Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 8
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    32,967
    Postimet në Bllog
    22

    PD bën publik planin kundër korrupsionit

    Prezantohet platforma antikorrupsion e përgatitur nga Forumi për Orientimin e Politikave në PD

    PD: Ja platforma antikorrupsion

    Ngritja e një Task Force, deputetët dhe ministrat pa konflikte interesash, rishikimi i imuniteteve

    Nevila Perndoj

    TIRANE- Partia Demokratike prezantoi dje në një tryezë të rrumbullakët platformën e saj antikorrupsion. Kjo platformë e përgatitur dhe e prezantuar dje nga Fatbardh Kadilli përfshin ngritjen e një strukture të re antikorrupsioni “Task-Force” , hapjen e zyrave të informimit publik brenda tre muajve, në rast se PD vjen në pushtet si dhe rishikimin e imuniteteve sipas standardeve bashkëkohore. Gjatë fjalës së tij, Fatbardh Kadilli ka trajtuar edhe një problem tjetër që lidhet me konfliktin e interesave. Sipas tij, ekipet e reja politike dhe teknike duhet të jenë të çliruara nga konflikti i interesave përmes transparencës së plotë të deklarimit dhe verifikimit të pasurive të gjithkujt, që është pjesë e vendimmarrjes politike dhe përdorimit të fondeve publike. “Që në fazën e propozimit të kandidaturave për zgjedhjet e ardhshme, PD ka mundësinë që të tregojë se do të qeverisë me njerëz që nuk bien në konflikt me interesat publike. Dhe në rast se një i zgjedhur nëse do të qeverisë, do të ketë një funksion politik, atëherë ai detyrimisht duhet të çlirohet nga ky konflikt interesi dhe më pas të ketë mundësinë të kryejë një funksion publik. Askush nuk mund të mendojë se ne kemi njerëz të mrekullueshëm, që kanë aftësinë të vënë interesin e përgjithshëm mbi interesin vetjak”, - tha Kadilli. Për këtë arsye në programin e masave afatshkurtra të përgatitur nga vetë ai, kërkohet miratimi i ligjit “Për konfliktin e interesave”, me qëllim që ekipet politike dhe teknike të jenë të çliruara nga konflikti i interesave.

    Berisha
    Duke mbështetur plotësisht programin e përgatitur, Berisha bëri të ditur se çdo pikë e saj është e zbatueshme në rast se ekziston vullneti. “Unë nuk mund të premtoj se do ta luftojmë korrupsionin për tre muaj. Unë nuk mund të premtoj se do të decentralizojmë pushtetin për tre muaj se nuk është realiste, por ama premtojmë se brenda dy- tre muajve do të hapen zyrat e informacionit, premtojmë se brenda dy tre muajve do të vendosim praktikat e E-Government, premtojmë se brenda tre muajve, mbledhja e parë e Këshillit të Ministrave e në vazhdim do të jetë e hapur për publikun, premtojmë se brenda tre muajve do të saktësojnë të gjithë penalitetet për korrupsionin”,- tha ai.

    Kundërshtitë

    Në tryezën e djeshme të organizuar nga Partia Demokratike në bashkëpunim me anëtarët e Forumit të Orientimit të Politikave ka pasur edhe kundërshti. Disa prej tyre e kanë cilësuar një strukturë të fryrë, ndërkohë që duhet të rritet efiçenca e strukturave aktuale. Aldo Bumçi një prej anëtarëve të forumit i pa me skepticizëm afatet lidhur me luftën kundër korrupsionit. “Problemet janë dy llojesh. Problemi i parë është se ndryshimet institucionale nuk japin produkte menjëherë. Kërkojnë kohë. Pra një problem i sotëm mund të zgjidhet pas një viti. Problemi i dytë është se në përfytyrimin e korrupsionit ka inerci. Nëse unë mendoj se ka korrupsion në dogana ose në gjyqësor, unë nuk mund ta ndryshoj dot as për një muaj dhe as për një vit sepse korrupsoini ka filluar të bëhet si përgjigje për çdo problem që ka sot shoqëria”,- tha ai. Ndërsa gazetari Ilir Aliaj shtoi dje se kjo reformë që po bëhet “duket sikur po kthehet në një gjueti individësh, që aktualisht janë drejtues të enteve rregullatore”.

    Masat institucionale

    Do të krijohet Task-Force Antikorrupsion, si një instrument i angazhimit politik. Task-Force do të koordinojë punën për zbulimin, denoncimin dhe ndjekjen e çdo praktike korruptive në administratën publike.
    Brenda 6 muajve të parë çdo institucion do të hapë zyrat e informimit të publikut.
    Brenda 100 ditësh, çdo institucion do të zhvillojë rregulloret e brendshme dhe kodet e transparencës që garantojnë ofrimin e shërbimit për çdo kërkesë të qytetarëve.
    Brenda 6 muajsh, institucionet qendrore do të ngrenë shërbimin e teknologjisë së informimit dhe komunikimit dhe promovimin e E-Government.
    Qeverisja e PD do të mbështesë financiarisht nisma nga shoqëria civile e komuniteti që kanë për qëllim rritjen e transparencës dhe mbikëqyrjes së institucioneve publike.
    Miratimi dhe zbatimi i ligjit “Për konfliktin e interesave”
    Miratimi dhe zbatimi i ligjit “Për financimin e partive dhe fushatave politike”
    Brenda 12 muajve çdo institucion do të hartojë Kodin e Etikës për zyrtarët dhe nëpunësit e vet duke konsideruar ligjin ekzistues si standard minimum
    Rishikimi i imuniteteve sipas standardeve bashkëkohore
    Ekipet e reja politike dhe teknike duhet të jenë të çliruara nga konflikti i interesave
    Zhvillimi i mbledhjeve të qeverisë në prezencë të mediave
    Publikimi periodik i veprimtarisë të gjithë institucioneve qendrore
    Aplikimi i praktikës së ballafaqimit periodik me mediat
    Përfshirja e përfituesve në komisionet e prokurimit

    Vëzhgimet më të fundit

    67% e perceptojnë korrupsionin si problem prioritar:
    Korrupsioni më i përhapur në sektorë të veçantë (gjykata, dogana, shëndetësi, kabineti qeveritar)
    Rënie e besimit në institucione edhe tek vetë zyrtarët
    Vetëm 33% e publikut dhe 67% e zyrtarëve ka dijeni për nismat antikorrupsion të qeverisë
    35% e qytetarëve, 39% e biznesit dhe 20% e zyrtarëve janë viktima të korrupsionit

  2. #2
    Eks-plorator Maska e kolombi
    Anëtarësuar
    27-05-2003
    Vendndodhja
    Mes oqeaneve...............
    Postime
    3,720
    Antikorrupsioni, shtyllë e programit të PD


