TIRANE
Ngjarjet e rënda në rrugë kanë përgjakur festën e Krishlindjeve në gjithë vendin. Gjashtë të vdekur dhe 11 të plagosur është bilanci tragjik i shkaktuar nga aksidentet vetëm gjatë fundjavës. Një listë që i shtohet statistikave të vitit 2004, që tregojnë për 73 të vrarë në aksidentet rrugore në Tiranë dhe Kavajë. Por, sigurisht ngjarja më e rëndë ishte ajo e ndodhur paraditen e djeshme në autostradën Tiranë-Durrës. Katër viktimat, Suzana Pecani, Bukurie Pecani, Pranvera Pecani dhe Mimoza Marku, ishin nisur nga Shkodra për një festë familjare në Durrës dhe kishin ndaluar në Vorë, ku pritnin mjet tjetër për të vazhduar udhëtimin, kur janë përplasur për vdekje nga mjeti tip "Daihatsu" fuoristradë, me targa DR 4061 D. Drejtuesi i mjetit Hajredin Allaraj, 25 vjeç, banues në Hamallaj, menjhërë pas ngjarjes e ka braktisur atë dhe është larguar në këmbë. Policia është vënë menjëherë në kërkim të autorit, i cili deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk ishte arrestuar ende. Aksidenti ka bllokuar për gati 30 minuta lëvizjen e mjeteve në këtë krah të autosdradës.
Ngjarja
Katër gratë ishin nisur me tren nga Shkodra për në Durrës, kur për shkak të dëmtimit të linjës hekurudhore në Urën e Limuthit, kanë ndaluar në Vorë, për të vazhduar me linjat automobilistike. Ka qenë ora 09.45, kur teksa pritnin furgonin në krah të autostradës ato janë aksidentuar. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje në mjet ishin dy persona, një djalë dhe një vajzë, që janë larguar menjehërë pas ngjarjes. Mjeti me targa DR 4061 D, vinte nga Tirana dhe ecte në drejtim të Durrësit. Dëshmitarët thanë se furistrada, ishte duke lëvizur shumë shpejt, kur rreth 150 metra në të dalë të Vorës, përgjatë një manovre për frenim nga ana e shoferit, ka dalë nga rruga dhe pasi ka përplasur grate, ka përfunduar në kanal. Ndërsa autori dhe femra që e shoqëronte atë janë larguar nga vendngjarja, kanë qenë vetë kalimtarët dhe banorët e zones, që i kanë dhënë ndihmën e parë të aksidentuarave. Kanë qenë pikërisht këta që i kanë nxjerrë viktimat nga kanali në krah të rrugës ku kishin përfunduar, por pa mundur t'i shpëtojnë ato. Sipas ekspertëve mjeko-ligjorë, përplasja ka qenë shumë e fuqishme dhe fatale për to.
Shkaku
Shpejtësia mbi normat e lejuara, shkujdesja e Allarajit në timon dhe terreni i rrëshkitshëm kanë qenë shkaqet e aksidentit tragjik. Ekspertët e policisë rrugore kanë vërejtur rrëshkitje të gomave të fuoristradës për disa metra më shkak të lagështirës, që ka ndikuar në humbjen e kontrollit të mjetit. Gjithsesi, veprimi i drejtuesit, për t'iu fshehur policisë ka bërë, që oficerët e policisë gjyqësore të dyshojnë se ai mund të ketë qenë në gjendje të dehur. Hetuesit kanë shoqëruar për të marrë në pyetje veç familjarëve të Allarajit dhe dëshmitarë okularë. Ndërkohë që autori i identifikuar vetëm pak çaste pas ngjarjes, deri në orët e vona të mbrëmjes nuk ishte ndaluar ende. Inspektorët mësohet se po mbajnë kontakte me familjarët për ta bindur atë të dorëzohet në rast se kontaktojnë.
Mungesa e mbikalimit, shkak i aksidenteve
Flet dëshmitari: Si i nxora viktimat nga kanali
Këtu mungon një urë mbikalimi për këmbësorët, dhe i detyron ata që të kalojnë përmes autostradës duke rrezikuar jetën e tyre dhe duke u bërë shpesh objekt aksidentesh". Kështu është shprehur për Gazetën, vetëm pak kohë pas ngjarjes Tahir Murati, të cilin rastësia e bëri dëshmitar të aksidentit tragjik. Murati ka shtuar se ky është aksidenti i shtatë që ka parë brenda katër muajve, pikërisht në të njëjtin vend. Në, fakt dëmtimi i linjës hekurudhore te Ura e Limuthit, ka bërë që prej një jave pasagjerët e trenave të zbarkojnë në Vorë, ndërkohë që për të vazhduar me linjat automobilistike në mungesë të një mbikalimi detyrohen të kalojnë mespërmes autostradën. Ai është nga personat e pare, që shkuan për t'i nxjerrë nga kanali katër gratë e aksidentuara, për t'u dhënë atyre ndihmën e parë. Murati, tregon se kur ka mbërritur brenda në makinë nuk kishte njeri, ndërkohë që i kishin thënë se shoferi dhe vajza, që ishte në krahun e pasagjerit, pasi kanë parë se çfarë kishte ndodhur ishin larguar. "Ishin në gjendje të rëndë, kur i gjetëm dhe duke shpresuar se mund t'i shpëtonim i kemi dërguar me makina, dy për në Spitalin e Durrësit dhe dy për në Spitalin Ushtarak të Tiranës".
Ishin binjakë
Policia ndalon vëllain e shoferit
Policia është detyruar të lëshojë vetëm pas pak minutash personin, që u mendua se ishte autori i aksidentit. Në fakt, personi i shoqëruar nga agjentët rezultonte të ishte vëllai binjak i Hajredin Allarajit. Hetuesit fillimisht kanë dyshuar për ndonjë lojë, të të shoqëruarit, Florianit, pasi edhe dokumentat e gjetura në makinën e barktisur ishin në emër të tij. Mirëpo, pas shoqërimit të prindërve dhe familjarëve të tjerë të autorit, është sqaruar se Floriani nuk kishte lidhje me ngjarjen. Familjarët, janë lënë të lirë të gjithë pasi kanë nënshkruar deklaratat përkatëse në rajonin e policisë. Ata kanë premtuar se do të bashkëpunonin me policinë dhe do ta bindnin Hajredinin të dorëzohej në rast se kontaktonte me ta.
Krijoni Kontakt