Close
Faqja 5 prej 6 FillimFillim ... 3456 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 41 deri 50 prej 53
  1. #41
    i/e larguar
    Anëtarësuar
    26-04-2002
    Postime
    145
    Braro,

    Thellohu, thellohu, qorto qitapet, hap arkivat e tua, nuhat mire rreth ketij B.K. . Ajo qe them une, as ka te beje fare me politiken (ose me mire nuk ka te beje ne planin ideologjik/partiak). Komentin mbi B.K. e bera, sepse mu duk me te vertete paradoksale, qe ne nje teme rreth/kunder mafies, te "bubulloje" fjala e B.K. ne mbrojtje te shtetit ligjor.

    Prandaj edhe te pyeta: di gje me se eshte marre ky B.K. gjate kesaj kohe (pervec matjeve te godinave te paligjshme, qe dihet, nuk eshte veprimtari qe ta mban me buke familjen?)

    Ashtu, dhe i leme pallavrat se si shume shpesh po i perdorim ato per te mbuluar ca te verteta qe nuk na shkojne per shtat.

  2. #42
    i/e larguar
    Anëtarësuar
    26-04-2002
    Postime
    145
    Sa per mendimin e Lubonjes mbi Berluskonin, nuk me duket edhe aq mendim "idiot" e me the e te thashe. Ai eshte, as me shume e as me pak, mendimi i opozites aktuale Italiane. Mendim me te cilin, per hir te se vertetes bashkohen sot pjesa me e madhe e votuesve Italiane (shiko rezultatet e zgjedhjeve te pak diteve me pare).

    Dardajanit do t'i thoja qe te azhornohet edhe mbi marrdheniet Itali-Shqiperi dhe ne vecanti Berluscon-Nano.

  3. #43
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-12-2004
    Postime
    1,681
    ben albani

    Mardheniet Itali- Shqiperi jane me te ftohta se kurre zv kryeministri Italian Fini shetiti gjith ballkanin dhe nuk vajti ne Shqiperi dhe a e di pse ,sepse politika e Nanos eshte super kurv.e pasi i dha ne fillim fjalen Italis qe do mbeshtes planin e tyre por organizimin e OKB e ktheu pastaj kur takoj kryeministrin gjerman dhe ju dha fjalen ketyre te fundit, pasi beri disa pazare te pista per aeroportin e rinasit .
    po fitoj PD mbase ndryshon ky qendrim te shohim do bejne politik largpamse ne interisin tone apo politik te momentit por interes te tyre.