    Masat synojnë përmirësime thelbësore qysh në 3 muajt e parë të qeverisjes dhe brenda një viti, përmbysje të situatës së rëndë që ka aktualisht qeverisja. Në masat e para kundër korrupsionit, brenda 6 muajve të parë, çdo institucion do të hapë zyrat e informimit të publikut, brenda 100 ditësh, çdo institucion do të zhvillojë kodet e transparencës që ofrojnë shërbimin e informimit për çdo kërkesë të qytetarëve

    Partia Demokratike ka prezantuar dje një projektprogram agresiv kundër korrupsionit të administratës, gjatë një debati të gjatë me përfaqësues të shoqërisë civile si dhe ekspertë të njohur të fushës së antikorrupsionit, transparencës dhe mirëqeverisjes. Në vazhdim të paraqitjes së programit të saj elektoral përmes tryezash me përfaqësues të shoqërisë civile dhe botës akademike të vendit, Partia Demokratike ka shfaqur masat e saj për një qeverisje ndryshe dhe për qëndrim krejt tjetër ndaj korrupsionit qeveritar. Masat synojnë përmirësime thelbësore qysh në 3 muajt e parë të qeverisjes dhe brenda një viti, përmbysje të situatës së rëndë që ka aktualisht qeverisja. Në masat e para kundër korrupsionit, brenda 6 muajve të parë, çdo institucion do të hapë zyrat e informimit të publikut, brenda 100 ditësh, çdo institucion do të zhvillojë kodet e transparencës që ofrojnë shërbimin e informimit për çdo kërkesë të qytetarëve, etj. Edmond Spaho, ekspert i njohur ekonomik si dhe sekretar i PD-së për Çështje Ekonomike, tha në fillim të takimit se "lufta kundër korrupsionit, mirëqeverisja dhe transparenca ndaj qytetarëve, janë një kusht i patolerueshëm për ecurinë e një sërë procesesh mjaft të rëndësishme për të ardhmen e vendit tonë, siç është procesi euroatlantik i vendit".

    Bardhi Kadilli, kryetari i koalicionit antikorrupsion dhe anëtar i Komitetit të Orientimit të Politikave të PD, bëri prezantimin e projektprogramit antikorrupsion të kësaj partie.

    Në debat u përfshinë Besnik Aliaj i COOPLAN-it, Artan Hoxha, i Institutit të Studimeve Bashkëkohore, Përparim Dervishi, studiues, pedagog i Neë York University, Aldo Bumçi, i Institutit për Studime Rajonale për Integrim Ndërkombëtar, Remzi Lani nga Instituti i Medias, Bledi Kajsiu, drejtor i Shkollës Politike të Tiranës, Edlira Reçi, e Institutit të Studimeve të Financave Publike, Gafurr Luga, i Institutit të Studimeve Shqiptaro-Amerikane, Ilir Zhilla, Pjerin Marku, Dejana Mëhilli, Gerti Sheva, Holta Kotherja, etj.

    Ata vlerësuan se përpjekjet e PD-së për një program agresiv kundër korrupsionit në qeverisje, është një hap në drejtimin e duhur. Siç thanë ata, këtë betejë e ka humbur qeverisja aktuale dhe shoqëria pret nga PD masa radikale për reduktimin e këtij fenomeni shkatërrues për ekonominë dhe jetën e qytetarëve. Ata sugjeruan që masat e para antikorrupsion të merren në ata sektorë apo institucione ku njerëzit shkojnë më shpesh për hallet e tyre gjatë një dite, muaji apo viti. Sipas tyre, duhet të edukojmë njerëzit për të kuptuar të drejtat e tyre.

    Përveç masave administrative sipas tyre, duhet të ketë edhe organizma llogaridhënie dhe jo vetëm zyra informacioni. Ata vlerësuan projektprogramin e paraqitur nga PD, si profesional dhe të kompletuar.

    PD, standarte të reja kundër korrupsionit

    Kryetari i PD-së, Sali Berisha, duke folur për një kuadër masash kundër korrupsionit, tha se "është e domosdoshme të vendosim disa standarte, edhe etike, në luftën kundër korrupsionit, sepse a mundet që kryeministri të shoqërohet nga drejtori i Doganave? Edhe sikur një qindarkë të mos ia japë ky njeri, si ka mundësi që e shoqëron! Ishte më parë Bleta dhe e shoqëronte vetëm ai. Erdhi Papadhima, ia hoqi komuniteti ndërkombëtar, pastaj erdhi Idrizi, që e shoqëron në çdo udhëtim. Po të ishte ndryshe, pse Nano nuk merr drejtorin e Institutit të Gjeografisë për ta shoqëruar pasi i shpjegon më mirë Sharm El Sheikun ? Edhe ai zyrtar është si ky tjetri". Sipas tij, "çështja e Kodit Etik është e rëndësishme. Ne duhet të mendojmë se si kjo administratë do të jetë një zgjidhje tjetër ndaj korrupsionit".

    Berisha u shpreh në vijim se "vetëm forcimi i institucioneve dhe lufta brenda tyre është lufta reale kundër korrupsionit, i cili është një fenomen permanent, por duhet të ketë një luftë të fuqishme permanente, nuk duhet të kemi iluzione". Kryetari i PD-së vlerësoi mendimin e diskutantëve se "korrupsioni në drejtësi ka si shtyllë kryesore KLD, me në krye Presidentin e Republikës". Siç tha ai, "aty qëndron problemi, por në qoftë se nuk luftohet korrupsioni në ekzekutiv, harroje se mund të luftosh korrupsionin në drejtësi. Ka gjykatës të ndershëm dhe punonjës të ndershëm në administratë". Berisha kërkoi në fund që të gjithë "duhet të dëshmojnë se do të ndryshojmë, por duhen forcuar institucionet, pa zëvendësuar reformat".

    30% e vendimeve të gjykatave nuk zbatohen

    Momenti i parë dhe themelor për ata që do të vijnë pas këtyre zgjedhjeve në pushtet, është se do të gjejnë një ambient tmerrësisht të infektuar nga korrupsioni. Kështu ka deklaruar kryetari i PD-së, Sali Berisha, gjatë një debati me shoqërinë civile, ku u prezantua projektprogrami i kësaj partie për luftën kundër korrupsionit. Siç tha Berisha, "është e një rëndësie të jashtëzakonshme që të kuptohet nga të gjithë se PD po jep një mesazh të qartë, se një qëndrim tjetër, një qëndrim ndryshe ndaj korrupsionit, është kusht i qeverisjes së saj të ardhshme".

    Për të komentuar natyrën e korrupsionit të administratës së lartë të qeverisjes socialiste, Berisha iu referua një bisede me një diplomat të huaj. Siç tha ai, "para disa muajsh takova një ambasador, i cili ka qenë avokat shumë i shquar në vendin e tij. Kur po diskutoja për korrupsionin me të, më tha këto fjalë: "Kam takuar gjatë jetës sime jo pak nga ata që kishin vjedhur 1 miliard dhe që kishin dëshirë të vidhnin miliarda të tjera dhe nuk thonin stop".

