Panorama
-
“Treni elektrik” dhe e djathta
Bashkim Kopliku
A është apo nuk është i leverdishëm investimi “90” milionë dollarësh i “trenit elektrik” Tiranë-Rinas-Durrës? E po kështu: “A është apo nuk është i leverdishëm TEC-i prej “300” milionë dollarësh i Vlorës”, apo “A është apo nuk është i leverdishëm objekti “120” milionë dollarësh në kompleksin spitalor “Nënë Tereza”, etj. etj. Për trenin elektrik, na del kundra edhe FMN-ja: “nuk ka leverdi”, thotë. A duhen bërë këto investime me paratë tona, me paratë që shteti na i ka marrë dhe na i ka futur në Buxhetin e tij?! Jepen mendime të ndryshme: opozita kritikon, qeveria justifikohet. Qeveria dhe opozita, së bashku, përpiqen t’i zgjidhin gjëegjëzat që lidhen me investimet në fjalë, nëpërmjet nëpunësve të shtetit, qoftë këta të sotmit, qoftë ata që përgatiten t’u zënë vendin. E kjo, me gjithë se plasëm duke ulëritur që kemi korrupsionin nga më të mëdhenjtë e botës, pra kemi edhe nëpunësit e shtetit, nga më të korruptuarit dhe nga më të paaftit në botë. Atyre do t’ua lemë të vendosin për milionët e dollarëve tanë?!
Jo, duhet një qëndrim politik krejt tjetër: duhet të privatizohen sektorët e hekurudhës, elektrikut, shëndetësisë etj.; le të vendosin pronarët privatë për këto investime, siç rekomandohet prej vitesh nga doktrina e djathtë. Bile, nuk kanë se përse të vendosin as FMN-ja, as Banka Botërore, që i japin mend qeverisë tonë. Ai që duhet të vendosë është ai që do të shpenzonte paratë e veta, e që i djeg shumë po i investoi gabim (i djeg me mijëra herë më shumë se një nëpunësi shteti, dhe edhe më shumë se një nëpunësi ndërkombëtar).
Ky qëndrim politik i djathtë bëhet edhe më i domosdoshëm në vendet me korrupsion të lartë. Për të qenë edhe më të qartë, po i shmangemi stilit të përgjithshëm, dhe po ndalojmë tek shembulli konkret i hekurudhës elektrike.
Treni elektrik duhet t’i jepet si licensë një kompanie private (jo shtetërore), të jetë pronë e saj, dhe të ndërtohet po prej saj, qoftë kjo kompani edhe “General Electric” e dashuruar nga qeveria. Kompania private, vetë duhet të marrë hua, dhe jo shteti shqiptar; ajo do të nxjerrë fitime për vete, por ama edhe, ndofta do të humbë, dhe jo shteti shqiptar. Le të bëjë të zgjuarin, apo kompetentin, “General Electric” apo kushdo tjetër, me paret e veta, dhe jo me paratë tona.
Ajo që do të fitonte shteti shqiptar, që do të fitonte secili nga ne, është se në Shqipëri do të kishim, mbase, një shërbim me tren elektrik (apo me tren më të mirë), i cili do të konkurronte me autobusët, furgonët, taksitë. Themi “mbase do të kishim”, sepse ai që duhet të vendosë për ta ndërtuar, duhet të jetë pronari privat dhe jo nëpunësit e korruptuar të shtetit tonë (qofshin ministrat apo të tjerët).
Duhet theksuar se privati, nëse do të dëgjonte që FMN-ja thotë “nuk ka leverdi” (siç e dëgjuam që tha), menjëherë do të punësonte specialistë më të aftë se ata që ka FMN-ja, dhe do të merrte vesh njëherë e mirë se si është e vërteta: “ka apo nuk ka leverdi”,- e nuk do të dëgjonte budallallëqet e mediokërve, nëpunësve shtetërorë, siç po detyrohemi t’i dëgjojmë ne!
Fatkeqësisht, u bënë vite, që edhe ata që gabimisht quhen të djathtë, PD-ja dhe të majtët, PS-ja, i janë ngulur vetëm zgjidhjeve me zyrtarët e shtetit, vetëm me pronën shtetërore. Për veprimet konkrete kanë faj ata që kanë shumicën, PS-ja, por, për paaftësinë e gjetjes së zgjidhjeve të tjera, nuk u vihet aq shumë faj atyre sepse janë të majtë. Deri vonë (deri në mesin dhe fundin e viteve ’90) ata çdo gjë përpiqeshin ta zgjidhnin me shtetin, me kolektivizëm. Këta të majtët tanë, këta të PS-së, e kanë të vështirë të përtypin informacionet e zhvillimit të së majtës evropiane, tip Toni Bler (Tony Blair), që japin mësime të qarta të kalimit të aktiviteteve ekonomike në duart e privatëve. Nuk u vihet aq faj, sepse mezi që po shkëputen nga komunizmi. (Nuk po ndaloj në shtytjen për të pasur sa më shumë investime shtetërore dhe jo private, që buron nga dëshira për të vjedhur një pjesë të madhe të parave të investimeve shtetërore, që rezultoi të jetë faktor kryesor në sjelljen e nëpunësve shtetëror të PS-së—tashmë kjo është temë e trajtuar gjatë). Fajin kryesor doktrinar, pra për mos gjetjen e zgjidhjeve të përshtatshme e ka PD-ja aktuale, e cila e ka pasur në doktrinën e vet, që në krijimin e saj, shmangien e shtetit nga aktivitetet ekonomike, pra privatizimin.
Fatkeqësisht PD-ja ka ecur mbrapsht, drejtë së majtës, bile në shumë drejtime ka vajtur më majtas se vetë PS-ja. Në Strategjinë e Privatizimit të PD-së, që në vitin 1994 shkruhej qartë se brenda vitit 1995 do të privatizoheshin “jo më pak se 60% e fuqisë ekzistuese” të burimeve energjetike elektrike, “jo më pak se 80% e rrjetit të shpërndarjes elektrike” dhe “privatizimi i transmetimit të energjisë elektrike do të kryhej jo më vonë se fundi i vitit 1996”, çfarë praktikisht do të thoshte që KESH-i do të ishte privat.
Ky premtim nuk u realizua si rezultat i efekteve frenuese të mentaliteteve të majta brenda PD-së, por, prapë se prapë, mendimi i privatizimit akoma mbetej mbizotërues. Kështu, në “Vizioni i PD-së së vitit 1996, për vitin 2000” (baza e programit elektoral), premtohej “privatizimi i shumicës së ndërmarrjeve monopol si elektriku, telekomi, ujësjellësi, hekurudha etj.”, dhe gjithashtu “privatizimi i pjesës më të madhe të sistemit shëndetësor”, Tani, në vitin 2005, fjala privatizim, pothuaj është zhdukur nga programet e PD-së! Po le ta lemë trajtimin e kalimit majtas të PD-së, që i takon tashmë të kaluarës, dhe të kthehemi tek e ardhmja: “Ç’duhet bërë?”
Shqipërisë i duhet një vullnet politik i djathtë, i organizuar në një parti vërtetë të profilizuar djathtas. Ajo është shumë e domosdoshme dhe urgjente të lindë, që Shqipëria të ndryshojë (flasim për të djathtë moderne, e jo për këto “të djathtat historike” të sotme, që kalojnë herë në ekstrem majtas e herë në ekstrem djathtas). Lindja e partisë së djathtë, qoftë edhe si ristrukturim i PD-së, do të përshpejtohej, nëse këto zgjedhje nuk do të fitohen vetëm nga një parti, pra as nga PS-ja e as nga PD-ja aktuale. Si do të qeveriset vendi, do të pyes ndonjëri?
Me koalicion me partitë e pavarura në Kuvend. Partitë e pavarura janë LZHK, LSI, PDI etj., ato që nuk u futën në vathet e asnjërit nga dy monopolistët politikë, të PS-së dhe të PD-së. Parti e pavarura mund të bëhen vendosëse për qeverinë e ardhshme, vetëm nëse shkojmë të gjithë të votojmë, edhe abstenuesit, dhe votat tona për partitë, ua japim vetëm këtyre partive e jo partive vasale të monopolistëve politikë, si PSD, PAD, PR, PDK, PDR, PBK etj.
Krijoni Kontakt