Kryetari i PD-së dhe ai i PR-së kanë takuar drejtuesit e fushatës së presidentit të SHBA
Berisha në darkën e fitores së Bushit
A. Rama
TIRANE - Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe kreu i PR-së Fatmir Mediu, morën pjesë dje në darkën e veçantë të shtruar nga republikanët për të festuar fitoren e tyre në fushatën e fundit elektorale “Bush & Cheney ‘04”. Berisha dhe Mediu, mbërritën dy ditë më parë në Uashington DC, pas ftesës së ardhur në drejtim të tyre nga Barbor Griffith dhe Rogers, për të marrë pjesë në këtë ceremoni të veçantë që republikanët zhvillojnë pas rezultatit të arritur në zgjedhjet e nëntorit të vitit të shkuar. Në darkë mori pjesë edhe sekretari Andrew Card, shef i stafit të presidentit Bush dhe Ken Mehlman, drejtor i fushatës elektorale, i cili së bashku me Karl Rove ishin arkitektët e fitores së presidentit Bush përballë kandidatit demokrat Kerry. Sipas një njoftimi për shtyp nga PD, Berisha dhe Mediu kanë zhvilluar një takim më vete me Lan Grifith, drejtor ekzekutiv i Barbor & Grifith, strukturë që ka organizuar dhe mbështetjen elektorale dhe financiare të presidentit Xhorxh Bush. Dy përfaqësuesit e opozitës shqiptare, gjatë takimit janë përqëndruar kryesisht tek situata parazgjedhore në vendin tonë. Ata e kanë vënë theksin tek nevoja e zhvillimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Lan Grifith ka premtuar mbështetjen elektorale për opozitën shqiptare. “Opozita shqiptare do të ketë mbështetjen e drejtpërdrejtë të Barbor Grifith & Rogers në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare dhe në ndërtimin e partneritetit të qartë para dhe paselektoral”,- thuhet në njoftimin për shtyp të selisë blu. Pas përfundimit të kësaj vizite të shkurtër në SHBA, kryedemokrati Berisha do të udhëtojë sërish përtej oqeanit për të marrë pjesë në Mëngjesin e Lutjeve, takim i përvitshëm që zhvillohet me pjesëmarrjen e liderëve të ndryshëm botërorë.
Krijoni Kontakt