    Kjo për Berishën "është logjika e largimit të tyre nga pushteti, por detyra jonë është se si të parandalojmë ata që vijnë në pushtet, që të mos synojnë miliardin e parë. Në këtë kontekst jam i vetëdijshëm se me disa masa që do të instalohen tre muajt e parë, nuk është se e ke goditur objektivin, por të paktën ke kontribuar për instalimin e një shëmbëlltyre ndryshe në qëndrimin ndaj korrupsionit". Së dyti, vazhdoi Berisha, "kam arritur në një përfundim ndoshta të gabuar, që është përcaktues në qëndrimin ndaj ligjit. Pse? Po ju jap një të dhënë. BE jep një statistikë, ku në Shqipëri 30% e vendimeve të gjykatave nuk zbatohen. Unë jam interesuar dhe del se 2/3 e tyre nuk i zbaton shteti. Pra, qeveria që duhet të jetë më e interesuar për funksionimin e ligjit, bllokon ligjin. Pse ky përmbarim sot? Nuk ka diskutim se ligji thyhet aty ku takohet me zyrtarët. Prandaj jemi katandisur që të kemi një tregues 017 të zbatimit të ligjit, kundrejt 043 që e ka Buinkinafaso, kundrejt 060 që e ka Mongolia".

    Stop, vjedhjes së qytetarëve nga qeveritarët

    Kryetari i PD-së, Sali Berisha, u tha përfaqësuesve të shoqërisë civile të pranishëm në tryezë, se kishte konstatuar që gjatë këtyre viteve kishin bërë përpjekje shumë të mëdha për të kompletuar infrastrukturën ligjore të luftës kundër korrupsionit, si dhe për të vendosur në institucione ato praktika që e mbrojnë institucionin nga korrupsioni.

    Ai theksoi se "për të gjithë ne këtu, ky problem është problemi më fondamental, është kancer i vërtetë, i cili ka një specifikë, është plotësisht i njohur, tërësisht i ditur. Ajo çfarë ka nevojë ky problem është lufta kundër tij, çrrënjosja e tij. Pra, në këtë rast kemi të bëjmë me një fenomen tmerrësisht të njohur".

    "Edhe ne kemi bërë përpjekje të mëdha në Parlament, kemi afruar heqjen e imunitetit, kemi bërë propozime, por që të gjitha kanë mbetur siç dëshmon treguesi i korrupsionit i kalkuluar nga Transparency International, një letër dhe asgjë më shumë për qeverisjen aktuale", deklaroi Berisha. Kryetari i PD-së u shpreh në vijim se "ju garantoj se qeverisja e ardhshme do të karakterizohet nga një vullnet i hekurt për të zbatuar këtë platformë, në mënyrë që zyrtarët të mos mund të vjedhin dhe shpërdorojnë paratë e qytetarëve". Duke folur për korrupsionin, Berisha tha se kishte gjetur si krahasim të përshtatshëm fjalën "babëzi". Siç u shpreh ai, "disa herë e kam pyetur veten si ta përkthej këtë term. Kam përdorur termin babëzi, duke marrë vetëm një krahasim të anglishtes, por ai nuk është vetëm babëzi. Ç'është e vërteta, në këtë gjuhë e ka edhe elementin fëlliqësi brenda. Atëherë le t'i themi vjedhje e qytetarëve nga qeveritarët, nga administrata. Ka edhe fenomene të tjera, por këtu është thelbi i tij, ndaj dhe e konsideroj këtë si një nga shtyllat më të rëndësishme, më kryesore të programit të ardhshëm të Partisë Demokratike".

    M.Buçpapaj


    --------------------------------------------------------------------------------

    Projektprogrami i PD për Transparencën, Mirëqenien dhe Luftën Kundër Korrupsionit

    PD, luftë krimit ekonomik

    Projektprogrami për Transparencën, Mirëqenien dhe Luftën Kundnër Korrupsionit, shpreh qartë synimet politike të PD për një qeverisje të ndershme të përgjegjshme të hapur dhe të orientuar ndaj qytetarëve.

    Projektprogrami ka në themel frymën e PD-së për ndryshim që është njëherësh përgjigja më e mirë për kërkesat dhe pritshmërinë që kanë qytetarët shqiptarë për të parë një Shqipëri ndryshe.

    Projektprogrami i Partisë Demokratike synon 1) ndryshimin rrënjësor të mendësisë dhe mënyrës së qeverisjes 2) reduktimin progresiv dhe të qëndrueshëm të korrupsionit 3) rritjen e transparencës dhe pjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisje dhe vendimmarrje;


    Masa institucionale:

    1. Do të krijohet Task-Forcë antikorrupsion, si një instrument i angazhimit politik.Task-Forcë do të koordinojë punën për zbulimin, denoncimin dhe ndjekjen e çdo praktike korruptive në administratën publike. Kjo trupë do të përcjellë përgjegjshmërinë dhe moralin politik të maxhorancës së re në institucionet e tjera të shtetit që kanë për detyrë parandalimin dhe ndëshkimin e abuzimeve apo shpërdorimeve në manaxhimin e postit dhe fondeve publike.

    2. Njësia antikorrupsion do të përqëndrohet në hartimin dhe zbatimin e politikave kundër korrupsionit, ndjek Planin e Masave Antikorrupsion dhe të zhvillojë e ndjekë Planin e Matjes së Performancës së programeve e ndërhyrjeve antikorrupsion. Ajo do të nxisë debatin publik e profesional për problemet e korrupsionit si dhe të masë në mënyrë periodike perceptimin e publikut, biznesit dhe zyrtarëve për nivelin e përhapjes së korrupsionit.


    Zbatimi me vendosmëri i ligjit:

    1. Korrupsioni do të trajtohet në përputhje me Konventat Europiane Penale dhe Civile.

    2. Rishikimi i imuniteteve sipas standarteve bashkëkohore.

    3. Ekipet e reja politike dhe teknike do të jenë të çliruara nga konflikti i interesave nëpërmjet transparencës së plëto të deklarimit dhe verifikimit të pasurive të gjithkujt që është pjesë e vendimmarrjes politike dhe e përdorimit të fondeve publike.


    Transparenca ndaj publikut:

    1. Brenda 6 muajve të parë çdo institucion do të hapë zyrat e informimit të publikut.

    2. Brenda 100 ditësh çdo institucion do të zhvillojë rregulloret e brendshme dhe kodet e transparencës që garantojnë ofrimin e shërbimit të informimit për çdo kërkesë të qytetarëve.

    3. Brenda 6 muajve, institucionet qendrore do të ngrenë shërbimin e teknologjisë së informimit dhe komunikimit dhe promovimin e E-Government

    4. Qeverisja e PD do të mbështesë financiarisht nisma nga shoqëria civile e komunitetit që kanë për qëllim rritjen e transparencës dhe mbikqyrjes së institucioneve publike.


