ULËRIMA e poetit të ikur…
Mesnata zbret në kontinentin e lodhur
Ndërsa metropolet dihasin me ngulçimë
Si sonte asnjëherë në jetë s‘më ka ndodhur
Të kem aq shumë dhimbje dhe aspak…ulërimë!
Të ulërij për nënën që sytë i mban nga dera
Dhe pret t‘i vijë çdo ditë, djali i saj i vetëm?
Të ulërij për bijën, që mëndjen ia merr era…
Të ulërij për gruan, që ka filluar vjeshtën…
Të ulërij për shokët, që malli i ka djegur?
dhe pijnë kafenë e trishtë diku në pikëllim
të ulërij për nipin e mbetur pa buzqeshur!?
Të ulërij për këngën, që mbet pa tekstin tim!?…
Të ulërij për shokun, që tretet për nën dhè (*)
U ndamë né për sëgjalli, o Zot i madh sa vuaj!
Të ulërij drejt qielli – po nuk e di ku Je!
Po pse Ti ulërimën m‘a morre, a s‘më thuaj?
Më lini pra o njerëz njëherë të ulëras!
Nga buza e plasur ika m‘a di veç kush ka ikur…
S‘kam forcë të ulërij, i vetëm po pëlcas
Kam shok veç psherëtimat dhe një cigar të fikur.
(*) - bëhet fjalë për HEROIN AZEM HAJDARI.
Agim Doçi
Krijoni Kontakt