Historia jonë e emigrimit me siguri është e njohur nga të gjithë dhe janë të pakta ato familje që nuk janë prekur nga ky fenomen, qoftë edhe në mënyrë indirekte. Pas viteve ’90 janë të ekspozuara dy llojet e emigrimit: e para, emigrimi jashtë Shqipërisë, që për nga mënyra dhe përmasat e emigrimit qe shumë më i veçantë se tri emigrimet e mëparshme E dyta, emigrimi i brendshëm ishte një tjetër lloj emigrimi, që ndryshe nga ai i pari qe edhe më spontan dhe pa asnjë rregullator administrativ apo ndonjë veprimi (treg pune) pasojat e të cilit ndihen edhe sot në organizimin e administratës aktuale. Në këtë lëvizje të popullsisë brenda kufijve shtetërorë problemet janë edhe më të komplikuara sesa duken. Debatet për regjistrimin e popullsisë dhe të votuesve, në veçanti, janë kthyer në një debat politik spektakolar, ndërsa komentet rreth tyre arrijnë deri aty sa procesin e regjistrimit të popullatës e quajnë edhe “ekspedita e regjistrimit të yjeve”. Pa dashur të merremi me të dytën, po ndalemi në një problem që duhet të merret në konsideratë; vota si një e drejtë politike e sanksionuar edhe në Kushtetutë, është e shenjtë për çdo shtetas. Bambi dhe Marlini janë dy kolege të mia që vijnë nga SHBA-ja. E para nga Kalifornia, ndërsa e dyta nga Filadelfia. Janë shtetase amerikane dhe që të dyja votuan nëpërmjet postës për presidentin e vendit të tyre. Çdo shtetas amerikan ka të drejtën e votës dhe shteti obligohet të gjejë rrugët për të gjithë shtetasit e vet që të votojnë, thotë Bambi. E solla këtë fakt për t’u rikthyer edhe një herë tek ajo pse hesht sot shteti, partitë politike, Parlamenti, qeveria e presidenti kur ne kemi gati 25% të qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë kufijve, të cilët nuk kanë mundësi të ushtrojnë të drejtën e tyre themelore politike; të drejtën e votës. Mendoni se çfarë mund të bënte qeveria amerikane, nëse rreth 25% të popullsisë, që do të thotë rreth 75 milionë banorë, nuk do të kishte mundësi të votonte, kur shteti amerikan tregon kujdes edhe për një qytetar të vetëm të tij. Në qarqe të caktuara flitet se dy të mëdhenjtë e politikës shqiptare nuk kanë dëshirën dhe vullnetin e mirë që këta qytetarë me shtetësi shqiptare, që banojnë aktualisht në Itali, Greqi, Angli etj. të ushtrojnë të drejtën e votës. Për një qytetar të rëndomtë pyetja mund të ishte e thjeshtë: Kë trëmb vota e diasporës? Berishën, Nanon, apo të dy së bashku?
Heshtja dhe anashkalimi qëllimshëm i këtij fakti tregon qartë se të dyja forcat e mëdha politike dhe liderët e tyre kanë frikë nga vota e qytetarëve të tyre jashtë kufijve të Shqipërisë. Kjo ngaqë ata e dinë mirë se këta qytetarë kurrë nuk do t’i votonin këta politikanë apo këtë klasë politike që lë shumë për të dëshiruar. Jo thjesht se këta politikanë kanë shëtitur rrugëve të Greqisë, Italisë, Gjermanisë apo Anglisë dhe askush prej tyre nuk e ngriti zërin, qoftë edhe një herë për të drejtat më elementare që u takojnë emigrantëve dhe, në veçanti, për të drejtën e shkollimit të fëmijëve të tyre në gjuhën amtare. Por qytetarët shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë nuk do të pranonin kurrsesi t’i votonin as politikanët konfliktualë dhe as politikanët e monopoleve, pa marrë parasysh në janë të majtë apo të djathtë. Kjo është ndoshta arsyeja që si Berisha, po ashtu edhe Nano e shohin diasporën si një rrezik që do t’i përjashtonte nga rotacioni politik, pse jo që do të sillte nëpërmjet votës edhe raporte të reja politike, në dëm të dy forcave të mëdha (PD - PS). Koha e ndryshimeve të shpejta demokratike dikton që diaspora të mos shihet vetëm si burim financiar, së cilës mund t’i lejohet të dërgojë në vendlindje vetëm eshtrat dhe paratë, por, në radhë të parë, diaspora shqiptare duhet të ushtrojë të drejtën e votës, pavarësisht se fizikisht nuk jeton brenda kufijve të shtetit shqiptar. Por realizimi i kësaj gjëje kërkon dërshirën e mirë dhe përkushtimin e të gjithë faktorëve politikë, duke filluar qysh nga partitë politike e deri te qeveria, Parlamenti apo presidenti. Ajo çka Moisiu kërkoi pak kohë pas ardhjes në pushtet, Ministria e Diasporës, duket se u harrua apo u hodh në koshin e plehrave nga kryeministri Nano. Megjithëse ideja e Moisiut ishte i mirë, nuk u pëlqye nga lideri socialist Nano dhe u kalua qëllimisht në heshtje nga lideri demokrat Berisha. Me siguri diaspora ka edhe rrugën e protestës përpara kancelarive perëndimore për të drejtën e votës si rrugën e saj të fundit, por do të ishte në interes të të gjithëve që kjo e drejtë të marrë rrugën e zgjidhjes pa arritur deri këtu. Madje, fare mirë mund të organizohen edhe aksione proteste kundër lidershipit shqiptar sa herë që shfaqet në aeroportet perëndimore apo drekon në hotelet luksoze të Evropës. Ndoshta këtë problem duhet ta shohë edhe Salzmani në Tiranë apo eurodeputetja gjermane Doris Pak, sepse nuk mund të kërkohet të hysh në Evropë pa përmbushur kërkesën më elementare, siç është e drejta e votës, si një e drejtë kushtetuse për qytetarin e një vendi demokratik, pa marrë parasysh se ku jeton ai, në vendlindje apo jashtë saj. Së fundi, politika duhet t’i japë përgjigje pyetjes: A duhet të votojë diaspora?
Shenim: marre nga gazeta Panorama
Krijoni Kontakt