    Forcimi i Etikës së Qeverisjes:

    1. Forcimi institucional dhe ligjor i Inspektoriatit të Deklarimit dhe Verifikimit të Pasurive.

    2. Miratimi dhe zbatimi i Ligjit për Konfliktin e Interesave.

    3. Miratimi dhe zbatimi i Ligjit për financimin e partive dhe fushatave politike.

    4. Brenda 12 muajve çdo institucion do të hartojë e miratojë Kodin e Etikës për zyrtarët e nëpunësit e vet, duke konsideruar ligjin ekzistues si standart minimum.


    Ngritja e besimit në institucionet:

    1. Shpalljen e nismave para se të kenë marrë formë përfundimtare dhe institucionalizimin e debatit me grupet e interesuara.

    2. Zhvillimi i mbledhjeve të qeverisë në prezencë të mediave për të rritur shkallën e transparencës dhe informimin e qytetarëve.

    3. Institucionalizimin e praktikës së kontaktit, konsultimit dhe konfirmimit të mbështetjes politike nëpërmjet paraqitjes së kryeministrit në Kuvend.

    4. Zbatimi në fushën financiare i kodeve të transparencës të zhvilluara nga FMN

    5. Publikimi periodik i veprimtarisë të gjithë institucioneve qendrore.

    6. Aplikimi i praktikës së ballafaqimit periodik me mediat

    7. Kultivimi në administratë i mendësisë së shërbimit ndaj qytetarëve.

    Forcimi i sistemit të Drejtësisë:

    1. Zhvillimin e dosjes së gjyqësorit, formati tip/standard bazuar në procedurën penale e civile.

    2. Krijimi i bazës së të dhënave për çdo gjykim nëpërmjet informatizimit të praktikës gjyqësore të standartizuar për të kryer verifikimin periodik të performancës së gjyqtarëve.

    3. Forcimi i Zyrës së Përmbarimit nëpërmjet rishikimit të kuadrit ligjor dhe shtimi të kapaciteteve përmbaruese.

    4. Reformimi i sistemit të shërbimit të Noterisë

    5. Zhvillimi dhe adaptimi i Kodit Etik të juristëve në bashkëpunim me Dhomën e Avokatëve dhe Shërbimin e Noterisë.


    Standartizimi e thjeshtëzimi i shërbimeve dhe liçensimeve1.

    Standartizimi dhe thjeshtëzimi i procedurave të liçensimit, duke vendosur kritere që respektojnë drejtësi e ndershmëri në dhënien e liçensave.

    2. Rregullimi i procesit të liçensimit sipas modelit "one stop shop" dhe dhënia e lejeve e liçensave në kohë dhe cilësi.

    3. Përgatitja dhe publikimi nga çdo institucion i udhëzimeve për aplikuesit për leje e liçensa.

    Transparenca dhe ndershmëria në proceset e prokurimeve

    1. Krijimi i një sistemi mbikqyrës dhe garant të procedurave të prokurimit i ngjashëm me institucionin e Ombudsman-it

    2. Përfshirja e përfituesve në komisionet e prokurimit.

    3., Aplikimi i legjislacionit të Komunitetit Europian në proceset e prokurimit.


    Eleminimi i barrierave për biznesin:

    1. Thjeshtëzimi dhe përafrimi i procedurave dhe kostove për çeljen e një biznesi me mesataren e vendeve të OECD

    2. Reformimi i Enteve Rregullatore të sektorëve strategjikë për të mbrojtur konsumatorët dhe luftuar monopolet në ekonomi.

    3. Do të zhvillohen mekanizma efiçente të ngritjes së një dialogu të ndershëm e të hapur midis bizneseve dhe sektorit publik.


    Programi antikorrupsion do të fillojë të zbatohet në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore ku kanë fituar dhe qeverisin këshilla e kryetarë bashkish e komunash të PD-së.


    --------------------------------------------------------------------------------

    Pashko: Hapja e PD më kujton Dhjetorin '90


    Është pozitiv fakti që PD hapet dhe kërkon të krijojë grupe konsulentësh që ta ndihmojnë, njerëz që kanë një nivel të caktuar ekspertize dhe ekspertiza në këtë rast vlen. Mua më vjen keq sot që vura re në shtyp se disa të tjerë reagonin për emrat. Nuk kanë rëndësi fare emrat, ka rëndësi që lidershipi i PD-së kërkon të ndërtojë një program të mbështetur në idera dhe cilatdo idera qofshin, aq më mirë është. Kjo krijon mundësinë e komunikimit.

    Mua më kujtohet kur themeluam PD-në dhe kur shtonim njerëzit personalisht, p.sh zotin Meksi, zotin Ruli, etj. Gjithçka vinte si rezultat njohjesh. Ne ishim një grup kaq i kufizuar njerëzish, saqë ishte e vështirë për ne të fusnim gjëra të reja, sepse kishim idera të konsumuara prej kohësh.

    Ndërsa ky është një avantazh i madh që ata kanë mundësinë, kanë eksperiencën e 14 viteve të tranzicionit që me këto idera të përtërijnë vizionin e përgjithshëm të PD-së. Kjo nuk do të thotë që nëse PD-ja konsiderohet si një forcë politike apo si një forcë iluministe, këto gjëra të mos komunikojnë me njëra-tjetrën. Mua më duket një gjest shumë pozitiv. Sa më tepër të hapet, aq më mirë është. Esenciale është se sa do të dëgjohet kjo gjë atje ku do të jetë vendimmarrja në PD. Esenciale është që njerëzit duhet të heqin dorë nga paragjykimet dhe frustrimet që kanë për emrat.

    Unë kam përshtypjen se PD-ja duhet të bëjë disa lëvizje të tjera. Ajo duhet të hapet më shumë për konkurrencën brenda përbrenda saj. Në qoftë se nuk ka konkurrencë brenda përbrenda, të respektuar, d.m.th njerëz të ndryshëm që konkurojnë brenda saj duke u respektuar njëri me tjetrin, nuk do të ketë më monumente, pra individë që janë të padiskutueshëm. Të gjithë duhet të konkurojnë brenda saj. Në qoftë se PD-ja hapet në këtë formë, atëherë ajo ka bërë një hap të madh. Ne kemi rastin që politikanët që marrin votat, shndërrohen pastaj në intelektualë, në njerëz që duhet të ndriçojnë mendjet. Tani kemi procesin e kundërt. Njerëz të ndritur, sepse pjesa më e madhe e tyre kanë një back ground me gjithë mend të respektueshëm, marrin në dorë politikën.


