucioni, shoqëruar me rrahje sitematike nëse nuk bënte para. Për rusen, shtëpitë publike në pjesë të ndryshme të Londrës, dhe reklamimi i saj në dy agjenci interneti prostitutash të quajtur "Angels of London" (engjëjt e Londrës) do të zëvendësonin ëndrrën e saj për të punuar dhe për t'u shkolluar në Perëndim. Shqiptari, në mënyrë që të joshte sa më shumë klientë, do të shkruante në faqen e internetit: "Ndoshta vajza më e re në Londër për të bërë seks". Pas dy muajsh reklamimi në këtë agjenci, shqiptari do ta shfrytëzonte 17-vjeçaren në lagjen "Hendon" pranë "Station Road", në shtëpinë publike me emrin "Paradise". Vajza i ka treguar policisë se ajo ka punuar në disa shtëpi publike, madje ka qenë e regjistruar edhe në dy agjenci të tjera, duke punuar për çdo ditë mbi 14 orë si prostitutë, ndërkohë që shqiptari nga fitimi total i linte vetëm 10 stërlina në ditë. Minorenia ka treguar se "Dimitrovi" e pajisi atë me një pasaportë false lituaneze nën emrin Marija Simkuniene dhe me moshë 24 vjeçe.
Gjyqi
"Ai më kërcënoi se do të më vriste, më ka përdhunuar dhe rrahur pothuajse përditë", ka qenë dëshmia e vajzës ruse gjatë hapjes së procesit gjyqësor në ngarkim të shqiptarit. Ajo më pas ka treguar se është detyruar me zor të prostituojë pasi la Rusinë për të punuar në Perëndim si kameriere. Ndërsa shqiptari me emrin fals ka kërkuar të flasë në gjykatë me anë të një përkthyesi. Nalton Stembari është zgjedhur nga gjykata për të përkthyer për shqiptarin, i cili fliste me një aksent të Jugut të Shqipërisë, ndoshta nga zona e Beratit. Ai gjatë dëshmisë mbrojtëse tha se "vajza ishte një prostitutë e sprovuar, e cila donte të punonte shumë, të fitonte para dhe të martohej me një australian". "E takova atë në një pub në Belgjikë, ajo nuk kishte se ku të qëndronte, kështu i propozova të qëndronim së bashku", është shprehur shqiptari "Dimitrov". Ndërsa i pyetur nga prokurori Kim Preston, se si e kishte parandaluar ai gruan e tij të kuptonte se merrej me prostitucion, shqiptari është përgjigjur: "I thosha se punoja natën, ose kur shkëputesha nga shtëpia për disa ditë dhe qëndroja me rusen, i thosha se isha me punë në Danimarkë, Belgjikë apo Shqipëri". Njëkohësisht ai ka treguar se përdorte disa numra telefoni për të telefonuar bashkëshorten, e cila e ndau me të marrë vesh përfshirjen e burrit të saj në prostitucion. Pas një gjyqi njëjavor, dje gjykata londineze e shpalli fajtor tutorin shqiptar, duke e dënuar atë me gjashtë vjet burgim.
Agjenti: Vajza ishte një e burgosur e vërtetë
Numri një i antiprostitucionit në Londër, superintendenti Chris Bradford, pas përfundimit të gjyqit i tha Gazetës se "Dimitrovi e përdori këtë fëmijë si komoditet. Ajo u detyrua të punojë si prostitutë në rrethana të paimagjinueshme për më shumë se 14 orë në ditë, duke iu dhënë 10 paund, ndërsa ai jetonte një jetë të këndshme". Sipas Bradford-it, viktima ishte një e burgosur e vërtetë për të, që nuk dinte të bënte gjë tjetër veçse të çohej në shtëpi publike dhe me pas të merrej atje për në shtëpinë ku mbahej nga Dimitrovi. "Nuk ka dyshim se ajo ka jetuar nën një frikë konstante pa asnjë shpresë për t'u arratisur nga ai", tregon kreu i antiprostitucionit. Sipas tij, ky dënim do të përcjellë një mesazh të qartë tek ata që shfrytëzojnë vajza për prostitucion, të cilët gjithnjë do të ndëshkohen nga ligji.
Krijoni Kontakt