Fjala më e vështirë në botë për t'u përkthyer është identifikuar fjala "ilunga" nga gjuha Tshiluba, e folur në Kongon juglindore.
Fjala "Ilunga", siç mund t'ju tregojë një person që e konsideron veten folës të gjuhës Tshiluba, do të thotë "një person i cili është i gatshëm të falë çfarëdo ofendimi për herë të parë, ta durojë atë herën e dytë, por kurrë herën e tretë."
Duket si një fjalë e thjeshtë, por një mijë ekspertë të gjuhës e identifikuan atë si fjalën më të vështirë për t'u përkthyer.
Në vend të dytë ishte fjala "shlimazl", në dialektin e hebrejve të Evropës, që ka kuptimin e "një personi gjithnjë të pafat", apo siç mund ta përkthejnë në shqip "njeri ters".
Në vend të tretë doli fjala "Naa", e përdorur vetëm në rajonin Kansai të Japonisë për të theksuar një deklaratë apo për të rënë dakord me dikë.
Megjithëse përcaktimet duken pak a shumë preçize, problem është kur dëshiron që të transmetosh referencat lokale që lidhen me fjalë të tilla, ose kështu thotë të paktën Jurga Zilinskenia, kreu i kompanisë Today Translations, që bëri këtë anketim.
"Ndoshta mund t'i hedhësh një sy fjalorit dhe të gjesh kuptimin, por më e rëndësishmja këtu lidhet me kulturën dhe përvojat dhe ka të bëjë me theksin kulturor mbi fjalën," thotë zonja Zilinskenia.
Shpejtësia me të cilën punojnë përkthyesit simultanë vetëm sa e shton vështirësinë për t'u përpjekur të shpjegosh fjalë me kuptime komplekse.
Edhe zhargoni teknik, që shpesh gjendet në politikë, biznes apo sport, ka vështirësitë e veta.
Për vetë zonjën Zilinskenia delja e zezë është fjala "googly", një term në sportin e krikitit që do të thotë pak a shumë "një finte nga hedhësi i topit për të fshehur drejtimin nga do të gjuajë topin".
Krijoni Kontakt