    --------------------------------------------------------------------------------

    Petrela: Shprehje e angazhimit të intelektualëve në politikë

    Neokirurgu i njohur Mentor Petrela u shpreh dje gjatë një prononcimi për TV "Klan" se pjesëmarrja e tij në Komitetin e Orientimit të Politikave të PD-së është shprehje e angazhimit të tij intelektual. "Natyrisht kjo nuk qe arsyeja e vetme, por qe një ftesë që unë e kam pasur edhe herë të tjera. Dhe ndaj këtyre ftesave unë kam mirëkuptim, pasi politika mundohet të orientohet drejt për të paraqitur strategjinë e ardhshme në fushën e shëndetësisë", tha Dr.Petrela. Sipas tij, politika në përgjithësi duhet të jetë më e hapur ndaj shoqërisë civile. Por ndonjëherë ka një sjellje të ndryshme të saj, që mund ta quaj si një transplant. "Shoqëria civile, pra, me politikën bën një transplant që mund të japë hibride nganjëherë shumë të mira, por nganjëherë mund të ndodhë edhe plakja. Ky është mesazh për të dyja palët", shprehet Petrela.


    --------------------------------------------------------------------------------

    Basha: Ky është një proces që do të sjellë ndryshimin

    Juristi Lulëzim Basha shprehet se ka pranuar të afrohet me opozitën, sepse ndjehet më afër Partisë Demokratike. "E kam parë këtë si një proces gradual të rifilluar prej kohësh brenda vetes. Edhe pa këtë ftesë, është i domosdoshëm angazhimi politik i çdo profesionisti që mendon se në një moment të caktuar duhet të shohë përtej interesave individuale. Dhe për mua ky moment erdhi me ftesën e PD-së, ku një proces i gjatë dhe gradual mendimi politik u shndërrua në vendim për t'iu bashkëngjitur kësaj strukture", tha Basha. Sipas tij, në vetvete ky është një proces jo vetëm racional, por që ka të bëjë edhe me çështje të besimit, identitetit, besueshmërisë së forcës politike që e bën këtë ofertë. Dhe ç'është më e rëndësishmja, ai mendon se ky proces ka të bëjë me çështje të besimit ose të ndjenjës që duhet të ketë ndryshim të
    "Meqe brenga eshte burimi i gezimit,mos vajto............"

    GETE

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    RD

    ---


    Së bashku do të ndryshojmë Shqipërinë

    Sali BERISHA


    Është nder i madh dhe kënaqësi e veçantë për mua të festoj sot me ju, dhe të gjithë qytetarët e Shkodrës, 14-vjetorin e themelimit të pluralizmit politik dhe Partisë Demokratike, partisë së parë opozitare pas gjysmë shekulli, burgje, ekzekutime, tortura dhe kampe përqëndrimi, partisë së aspiratave tuaja më fisnike dhe shpirtit tuaj perëndimor, partisë së emancipimit dhe interesit kombëtar të shqiptarëve.

    Nder përjetë qytetarëve dhe qytetareve të Shkodrës, që 14 vjet më parë themeluan pluralizmin politik dhe Partinë Demokratike si parti e parë opozitare, parti e përmbysjes së diktaturës më të egër komuniste në Europë, e garantimit të lirive dhe të të drejtave qytetare, e vokacionit dhe integrimit perëndimor të Shqipërisë.

    Por sot jam këtu, për t'u përulur me nderim të thellë, së bashku me ju, para sakrificave mbinjerëzore, ekzekutimeve mizore, torturave çnjerëzore, burgosjeve dhe internimeve masive të qindra dhe mijëra qytetarëve të Shkodrës, për fjalën e lirë, besimin tek Zoti, dinjitetin njerëzor, dashurinë për Shqipërinë. Gjatë diktaturës barbare të Enver Hoxhës, Shkodra vendosi në altarin e lirisë qindra dhe mijëra martirë të fjalës së lirë, dhe dinjitetit njerëzor, shekuj burgje e persekutime të egra, më shumë se çdo qytet tjetër në Europën ish-komuniste, duke mbetur si në shekuj djep i qytetërimit tonë perëndimor, qyteti i besimeve të mëdha të shqiptarëve.

    Edmond Burko thotë: "E keqja nuk kërkon asgjë tjetër për të triumfuar, përveç indiferencës së njerëzve të mirë". Ju, njerëzve të mirë të Shkodrës, e keqja nuk ju mposhti kurrë, sepse ju nuk qëndruat indiferentë kurrë ndonjëherë ndaj saj. Prandaj dhe ju, në tërë historinë tonë, si gjatë pushtimeve të huaja, ashtu dhe gjatë diktaturës komuniste, gjatë dhe pas rebelimit komunist të '97, mbetët ishulli i shpresës për shqiptarët.

    Njeriu që festoi fitoren e vjedhjes së zgjedhjeve të vitit '91 me gjakun e martirëve të Shkodrës, pas rikthimit me dhunë në pushtet në vitin '97, kishte vetëm një qëllim, asgjësimin e pluralizmit politik, demokratik, zëvendësimin e tij me pluralizmin burokratik, asgjësimin e Partisë Demokratike, zëvendësimin e saj me simotrat socialiste. Projektin e tij ogurzi e nisi me djegien e Shkodrës, me zhytjen e saj në errësirën më të thellë, e vazhdoi me ekzekutimin e themeluesit të pluralizmit, Azem Hajdari, burgosjen, torturat çnjerëzore ndaj demokratëve. Ndërsa ju gjithnjë qëndruat të pamposhtur. Se qëndruat ju, Shqipëria është sot pluraliste.

    Ju nuk u mposhtët as dhe nuk u mashtruat, sepse shpresa është mençuria juaj më e madhe, sepse ju e kuptuat se Fatos Nano urren Shkodrën jo për rrugicat apo muret e saj, por për vlerat perëndimore dhe kombëtare që mbajnë në shpirt, dhe mbrojnë qytetarët e saj.

    Ju e dini mirë se në rast se Shkodra ka rreth 70% të qytetarëve të saj pa punë, kjo nuk vjen se asaj i mungojnë mundësitë e punësimit, as talenti dhe dashuria për profesionet, mjeshtrit e punës. Jo dhe jo. Puna nuk njeh ndokund mjeshtra më virtuozë e të arrirë se në qytetin tuaj.

    Ju jeni të papunë, sepse kryeministri Fatos Nano dhe klika e tij vjedhin, shpërdorojnë çdo vit vetëm në taksa dhe tatime që nuk paguajnë ata vetë mbi 700 milionë Euro, që do të mjaftonin për të krijuar mbi 100 mijë vende pune në vit. 6200 Euro për vend pune do të mjaftonin për dy TEC-e të reja dhe për të dyfishuar prodhimin e energjisë në Shqipëri apo për të asfaltuar pa përjashtim të gjitha rrugët kryesore, dhe dytësore të Shqipërisë.

    Ju keni të papunë sot mbi 70% të popullsisë, jo se ju nuk doni të punoni, por sepse Fatos Nano, si hakmarrës primitiv ju ndëshkoi ju, prodhuesve kryesorë të energjisë në vend, me ndërprerje të përditshme dhjetë orëshe të saj, duke larguar nga Shkodra mijëra sipërmarrës vendi dhe të huaj, shkatërruar vetëm në prodhimin e këpucëve mbi 15 mijë të vendeve të punës.

