PAGANINI, Legjenda dhe të vërteta për virtuozin hero

Mbas viteve të arta të Beethovenit, i cili ishte forca më e madhe e artit muzikor në histori dhe që krijoi kushtet
për hyrjen në një botë të re, Revolucioni francez dhe Revolucioni Industrial e transformuan Europen. Çdo gjë ishte në një proçes ndryshimesh, shkenca avancoi, teknologjia dhe mjekësia bënë një kërcim potenciali, muzika natyrisht po pasqyronte një kohë të re. Beethoven kishte kërkuar nga muzikantët që të punonin në drejtim të krijimeve të reja muzikore të një niveli më të lartë. Kompozitorët e rinj zgjeruan më tej idetë e tyre. Teknologjia bëri përmirësime të pabesueshme në cilësinë e prodhimit të instrumenteve muzikorë të shek. 18.
Bashkë me përmirësimin e instrumenteve të orkestrës u përmirësua edhe piano. Mirpo pianistët kërkonin të bënin në piano atë që Paganini bënte në violinë. Niccolo Paganini kishte një pozicion të lartë, të pazakontë në historinë e muzikës, si njeriu që frymëzoi dhe entuziazmoi të gjithë instrumentistët dhe kompozitorët e Romantizmit. “La campanella” dhe “Caprice No. 24” kanë qenë objekte frymëzimi në krijimet e disa kompozitorëve, si temë për komplet variacionesh. Me 1831 Franz Liszt e ndëgjoi për herë të parë Paganinin me shumë vemendje dhe i hutuar. Ai menjëherë vendosi që të transferojë efektet e Paganinit në piano. Liszt në fillim aranxhoi për piano 6 kapriço të Paganinit ndërsa “Etydet e Paganinit”janë pjesë për piano, magjepse dhe ekuivalente me pjesët e violinës që vetëm Liszt mundë ti luante atë kohë duke eksituar audiencat si Paganini. Rachmaninov shkroi “Rapsodi në temë të Paganinit” bazuar ne kapriço No. 24, në një kompozim virtuoz. Me ardhjen e Paganinit, performanca, kompozimi dhe prezantimi i muzikës klasike në të vërtetë u bënë një virtyt spektakolar i brilancës. Të mos harrojmë që Paganini në moshën 16 vjeç shkroi 24 kapriçot e famshme.

Legjenda e violinës

Violina e Paganinit ka qenë “Guarneri del Gesu” dhe jo Stradivari. Historia e kësaj violine është një nga mitet kryesore brenda legjendës së tij. Paganini kërkonte violinën “del Gesu” dhe kjo violinë iu paraqit atij në Livorno, në fillim të 1800. Një tregtar Francez që quhesh Colonel Livron ishte pronar i një teatri ndërsa Paganini kishte kontraktuar me të për interpretime në violinë. Paganini arriti në Livorno pa violinë.
Tregtari Livron e ndëgjoi Paganinin duke luajtur në violinwn e tij dhe tha: “kjo violinë ka rënë në duart e mjeshtrit tw saj të vërtetë” dhe, duke këmbëngulur që violina të qëndronte tek ai në fund i tha: “Ky instrument është i yti”.
Në fakt kjo violinë e duarve të Guarnerit ishte e përshtatshme për stilin e Paganinit, me një tingull të fuqishëm e vibrant dhe ishte e pakrahasueshme, sukseset e Paganinit ndryshuan çdo gjë sepse violina e Guarnerit për herë të parë shfaqet si rival i Stradivarit qysh prej koncertit të Viottit në Paris. Kjo violinë u bë e pandashme prej virtuozit.
