JETA PIKËPYETJE DHE PIKËÇUDITJE E MADHE
Ajri depërtonte lehtë në dhomën time. Pranvera me bukurinë dhe freskinë jetëdhënëse, vinte ngadalë si nuse nazetore. Një rreze dielli që futej nga dritarja, e ndante dhomën në dysh me një shirit të shkëlqyer. Puhiza e freskët mbartte me vete edhe aromën e luleve shumëngjyrëshe dhe bashkë me cicërimën e zogjve, hynte në dhomën e re. Prej dhomës më dukej sikur nga larg dëgjohej një zhurmë e thellë ritmike. U ngrita në këmbë dhe iu afrova dritares. Hodha vështrimin në thellësi të natyrës nga ndihej kundërmimi i vakët i pranverës. Rrugët ishin larë nga shiu që kishte rënë gati gjatë tërë natës. Lagaterë. Bletët si të trullosura fluturonin lule më lule dhe thithnin polenin. Kështu natyra me pejsazhin e qëndisur dhe me melodinë e saj, më nanuriste ëmbëlsisht, më shtonte gjallërinë dhe më këndellte akoma më tepër.
Prej dritares shihej gjithashtu edhe shtëpia nga vinte muzika. Në oborrin e saj, vallëzonin tok djem dhe vasha. Dasmorët e thithnin këndshëm gëzimin, ashtu siç e thithnin bletët nektarin. Në ritmin e muzikës ishin futur edhe dy pëllumba krahëshkruar, të cilët luanin krahëhapur në lartësi. Tek i shikoja dhe mahnitesha me lojën e tyre, dielli me rrezet e tij m’i lëbyrte sytë. Kënaqësia përhapej në çdo anë. Gjelat e mbanin festivalin më të bukur pranveror. Zëri i tyre kur përzihej me cicërimën e zogjve, krijonte një ritëm të mrekullueshëm. Pranë syve të mi ndërlidhej lulëzimi i një harmonie natyrore. Sa bukuri madhështore! Çfarë mrekullie e papërshkruar! Po lulëzon më e bukura ditë. Po zgjohet jetë e re, bukuri e re, stinë e re ...
Duke soditur bukuritë e natyrës, ndjeva një dhembje në krahë. Bërryli më ishte mpirë duke qëndruar një kohë të gjatë i mbështetur në parvazin e dritares. Pa u ulur mirë në kauç, në derë papritmas dëgjova një trakullimë jo të rëndomtë. Trokitësi hyri brënda me rrëmbim si vërshëllima e erës, pa pritur që të bëzëja. Ishte shoku im. Sytë i kishte të mbushur me lot dhe dridhej si purtekë. I kishte ndryshuar pamja tërësisht. Hetova se ishte fundosur në një trazirë dhe rrëmujë të madhe ndijore. M’u kujtua fytyra e tij kur ishte në çastet e ngazëllimit dhe në momentet e dalldisjes rinore. Mezi prisja ta çelte gojën, që ta kuptoja sa më shpejtë këtë ndryshueshmëri të fatit njerëzor. Me zë të shterur e me dënesje të përvajshme, filloi të rrëfejë duke belbëzuar.
- “Mbrëmë vdiq im atë. Ishim të gjithë së bashku në sofër. Shikonim një humor në televizion. Ashtu duke qeshur e duke ngrënë bukë, pak pa e përfunduar të ngrënurit, iku përgjithmonë nga kjo jetë. Nuk ishte i sëmurë para se t’ia fillonte ngrënies e as më parë. Në grahmën e fundit të agonisë së tij, u ndërpre edhe korrenti elektrik. Mbetëm në errësirë. Nuk kishim as vaj për fener, e as qiri. Dola jashtë. Shkova të gjej ndonjë qiri te fqinjët tanë. Skëterra më stërmadhohej. Ajo ishte shumëfishuar për mua dhe familjen time. Unë ecja si i shastisur nëpër errësirë. Më zhangëllinin veshët. Para syve më fanitej fytyra e stërkequr e babait dhe disa hije të bardha rreth tij. Megjithkëtë, dhembja ma mposhti frikën. Pas shumë peripecive ia arrita ta siguroj qiriun. Nuk kishte më keq se të dëgjosh klithma vaji në terr …
Pasi e ndezëm qiriun, e drejtuam kufomën e shtangur e cila kishte mbetur me sy dhe gojë të hapur. Vajtuam tërë natën mbi kokën e tij. Natën e kam kaluar si i dehur dhe i mpirë. Kurrë nuk do ta harroj këtë tragjedi të jetës sime. Zemra më loton gjak e vrer. Damarët më ndizen flakë. Ah ... mbeta jetim...“, - përfundoi shoku.
Nxori një ofshamë të thellë prej gjoksit, nga i cili shungullonte një kazan plot dhembje, ashtu si në zjarr e flakë.
I rraskapitur nga pikëllimi i madh shpirtëror, s’pati fuqi të fliste. Fshiu qurrat dhe mezi e shtiu faculetën në xhep. Dridhej i tëri. Në sytë e tij, jeta ishte fundosur në vrazhdësinë e pakuptueshme të fatit. Meqenëse nuk dinte më ç’të fliste, shkoi me lot në sy.
Me keqdashje e dëgjova shokun e shkretë. M’u ngjesh mishtë kur e pashë duke notuar në një tragjedi e cila bënte pjesë në mijëra tragjedi të jetës njerëzore. Më mungonte vetëpërmbajtja. E kujtoja shokun e pikëlluar dhe pamjen e tij të zymtë, pastaj e krahasoja me disponimin e mëparshëm të tij dhe si pa vetëdije thoja: “Kjo është e pamundshme.“ Dëshirova të gjej forcë për ta përballuar lajmin e kobshëm, por nuk munda. I papërmbajtur me rrethanën vetëm mërmëritja. Kjo ditë, e cila në fillim më frymëzoi, tash më dukej tepër e ftohtë. I ngjante një dite të ethshme, në të cilën ishin trazuar si një vorbull lumi ujërat e shqetësimeve.
Dola jashtë banesës. Vendosa të shkoja tek shtëpia e shokut. Gjatë rrugës, mbi fytyrën time, mbi vështrimin tim dhe mbi mendimet e mia, sillej një pamje e mjegulluar. Pas pak çastesh arrita në cakun e kërkuar. Që nga larg hetova zërat e përvajshëm. Megjithatë, ajo që ngjante në oborrin e shtëpisë, ishte diçka më e tmerrshme. Vajtimet e zëshme shoqëroheshin edhe me gërvishjen e fytyrës. Femrat i shkulnin flokët, bërtitnin... qante çdo njeri… ushtonte e tërë lagja. Skena e këtillë më ndjellte tmerr dhe lemeri rrënqethëse. Më dukej sikur rënkonte edhe çatia edhe muret e shtëpisë. Dhe kështu kufoma bëhej gati për t’u shkëputur nga kjo tragjedi e gjallë. Pas pak çastesh i ndjeri kaloi për herë të fundit derën e oborrit të tij.
Pas vetes ai la një jetë, e cila më shumë i ngjante varrosjes për së gjalli. Kështu, kufoma nisej në një udhë të pafundme, prej së cilës nuk u kthye askurrkush dhe për të cilën flitet me bujë të madhe. Kortezhi i përmotshëm ecte ngadalë pas arkivolit. Secili ndihej i pikëlluar. Pesha e dhimbjes ishte shumë e madhe, kurse hapat më të rëndë se toka. Duke ecur, në kokë më vlonin mendimet e çaprashitura, të cilat më ofronin njëfarë neverie të përzier me melankoli të padurueshme. Më dukej sikur më gëlltiste toka e zezë.
Hap pas hapi afroheshim te stacioni ynë i fundit, në të cilin do të parkohemi një ditë, të gjithë radhazi, ashtu siç jemi rënditur pas të ndjerit. Dhe më në fund njerëzit e gjallë shkelën në tokën e të vdekurve. Hudha vështrimin tej varrezave.
“Ah moj tokë e shkretë... po bëhesh më në fund varr i
njerëzimit“, - thashë me vete. Pasi mbaroi ceremoniali fetar, qivuri u zbrit në gropë. Ra në gjirin e tokës nënë, tek e cila të gjithë do të gjejmë prehjen përfundimtare. E braktisëm të ndjerin dhe iu kthyem rrugës sonë. Rrugës i takuam dasmorët, të cilët këndonin e vallëzonin plot shend. Gëzimi i tyre nuk peshonte sa dhembja jonë, sepse hareja është e lehtë, e pikëllimi është i rëndë. Qysh se i pashë ashtu të gëzuar, m’u mjegulluan mendtë. –“E… d.m.th., s’qenka turp të vallëzosh kur të tjerët vdesin“,- thashë me vete. Çka t’i bësh kësaj jete, kështu e do fati… Ca lindin, disa martohen, e dikush edhe vdes. Këto janë ngjyrat e jetës sonë.“
Nga ana tjetër, isha i preokupuar me gjendjen e vështirë të shokut. E mbaja për krahu atë, i flisja me fjalë qetësuese dhe i rrëfeja për tragjedi edhe më të mëdha, me qëllim që t’ia lehtësoja dhimbjen. I goditur thellë nga kjo emnesë tragjike dhe nga disonanca e jetës e cila i rrëshqiste rrugës, shoku mbezi mbahej në këmbë. Fliste si përçart. – “Kur e analizoj jetën time, vetja më del prej qejfit dhe dua të gjej fajtorë për rrotën e mbrapshtë të fatit tim. Gabimisht linda... pa vetëdije jetoj dhe s’e di se si do të vdes. Gjithmonë e kam ndier veten të zhveshur nga çdo gjë. Tash, derisa kaloj kësaj ngushtice, jetën e shoh si rrugë të vrazhdë të shtruar me mynxyra dhe trishtime. Përplot përçudni. Këtë rrugë të gjatë e të pafundme duhet ta kaloj, sepse nuk kam shtegdalje tjetër. Jeta, ky lumë i stuhishëm, vërshon nëpër palcën e tokës duke përmbysur fatet e njerëzimit. Po e shoh se si mbinë e rritet bari i varrit. E shoh gjithashtu edhe këtë humnerë të fatit të errët e të pashpirt... Ja, kjo na paska qenë jeta... Çfarë hibridi i keq!… E ne, me shpresa të prera e me shpirtra të shkëputur kullosim vdekjen, e nga ana tjetër pohojmë se jemi duke jetuar. Unë nga ky spektër e shoh veten si njeri i gjallë, por i mbuluar me një tjetër të vdekur, që prapë jamë-unë. Ky është udhëkryqi fatal që më ofron ekzemplari i fatit tim. Pra, të gjithë jemi të pranishëm përkohësisht, por megjithatë të papranishëm përgjithësisht.