    Ju përmbyteni sot nga ujërat që ju rrethojnë, jo nga katastrofat natyrore, por nga qeveria katastrofë e kryekleptokratit të vendit, i cili përcakton për buxhetin tuaj dy herë më pak lekë se sa telefoni celular për këshilltarët e tij.

    Qytetarët dhe qytetaret e Shkodrës nuk votuan kurrë gabim, sepse Shkodra, si bastion i shpirtit tonë perëndimor, nuk mund të votojë kundër identitetit të saj perëndimor, nuk mund të votojë ndryshe veçse për integrimin, vlerat perëndimore që ajo mbron dhe mbart në shpirtin e qytetarëve të saj.

    Sot, qytetarët e Shkodrës dhe mbarë Shqipërisë, që hapën me themelimin e PD dhe pluralizmit dyert e Europës dhe Perëndimit, e dinë se këto dyer nuk janë të mbyllura, se shqiptarët janë të mirëpritur në gjirin e familjes së kombeve që i përkasin, por sot rrugën për në Europë e ka bllokuar kryeministri, i cili në vend të standarteve të Europës, standarteve të Perëndimit, servir çdo ditë standartet e Dyvaljes apo të Idi Aminit.

    Brukseli nuk mund të pranojë si standarte të tij zbatimin vetëm të 0.17 të ligjit në Shqipëri, ndërkohë që Mongolia, që nuk ka paraqitur kërkesë për anëtarësim në BE, e ka 0.60 zbatimin e tij. Brukseli nuk mund të pranojë për standarte perëndimore ryshfetin e "Benz"-it prej 360 mijë Euro të kryeministrit shqiptar. Këto janë standarte të Mugabes. Brukseli nuk mund të pranojë si standarte europiane pushimet përrallore të kryekleptokratit shqiptar, që merr si arkëtar personal kryetaksadarin e vendit. BE dhe NATO nuk mund të pranojnë për standarte vjedhjen e votës nga Janukoviçi i Shqipërisë. Brukseli nuk mund të pranojë për standarte të tij emërimin e Papadhimës në krye të doganave, rikthimin e adhamudhit, Malajvitës në krye të Financave, të Naçit të korrupsionit, këtij hajduti në krye të ekonomisë, me të cilët vjedh, shpërdoron çdo vit mbi 700 milionë Euro taksa të shqiptarëve.

    Brukseli nuk mund të pranojë në standartet e tij cinizmin ekstrem dhe amoralitetin e Fatos Nanos, që feston mbi zinë e kombit të tij, përdhos kështu Kodin më të lashtë të njeriut të qytetëruar.

    Perëndimi nuk mund të pranojë si standart të tij etik standartin e kryekleptokratit që tre vjet më parë kishte deklaruar 3 mijë dollarë pasuri, ndërsa sot menaxhon kompani transporti ajror, rrugor dhe detar të helmit të bardhë.

    Brukseli nuk mund të pranojë për standarte të tij, por si krim dhe vetëm krim, shtypjen e qytetarit të pafajshëm me makinë në Shkallnuer, dhe flakjen e tij në kanal sikur të ishte breshkë e jo njeri, si dhe fshehjen e krimit të shëmtuar.

    Ne që themeluam pluralizmin politik dhe Partinë Demokratike, që hapëm për Shqipërinë dhe shqiptarët dyert e mbyllura të lirisë, demokracisë dhe integrimit, që përmbysëm sistemin komunist më çnjerëzor, diktaturën më mizore që vendi ka njohur në tërë historinë e tij, që hodhëm bazat e sistemit demokratik, ne që ndryshuam sistemet dhe epokat, ne së bashku do të ndryshojmë Shqipërinë.

    Ne do të fitojmë!

    Rroftë Shqipëria!

    -----
    RD

  4. #4
    Eks-plorator Maska e kolombi
    Anëtarësuar
    27-05-2003
    Vendndodhja
    Mes oqeaneve...............
    Postime
    3,720
    Berisha: Do ta nxjerrim në pension Nanon

    Anila Dushi


    Shkodër- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte dje në qytetin e Shkodrës, ku mori pjesë në koncertin festiv, të organizuar me rastin e 14 -vjetorit të themelimit të kësaj partie. “Projektin e tij për shkatërrimin e pluralizmit, Fatos Nano e filloi me djegien e Shkodrës dhe vrasjen e bijve të saj më 1991, e vazhdoi më pas me errësirën totale, vrasjen e Azem Hajdarit, torturat e qindra demokratëve. Fatos Nano e urren Shkodrën jo për muret e rrugicat e saj, por për vlerat e qytetërimit perëndimor e kombëtar, që ajo ka. Ai që shpërdoron 700 milionë euro në vit, sa për të ndërtuar dy TEC-e e për të hapur me qindra mijë vende pune, është një hakmarrës primitiv. Shkodra ka mbi 70% të papunë, jo se nuk duan të punojnë, por se është e diskriminuar nga qeveria e Fatos Nanos, e cila e dënon me errësirë, atë që është prodhuesja kryesore e energjisë elektrike e gjithë vendit, largon investitorët e huaj, duke shkurtuar vende pune”, -tha Berisha gjatë fjalës së tij. Kryetari i PD u shpreh optimist në fitoren e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. “Në qershor ne do e nxjerrim në pension Fatos Nanon. Ata që ndryshuan sistemet dhe epokat do të ndryshojnë dhe këtë here Shqipërinë”,- tha Berisha. Ky ishte i vetmi takim që Berisha zhvilloi dje ne qytetin e Shkodrës. Dje ai kishte planifikuar takime në selinë e PD, Bashkinë e Shkodrës dhe një konferencë shtypi, të cilat u anuluan. Sipas drejtuesve të PD Shkodër, takimet u anuluan për arsye shëndetësore të kryetarit të PD.

    Shekulli
    "Meqe brenga eshte burimi i gezimit,mos vajto............"