  4. #44
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    Shekulli


    ------

    Tirana, keqkuptimi i një modeli


    Aldo Bumçi

    Për shkak të zhvillimit të pakrahasueshëm të Tiranës me qytetet e tjera të vendit, është krijuar një keqkuptim në lidhje me faktin se Tirana dhe puna e kryetarit të bashkësisë mund të shërbejnë si model për qytetet e tjera. (Qëllimi i këtij shkrimi nuk është të merret me problemet e zhvillimit të Tiranës, por me faktin se a ofron një model).
    Në fakt, zhvillimi i shpërpjesëtuar i kryeqyteteve në krahasim me qytetet e tjera dhe pabarazia e theksuar që shikohet në nivelet e zhvillimit rajonal, janë një veçori që e vërejmë në të gjitha vendet e ish-Lindjes komuniste dhe Ballkanit. Për shembull, të dhënat e disa viteve më parë tregojnë se kryeqyteti i Sllovakisë, Bratislava, megjithëse aty banojnë rreth 10 % e popullsisë së vendit, kontribon 30 % të asaj çfarë prodhohet në Sllovaki. Në të njëjtën linjë, të ardhurat për frymë në Bukuresht ishin rreth 90% më të larta se mesatarja e Rumanisë; të ardhurat për frymë në Beograd dhe Sofie ishin mbi 70% më të larta se mesataria e vendeve të tyre. Dhe këto të dhëna janë për kryeqytetin së bashku me zonën përreth, sepse po të ishin vetëm për qytetin diferenca do të ishte edhe më e madhe. Ndërsa një studiues i zhvillimeve rajonale në Hungari shkruante se zhvillimi i Budapestit është i pakrahasueshme me atë çfarë ndodh në qytetet e tjera dhe se nuk mund të flitet për një “model të kryeqytetit”.
    Keqkuptimi në lidhje me faktin se Tirana dhe puna e kryetarit të bashkësisë mund të shërbejnë si model për qytetet e tjera është i dyfishtë. E para, siç do ta shtjellojmë më poshtë, kryeqytetet nuk ofrojnë modele zhvillimi për qytetet e tjera të vendit. Dhe e dyta, se zhvillimi i kryeqyteteve – Budapesti, Bukureshti, Beogradi, Sofia ose Tirana – nuk ndodhi sepse vetëm kryetarët e bashkive që i drejtuan ato ishin më të zotët dhe kryetarët e bashkive të qyteteve të tjera ishin të paaftë. Duket qartë se ky shpjegim nuk qëndron, sepse zhvillimi i kryeqyteteve, duke përfshirë edhe Tiranën, i kushtohet një sërë faktorësh, të cilët nuk kanë lidhje me punën që bëjnë Bashkitë. Për shembull, hapja e shumë bankave në Tiranë nuk ka lidhje me punën e bashkisë. E njëjta gjë vlen edhe për bumin e ndërtimeve, i cili vjen si pasojë e kërkesës së njerëzve për të ardhur në Tiranë, ku ka oferta më të mira pune. Bashkitë dhe kryetarët e bashkive nuk kanë kontribut në zhvillimin e industrisë së ndërtimit, puna e tyre është që ta rregullojnë këtë aktivitet me anën e planeve urbanistike dhe rregulluese.
    Arsyet pse kapitali vendës dhe i huaj, si dhe zhvillimi ekonomik me ritme të pakrahasueshme u përqendrua në kryeqytet janë të shumëllojshme, por ato kanë të bëjnë më së shumti me pozitën dhe kushtet shumë më të mira të infrastrukturës që kryeqyteti trashëgoi nga regjimi i mëparshëm në krahasim me qytetet e tjera. Shprehja që ekzistonte gjatë kohës së komuniznmit se “Shqipëria punon për Tiranën”, e tregon më së miri këtë. Përveç faktit që kryeqyteti është vendi ku janë të vendosur aktorët dhe institucionet kryesore vendimmarrëse të qeverisjes së vendit, ai ka ofruar edhe një mjedis biznesi shumë më të favorshëm se qytetet e tjera për sipërmarrjet e ndryshme. Për shembull, zhvillimi i infrastrukturës në Tiranë ka qenë më i mirë se në qytetet e tjera, afërsia me aeroportin e vetëm në vend dhe portin e Durrësit i ofronin sipërmarrësve shumë lehtësira. Edhe niveli i zhvillimit të telekomunikacionit si telefonat dhe fakset dhe më vonë edhe interneti e posta elektronike kanë qenë më të mundshme në kryeqytet se qytetet e tjera. Kryeqyteti në të njëjtën kohë, ka qenë dhe mbetet një nga vendet më të sigurta për të zhvilluar biznesin. Niveli i shërbimeve që i ofroheshin sipërmarrjeve në kryeqytete nuk kishte të krahasuar me qytetet e tjera. Pra, me pak fjalë, rrëzimi i regjimit komunist dhe liberalizimi i ekonomisë i gjeti kryeqytetet në një pozitë shumë më të favorshme sesa qytetet e tjera. Kjo është edhe arsyeja pse në të gjitha kryeqytetet e Lindjes vërejmë një diferencë të theksuar në zhvillimin e tyre në krahasim me qytetet e tjera.
    Kjo diferencë që ekzistonte që në fillim, erdhi duke u thelluar edhe më shumë me kalimin e kohës. Investimet në kryeqytet e përmirësuan edhe më shumë klimën e biznesit, si, për shembull, hapja e bankave të ndryshme, të cilat për një kohë shumë të gjatë ishin të përqendruara vetëm në Tiranë. Lëvizjet e popullsisë që çuan në rritjen e popullsisë së Tiranës e përforcuan edhe më shumë këtë prirje. Në Tiranë nuk gjenden vetëm njerëzit më të shkolluar, por edhe krahu i lirë i punës. Rënia e numrit të popullsisë ose pamundësia e disa rajoneve për t’u rritur nga ana demografike do të thotë se ato do të përfitojnë më pak nga fondet publike për zhvillimin e infrastrukturës dhe si rrjedhim, do të jenë më pak tërheqëse si për investitorët e brendshëm, ashtu edhe ato të jashtëm.
    Nga sa thamë më sipër, mund të nxjerrim përfundimin se: Kryeqytetet për shkak të veçorive të tyre, nuk përbëjnë modele zhvillimi për pjesën tjetër të vendit dhe qytetet e tjera. Model është një përvojë ose shembull, i cili mund të përsëritet dhe ndihmon të tjerët që të ndjekin pak a shumë të njëjtën rrugë. Për shembull, një sipërmarrës, i cili e nis nga një tezgë në rrugë ose një kafe, ose dyqan të vogël dhe arrin që të rrisë biznesin e tij dhe të jetë i suksesshëm përbën një model edhe për të tjerët, sepse shumica e njerëzve e nisin nga pozita të tilla biznesin e tyre. Në të njëjtën mënyrë, një shqiptar i kthyer nga emigracioni që hap një aktivitet me lekët që ka vënë mënjanë përsëri përvoja e tij mund të shërbejë si model për të tjerë që dëshirojnë të kthehen. Në krahasim, nëse dikujt i vjen një pasuri nga Amerika, kjo nuk ofron asnjë model për të tjerët. Në këtë kuptim, edhe kryeqytetet nuk ofrojnë modele zhvillimi për qytetet e tjera, sepse nuk mund të ketë një Budapest të dytë në Hungari, ashtu siç nuk do të ketë një Beograd të dytë në Serbi, ose Tiranë të dytë në Shqipëri. Tirana nuk është zhvilluar thjesht si një nga qytetet e Shqipërisë, por si qendër e ekonomisë kombëtare. Fakti që zhvillimi ka mbetur i kufizuar kryesisht në Tiranë, tregon dështimin e politikave kombëtare të zhvillimit. Sfida qëndron në zbatimin e politikave që do të sjellin një zhvillim me ritme të shpejta edhe në rajonet e tjera të vendit, dhe zvoglimin e hendekut të madh që është krijuar. Fakti që dhe dy qytetet porte kryesore të vendit, si Durrësi dhe Vlora, pavarësisht burimeve të tyre të shumta si dy portet kryesore të vendit, potencialit turistik, peshkimit etj., nuk janë zhvilluar, është treguesi i këtij dështimi. Zhvillimi i qyteteve si Shkodra, Fieri, Elbasani, Berati e Korça do të përbënte një lajm edhe për pjesën tjetër të vendit, sepse këto qytete ndajnë veçori dhe probleme të njëjta.




    12/05/2005

  5. #45
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232
    Tashti le te shofim edhe argumentet ndryshe per "fundin" e Berluskonit qe z.Lubonja me sa duket eshte frymezuar duke lexuar ndonje gazete italiane komuniste falas ndersa ka qene duke pritur ne aeroporte dhe ku lypesat shqiptare dhe cmimi prej 100 lek e nje karroce e paska inatosur kaq shume.


    A KA ARDHUR FUNDI I BERLUSKONIT?