I quaj hije përpjekjet e kota të njeriut, ngase ai s’ka arsye ndaj asgjëje të ushqejë shpresë. Orvatjet e tij nuk janë asgjë, veçse paraqesin imazhin e disfatës së tij, sepse përfundojmë me shkatërrim të paarsyeshëm. Ndryshe thënë, jeta dhe vdekja janë një boshllëk i habitshëm ose veçse një dhuratë e mykur. Jeta e tymosur në oxhaqet e zeza dhe e katranosur në kazanet djegëse, vazhdon vallen e saj mashtruese. Duam apo nuk duam ta pranojmë, fakti dëshmon se jeta është greminë shpartalluese; ajo të nëpërkëmbë, të përgjysmon, loz me këmbët tona dhe nuk përmban asgjë reale në të cilën do të duhej të besohej diçka. Ky udhëtim i rraskapitur dhe i përçarë, disa i josh e disa i dërmon. Mua më duket vështirë të gjykoj rreth jetës sime, kur e shoh se ajo mua më shqelmon dhe mbi kokë ma ka vulosur fatin e plotfuqishëm të ashtuquajtur – vdekje. Dhe jo vetëm mua, por të gjithëve u këndon kjo qyqe e zezë, e i përcjell në çdo gjurmë.
A është dashur të jetë i këtillë njeriu?!… Të ngarend pas luleve, e të bëhet më në fund pleh. Të parfumoset, pastaj të qelbet. Të dëshirojë aromën, e të fitojë mykun. Të krijojë pasuri, fëmijë, vepra, e pastaj të shpërbëhet në një numër të madh mikroorganizmash.
Mendoj se s’ka njeri që s’do të gërditej nga kjo jetë, e cila kryekëput është e kotë. E unë nuk e di pse linda, pse jam... e a duhet të jem edhe më tej. Më duket se linda pa dëshirë, jetoj duke e mashtruar vetveten dhe nuk kam ndonjë ideal që do të më jepte shpresë për jetë. Pasi nuk e kuptoj jetën e dua vdekjen, ngaqë jeta paska qenë vetëm mashtrim, lëvizje e rrejshme, nga e cila nuk më mbetet tjetër, pos një kujtimi. Ky kujtim pasqyron hijen e errët të zhdukjes sime të pahetueshme. E unë, mjaft vuajta, mjaft durova dhe mjaft shpresova kot. Mu bë zemra akull, sa po më shkrihet pikë-pikë. Vetëm vdekja është shpëtim i dëshiruar i shpirtit tim. Le të më coptojnë në thërrmi të imëta dhe le të bëjnë dasmë mbi trupin tim mikrobet, brythat, skrrajat, gjarpërinjtë, krimbat… se jeta ime paska qenë më e pavlefshme se jeta e tyre. Nuk paska gjë më të pakuptimtë se të jetosh pa e ditur qëllimin e jetës sate”, - përfundoi shoku im me një ton të përvajshëm.
Ai u lodh aq shumë sa që iu shter zëri. Nga goja i dilnin jargë. Duke i dhënë kurajo dhe shpresë për jetë, u ndava me të. Pas meje vinin edhe një turmë njerëzish. Ecnin kokë-ulur. I përkundte kotësia neveritëse, e cila jetës i rrëfente më shumë krajata sesa gëzime. Si dukej, jeta për ta ishte bërë arenë cirku ose spektatore ironike. Ajo tallej me ankthet e tyre të koklavitura. Nga pamja e tyre, dukej se të gjithë e kuptuan vdekjen si goditje çekani në kokat e tyre. Të gjithë i kishte përfshirë frika nga vdekja e menjëhershme.
Instiktivisht arrita përpara derës së banesës sime. I lodhur së tepërmi si fizikisht ashtu edhe psiqikisht, vendosa të pushoj. Meqenëse padashur më kishte pllakosur antitoda e mendimeve marramendëse, u shtriva në kanape.
Mendja gjithnjë më rrinte tek njerëzit, te të cilët verbërisht luftonin mendimet e flamosura rreth vdekjes.
Diç më vonë më zuri gjumi. Se di se si kam fjetur… gjumi thonë është gjysmëvdekje. Prapëseprapë, si duket më vërtitet diçka në kokë, e vagëlluar, por ngadalë vie e bëhet sa më e kthjellët. Është një ëndërr mjaft enigmatike. Le që është e paqartë, por edhe zgjon kërshërinë për ta kuptuar domethënien e saj. Protagonist i ëndërrës është profesori i sociologjisë. Ai m’u përhit me rroba të gjelbërta. Më rroku për dore dhe filloi të flasë qetë:
“Dëgjo nxënësi im! Ti ke harruar t’i lexosh letrat e mia. Më mirë është të mos i lexosh ato. Pendohem që deri më tash nuk kam pasur bindje të shëndoshë. Mirëpo erdhi koha të ndryshoj, ashtu siç ndryshohet natyra prej kohës. Tash e gjeta të vërtetën dhe pos saj nuk më duhet asgjë tjetër. Ndihem tepër i gëzuar. Dëshpërimi më nuk ekziston në mua, as pakënaqësia, as hidhërimi dhe as zymtësia. Ato i zëvendësova me shpresë të fortë, me kënaqësi të përhershme, me gëzim të vërtetë, me disponim të gjithanshëm… Ta dish se ata që mësojnë për lavd, për mendjemadhësi, për famë, për pozitë ose për diç tjetër kësodore, do të jenë të përjashtuar nga kjo dituri”, - përfundoi profesori duke u larguar prej mirazhit tim me fytyrë të shëndritur dhe me një buzëqeshje të ëmbël. Mendimet e leckosura kacafyteshin rreth ëndrrës dhe silleshin vërdallë saj. Më vajti mendja te vepra e Sigmund Frojdit (“Interpretimet e ëndrrave”) dhe më nxiste diçka ta shfletoja atë. Mirëpo së shpejti ëndrra e brumosur me misterinë e saj, u fik në shkretëtirën e moskuptimit. Iu ktheva letrave të profesorit. Ato i kisha harruar, por ëndrra m’i përkujtoi. I nxorra prej ormanit dhe u ula që t’i lexoj. M’u duk sikur e pash edhe vet profesorin duke m’i lëshuar ato në dorë. Letrat ai m’i shkroi me kërkesën time. Dëshiroja të di mendimin e tij rreth jetës. Fillova t’i lexoj.
“Tungjatjeta dhe mirë se të gjen përgjigja ime! Ç’është jeta? Pyetje plot pezëm. Të them të drejtën, dyshoj në pyetjen tuaj. Druaj se pyetësi di diç më tepër se i pyeturi. Gjatë bisedave që kam zhvilluar me ty, vërejta se e kishit thyer demarkacionin e koeficientit mendor, duke e kuptuar rrënjësisht konceptin e filozofisë. Përgjigjes po i rrekem me përgjegjësi të madhe. Në asnjë rast nuk dua ta demonstroj paditurinë time, sepse një ditë ndërgjegja do të jetë paditësi im. Jam i vetëdijshëm se nuk ekziston mendim i cili do të ishte ideal për secilin, prandaj ngjyrimet e mia kuptimore rreth jetës janë vetëm përpjekje individuale, për ta avancuar psikologjinë e perceptimit mendor. Kjo çështje jep idenë e lidhjes së ngushtë për një studim më serioz, por gjithnjë duke pasur parasysh, peshën dhe vlerën meritore të kësaj teme prore diskutabile.
Në qoftë se duam ta vëjmë në pah rëndësinë dhe qëllimin e jetës ose ekzistencës sonë, duhet të kihen parasysh mundësitë e gjykimit tonë. Meqë siç thoshte Sokrati “e di se asgjë nuk di”, do të kishte qenë më mirë t’ua lëshojë vendin mendimeve më të arta. Në mënyrë sa më të shkurtër po i shtroj pasqyrimet e mendimtarëve më të mëdhenj rreth ekzistencës.
Talesi si premisë jete e konsideroi ujin; Anaksimeni – rrezen; Pitagora – numrat; Anaksimandri – materien e pafundme; Ksenofani luftoi idhujtarinë; Parmenidi mendoi se ekzistenca s’ka as kohë të kaluar as të ardhshme, ajo vazhdimisht ndryshon dhe pafillimësia e pakufishmëria gërshetohen reciprokisht. Gjësendet që i shohim e i ndiejmë, bëjnë pjesë në jetë, por si dukuri imagjinare, sepse janë kalimtare; Herakliti ka bërë një hark mes zjarrit, ujit, ajrit dhe tokës, në atë mënyrë që krijimi i njërës, njëkohësisht ta shkatërrojë tjetrën. Zjarri është zot dhe jetën e çdo krijese e përcjell nxehtësia, ashtu që edhe shpirti përbëhet prej zjarrit; Empedoklo besoi se Erkosi e solli dheun, Hera rrezen, Zeusi zjarrin dhe Nestisi ujin me lotët e tij. Demokriti si esenca të vetme të realitetit në ekzistencë i sheh tri elementet: atomin, hapësirën e lirë dhe lëvizjen. Atomet e panumërta lëvizin në saje të forcës ose nevojës së verbër. Aristoteli mendoi se materia e parë ishte forcë = fuqi, mirëpo e përcaktuar bëhet vetëm kur fiton formë, tek atëherë bëhet ndonjë faktor.
Pajtohem me Protagorën se çdo mendim është i drejtë në raport me individin që e mendon, se ashtu kështu, e vërteta objektive s’ekziston. Mirëpo, kjo ujdi nuk do të thotë se e pëlqej subjektivizmin, rrymën ku bënte pjesë ky filozof. As këtë e as të tjerat nuk i dua dot.
Në këtë shekull kaq progresiv, botëkuptimet filozofike më duken paksa anakronike, megjithatë, duhet të jemi mirënjohës ndaj disa ligjeve të cilat burojnë nga intelekti i tyre. Prapëseprapë, kur jemi te zbulimet shkencore, duhet pohuar realisht se edhe këto janë enigmë në vete. Sa për ilustrim ta marrim matematicientin francez – Poenkareun. Ky nuk ishte në gjendje ta zgjidhte një detyrë përderisa ishte në studime. Pasi i la përkohësisht studimet dhe shkoi për pushim në Paris, duke u kthyer, mu në çastin derisa shkeli në prag të tramvajit, i shkrepi ideja e zgjidhjes moti të kërkuar. Një kimist zgjidhjen e një formule të harruar me kohë të gjatë e gjeti në banjo, pasi u freskua nën tush.
Rastet e këtilla që janë me numër të madh, nuk meritojnë të mospërfillen ose të përkufizohen vetëm si periudha të inkubacionit. Psikologjia moderne nuk bën të mburret vetëm me definicione, por me shpjegime të qarta. Shkrepja e papritur e idesë së kërkuar më parë, do të ishte enigmatike edhe për elektroencefalografin e lëre më për njerëzit. Momentet e këtilla pa dyshim janë të arta, po nga, si dhe pse vijnë, mbetet fshehtësi. Fausti është shprehur bukur mirë, kur ka thënë: “Atëherë do të mund t’i thosha momentit: - ndalu pra, sa i bukur qenke”.
Sipas kësaj që u cek mësipër, mësojmë se të vetmet elemente të realitetit janë materia dhe zbrazëtira; jashtë këtyre nuk ekziston asgjë tjetër që mund të kapet me shqisat tona. Gjithësia është e pafundme, e rregulluar me ligje precize dhe si e tillë, do të qëndrojë në kohë të pakufishme. Toka jonë ku ekzistojnë kushtet jetësore, është krijuar në etapa dhe përqëndrohet rreth boshtit të vet. Njeriu është udhëheqës i vetvetes; ai nuk ndien nevojë për udhëheqje hyjnore dhe madje as që pranon diçka të tillë. Bota jomateriale është e pabesueshme dhe jashtë gjithësisë nuk ekziston asgjë. Kurse në gjithësi asgjë nuk ndodh jashtë ligjeve. Kjo vlen edhe për tokën. E dimë se pema nuk rritet në eter, peshqit nuk jetojnë në tokë, brenda drurit s’mund të ketë gjak, brenda gurit lëng… Jeta dhe vdekja nuk janë enigmë, por kombinim atomesh. Paraardhësi ynë, majmuni antropomorf, na bën që të kuptojmë se çdo kafshë është pak a shumë njeri ose çdo njeri është pak a shumë kafshë. Fati ynë është i njëjtë me atë të krijesave tjera, ndonëse veprimtaria jonë ndryshon nga ajo e tyre, falë evolucionit permanent që e ka përcjellur krijesën-njeri. Të pëlqen ose jo, ky është botëkuptimi materialist, i cili na mëson se burim kryesor për njohjen e gjërave është shqisa. Mendja gënjehet, ndjenjat assesi.
Këto mësime nuk bën të injorohen, sepse janë bazë fillestare e shkencës moderne. Jemi dëshmitarë të përparimit gjigant. Teoria e mikrogrimcave, automatizimi i paisjeve, teoria e mikrovalëve, aparaturat satelitore dhe lloj-lloj makinat, jepin shpresë se teknika dhe teknologjia nuk kanë të ndalur. Grimcat e reja jostabile që zbërthehen edhe në grimca më të imëta, imtësimi i pjesëve të ndryshme dhe me një fjalë tërë progresi shkencor, na shtyn të pohojmë pa kurrfarë frike, se ardhmëria i përket vetëm shkencës.
Për këtë shkak nuk ia jap fjalën as (holandezit) Gerhard Kroaze, as (bullgares) Vanga Dimitrova, sado t’ua vërtetojnë “largpamësinë” psikologët. Astrologjisë (babilonike) nuk duhet t’i besojmë, sepse në fatin e njeriut nuk ndikojnë yjet me gravitacion ose me radiacion, por ndikojnë përpjekjet e tij. Aq më pak nuk duhet t’i besojmë fetë, çfarëdo qofshin ato, por duhet t’i pengojmë ato. Njeriu ka lindur i lirë, prandaj gjeneratat e reja duhet të jenë të liruara prej prangave të frikës dhe nga grilat e turpit. Mendimet idealiste janë kazane, nga të cilët grafullojnë pikëpamjet joreale. Paramendoni! Ultraspiritualistët shkojnë aq larg saqë e refuzojnë krejtësisht këtë botë. Sot e kësaj dite ende adhurohet perëndesha e diellit - Amaterasu Omikami dhe objektet që shenjtërohen me disa fjalë, më pastaj nderohen në vend të zotrave. Indusët përveç Brahmës, Vishnës dhe Shivës, adhurojnë edhe 300 milion zotra tjerë. Mendja ma thotë se tërë besimet rrjedhin prej frikës. Disa japonezë akoma besojnë se vullkani joaktiv Fuxhi, është vend i shenjtë dhe e vizitojnë në shenjë respekti.
Kjo frikë kalon në format më të rënda. Për këtë dëshmon mbreti (japonez) Sotoku, i cili shkroi librin e tij religjioz (“Llankovare sutra”) dhe atë me gjakun e tij, i bindur se do të shpërblehet nga Buda. Budizmi i ka mësuar ithtarët e tij se krijimi është i lig, i mbushur me dhimbje dhe vuajtje – si shpëtim nga procesi i jetës, preferohet asketizmi, vetëmbytja dhe vetëmohimi. Hinduizmi dëshmon sipas predikimit të vet se shpirti pas vdekjes kalon në trup tjetër, ashtu që vepra e një jete të përcaktojë llojin e jetës së ardhme. Brahmanët kryesisht fenë e tyre e marrin si zanat ose ndryshe thënë si mall tregtie. Jehovistët mendojnë se rruga drejt parajsës është e lehtë për njerëzit shpirtërisht të mirë, kurse kriminelët do të dënohen me shkatërrim të përhershëm e jo me vuajtje të pandërprera. Sa i përket krishterimit, ekzistojnë edhe sekte të veçanta të tij. Këtu do të shkurtoj rrëfimet e mia duke mos i mbetur borxh edhe krishterimit - fesë më të zhurmshme. Bazë e kësaj feje është triniteti, d.m.th. jomaterialja ka bir dhe grua prej materies. Më dhimbset Hegeli që harxhoi aq mund për ta arsyetuar këtë konfesion të kotë.
Për fenë islame s’kam lexuar asgjë, sepse gjithnjë i kam injoruar obligimet e shumta të saj dhe më janë dukur lodhje e pavend. Besoj se në të ardhmen, jo të largët, do të lexoj diçka edhe nga kjo fe, i bindur që tash, se nuk do të gjej gjë në të cilën do të duhej të besohej diçka. Sido që të jetë, njeriu nuk duhet të bëhet autistik (ashtu i tërhequr në botën e imagjinatës), të bie në nivelin e teologëve fantazmagorik dhe të largohet prej realitetit konkret. Fetarët janë të paaftë t’i kuptojnë fenomenet natyrore, prandaj gjithnjë dukuritë e tilla, i paraqesin si dirigjim hyjnor. Librat fetare që i kam lexuar, kishin qenë vetëm farsë që i shiteshin opinionit për t’i trullosur kokat labile. Gati për çdo fe mund të flas më mirë se klerikët e tyre, por t’i besoj s’mundem asesi. Jetojmë në kohën kur shkenca e ka fjalën e vet. Kompjuterët, radarët, fluturaket dhe anijet kozmike... janë krenaria jonë më e madhe. Ato nuk u krijuan prej zotrave, por nga njerëzit. Kjo dëshmon se qenia njerëzore është më e larta. Fetë që e degradojnë këtë shkallë të arritjes njerëzore shpiejnë në regres. Të jetojmë pra, në valët e shkencës, sepse janë më të qeta se ato që ndjellin vetëm frikë dhe pasiguri. Nga ana tjetër, më keni pyetur për jetën – pikën më nevralgjike. Ta them faktin se këtë nyje nuk e zgjidhën dot as përpjekjet më kolosale të mendimit njerëzor. Jeta edhe më tej mbetet vargoj e pështjelluar në lëmshin e rruzullit tokësor. Si duket, ne mjerisht jemi të eliminuar nga mundësia e njohjes së realitetit final. Jeta nuk bën të vlerësohet nëpërmjet prizmit të disponimit momental dhe nga nxitjet fanatike të paragjykimeve joreale. Reinkarnimi dhe transendenca nuk janë asgjë veçse, parafrazime të kota dhe si të tilla veç e shtojnë absurdin e qenies njerëzore.
Megjithkëtë, si duket kot isha lodhur me filozofitë antike. Gjatë analizave që i kam bërë rreth tyre, kam parë se si garojnë filozofët që ta nxjerrin tezën vetjake, mbi të gjitha tjerat. Në filozofi më tepër ka sasi se sa cilësi. Qëllimi i filozofëve nuk qëndron në pasqyrimin e realitetit, por në dominimin teorik dhe marketingun ideor (Kratili kritikonte Heraklitin; Herakliti – Pitagorën; Marksi – Hegelin…). Realiteti më i padëshirueshëm i cili është rrjedhshmëri e pashmangshme e çdokujt, është se njeriu fuqimisht është i joshur t’i dorëzohet dëshpërimit. Njeriu pra, është bërë aq enigmatik, saqë as psikologjia geshtaltike nuk do ta kuptonte fshehtësinë e odisejadës së tij. Ai shkon revan pas katër idoleve: Don Kishotit (me idealizëm të verbuar); Çajlld Harolldit (me dëshpërim të tmerrshëm); Titonit (me ndjenja të fshehura); dhe pas Gilgameshit (me frikë të hatashme ndaj vdekjes). Njëherë, Ciceroni kishte thënë: “Nuk kam guxim të shkruaj për atë që mendoj, ndërsa poashtu, nuk dëshiroj të shkruaj ashtu siç nuk mendoj”. Kjo deklaratë përputhet me qëndrimin tim të tashëm. Jeta është bërë e pakuptueshme, kështu që ta komentosh rrjedhën e saj, do të thotë të hysh në luftë me plot mendime energjike. I lumturi kurrsesi nuk do ta pëlqejë përkufizimin e keq, ashtu siç nuk do ta pëlqejë i mjeri ndonjë definicion të mirë. Si të them ndryshe, asgjë nuk do të ishte e mirë për të gjithë dhe asgjë nuk do të ishte e keqe për të gjithë.
“Jeta është një luftë përplot mundimesh” – thoshte Antagora. Të jetosh është vështirë, sepse jeta është problem i madh që mundohesh ta zgjidhësh, por për këtë nuk mjafton sikur edhe të ngritej në katror. Rruga e saj është plot kthesa… kalim prej fatlumturisë në pikëllim, prej shpresës në dëshpërim. Kjo është edhe si lum me rrjedhë veprimesh e kundërveprimesh, e përmbushur përplot kundërthënie.
Jeta është ngarkim-shkarkim, pritje-përcjellje, hyrje-dalje, ardhje-vajtje… është marshim përmes errësirës së vdekjes… është një ortek tragjiko-komik. Të jetosh do të thotë ta mashtrosh vetveten, ta shikosh një ëndërr ose të hysh në një derë e të dalish në derën tjetër… Sot, toni i jetës jehon me zërin e plagosur prej goditjeve të rrepta të fatit, prej korrupcionit e padrejtësisë si dhe prej natyrës së pashpirtshme, e cila (me tërmete, vërshime, vullkane…) kërcënohet në çdo çast. Kështu, njerëzit nuk kanë ndonjë cak drejt të cilit do të shkonin me hapa të sigurt. Toka është mbushur me të liga, sëmundje të paftuara, me gjithçka jonormale. Kështu, bota në tërësi është bërë skenë, në të cilën bën kërdi anarkia e interesave konkurrente. Truri është zbritur në lukth ose siç thoshte Polihimi – “në tigan”. Njerëzit pa vetëdije dhe me paturpësi dehen me interesat vetjake, të cilat paraqiten në brendinë e ngopjes së tepërt. Interesi, kjo sëmundje e tmerrshme, i çrregulloi edhe marrëdhëniet më të afërta njerëzore.
Njerëzit janë konsoliduar mbi sipërfaqen e tokës sikurse figurat e shahut, disa sulmojnë – të tjerët mbrohen dhe qëllimi i kësaj loje është eleminimi i atij që është më i vlefshëm. Në këtë epokë të luftës së rreptë për ekzistencë, më shumë gëzojnë respekt ata që bëjnë punë të liga dhe marrëzi. Jetojnë në pasuri të madhe ata që nuk punojnë, e mbesin gjallë ata që lahen me djersë duke punuar punë nga më të rëndat. Paratë janë bërë më të çmueshme se dituria, morali, nderi dhe fitohen me lloj-lloj matrapazllëqe. Korrupcioni ka pushtuar çdo hap, kurse bamirësia është një gjest shumë i rrallë. Njeriu për njeriun është bërë po se po ujk, por plus edhe dhelpër. Është mbushur çdo skutë me psikoza, psikopati dhe neuroza. Këto e kanë burgosur mentalitetin njerëzor. Nga ana tjetër më tepër ka debilë=moronë, imbecilë dhe idiotë, se sa dijetar të mençur dhe të aftë. Ç’është më e keqja janë në gjendje të simulojnë të gjithë rolin e budallës, vetëm që ta kenë udhën çelë. Në çdo anë janë ngjallur tekanjozët, saqë vaj halli për durimtarët. Keqbërësit sillen me njerëzit e mirë në atë mënyrë, që t’i detyrojnë edhe ata të bëhen të këqinj. Në këtë mënyrë ata e shumëfishojnë poshtërsinë e tyre. Shpeshherë edhe më të pafajshmit shpallen kryefajtorë. Njerëzit e mirë kanë rënë në pozitë mjaft të vështirë. Rrënjët e kalbura të shpresës së tyre kacafyten me pengesat, të cilat përqeshen në mënyrë therëse. Ata meqë në numër janë pak dhe të pafuqishëm, nuk mund ta kthejnë rrokaqiellin në themele të sigurta.
Njerëzit e këqinj janë bërë bujqër të mbrapshtë, kudo që shkelin e mbjellin të keqen me vete. Ata janë të pakujdesshëm, të pavlefshëm, të papastër, të pamoralshëm, të neveritshëm, të tërbuar, të ndyer, imponues, ziliqarë, tradhëtarë, kriminelë, kryeneq... Sjellja e tyre është dëm i pandërprerë, stuhi, përmbytje, pengesë për gjithçka, ndryshk, luftë e përditshme dhe vdekje. Nuk është çudi se kafshët, po të dinin të flisnin, do të flitnin më mirë se disa njerëz të poshtër, bile për shumë të meta të tyre do të thonin “kjo është njerëzore“ siç themi ne “kjo është shtazore“ (Safira).
Ky fakt ma ka forcuar bindjen se jeta ka trend të mbrapshtë, sepse shumë njerëz i bëri bisha dhe asnjë bishë se bëri njeri. Shih për këtë, njerëzve të këqinj nuk u mbetet asgjë tjetër pos të gjykojnë realisht mbi të ardhmen e tyre. Gomari në pikturën e (spanjollit) Francisko Gojës, është shembull tipik se deri ku e kanë sjellur të këqinjët personalitetin njerëzor (gomari mbi shpinë të njeriut me zë të personifikuar urdhëron: “ti që për gjë tjetër i zoti nuk je, mbamë në kurriz se mirë e ke“).
Mbi gjithçka toka kishte qenë durimtare më e madhe, ngase lejon ta shkelin edhe ata që kaherë është dashur të fundosen në thellësitë e saj. Në vend se t’i shfrytëzojnë begatitë e saj, ndjallakeqasit e shndërruan atë në një xhungël të përgjithshme, në të cilën hahen vazhdimisht bishat mes veti. Ky teatër çmendurak, me aktorë negativ, me sa duket nuk ka dhe nuk njeh përfundim.
Ç’është kjo? I padituri shet dituri. I padrejti ndanë drejtësi. Cipëplasuri mëson dikë për moral. Koprraci posedon më së shumti pasuri. Vërtet koha po punon për ata, që fare nuk po punojnë drejt. Vetëdija të cilën Marksi e quajti “produkt shoqëror”, është shpërbërë në një eufori sëndisëse, e cila udhëzon të vrapohet vetëm drejt rrugëve pa krye. Ata që do të jetojnë më vonë mbi këtë tokë, do ta kuptojnë se mbi të jetuan disa bisha me fytyrë njeriu, aso-llojish, që më shumë brengosen për gishtin e enjtur, sesa për mijëra njerëz të mbytur.
Imagjinata ma thotë se sikur të kisha fuqinë e Prometheut, do të merrja planetën në dorë për ta shtrydhur. Le t’i dalin të zezat që i përhapi arka e Pandorës. Le t’i asgjësohen ato diku në galaktikë, ku së paku nuk ka krijesa të gjalla. Dua të qëndroj mbi kullë të Ajfelit, të marr hov prej 300 metrash e t’i pres me “sopatë të Tenidit” të këqijat që e kanë ngulfatur njerëzimin. Dëshiroj t’ia kthej njerëzimit shpresën për lumturi, sepse po digjet e po ngrihet… po qesh e po qan kot… Është një kohë e pakohë... Të mërzitet çdo gjë kur sheh padrejtësitë dhe dhunën që ushtrohet kundër të mjerëve. E keqja predominon dhe bën trysni gjithkund, por mjerisht edhe nuk luftohet sa duhet.
E unë nuk dua të lodhem nga gumëzhitë e jetës monotone. E ndiej veten të vogël për t’i zgjidhur tërë këto probleme të mëdha që kanë zënë rrënjë një kohë të gjatë. Për këtë shkak, e sotmja më duket boshe kurse e ardhmja pa ndonjë gjë interesante. Jeta, ky lum më i ndotur se lumi Rin, më duket rrëke në të cilën derdhen të gjitha kundërthëniet. Vetëm Shekspiri do të dinte ta përshkruajë jetën. Po, ky mjeshtër i tragjedive, do t’i thurte vlerësimin që e meriton.
Nga ana tjetër, kot qeshte Demokriti, kot diskutonte Aristoteli, kot ankohej Herakliti, kot fantazonte Platoni, kot zihej Hrizimi… As njëri, as tjetri s’më sqaruan kuptimësinë e jetës. E unë, gjithmonë kam kërkuar një thënie me karakter përgjithësues për jetën. Mirëpo duhet ta pranojmë, se e gjithë jeta varet nga përpjekjet tona. Njeriu, si një lloj kafshe më e ndërlikuar se kafshët tjera, jeton dhe vdes në mënyrë alternative, ndonëse shikuar më realisht ai në çdo çast mund të jetë i vdekur. Çdo gjë është ajo që s’jemi fare ose që nuk është në rrjedhë të sigurtë. Jetën tonë e dëshmojmë me vdekje. Kjo metamorfozë na bën që të kuptojmë se jeta është kusht i vdekjes, e vdekja kusht i ndonjë jete… tjetër. Të lindësh, të jetosh dhe të zhdukesh, do të thotë të ndërrosh forma. Ja, njerëzit e festojnë ditëlindjen të pavetëdijshëm se përcillen në çdo hap nga ditëvdekja.
Megjithëkëtë, njeriu nuk bën të mposhtet nga dallgët e jetës, sepse edhe më fatkeqin e përcjell një shpresë, por edhe më të lumturin e ndjek një brengë. Ai duhet t’i tejkalojë pengesat dhe vështirësitë duke e zotëruar në mënyrë të plotë jetën me detyra kreative dhe risi dobiprurëse. Para materies njeriu ka detyra të mëdha. Nëse e kritikon dikush këtë fakt, ne themi se “ka njerëz që >>kanë qejf të kundërshtojnë<< por si, pse dhe me ç’qëllim, as ata vetë nuk e dinë (Lenini)”. Ti lexo, se e vërteta zbulohet vetëm duke lexuar”. Me këtë porosi përfundoi profesori im letrat e tij të gjata.
Vijon me
UDHËKRYQI DUHET TË KETË RRUGËDALJE
Krijoni Kontakt