    GETE

  5. #5
    Eks-plorator Maska e kolombi
    Anëtarësuar
    27-05-2003
    Vendndodhja
    Mes oqeaneve...............
    Postime
    3,720
    Berisha ka kuptuar se nuk punohet me servilë


    Nevila Perndoj

    TIRANE- Deputeti i opozitës, Preç Zogaj, deklaroi dje në një intervistë për “Shekullin“ se Komiteti i Orientimit të Politikave nuk e ezauron sfidën e PD-së për hapjen dhe përtëritjen e forumeve. “Unë besoj se PD do të ketë lajme të freskëta edhe në këtë pistë, pra në pistën e përtëritjes së forumeve“, - tha ndër të tjera Zogaj. Ai nuk përjashtoi edhe mundësinë e rikthimit në PD bashkë me ish-themelues të tjerë të PD-së si Arben Imami dhe Gramoz Pashko. “Ne nuk e shtrojmë problemin për t’u rikthyer një nga një në një strehë, por për të celebruar disa mësime bashkë me kolegët bashkëthemelues të PD-së“, - shtoi ai. Ndërsa për konfliktet, që ai dhe shumë të tjerë kanë pasur ndër vite me PD-në, deputeti i opozitës, Preç Zogaj u përgjigj: “Jetojmë në Shqipëri, nuk jetojmë në kopshtet e Edenit, djalli e mori. Por edhe në Europë politikanët shkëmbejnë batuta dhe akuza. Po të përdorim si kriter të sjelljes politike emocionet, hatërmbetjet apo akuzat, duhet të tërhiqemi në ndonjë shpellë apo ishull të harruar. Por kjo nuk është politike. Duhet të shikojmë si mendojmë, çfarë zgjidhjesh kemi. Nuk ka kriter tjetër”, - tha ai.
    Z.Zogaj, si e cilësoni përbërjen e Forumit të Orientimit të Politikave, që u prezantua pak ditë më parë nga lideri i opozitës Sali Berisha?
    Nuk i njoh të gjithë, por fakti që të gjithë ata që njoh unë përfaqësojnë vlera të larta intelektuale e profesionale në fushat përkatëse më bind se kriteri i cilësisë ka qenë themelori në përzgjedhjen e anëtarëve. Ky kriter nuk mund të gabonte për njerëz që nuk i njoh unë. Pra mund të themi se komiteti e kaloi me sukses provën e parë, atë të përbërjes me figura elitare, që mendoj se janë edhe njerëz të lirë e të fortë.

    Keni parasysh emra konkretë?

    Përgjigje: Secili prej emrave që njoh unë do të shërbente si ilustrim. Por duhet nënvizuar fakti se komiteti si ide, dhe tashmë si institucion, ka rëndësi më të madhe sesa emrat konkretë. Komiteti është shprehje e një marrëdhënie të re politike midis Partisë Demokratike dhe vlerave që ka krijuar e krijon në vijimësi shoqëria shqiptare. Si i tillë komiteti është një mesazh pozitiv për të gjithë intelektualët, ekspertët, studiuesit e kështu me radhë. Në Shqipëri dhe jashtë Shqipërisë ka shumë të tillë, ndofta edhe më të zotë, që duan të kontribuojnë për vendin. Partitë politike, veçanërisht të mëdhatë, por edhe të voglat, kanë përgjegjësinë e promovimit të vlerave dhe kapaciteteve. PD dha një shembull që do të pasurohet e zhvillohet si i tillë.

    Pyetje: Kjo do të thotë se komiteti do të zgjerohet në të ardhmen?

    Përgjigje: Afërmendsh. Dhe besoj se shumë shpejt kreu i PD-së do të njoftojë emra të tjerë.

    Pyetje: A mendoni se funksioni i këtij komiteti duhet të shoqërohet edhe me ndryshime brenda strukturave të PD-së, sepse ka edhe nga ata që janë futur në këtë forum për ambicje politike?

    Përgjigje: Komiteti ilustron vendosmërisë e PD-së për të vendosur marrëdhënie partneriteti me shoqërinë civile dhe me vlerat. Nga ana tjetër komiteti është edhe një paradhomë për të promovuar individë, që duan të merren me politikë. Kjo është e kuptueshme. Por komiteti nuk e ezauron sfidën e PD-së për hapjen dhe përtëritjen e forumeve. Unë besoj se PD do të ketë lajme të freskëta edhe në këtë pistë, pra në pistën e përtëritjes së forumeve.

    Pyetje: Kreu demokrat, Berisha e ka paralajmëruar këtë që thoni ju. Por ka zëra se brenda strukturave të PD-së, ndërsa ka patur mirëkuptim për komitetin që ka status këshillimor, nuk do të përtypej lehtë përtëritja. Si e shikoni ju këtë situatë?

    Përgjigje: Jam afër PD-së prej disa vitesh dhe, duke përjashtuar emocionet normale të rivalitetit në politikë, nuk kam vënë re shenja, qëndrime apo platforma që t’i kundërvihen hapjes dhe përtëritjes. Kjo ndodh pikësëpari sepse përtëritja ka qenë dhe është një proces, pra jo një goditje. Shumë prej drejtuesve të PD-së janë të rinj në moshë, por kryesisht në kuptimin politik të fjalës. Mos kujtoni se njerëzit politikë vjetërohen kaq shpejt. Me këta drejtues, me Berishën në krye dhe me aleatët opozitarë PD ka rilindur në zgjedhjet e vitit 2001 dhe rezulton të këtë qenë partia e parë në vendoret e vitit 2003. Kur krerët e PD-së flasin sërish për përtëritje, nga një anë ata ndihen të qetë se konkurrenca vetëm i rrit politikisht, nga ana tjetër dëshmojnë vetëdije për nevojën e një fitoreje të gjerë në zgjedhjet e ardhshme dhe të ndryshimit të madh që do të pasojë këtë fitore. Shikoni, prioritetet e PD-së mund t’i pikasni edhe tek kartat antiPD që luan qeveria. Kjo qeveri do të bëjë çmos të sabotojë, frenojë apo pengojë hapjen dhe përtëritjen e PD-së. Kjo qeveri do të përpiqet deri në fund të pengojë një kohezion të natyrshëm të forcave opozitare rreth PD-së. Kjo qeveri do të mundohet të aktivizojë opozitën e opozitës, një koncept dhe një praktikë perverse që ka dhënë ndonjë rezultat. Duke e lexuar këtë lojë të PS-së, opozita dhe PD do të vijojnë punën për të kurorëzuar aleancën e madhe me vlerat dhe virtytet.


    Pyetje: Sapo thatë se komiteti nuk e ezauron përtëritjen e PD-së. Ju do të jeni një nga anëtarët e PD, që ktheheni pas disa vitesh, në fakt cili është statusi i marrëdhënieve tuaja aktuale me PD dhe si e shihni konkretisht në të ardhmen, pasi shumë pranë është Kongresi i PD?

    Përgjigje: Unë jam një nga ish-themeluesit e Partisë Demokratike. Që prej marsit të vitit l997 i kam kapërcyer problemet vetjake që kam patur me krerët e PD-së, ndërsa kam një bashkëpunim të ngushtë me këtë parti gjatë gjithë legjislaturës që po mbyllet. Në zgjedhjet lokale të vitit 2003 dhe në lëvizjen “Nano ik”, më është dhënë rasti dhe nderi të jem në vijën e parë të aksionit politik të PD-së, bashkë me drejtues të vjetër e të rinj të saj. Unë e kam deklaruar edhe më parë kur më është bërë pyetja që bëtë ju se që jam i nderuar me postin e votuesit të PD-së.


    Pyetje: Kjo duket si batutë, pyetja ime ka të bëjë me përfshirjen ose jo në strukturat e reja të PD-së.