Robert Schumann ka thënë për Paganinin: “Ai ishte pikë kthese në historinë e virtuozitetit”. Ai ishte i pari prej super - virtuozëve dhe mund të thuhet se ishte violinisti më i madh, edhe për gjithë kohët. Muzikantët edhe sot çuditen se si Paganini arriti në të gjitha efektet e mjeshtërisë në interpretim. Talenti i tij i jashtëzakonshëm mendohesh se ishte rezultat i një pakti me “djallin”, ai luante në violinë si një magjistar. Violinisti virtuoz Ivry Gitlis e konsideronte Paganinin “më tepër si një fenomen i rrallë sesa një zhvillim”. Ai luajti Saturnalio më mirë se koncertet, në kompozimet e tija që i luante para audiencave Paganini donte të tregonte kufirin e aftësive të tija, nga lirik në dramatik - akrobatik. Pasazhet e shpejta, trillet, akordet dyshe e treshe, harmonikat, glissandot, staccato dhe kombinimi i pizzicato -ve me harkun janë disa nga shembujt spektakolarë. Një herë iu këput njeri tel në gjysëm të kompozimit dhe vazhdoi të luante me tre telat deri në përfundim. Në një koncert që Paganini luajti në Hamburg, në një ditë të ngrohtë Qershori, me violinën e tij të preferuar “Il Cannone “del Gesu, ai mahniti të pranishmit në sallë të cilët kishin lexuar dhe dëgjuar për këtë magjistar të violinës. Ishte koncerti i 91-të i tij për dy vite të tureve në Gjermani dhe Poloni që ia rriti edhe më shumë famën si virtuoz i pakapërcyeshëm. Ai prezantoi teknikën dhe mjeshtërinë në luajtjen e violinës, shpejtësia e gishtave dhe e harkut krahas pizzicato-ve të dorës së majtë si me ornamentet e tija mahnitën audiencën. Më vonë, Paganini, legjenda ndërkombëtare e violinës, vazhdoi të luaj pa të tre telat e parë duke mbetur vetëm me telin e katërt, Sol, në pjesën më të bukur e më brilante që ndoshta mjaft të tjerë zor se do ta luanin në mënyrë aq perfekte bile edhe me të katër telat. Ndonjëri aty në audiencë mundë të mos ishte i sigurt nëse violinisti ishte personi që ishte duke luajtur në një mënyrë super - humane apo ishte vetë “djalli” në violinë. Audienca ishte aq e eksituar saqë një gruaje i ra të fikët. Një poet Gjerman shkruante mbas koncertit : “Ishte një entuziazëm i madh e mahnitës që nuk e kisha parë e dëgjuar ndonjëherë në jetën time “. Ndërsa kur Paganini luajti për herë të parë në La Scala të Milanos me 1813, një kritik Italian shkruante: “Ai është pa asnjë dyshim violinisti më i madh në botë. Interpretimi i tij ishte vërtetë i papërfytyrueshëm. Pasazhet e tija gjatë luajtjes në violinë, kërcimet e harkut dhe akordet asnjë herë nuk janë dëgjuar nga ndonjë violinist”. Niccolo Paganini u ftua në Vjenë dhe interpretoi violinë koncertin e tij në Si minor, No. 2 op. 7. me 29 Mars të vitit 1828. Audienca Vieneze u mahnit nga interpretimi i Paganinit, nga alternimi i pasazheve në një lirizëm e bravura, ai fluturoi me një shpejtësi të çuditshme mbi akordet e 39 masave të kohës së parë Allegro maestoso duke e prezantuar veten si virtuozin më të madh. Adagion e këtij violinë koncerti Franz Schubert i ndodhur në audiencë e cilësoi si një këngë engjëlli ndërsa Rondo - La Campanella u interpretua plot brilancë. Në audiencë ishin edhe shumë violinistë të cilët e shikuan me habi mjeshtrin gjatë interpretimit me synimin që të “zbulonin sekretin” e tij. Derisa qëndroi në Vjenë Paganini dha edhe 14 koncerte të tjera dhe u nderua nga Presidenti me titullin “Chamber Virtuoso”. Performancat triumfuese të Paganinit, ato të viteve 1828 - 1831, Londër dhe Paris çuan në krijimin e kultit të tij, në të cilin çdo gjë ishte tashmë “paganiniane”. Interpretimet “magjike” çuan në thurjen e shumë legjendave për Paganinin siç ishte ajo e figurës “mefistofeliane”.
Niccolo Paganini ftoi kompozitorin Francez Hector Berlioz që të shkruante për të një kompozim për violë dhe Berlioz shkroi “Haroldi në Itali”, që mendohesh ta interpretonte vetë Paganini. Mirëpo ky refuzoi ta interpretonte këtë kompozim sepse nuk kishte shumë pjesë solo dhe se nuk ishin të atij niveli që Paganini të demonstronte aftësitë e tija teknike si mjeshtër e virtuoz i instrumentit. Ky virtuoz edhe kur luante pjesë nga Mozart dhe Beethoven nuk mund ta përmbante veten prej ornamenteve brilante.