    Eugjen Merlika

    Rastësisht në internet, duke kontrolluar shtypin shqiptar, te gazeta Korrieri hasa një shkrim që titullohej: “ Fundi i berluskonizmit dhe Shqipëria”. Autori është z. Fatos Lubonja, një firmë nga më të njohurat e gazetarisë shqiptare, me të cilin jo gjithmonë i ndaj opinionet , por të cilin e lexoj dhe e respektoj për mendimin e lirë e të pakushtëzuar, për vërtetësinë e trajtimit të problemeve e dukurive të jetës në Vendin tim të afërt e të largët. Me të më bashkon një e shkuar e dhimbëshme në burgjet e Shqipërisë “socialiste”, si “armiq të popullit”, të dënuar nga një diktaturë që na futi në të njëjtin thes, megjithëse vinim nga histori krejtësisht të ndryshme.
    E lexova më shumë se një herë atë artikull që më ngacmoi nervin e diskutimit në trurin tim. Nëpërmjet këtij shkrimi miqësor dëshëroj të shkëmbej ndonjë mendim me autorin e artikullit dhe ata që argumentin e trajtuar e shohin me të njëjtin sy.
    M’u duk se po lexoja artikujt e panumurtë të gazetave të së majtës italiane që, duke filluar nga fundi i vitit 1993, koha kur u shfaq në skenën politike Silvio Berluskoni, nuk kanë reshtur kurrë duke folur për të në një gjuhë tashmë të njohur. Autori kërkon të shpjegojë me pak fjalë dukurinë Berluskoni në Vendin fqinjë, për t’a lidhur atë me Shqipërinë, që siç shprehet ai me një dozë të fortë ironie “ ....e ka dashur dhe e do ende kaq shumë Berluskonin dhe berluskonizmin...”. Më duket se shpjegimi i dukurisë është shumë i përciptë. Ai përputhet me pohimet e së majtës skajore italiane e priret të japë me pak fjalë përcaktime të një proçesi historik që, sigurisht, meriton një analizë më të hollë e më objektive. Nga ana tjetër, nuk shkohet në zbërthimin e thelbit të dukurisë tjetër të lidhur me të, të simpatisë së shqiptarëve për Berluskonin, të cilën z. Lubonja nuk e miraton, duke anashkaluar motivet përcaktuese të saj.
    Ja si shprehet ai: “ Ndërkaq, përtej fasadës, berluskonizmi ka në themel të motivimit të vet, jo shërbimin ndaj shoqërisë, por mbrojtjen e interesave private të Berluskonit e të tijve, çka ka çuar deri në hartimin e ligjeve ad personam apo deri në synimin për vënien nën kontroll të gjyqësorit...”. Është një opinion i shprehur, në forma të ndryshme,nga të gjithë ata gazetarë, politikanë, opinionistë të së majtës italiane që nuk gjetën asnjë mjet tjetër për të luftuar Silvio Berluskonin që, në sajë të nismës së tij politike, vuri në pikëpyetje mbizotërimin e plotë të kësaj të majte në jetën politike, administrative e ekonomike të Italisë në vitet mbas Tanxhentopolit. Është një opinion që bindi pak zgjedhës në Italinë e 1994 ës, mbasi Forca Italia, partia foshnjë tremuajshe, zuri vendin e parë në kuadrin politik të Vendit.
    Për t’a kuptuar n’esencë këtë dukuri, që përbënte një gjë krejt të re në praktikën politike të një shteti, duhet të kthehemi, në përshkrimin me pak penelata, të kuadrit në të cilin lindi. Italia e viteve 1991-92 ishte një Vend që çasti historik i shembjes së komunizmit si sistem shoqëror në Evropë e kishte bërë të kryente, në kuadrin e ndryshimeve të pandalëshme, një rishqyrtim në kah kritik të së shkuarës së saj të afërt. Për më pak se gjysëm qindvjeti demokracia e saj, në një farë forme, kishte qenë e bllokuar. Pushteti ishte mbajtur kryesisht nga Demokracia kristiane që, në aleancë me partitë e ndryshme më të vogla si socialistët, republikanët, liberalët e social-demokratët, përbënin alternativën ndaj një mundësie të qeverisjes nga ana e komunistëve. Komunistët italianë kishin partinë më të fortë të këtij tipi në Evropën Perëndimore, por nuk mundën kurrë të vinin në pushtet mbasi përfshirja e Italisë në Nato ishte një pengesë e pakapërcyeshme për realizimin e synimit të tyre. Ndryshimi i kuadrit politik ndërkombëtar, me dështimin e komunizmit si sistem botëror, kryesisht në Evropë, pra me shmangien e rrezikut të tij për Perëndimin, në mënyrë paradoksale shtoi oreksin e komunistëve të reformuar italianë për të marrë në dorë drejtimin e pushtetit. Në këtë synim madhor të tyre forcat e së majtës u mbështetën nga disa prokurorì të Italisë, si ato të Milanos apo Palermos që, me motivime të ndryshme, shkatërruan sistemin e partive, deri atëhere në drejtimin e Vendit.
    Korrupsioni, për të cilin prokurorët e Milanos hapën fushatën e arrestimeve e të lajmërimeve të garancisë për një pjesë të mirë të pushtetarëve e politikanëve, kryesisht demokristianë e socialistë, ishte një dukurì e përhapur në të gjithë sistemin partiak të Vendit. “ Entuziazmi” i paditjes dhe dënimit të tij, që ktheu në heronj prokurorët e Milanos, kurseu forcat e së majtës dhe i hapi rrugën ardhjes në fuqi të tyre. Parlamenti i zgjedhur më 1992 u kthye në një sallë gjyqi, në të cilën shumica e pjesëmarrësve duhet të paraqiteshin para Di Pietros, Kolombos, Davigos, apo kolegëve të tyre të drejtuar nga Borreli, për të dhënë llogarì për shuma të hollash të marra si ryshfet për vete apo partitë e tyre. Në këto kushte, kur drejtuesit kryesorë të demokristianëve, socialistëve, social-demokratëve etj. përfundonin në bangon e të akuzuarve, duheshin bërë zgjedhje të reja për t’i dhënë mundësinë qytetarëve të shpreheshin mbas tërmetit të “Duarve të pastra”.
    Në këto çaste hyri në skenë Silvio Berluskoni, deri atëhere një sipërmarrës i suksesëshëm, pronar i tre televizioneve private dhe i skuadrës së futbollit Milan. I diplomuar në drejtësì, me ide liberale e të djathta, në çastin kur “ makina gazmore e luftës” e Oketos pregatitej të fitonte masivisht votat dhe pushtetin, mori nismën e organizimit të qendrës së djathtë. Në fillim i kërkoi këtë Martinacolit, sekretarit të demokristianëve, por kur pa se mundësitë për të arritur qëllimin e krijimit të alternativës zgjedhore ndaj së majtës, të mbizotëruar nga komunistët ishin zero, zbriti vetë në fushë. Krijoi një partì që, në tre muaj, arriti të fitojë zgjedhjet e 1994ës. Pati meritën të përfshijë në koalicionin fitues Lëvizien Shoqërore, të lënë jashtë lojës politike për gjithë periudhën e pasluftës. Qëllimi i Berluskonit në jetën politike nuk ishte mbrojtja e interesave të tij, siç thonë në mënyrë demagogjike kundërshtarët, por organizimi i një fronti të të “ moderuarve”, siç shprehet ai. Projekti i tij synonte bashkimin në një koalicion organik të gjithë atyre forcave që nuk njiheshin në trashëgiminë marksiste, qoftë edhe të reformuar, apo të atyre katolikëve që parapëlqenin aleancat me to. Në perspektivën e modernizimit të jetës politike, që hapte fitorja e referendumit për sistemin zgjedhor maxhoritar, organizimi i krahut të djathtë të rrjeshtimit në atë çast ishte shërbimi më i mirë që mund t’i bëhej Italisë e së ardhmes së saj. Bipolarizmi, të cilin italianët pohuan se e parapëlenin, duke votuar në masën 83% për maxhoritarin, do t’a shkëpuste Vendin nga paqëndrueshmëria politike karakteristike e mbas luftës ( 58 qeverì në 56 vite) e do t’a vinte në sërën e demokracive të përparuara si ShBA, Anglia, Gjermania etj. Ky bipolarizëm do të kishte mbetur vetëm një ide e bukur sikur të mos ishte shfaqur dukuria Berluskoni. Këtu qëndron merita kryesore e tij, e njohur edhe nga kundërshtarët, meritë që e bën të mbetet në historinë e Vendit të tij, sido që të gjykohet qeverisja e tij e sido që të jetë fundi i tij. Orteku i votave që Forca Italia mori në lindjen e saj i detyrohet pikërisht vlerësimit që italianët, në një shumicë të konsiderueshme, i bënë atij projekti e sendërtimit të tij e jo televizioneve të Berluskonit, siç pohojnë prej vitesh kundërshtarët e tij.
    Përse shqiptarët, në një masë të madhe, e vlerësuan apo u “dashuruan” me dukurinë Berluskoni? Sepse ai duke zbritur në fushën e betejës politike u shpreh se donte t’i shmangëte Vendit të tij një përvojë qeverisjeje nga komunistët të cilët, kudo ku kishin ardhur në fuqi, kishin shkaktuar mjerim e terror. Shqiptarët më 1993, që i kishin dhënë një vit më parë PDsë antikomuniste dy të tretat e votave, ndiheshin të përfaqësuar nga një politikan i tillë që, në ndryshim nga shumë drejtues të tjerë evropianë, e shpallte hapur kundërshtinë ndaj komunizmit. Tek ai shihnin edhe njeriun e veprimit, njeriun e ri të politikës që, me mendësinë e tij imprenditoriale, do t’i jepte një impuls të ri formave të vjetëruara të qeverisjes. Shqipëria anti-komuniste, që dilte e dërmuar nga gjysëm qindvjeti i regjimit, shpresonte një ndihmë të madhe nga një qeveri italiane e kryesuar nga antikomunisti Berluskoni. Se si u zhvilluan ngjarjet më vonë e se sa u vu në jetë kjo shpresë është një çështje tjetër, por motivet e filingut me kryetarin Berluskoni ishin këta.
    Në analizën e tij z. Lubonja shprehet: “...një nga shkaqet e dështimit tonë në këtë tranzicion drejt sistemit kapitalist ka qenë edhe imitimi më i keq i Perëndimit e më konkretisht i Berluskonit dhe i berluskonizmit...”. E gjej të pamotivuar këtë pohim, mbasi nuk gjej asgjë të përbashkët ndërmjet Silvio Berluskonit e veprimtarisë politike të tij në Italì me tranzicionin tonë fatkeq. Do të kishte qënë shpëtimtare për ne dalja në skenën politike e një Berluskoni shqiptar, që të kishte aftësinë dhe karizmën të grumbullonte rreth vetes e të bashkonte forcat e hallakatura të së djathtës, për të krijuar një bipolarizëm të vërtetë politik, larg skemave të njohura të përvojës së pas komunizmit, në këto vite tranzicioni e mbizotërimi të komunistëve. Arsyet e dështimeve tona në këta vite duhen kërkuar në mendësinë e klasës politike të formuar në shkollat marksiste të socializmit, në zbrazësinë e tyre morale ( në më të shumtën e rasteve), në mungesën e ideve e idealeve të domosdoshme për të çuar përpara një Vend të shkatërruar nga komunizmi si i yni. Imitimi i keq i dukurive të shëmtuara të botës kapitaliste mund të ketë pjesën e vet, por nuk është motivi zotërues. Tingëllon absurd ky interpretim kur episodet e karrelave të aeroportit, të lypësve apo të lokaleve në lulishte i vishen berluskonizmit, “apo një karikature të shëmtuar të Italisë së Berluskonit”.