    Përgjigje: Ja, pra. U kuptua se po të jetë fjala për mua personalisht nuk kam patur asnjë problem të bëj një zgjedhje. Por unë jam pjesë e një fluksi politik, rikthimi i të cilit në PD, sipas meje, ka vlerat e një zhvillimi politik. Këtu kam parasysh Imamin, Pashkon dhe shumë të tjerë pas tyre, me të cilët kemi ndarë disa vizione dhe përvoja liberaldemokrate. Ne nuk e shtrojmë problemin për t’u rikthyer një nga një në një strehë, por për të celebruar disa mësime bashkë me kolegët bashkëthemelues të PD-së.


    Pyetje: A po zhvillohet ky proces?


    Përgjigje: Po. Dy vjet më parë, Berisha hodhi idenë e guximshme të një kongresi rithemelues të PD-së dhe negocioi me të gjitha skizmat e PD-së për këtë ide. Imami, Pashko dhe unë e mbështetëm, por ikanakët e tjetër, me sa di, nuk e mbështetën. Kështu që nuk mund të bëhet një kongres rithemelues pa e pranuar të gjithë. Në këto kushte, mendoj se Berisha duhet të avancojë me një formulë tjetër bashkimi.


    Pyetje: Cili është kriteri i një ribashkimi me PD?


    Përgjigje: Unë do ta thoja se në politikë nuk ka ndonjë kriter tjetër më të saktë sesa kriteri që lidhet me idetë dhe vizionet.


    Pyetje: Duke kapërcyer batutat dhe akuzat që keni shkëmbyer në të kaluarën?

    Përgjigje: Jetojmë në Shqipëri, nuk jetojmë në kopshtet e Edenit, djalli e mori. Por edhe në Europë politikanët shkëmbejnë batuta dhe akuza. Po të përdorim si kriter të sjelljes politike emocionet, hatërmbetjet apo akuzat, duhet të tërhiqemi në ndonjë shpellë apo ishull të harruar. Por kjo nuk është politike. Duhet të shikojmë si mendojmë, çfarë zgjidhjesh kemi. Nuk ka kriter tjetër. Ne, ish -themeluesit e PD-së, demokratët dhe liberaldemokratët që kanë ardhur ndërkohë, po bashkohemi rreth parimeve të sundimit të ligjit, të tolerancës, të promovimit të elitës- të gjitha këto janë parime të liberaldemokracisë. Ngritja e komitetit dëshmon se lidershipi politik pranon të bashkëpunojë, të ndajë e delegojë përgjegjësi me njerëz të lirë e të fortë. Ky është një ndryshim, më saktë kemi para syve një përmbysje të madhe konceptuale. Berisha dhe drejtuesit e tjerë kanë kuptuar se mund të realizohen duke punuar me njerëz të aftë e të lirë, pra jo me servilë dhe mediokër.



    13/01/2005

    Shekulli.
    "Meqe brenga eshte burimi i gezimit,mos vajto............"

    GETE

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    kolomb..

    te bej nje pyetje.. me qe je i Myzeqese si Krahine..

    psh.. ne Corrush apo Fratar a Levan ose Libofsh.. eshte me e lehte te jesh antar i PD-se apo i PS-se..?
    Si ndikon ne jeten e perditshme familjare e ne biznese e halle tjera te qenit antar i PD apo i PS-se..?


    ose.. nje komisioner qe do te jete ne nje kuti votimi ne nje nga keto fshatra.. qe thame.. eshte me i kercenuar nga ambjenti.. apo bandat apo shteti ne se eshte komisioner per PS-ne apo PD-ne?

    Ne se sdi gje per ato zona .. fol per qytetin brenda.. no pr..

    Mos mu pergjigj me hamendje por nga rrefime te njerzve qe mund te kesh takuar e qe kane perjetuar vete klimen para zgjedhore e pas zgjedhore..ne zona te tilla..

    Ksaj pyetje mund ti pergjigjen dhe te tjeret per zona te tjera te vendit..

    jeni te mirpritur me mendimet tuaja..

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e tani_26
    Anëtarësuar
    11-09-2002
    Vendndodhja
    Ne vendin e shqiponjave ku tani ka vetem korba!
    Postime
    1,113
    Citim Postuar më parë nga Brari
    kolomb..

    te bej nje pyetje.. me qe je i Myzeqese si Krahine..

    psh.. ne Corrush apo Fratar a Levan ose Libofsh.. eshte me e lehte te jesh antar i PD-se apo i PS-se..?
    Si ndikon ne jeten e perditshme familjare e ne biznese e halle tjera te qenit antar i PD apo i PS-se..?


    ose.. nje komisioner qe do te jete ne nje kuti votimi ne nje nga keto fshatra.. qe thame.. eshte me i kercenuar nga ambjenti.. apo bandat apo shteti ne se eshte komisioner per PS-ne apo PD-ne?

    Ne se sdi gje per ato zona .. fol per qytetin brenda.. no pr..

    Mos mu pergjigj me hamendje por nga rrefime te njerzve qe mund te kesh takuar e qe kane perjetuar vete klimen para zgjedhore e pas zgjedhore..ne zona te tilla..

    Ksaj pyetje mund ti pergjigjen dhe te tjeret per zona te tjera te vendit..

    jeni te mirpritur me mendimet tuaja..

    haha Brari nga e ditke Corrushin, Fratarin apo ato zonat e tjera?

    Nejse Brari, ke te drejte, mentaliteti i popullates se asaj zone si dhe Jugut ne pergjithesi eshte i cuditshem....
    Sa per Fratarin, tani qe isha ne Albani mu dha rasti te shkoja, nje fshat aty afer kishin nje muaj pa drita, por do votojne prape PS ne zgjedhje ama! mentalitet interesant!

  8. #8
    automotive Maska e ClaY_MorE
    Anëtarësuar
    16-05-2004
    Vendndodhja
    Deutschland
    Postime
    4,456

    Post

    PD E Fiton Kete Vit Procesin Elektoral Ka Me Shume Perparesi Por Te Shikojme Se Cdo Ndodhe Bota Eshte E Rrumbullaket.
    Jeta ime, mban emrin e saj..

Tema të Ngjashme

  1. KOSOVE-1981 - Rrofte Republika Socialiste e Kosoves
    Nga DYDRINAS në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 46
    Postimi i Fundit: 07-07-2018, 11:21
  2. Kryeministri i Kosovës jep dorëheqjen
    Nga rudo në forumin Portali i forumit
    Përgjigje: 227
    Postimi i Fundit: 14-11-2005, 08:52
  3. Kryengritja Popullore Shqiptare E 1912 – 1915
    Nga ORIONI në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 12-07-2005, 14:44
  4. Pershkrimi i parajses ne Kuran
    Nga deshmuesi në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 33
    Postimi i Fundit: 07-07-2003, 15:18

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •