Që pas lajmit se Bullgaria do të anëtarësohet në BE më 2007, rritet interesi i të huajve për pasaporta bullgare

Rreth 118 shqiptarë kërkojnë nënshtetësi bullgare


Y.Lili

Rriten interesimi i shtetasve të huaj për t’u pajisur me pasaporta bullgare. Lajmi se Bullgaria e ka prerë biletën për në BE-së për në vitin 2007, ka bërë që numër i konsiderueshëm i qytetarëve të shteteve- kryesisht lindore- të kërkojnë nënshtetësi bullgare. Në krye të listën së “bullgarëve të rinj” janë shtetasit maqedonas, më pas vijnë ata moldavë, ukrainas, izraelitë ndërsa më të pakët në numër janë shqiptarët. Procedura nga ana e autoriteteve bullgare është tepër e vështirë, por si duket ata janë treguar më “dorëlëshuar” për shtetasit maqedonas. Nënshtetësi bullgare sipas prejardhjes, deri më 1 dhjetor, fituan 1.979 qytetarë të Maqedonisë. Sipas Ministrisë vendore të Jurisprudencës në Maqedoni, numrin më të madh të kërkesave, në bazë të prejardhjes, e kanë parashtruar qytetarët e Moldavisë (rreth 13.562 kërkesa), më pas vijnë maqedonasit (përkatësisht me 7.959). Po këtë vit, nënshtetësi bullgare kanë kërkuar edhe 648 qytetarë të Ukrainës, 368 rusë, 315 qytetarë nga Izraeli dhe 118 shqiptarë të Maqedonisë. Rritjen e interesimit për nënshtetësi bullgare ekspertët e interpretojnë për shkak të privilegjit që me pasaportën bullgare mund të udhëtohet pa vizë Shengen, por edhe për shkak të perspektivës së sigurtë të Bullgarisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian në vitin 2007. Nënshtetësi bullgare sipas prejardhjes, deri më 1 dhjetor, fituan 1.979 qytetarë të Maqedonisë, 1.761 qytetarë të Moldavisë dhe 937 qytetarë të vendeve të tjera. Gjatë dy viteve të kaluara, numri i shtetasve “të rinj” bullgarë ishte më i ulët, por edhe atëherë, më shumë se gjysma e kërkesave ishin zgjidhur pozitivisht në dobi të maqedonasve. Procedura për fitimin e shtetësisë bullgare pas parashtrimit të kërkesës, zgjat një vit e gjysmë. Për ata që kërkojnë nënshtetësi në bazë të prejardhjes, nuk kërkohet qëndrim i përhershëm në vend, as njohje e gjuhës bullgare.