Ata talibanet te pakten i bejne hapur ne publik cfaqjet anti-Gra.. Po ne Shqiperi eshte me keq..
Ja nje tip kanibali shqiptar.. nga ata qe gezojne demokracin ne Shtetin Shqiptar..
..
Shekulli
--
Familjarët e bashkëshortes së Imer Krusës kanë denoncuar pak muaj më parë zhdukjen e Paqize Spahiut
Gruaja e tutorit të arrestuar, 10 vjet e zhdukur
I vëllai: E kërkoja Imer Krusën prej 10 vitesh, për të mësuar fatin e motrës time të zhdukur
Dashamir Biçaku
TIRANE- “Ime motër është zhdukur prej 10 vitesh. Që prej kohës që e kam martuar dhe deri sot nuk e kam parë asnjëherë. Madje, as dhëndrin Imer Krusa nuk e kam parë e kam 10 vjet që e kërkoj, për të mësuar fatin e sime motre”. Kështu mësohet të ketë deklaruar disa ditë më parë në drejtorinë e Policisë së Tiranës, Albert Spahiu, një 35- vjeçar nga Dibra, me banim në Durrës. Ai ka marrë rrugën drejt Tiranës, pasi ka lexuar në gazetë se dhëndri i tij ishte arrestuar për shfrytëzim prostitucioni. I akuzuari tashmë ndodhet i arrestuar me këtë akuzë, ndërsa po hetohet për veprimtarinë e tij kriminale në bashkëpunim me dy persona të tjerë. Vëllai i gruas së zhdukur ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, ish- burrin e motrës së tij, Imer Krusën, se e ka zhdukur vetëm 3 muaj pas martesës. Sipas burimeve nga policia e Tiranës, mësohet se Spahiu ka ngritur dyshime mbi Krusën, duke e akuzuar atë për zhdukjen, apo më keq për vrasjen e së motrës. Edhe pse është zhdukur para 10 vitesh, Paqize Spahiu është kallëzuar si e tillë në prokurorinë e rrethit gjyqësor të Durrësit vetëm disa muaj më parë. I vëllai i saj, Albert Spahiu, ka denoncuar zhdukjen e ndodhur vite më parë të së motrës, duke akuzuar bashkëshortin e saj, që tashmë ndodhet në dhomat e paraburgimit për shfrytëzim minorenesh.
Zbulimi
Në fillim të kësaj jave, drejtoria e Policisë së Tiranës ka arrestuar tre persona për shfrytëzim femrash, pas një kallëzimit të njërës prej vajzave. Eduard Hoxha, Luan Faja dhe Imer Krusa u arrestuan nga Policia e Tiranës me akuzën e ushtrimit të dhunës psiqike dhe fizike duke detyruar dy vajza 16- vjeçare të ushtronin marrëdhënie seksuale me klientë të ndryshëm. Mes të arrestuarve, Krusa sipas policisë, ishte edhe personi që luante rolin kryesor në gjetjen e klientëve, por edhe në menaxhimin e vajzave. Pas marrjes së lajmit se Krusa ishte arrestuar në kryeqytet për një krim të tillë, 35- vjeçari nga Durrësi, Albert Spahiu, është nisur në drejtim të Tiranës, për të njoftuar punonjësit e policisë se pikërisht një person me këtë emër i kishte marrë dhe më pas zhdukur të motrën, që prej vitit 1995. “Kam 10 vite që e kërkoj këtë person të më thotë se ku ndodhet motra ime dhe nuk e kam gjetur asnjëherë”,- mësohet t’u ketë pohuar Albert Spahiu oficerëve të drejtorisë së Policisë së Tiranës. Madje ai u ka dhënë agjentëve të antitrafikut edhe detaje të tjera të kohëve më parë, që mendohet se lidhen drejtpërdrejt me veprimtarinë kriminale të Krusës. Ky fakt i ka çuditur mjaft drejtuesit e uniformave blu, të cilët kanë mbetur gojëhapur nga zhdukja e 18- vjeçares Paqize Spahiu, që tashmë duhej të jetë 28-vjeç. Ndërkaq, punonjësit e policisë nuk kanë marrë në pyetje Krusën, pasi hetimet ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve i kanë kaluar prokurorisë, por informacionet për zhdukjen e Spahiut ua kanë kaluar prokurorëve.
Denoncimi në Durrës
Rreth tre muaj para se të arrestohej në Tiranë Imer Krusa, familja e së zhdukurës Paqize Spahiu kishte denoncuar në prokurorinë e Durrësit ngjarjen. Vonesa në dhënien e një denoncimi të tillë ka zënë ngushtë hetuesit e prokurorisë së Durrësit, të cilët nuk kanë ditur nga t’ia nisin. I vetmi fakt i dhënë për ta ishte se asokohe, 18- vjeçarja ishte martuar me të arrestuarin Krusa . Sipas dëshmisë së të afërmve, Paqize Spahiu dhe Imer Krusa kanë ndenjur së bashku për 3 muaj. Pas kësaj periudhe, nusja e re është zhdukur, e bashkë me këtë ngjarje, dhëndri i familjes Spahiu u bë i pakapshëm. Hetimi i prokurorisë së Durrësit ka nisur pikërisht me identifikimin dhe gjetjen e ish- bashkëshortit të Paqizesë, i cili sakaq ishte dënuar me 7 vite burg edhe nga gjykata e Dibrës, për marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur. Edhe pse ka qenë i dënuar nga një gjykatë shqiptare për një krim tjetër, vetëm pas arrestimit nga policia e Tiranës, është zbuluar se Krusa ishte një person me të kaluar të “pasur” kriminale. Tashmë, veç shfrytëzimit të femrave për qëllime prostitucioni në rrethana rënduese, ushtrimit të dhunës ndaj tyre për t’i detyruar të ushtrojnë këtë veprimtari, Krusa do të hetohet edhe për veprën penale të trafikimit të ish- bashkëshortes së tij, apo vrasjes së mundshme të saj, në rrethana që ende nuk njihen saktësisht.
ZHDUKJA
Paqize Spahiu është zhdukur pa asnjë gjurmë që prej vitit 1995. Ajo është martuar me Imer Krusën dhe ka qëndruar me të për 3 muaj. Që pas kësaj kohe, familjarët e vajzës nuk kanë asnjë të dhënë për fatin e saj si dhe nuk gjenin dhëndrin
DENONCIMI
Nuk dihen arsyet se pse vëllai i të zhdukurës, Albert Spahiu, denoncoi vetëm pak muaj më parë zhdukjen pa asnjë gjurmë. Ai ka denoncuar në prokurorinë e Durrësit zhdukjen e së motrës, si dhe akuzuar për këtë gjë burrin e saj
I DYSHUARI
Imer Krusa është arrestuar vetëm pak ditë më parë nga agjentët e Antitrafikut në policinë e Tiranës. Ai akuzohet për shfrytëzim të miturash për prostitucion, ndërkohë që dyshohet edhe për zhdukjen e së shoqes, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 1995
SHFRYTËZIMI
Imer Krusa rekrutonte vajzat për prostitucion
TIRANE- Grupi i akuzuar për shfrytëzim femrash për prostitucion është zbuluar pak ditë më parë nga policia e Tiranës. Policia bllokoi një sasi parash në cilësinë e provës materiale si dhe foto erotike të vajzave të mitura, të realizuara nga tutorët e akuzuar nëpërmjet aparatëve fotografikë të çastit. Imer Krusa, 35-vjeçari i akuzuar së fundmi edhe për zhdukjen e bashkëshortes së tij akuzohet se ka qenë kreu i këtij grupi, i cili merrej me rekrutimin e vajzave dhe gjetjen e klientëve për to. Mësohet se adoleshentet ishin dhunuar fizikisht prej grupit të mësipërm për të ushtruar prostitucion, në një shtëpi të marrë me qera pranë Shkollës së Kuqe. Po kështu, të miturat detyroheshin të shkonin me klientë të ndryshëm në vende të zgjedhura prej këtyre të fundit, sipas pagesave të caktuara nga tutorët e tyre. Sipas policisë, Imer Krusa i kishte premtuar martesë njërës prej vajzave të shfrytëzuara. Burimet e mësipërme pohojnë se Krusa e ka marrë edhe në shtëpinë e tij vajzën, të cilën e ka mbajtur tri ditë aty. Më pas e ka dërguar në shtëpinë që ndodhet në rrugën “Qemal Stafa”, ku është bashkuar me shoqen e saj. Ndërkaq 16- vjeçarja tjetër, është mashtruar po nga Krusa në një kafe, kur i ka premtuar një punë të mirë tek një mik i tij, ndërsa e ka dërguar në shtëpinë e marrë me qera, kundrejt një shume prej 20 mijë lekësh, pranë Shkollës së Kuqe. Pa kaluar një ditë, vajzat janë gjendur nën presionin e grupit të mësipërm, për të kryer marrëdhënie seksuale me klientët e gjetur prej tyre, ndërsa paratë u jepeshin në dorë tutorëve që në fillim, prej klientëve.
06/08/2005
Krijoni Kontakt