Paganini zhvilloi më tej teknikën e luajtjes në violinë duke përdorur gjerësisht harmonikat, akordet dyshe e treshe, akordet oktavë e glissandot bashkë me staccato e pizzicato të dorës së majtë e të djathtë (koncerti No.5).
Nuk mundë të gjeje një instrumentist profesional, i cili të mbante aq me gjallëri dhe entuziazëm audiencën si Paganini dhe asnjë tjetër nga ata nuk solli aq elementë të virtuozitetit e aq brilancë në kapriçot e koncertet sa Paganini.
Sot çdo student i violinës luan kapriçot e Paganinit në provimin final, Caprice No. 24 dhe Moto perpetuo op. 11, për të perfeksionuar teknikisht luajtjen në violinë, dhe kjo na le të nënkuptojmë se çfarë efekti mahnitës ka patur Paganini si virtuoz mbi audiencën. Brilanca teknike e Paganinit dhe forca ekspresive e interpretimeve, magnetizmi i tij personal, ishin kërkesë e domosdoshme e virtuozitetit të tij. “Një interpretim i tillë, shkruante një kritik vienez, ishte frut i një “energjie të pafund”, kombinuar nga forca e jashtëzakonshme me delikatesën e shkëlqyeshme, të shoqëruara me emocionet”.
Niccolo Paganini në koncertet e tija si brenda Italisë dhe jashtë saj, në Evropë, interpretonte vetëm kompozimet e veta të shkruara me novacione të pashtershme, plot mjeshtëri dhe teknikë. Kjo gjë mund të thuhet për 4 koncertet e para të regjistruara në CD Philips Classic bashkë me “Le streghe”, variacione në temë nga Rossini dhe “I Palpiti” të shkruara midis viteve 1813 dhe 1830. Jo vetëm kaq, por kompozimet e Paganinit përmbajnë edhe substancë muzikore çka duket prej interpretimeve plot sensitivitet dhe emocione. Violinë koncerti No. 5 në La minor është një nga koncertet më të gjata të Paganinit, i shkruar rreth vitit 1830. U publikua me 1973 nga Instituti i Studimeve Paganiniane në Genova me orkestracion të Federico Mompellio. Pjesa e violinës është origjinale me gjithë disa referenca të një instrumentacioni të mundshëm dhe sot mbahet nga “Biblioteca Casanatense” në Romë. Kohë më parë një aranxhim për violinë dhe piano i bërë prej Giusto Dacci gjithashtu ka qenë publikuar ndërsa me 1959 muzikologu Federico Mompellio bëri orkestracionin e Koncertit No. 5 që u interpretua nga virtuozi Franco Gulli me 12 Shtator në Akademinë Chigiana në Siena. Kadenca e kohës së parë është kompozim i Vincenzo Bolognese.
Megjithë ekspresivitetin magjeps të koncertit No. 4, koncerti No. 5 e ka arritur dhe e ka kaluar duke u konsideruar si një kompozim i Paganinit me vlerat më të larta. Në pjesën më të madhe të koncertit No. 5 Paganini ka shfrytëzuar frazat lirike Italiane dhe ka arritur ta bëjë këtë violinë koncert mjaftë tërheqës e të këndshëm. Allegro maestoso është një sonata-formë dhe e alternuar midis La minor dhe La maxhor, e që fillon me një introduksion të gjatë të orkestrës prej 133 masash ndërsa tingulli reminishent i violinës dëgjohet në masën 134. Andante un poco sostenuto është e ngadaltë, plot ekspresion dhe mbas 7 masave violina solo fillon me ornamentet dhe lirizëm. Koha e tretë, Rondo andantino allegretto është një Rondo brilante plot kolor. Interpretimet mjaftë të mira janë ato të virtuozit Italian Franco Gulli dhe të virtuozit Bullgar Prof. Minço Minçev. Interpretimi i virtuozit Bullgar është superior, ka më tepër aromë “paganiniane”, një ton “full”, sensitiv, luan plot pasion dhe është më “agresiv”gjë që e bën koncertin më tërheqës e më të gjallë si në stilin e virtuozit të madh Kogan, me një intonacion të natyrshëm dhe shumë i saktë në akordet, në oktaven më të lartë dhe në gjithë elementët e virtuozitetit.