    Duken qartë parapëlqimet e z. Lubonja për të majtën evropiane dhe urrejtja patologjike për kundërshtarët e saj politikë. Atij i pëlqen social-demokracia suedeze dhe jo kapitalizmi italian, anglez apo amerikan. Është e drejta e tij e ligjëshme të ketë opinionet e tij e t’i shprehë ata në interes të zhvillimit të Vendit, por gjithmonë duke ruajtur fillin logjik të bisedës, pa rënë në huazime të thjeshta pikëpamjesh, të shprehura nga të tjerë, me qëllime të caktuara e në kontekste të tjera. Nëse Shteti duhet të ketë në ngarkim gjithë jetën e qytetarit, që nga djepi deri në varr, duke pretenduar prej tij më shumë se gjysmën e të ardhurave, siç bëjnë suedezët, apo të kryejë vetëm ata funksione e shërbime që qytetari nuk është në gjëndje t’i plotësojë vetë, duke i marrë atij një të tretën e fitimit, siç bëjnë amerikanët, është një problem i diskutueshëm prej shumë kohe. Idhtarët e njërit apo tjetrit opinion janë në të gjitha nivelet, duke shpalosur argumenta nga më të ndryshmet. Fatkeqësisht tek ne nuk diskutohet për këto zgjedhje, por për shmangien e mundësisë që banda hajdutësh të përvehtësojnë pushtetin nëpërmjet “ votës së lirë” të popullit. Nuk e di se sa këto mund t’i vishen arsyeve antropologjike, por jam i sigurtë se nuk kanë asnjë lidhje me Berluskonin dhe të ashtuquajturin “berluskonizëm”.
    Përsa i përket këtij të fundit, përcaktimi i të cilit nga ana e autorit të shkrimit përkon me atë të përfaqësuesve të shtypit më skajor të së majtës italiane, mendoj se dekretimi i fundit të tij është ende i parakohshëm. Është e vërtetë se fitorja e Bashkimit të Prodit në zgjedhjet e fundit krahinore ishte e dukëshme, por nuk është e thënë që ky rezultat të përsëritet edhe në zgjedhjet politike mbas një viti. Po të shohim rezultatet e votimeve në Landet gjermane, gjatë qeverisjes kuq e gjelbër, do të konstatojmë se pothuaj të gjitha ato i ka fituar opozita demokristiane. Megjithatë dyshja Shreder-Fisher prej më se gjashtë vitesh qeveris e qetë edhe se numuri i deputetëve më shumë në Bundestag është mjaft i vogël. Berluskoni ka bërë gabime gjatë aktivitetit politik e qeverisjes, ashtu siç bëjnë të gjithë shtetarët kush më shumë e kush më pak në jetën politike, por përpjekja e tij për modernizimin e Italisë në të gjitha fushat nuk mund të hidhet poshtë. Propozimi i fundit i tij, për të shkrirë në një parti të vetme të gjitha forcat e qendrës së djathtë, është një tjetër ide e cila, nëse realizohet, do të jetë një hop i madh cilësor në sendërtimin e alternativave politike të qarta, të tejdukëshme e të përcaktuara jo nga kompromiset e pafund në kulisat e partive, por nga populli nëpërmjet votës së lirë.
    Komentatori i njohur, profesor Panebianko i njeh Berluskonit meritat në tre drejtime kryesore: në planin ekonomik e të simboleve, me përparësinë që merr ndërmarrja private si bazë e zhvillimit ekonomik e krijimit të vendeve të punës; në politikën e jashtëme si farkëtar i një aleance të ngushtë me ShBA., duke larguar Italinë nga roli i rrotës rezervë të qerres Francë-Gjermanì, duke marrë një qëndrim objektiv e të paanshëm në konfliktin izraelo-palestinez; në fushën e reformave të ndryshme si arsimi, drejtësia, federalizmi, kushtetuta etj. Koha do të vërtetojë se sa të dobishme apo të dëmshme kanë qenë për Italinë vitet e Berluskonit. Shumë ide e projekte janë vënë në kantier në këto vite. Disa janë realizuar, disa janë ende në përpunim, disa kanë mbetur të tilla e presin kohët e përshtatëshme. U takon italianëve të gjykojnë për to. Dy miljon votat më shumë që ka marrë qendra e majtë në votimet e fundit janë shprehje e një zhgënjimi të trupit zgjedhor, por nuk janë vota që kalojnë nga një krah tek tjetri, janë rezultat i mos votimit të zgjedhësve të qendrës së djathtë. Nëse kjo prirje do të vërtetohet edhe mbas një viti, ndoshta mund të flitet për mbarimin e një cikli politik. Në këtë rast do të humbiste Italia që synon të përtërihet e të ndryshojë e do të fitojë ajo e qëndrimit në vend.
    Shkruan politologu i shquar italian Piero Ostelino në Korriere dela Sera të datës 23 prill:
    “ Sondazhet e fundit- që në të vërtetë pasqyrojnë një prirje të qëndrueshme të opinionit publik- zbulojnë se shumica e italianëve, në vend të lirisë, tregut dhe garimit, me një fjalë të modernizimit, zgjedh sigurinë, statalizmin, asistencializmin, me një fjalë statu quon. Na pëlqen apo jo, jemi mësuar të jetojmë në krahët e kolektivitetit e duam të vazhdojmë. Cilido që mundohet t’a ndryshojë është i dënuar të jetë i ndëshkuar...” Është pohimi objektiv i një realiteti që shpjegon edhe parabolën politike të Berluskonit, nëse koha, shpejt ose vonë, do t’a vërtetojë.
    Nuk më duket se ky cikël ka ndikuar në mënyrë të veçantë në jetën e shqiptarëve dhe, në kundërshtim me z. Lubonja, nuk mendoj se mbarimi i tij do të sjellë ndonjë dobì për ta. Është shpejt të flitet për një largim të mundshëm të Berluskonit nga jeta politike, si pasojë e një dështimi t’ardhshëm zgjedhor. Nëse do të ndodhte do të ishte mësimi i rradhës për drejtuesit e “përjetshëm” të politikës shqiptare që mbarimin e ciklit duhet t’a quajnë një detyrim për t’u lënë të tjerëve sallat e komandimit. Në këtë drejtim ndoshta edhe z.Lubonja është në një mëndje me mua. Ndoshta është edhe ky një nga motivet e të mos kuptuarit të Vendit tonë nga diplomatia suedeze, sirenat e modelit të së cilës nuk më duket se janë të realizueshme për Shqipërinë, megjithë harmoninë e tingujve të tyre.

    Prill 2005

  6. #46
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    megjithate.. Enveri Mizi e Tulla..Nano pra.. kane ditur ti mjelin pushtetaret italanë..(po e them Labce) gjat gjithe kohrave nga dizet e pesa deri nashti..qofshin te majte a te djathte..
    pejk..
    prandaj mos ja qaj hallin berluskonit se po ta kritikon Lubonja.. se ka miq berluskua ne tirane..nga ata qe e kan degdisur merliken 50 vjet..
    keshtu merlik mo u merr me berluskon hajdutin.. se ska nevoj per ty..

  7. #47
    i/e regjistruar Maska e Labeati
    Anëtarësuar
    31-07-2003
    Vendndodhja
    North America
    Postime
    1,232
    Citim Postuar më parë nga Brari
    megjithate.. Enveri Mizi e Tulla..Nano pra.. kane ditur ti mjelin pushtetaret italanë..(po e them Labce) gjat gjithe kohrave nga dizet e pesa deri nashti..qofshin te majte a te djathte..
    pejk..
    prandaj mos ja qaj hallin berluskonit se po ta kritikon Lubonja.. se ka miq berluskua ne tirane..nga ata qe e kan degdisur merliken 50 vjet..
    keshtu merlik mo u merr me berluskon hajdutin.. se ska nevoj per ty..
    Brari,

    Perderisa po merremi ne e Lubonja, pse mos ti thote 2 llafe edhe Merlika.... apo jo.

    Fundja ki Lubonja eshte i biri i Todit i cili "dolli" te deshmoje ne favor te Ramizit ne gjyqin e bllokmeneve, ndonese Ramizi me shoke e degdisen neper burgje e internime familjarisht.

    Te pakten Merlika eshte pasardhes i M.Merlikes, dhe ne dac si origjine familje e ne dac si intelektual e njeri me integritet dua te theqendron me lart se Lubonjat pjese e servile te PPSH.

    A pse po hedh 2 llafe kundra Edi Rames e ke kaq xhan o Brar? Pse e ka PD xhan, mos duhen ta levdojme, e kur te shahen ta shajme?
    Sa shpejt harrove o Brar kush ishte kryetar ne forumin e trazirave te 1997?

    Per temen: berluskoni ka shume te meta, por nen drejtimin e tij Italia i forcoi pozitat ekonomike e politike, dhe krahasimi me ne eshte shekuj drite larg, lere cka fantazon Luboja per nje cope honorar se ka nderruar nja 200 ide deri me sot.
    Nuk behesh filozof duke mbajte mjekerr e duke bere poza.

  8. #48
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-12-2004
    Postime
    1,681
    Te lumte labeti

    jam 100% dakort me ate qe ke shkuar pasi une nuk kisha deshiren me te vogel per tju pergjigjur Lubonjizmit, por dua te shtoj dicka nga inisiativat e fundit te Berluskonit per te fituat zgjedhjet e ardhshme .

    Ai ka kuptuar se te metat e qeverise jane partite ato jan shume dhe njerzit i ndajn votat midis te gjitha partive por ne perfundim asnje nuk ka shumicen per te qeverisur prandaj bejne koalizionet te cilat nuk jane gjithmone te qendrueshme per arsye se sejcila parti mbron interesat e veta
    dhe programin e vet gje qe i ben te futen ne konflikt mes tyre , dhe te krijojn kriza qeverie .

    Epra Berluskoni ka hedhur teorine e shkrirjes se te gjitha partive te djathta dhe te qendres qe deshirojn te formojne nje parti te madhe te djathte dhe vetem nje program politik dhe ekonomik , ne kete menyre do te eliminoje te gjitha mosmarrveshjet mes tyre.

    Dhe me e rendesishmja dhe demokratikja ai eshte i gatshem te shkrije Partine e tij dhe te mos jete me kryetar i partise se re ne qoftese nuk
    fiton me vota nga te gjith pjesmarrsit e partise se re qe eshte ende ne studimin perfundimtar .

    Kjo do ti jepte nje shanc qe te rrinin ne pushtet per shum vjet te tjera dhe te tregonte veten si individi qe ka bere me shume per italine ne te gjitha kohrat.

  9. #49
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    ok..

    korrieri

    --

    Kongresi socialist dhe vetvrasjet e adoleshenteve

    E Shtune, 14 Maj 2005

    Nga Fatos Lubonja

    Me qelloi para do ditesh ta pi kafen bri nje tryeze ku dy persona kishin perpara nje te perditshme qe qe hapur ne nje faqe ku spikaste titulli: "A mund te bejme shtet". Te dy dukej se qene nga ata qe kane bere nje fare shkolle dhe qe pretendojne se i kuptojne e shpjegojne gjerat e kesaj bote e te kesaj shoqerie. Po debatonin me ze te larte pasi njeri prej tyre sapo kishte mbaruar se lexuari artikullin me titullin ne fjale.

    - Kjo eshte teza e serbeve. - i'u drejtua ay qe nuk e kishte lexuar atij qe sapo e kishte mbaruar se lexuari artikullin.

    Tjetri, pasi ndejti pak mendueshem, i'u pergjegj:

    - Sipas meje - i tha - dobesia jone nuk mohohet dot, por aresyeja eshte madhore. Ne kemi qene nen goditje te vazhdueshme.

    "Per cfare goditjesh e ka fjalen?"- me lindi kurioziteteti dhe ngrita veshet.

    - Ki parasysh - i tha, duke filluar qe nga romaket kur erdhen e na pushtuan; vazhdo pastaj me te tjerat: kulmi i kulmeve eshte turku; pas turkut nuk na lane rehat serbet, greket, ruset me komunizmin.

    Shkurt, i nisi nje leksion te historise ashtu sic mesohej ne kohen e Enver Hoxhes: me armikun qe kerkonte te na shkaterronte dhe me heroizmin tone nder shekuj qe na la me plage ne trup, por krenare.

    Kush di sadopak nga roli i ideologjise nacional - komuniste si instrument pushteti ne kohen e Enver Hoxhes, nuk cuditet shume kur i degjon neper tryeza njerezish te thjeshte kesi argumentesh nacional- romantike. Mirepo eshte per tu cuditur, madje per tu tronditur me shume sesa per tu cuditur, kur keto gjedha te menduari e te gjykuari i sheh te vazhdojne te mbreterojne thuajse te patrazuara edhe tani, ne shekullin e XXI-te, e te zaptojne thuajse teresisht jo vetem tryezat e kafeneve, por edhe ate qe mund te quhet mendim elitar politik e kulturor, mbizoterues ne shkollat, universitetet, mediat, tribunat politike. Dhe aq me per tu tronditur eshte kur ne menyre gjysem te vetedijshme gjysem te pavetedijshme kjo menyre manikeiste, mistifikuese e demonizuese e shpjegimit te gjerave behet me qellim shpelarjen e truve te njerezve cka, tek e fundit, gjeneron nje rreth vicioz ku elitat politike dhe kulturore me synim qe te ruajne popullaritetin, por edhe pushtetin, i meshojne gjithnje e me shume shpjegimeve te tilla dhe, me ane tjeter, nga rradhet e te shpelareve nga trute dalin gjithnje e me shume lidere qe ligjerojne me kete gjuhe.

    Shprehjen par exellence te kesaj shpelarjeje trush ne nivle kombetar e pame tek kongresi i socialisteve, qe synoi te ngacmoje vetem trurin e vogel te njerezve me nje ane duke satanizuar te tjeret, duke ua transferuar atyre te keqen dhe me ane tjeter, duke glorifikuar te vetet. Por ketu nuk po merrem me ate kongres. Do te doja te merresha me fenomenin qe shpjegon ate lloj kongresi duke e ilustruar, madje, me nje rast tjeter, me minor, por qe e permban brenda tij tere dramacitetin kulturor dhe politik qe percoi ay kongres sepse ka, ne thelb, te njejten antropologji kulturore qe e shohim te nxjerre krye ne cdo hap qe te hedhesh ne jeten tone qe nga kongreset e medha e deri ne muhabetet e vogla te kafeneve.

    E kam fjalen per ate lloj histerie mediatike qe pame te ndizet e te shuhet e te tentoje prap te ndizet kohet e fundit, lidhur me disa vetevrasje adoleshentesh e me konkretisht tek prirja per ta gjetur menjehere fajtorin, te keqen, armikun jashte nesh, ne rastin ne fjale tek "Deshmitaret e Jehovait" apo tek "profecite kineze". Aq sa pati nje moment kur mendova se do te mjaftonin edhe dy tre vetevrasje te tjera dhe te fillonte si ne Mesjete kerkesa per lincimin e "Deshmitareve te Jehovait" si bashkepunetore me satanin. Sinjalin e dha ngjarja ne Korce kur nje prind hyri dhe ushtroi dhune ndaj vajzes se tij, qe duket se ishte konvertuar ne "Deshmitare e Jehovait", per ta nxjere nga grupi.

    Nuk jam ndonje njohesi i fese qe quhet "Deshmitaret e Jehovait". Di se eshte nje fe e lindur ne SHBA ne shekullin e 19-te e qe mbeshtetet mbi interpretimin e Shkrimve te Shenjta duke pretenduar se vetem ata, "Deshmitaret e Jehovait", i interpretojne ne menyren me autentike Shkrimet e Shenjta. Di gjithashtu se ky interpretim i ndan ata nga te krishteret katolike dhe ortodokse ne mjaft gjera midis te cilave edhe ne ate se nuk e njohin Trinitetin (Ati, Biri, Shpirti i Shenjte) si tre shfaqje te te njejtit Zot, por thone se Zoti, emri i te cilit sipas tyre eshte Jehova, eshte nje, dhe i vetem, ndersa Shpirti i Shenjte eshte fuqia e tij, kurse Jezusi, biri i tij. Di se aderimi ne keto fe krijon nje kontroll te forte psikologjik te grupit mbi individin, qe hyn atje dhe shpesh nuk eshte e lehte te dalesh, e po ashtu se eshte nje fe me pak tolerante sesa katolicizmi ndaj mekatareve, e me moral me te rrepte seksual. Por gjithsesi asnjehere nuk kam lexuar apo degjuar qe kjo fe te predikoje shkurtimin e rruges per ne parajse nepermjet vetvrasjes, perkundrazi se eshte nje fe qe predikon jo parajsen, por jeten e lumtur mbi toke pas betejes finale qe do te beje Zoti me Djallin dhe forcat e tij.

    Me ane tjeter, nga sa kam lexuar e degjuar, ceshtja e vetevrasjes se adoleshenteve nuk eshte ndonje gje e panjohur qe mund te shpjegohet vetem me magjira dhe me punet e "te paudhit". Eshte nje fenomen i njohur i moshes, por edhe i shoqerise jo vetem shqiptare. Nje nga shpjegimet per vetevrasjet e adoleshenteve eshte ai qe quhet "bulizem". Eshte fenomeni i prepotences e agresivitetit deri ne dhune qe adoleshentet me te forte, vetem apo ne grup, ushtrojne mbi me te dobetit, apo mbi ata qe kane ndonje defekt fizik here duke i sulmuar fizikisht e here duke i tallur e perqeshur cka, duke patur parasysh psiqiken e brishte te moshes, i ve keta te fundit ne nje krize te thelle zhvleftesimi te vetvetes qe i con ne rastet ekstreme deri ne vetevrasje.

    Dhe padyshim bulizmi eshte tregues i nje kulture dhune e agresiviteti, qe, tek e fundit duhet te beje te reflektoje me gjere shoqerine tone e vecanerisht bulistet tane me moshe te rritur. Por problemi i ketyre vetvrasjeve sipas meje duhet pare edhe lidhur me raportet e adoleshenteve me familjen dhe me vete krizen e familjes sone ne pergjithesi - sepse edhe ne rastin e atyre adoleshenteve qe kane aderuar ne nje fe qe nuk ia pranon familja, ashtu sikurse edhe kur kryejne te tjera gjera si marrja e droges apo futja ne kriminalitet, kemi te bejme me nje krize qe nuk mund ta gjeje zgjidhjen e saj tek gjetja e nje demoni jashta nesh.

    Pra menyra sesi tentoi te reagoje shoqeria jone ndaj vetevrasjes se adoleshenteve, - fatmiresisht jo e tera dhe jo ne bllok - me mbushjen e titujve te gazetave dhe te komenteve televizive me komente qe direkt apo indirekt demonizonin "Deshmitaret e Jehovait" apo "profecite kineze", tregoi tiparet e nje shoqerie te ciles i mungojne instrumentet kritike per te njohur e kuptuar problemet e veta te verteta dhe prandaj arratiset nje forme primitive te menduari manikeiste, mistifikuese demonizuese, qe dominohet nga pasionet e qe permban rrezikun edhe te persekutimit e te lincmit te tjetrit te ndryshem ne rastet ekstreme, e vecanerisht ne kriza. Per ata qe studiojne sot persekutimin e cifuteve nga gjermanet, qe arriti deri ne makabritetet si Holokausti, eshte e qarte se persekutimi i cifuteve ishte reflektim i vete problemeve te jetes se gjermaneve nen diktature: i nje procesi shpelarjeje trush me nje ane, por edhe i shkarkimit te frustrimeve te tyre mbi me te dobetit apo mbi ata qe manipulohen si shkaku i se keqes me ane tjeter.