Regjistrimin e kësaj performance në CD dhe DVD e dëgjoj disa herë në ditë jo vetëm pse koncerti No. 5 është më i bukuri i Paganinit por edhe pse violinisti Minçev të bën për vete me atë interpretim brilant plot pasion Romantik, me një teknikë superiore, forcë kontrolli dhe ton kolor. Veçanrisht në frazat lirike të kohës së parë, Minçev luan mjaft “dolce”, masat 190-208 me akordet oktavë si dhe në frazën mjaft melodike prej 305 deri 334 të alternuar me kërcimet e harkut. Violina e tij Stradivari 1716 të cilën ia bleu Shteti Bullgar ka një rezonancë perfekte që bie në sy qysh në hapjen e Allegro maestoso. Në pjesën e dytë, Andante un poco sostenuto, mbas 7 masave të orkestrës, violina fillon me ornamentet e Paganinit, në një melodi ekspresive plot emocione e cila ka klimakset e saja midis masave 40 dhe 67 ff. si dhe mbas masës 75 dhe 92 deri 111 kur përfundon në “sempre piu piano”. Koha e tretë, Rondo andantino allegretto, fillon mjaft “dolce” në 6/8 dhe karakterizohet jo vetëm nga linjat melodike paganiniane por në çdo frazë hasemi me elementët e virtuozitetit siç janë staccato në masat 80 deri 91 dhe 120 deri 127 të alternuara me melodinë, akordet doppio në pjesën më të madhe të koncertit, pizzicato të dorës së majtë dhe arpeggio të cilat i shoqëron Orkestra e Filarmonisë Pllovdiv në balancë absolute dhe për këtë ka meritën kryesore dirigjenti i madh Bullgar, Maestro Dobrin Petkov. Virtuozi Bullgar Minçev u shqua si një Maestro i madh i violinë koncertit No. 5 ndërsa Stradivari 1716 i tij “këndoi”në të tri pjesët e koncertit, me një tingull vibrant, të fuqishëm në një performancë superiore. Diçka rreth violinistit Minçev :
Violinisti Bullgar Minçev mësoi violinë që në moshën 4 vjeç. Mbas studimeve në Akademinë Nacionale të Muzikës vazhdoi studimet në Londër dhe është fitues i të gjitha konkurseve ndërkombëtare. Violinisti i talentuar fitoi shumë shpejt reputacion dhe njohje ndërkombëtare në botë. Fitoi konkursin ndërkombëtar “Wieniawski “në Poloni (1967), konkursin ndërkombëtar “Paganini “në Itali (1970), “Carl Flesch “në Angli (1972) dhe 1974 me çmimin e parë të Audiencës në interpretimin më të mirë të “Sonata Beethoven”. Ka qenë solist-violinist i London Symphony Orchestra, BBC Orchestra, London Mozart Players,Academy St. Martin on the Fields, Radio Suisse Romana, Radio Moscow e TV. Ka interpretuar në Carnegie Hall Njujork, Tchaikovsky Hall Moscow, Royal Albert Hall Londër, Hercules Hall Munich etj. Sot është Pedagog i violinës në shkollen e Lartë “Folkwang”në Essen të Gjermanisë që me 1990, vazhdon edhe sot si koncert-violinist.
Sot violina e Paganinit “Guarneri del Gesu’ “ruhet në “Muzeumin Municipal Genova”.
Paganini, edhe pse thoshte që “Stradivari përdori drurin e pemëve në të cilat këndonte bilbili”, prapë se prapë zgjedhja e tij për “Il cannone del Gesu’ “ishte e pakundërshtueshme, ndërsa mbas ndarjes nga jeta të virtuozit Hero, në Europë u krijua një mendim që ajo violinë ishte vërtetë e pakrahasueshme për koncertet.

Dr. Sul Gragjevi (kritik muzike) - Milosao

Paganini La Campanella



Paganini's Caprice 5