    Eshte shume dramatike kur kete mungese instrumentesh te kompensuar me larje trush e sheh te manifestohet, me te gjithe forcen e agresiviteti dhe demit te saj, ne kongresin e nje partie qe udheheq vendin prej tete vjetesh e pretendon ta udheheqe edhe kater vjet te tjere. Ne thelb kemi te bejme me te njejten gje: me nje ikje nga realiteti me nje paaftesi per te analizuar krizen e thelle social- ekonomike e te vlerave qe po perjetojme, por edhe me nje ikje nga pergjegjesia qe kane socialistet per kete krize. Dhe rreziqet qe sjell ndarja e forte emocionale midis "nesh" dhe "te paudheve" qe krijon kjo menyre te menduari, vecanerisht ne momente krizash si kjo qe po perjetojme ne prag te fushates elektorale, jane shume te medha.

  10. #50
    Brari,

    Ke sjelle nje shkrim teper te goditur dhe ne kohen e duhur qe lidhet me ngjarje teper te dhimbshme te shoqerise shqiptare-vetevrasjet e adoleshenteve.
    U bene disa kohe qe lexojme dhe degjojme per ngjarje te tilla rrenqethese dhe njerezit me te drejte pyesin se cfare po ndodh.
    Kush i shtyn shqiptaret (jo vetem adoleshentet) te vrasin veten?
    Duke lexuar shkrimin e z.Lubonja dhe duke ju referuar shume shkrimeve te tjera bindesh se me te vertete shoqeria jone po kalon nje krize te thelle te gjithanshme.
    Shpesh here shkruaj se shqiptaret ngazellehen kur shtrohet nje asfalt diku vihen disa bordura ne nje vend tjeter pra i gezohen me shume anes materiale.
    Shihe me vemendje Edi Ramen se si i ndrit nuri kur shkel mbi nje rruge te sapo shtruar e pas tij vijne ata te ngratet qytetare te te gjitha moshave qe shndrijne ne fytyre.
    Shihe Nanon duke ecur neper Sarande apo duke "falur" autoambulanca se si shndrin ne fytyre e bashke me te dhe turma e ngrate qe i gezohet shume anes materiale.
    Mirepo gishtin mbi plage nuk e ve askush e ajo kullon e kullon e per cudi dhe i "plagosuri" eshte marrosur e ka harruar t'a shohe plaget e tij nga shndritja e asfaltit apo shndritja e llambave te Edit neper Allias e ku e di une?!
    Anash atij asfalti e prapa atyre llambave e Edit gjendet nen renkim qytetari i mbuluar me njemije e nje halle dhe probleme per te cilat nuk e ndihmon askush.
    Mjeku ne vend qe t'a sheroje i merr para,mesuesi ne vend qe t'a mesoje i lyp para dhe me teper se kaq,pushtetari ne vend se te zgjidhe problemet pa bere zhurme ja shton problemet etj.
    Qytetari shqiptar eshte i vrare shpirterisht,i dermuar moralisht,i pafuqishem ekonomikisht sepse ai sheh cdo dite te rritet hendeku klasor nga ata qe duhej te pakten teorikisht t'a ngushtonin-socialistet?!
    Ju premtua shume ne 1997 dhe 2001 mirepo ato premtime paskan qene per vete pushtetaret e per sojin e sorollopin te lidhur pas qerres se tyre.Ne gjithe keto vite u pasurua vete politikani me shtepi moderne,vetura luksoze,biznese pa dogane,aventura turistike anekend botes etj e nen kembet e tyre shtrihet qytetari i tij i mashtruar paturpesisht (jo vetem njehere) i cili enderron integrimin evropian jo si nje mjet per zhvillimin e gjithanshem te shqiptareve por si nje menyre per te "thyer" qafen rrugeve te botes.
    Po kush qan koken dhe per kete mjafton qe ne Shqiperi te ngelin disa qindra mijera banore nga fiset e tyre dhe nga katundet e tyre te origjines vetem sa per te votuar per "asfaltuesit" e vjedhjes,krimit,korrupsionit,droges,prostitucionit ,grabitjes,dhnumit per te mbetur pushtetare te perjetshem e mjeles te perjetshem te Lopes Shqiperi.
    Tek shqiptaret ka nje krize te gjithanshme per te cilen duhet jo zgjedhje por zgjidhje politike qe te dilet prej saj sepse vetem nje shtet i drejte i hap udhe zbutjes se kesaj krize.
    Shqiperise i duhet nje shtet qe di te vendose gishtin mbi plage dhe t'a mjekoje ate me kujdes.
    Shqiptari ka nevoje shume per asfalt,drita dhe uje (te cilat jane detyre e detyrim e cdo shteti normal) por mbi te gjitha ka nevoje per dike qe t'a degjoje ne hallet e tij dhe t'a ndihmoje ne gjetjen e rruges per sherimin e shpirtit te vrare.
    Cdo shpirt i vrare eshte nje vetevrasje e paralajmeruar!
    Ndryshuar për herë të fundit nga DYDRINAS : 14-05-2005 më 06:42

Faqja 5 prej 6 FillimFillim ... 3456 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Feja dhe shteti
    Nga Eda H në forumin Agnosticizëm dhe ateizëm
    Përgjigje: 63
    Postimi i Fundit: 25-06-2008, 13:02
  2. Shteti grek, ky armik i kombit shqiptar
    Nga ~Geri~ në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 09-04-2005, 07:33
  3. Shteti injoron librin
    Nga Fiori në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 13-12-2002, 01:28
  4. Shteti hesht perballe krimit
    Nga Brari në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 05-06-2002, 19:40

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •