Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    kerkuesi
    Anëtarësuar
    13-09-2002
    Vendndodhja
    ne vendin tim
    Postime
    1,171

    Si marret një licensë për ushtrim aktiviteti

    Ermal Nazifi - 20/12/2004

    Ja si marret një licensë për ushtrim aktiviteti

    Me krijimin e entit juridik, ai duhet të aplikojë për licensat e lejet e nevojshme në përshtatje me aktivitetin e zgjedhur. Në vendin tonë janë të shumta entet që mbulojnë procedurat e licensimit


    Licensimi është hapi i dytë pas regjistrimit si person fizik apo juridik për krijimin e një enti që do të angazhohet në aktivitete ekonomike. Me krijimin e entit juridik, ai duhet të aplikojë për licensat e lejet e nevojshme në përshtatje me aktivitetin e zgjedhur. Në vendin tonë janë të shumta entet që mbulojnë procedurat e licensimit. Në përgjithësi janë ministritë, të cilat mbulojnë pjesë të ndryshme të aktivitetit ekonomik në vend ato që lëshojnë licensa. Në këtë mënyrë, procedurat e licensimeve mbështeten në ligje të ndryshëm.


    Legjislacioni për ushqimin
    Legjislacioni për ushqimin rregullon licensimin e aktiviteteve të prodhimit të ushqimit. Ky ligj vendos kushtet bazë që duhet të plotësohen për të ushtruar një aktivitet ekonomik në sektorin e prodhimit ushqimor. Më tej, legjislacioni për ushqimin përvijon kushtet për prodhimin e produkteve të reja, paketimin dhe marketingun e produkteve ushqimore, kërkesat për cilësi dhe siguri, reklamën, ruajtjen, transportin, tregtimin dhe procedurat e inspektimit. Gjithashtu ligji parashikon një sërë gjobash në rast shkeljeje të klauzolave të këtij ligji.


    Legjislacioni për peshkimin dhe akuakulturën
    Legjislacioni për peshkimin dhe akuakulturën rregullon licensimin për aktivitetet e peshkimit. Duke pasur parasysh natyrën e veçante, ekologjine e specieve të ujit dhe burimet e rralla të peshkut, legjislacioni shqiptar ka percaktuar masa të veçanta të nevojshme që rregullojnë aktivitetet e peshkimit. Ky legjislacion parashikon krijimin e një sërë organizmash konsultimi, kërkesat për lëshimin e licensës së peshkimit dhe organet përgjegjëse për kontrollin e aktiviteteve në sektorin e peshkimit.
    Ky legjislacion rregullon edhe veprimtarinë në sektorin e akuakulturës. Aktivitete të tilla janë të lidhura me kultivimin e produkteve të detit për qëllime tregtare. Ky lloj aktiviteti është rregulluar nëpërmjet një license. Legjislacioni përkatës parashikon edhe kushtet e veçanta që duhen zbatuar. Ligji gjithashtu përcakton edhe gjobat që mund të vendosen në rast shkelje të klauzolave të tij. Gjithashtu ligji përcakton detyrimet për kompensim që vijnë nga dëmtimet e shkaktuara. Në këto raste, Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit si përfaqësuese e shtetit shqiptar, mund të bëjë ankesë për zhdëmtim. E njëjta ministri është përgjegjëse për lëshimin e licensave për aktivitetet e prodhimit të ushqimit, peshkimin dhe akuakulturën.


    Legjislacioni mjedisor
    Legjislacioni mjedisor parashikon nevojen e enteve ligjore dhe personave fizikë për të aplikuar për një leje mjedisi nëse ato anagazhohen në aktivitete ekonomike dhe shoqërore të cilat mund të kenë një ndikim në mjedis. Institucioni përgjegjës për dhënien e këtyre lejeve është Ministria e Mjedisit dhe në disa raste të veçanta vendos Këshilli i Ministrave. Ky licensim bëhet pas një vlerësimi të ndikimit në mjedis të aktivitetit që do të zhvillohet. Një nga kërkesat e këtij ligji është se duhet të merret edhe mendimi i komunitetit për dhënien e lejes mjedisore.


    Sektori farmaceutik
    VKM nr. 500 datë 23.11.1992 rregullon procedurat e licensimit, të cilat duhet të ndiqen prej enteve tregtare që synojnë të angazhohen në aktivitete në sektorin farmaceutik. Ai përvijon edhe kushtet që duhet të plotësojë aplikanti për të marrë licensën. Këto kushte lidhen me gjendjen teknike dhe higjienike të vendit ku do të realizohet aktiviteti, si dhe me aftesitë profesionale të vetë aplikantit. Ky vendim parashikon edhe gjobat në rast shkelje të rregullave. Ministria e Shendetësisë është institucioni përgjegjës për lëshimin e licensës dhe administrimin e gjobave.


    Sektorët joushqimorë
    VKM nr. 154 date 07.04.2000 rregullon licensimin e aktiviteteve në sektorët joushqimorë. Licensa lëshohet për një ent ligjor të angazhuar në aktivitetet prodhuese. Për rrjedhojë, personat natyralë nuk kanë të drejtë të marrin një licensë të tillë. VKM nr. 154 parashikon listën e dokumentacionit të kërkuar që aplikanti duhet të dorëzojë te autoritetet përkatëse, që në këtë rast është Ministria e Industrisë dhe Energjetikës. Licensa jepet për një periudhë kohe të kufizuar dhe vetëm për një tip aktiviteti. Nëse i licensuari angazhohet në aktivitete të tjera, përveç atyre të përshkruara në licensë, ai do të jetë subjekt i sanksioneve. Më tej, në rast moslëshimi të licensës, VKM nr. 154 parashikon një procedure ankimimi te ministri.
    Sektori i turizmit
    VKM nr. 89 datë 01.03.1993 përcakton se subjekteve të interesuara në zhvillimin e aktiviteteve në sektorin e turizmit u kërkohet që të aplikojnë për një licensë në Ministrinë e Rregullimit të Territorit e Turizmit, ose në disa raste, në pushtetet vendore. Aktivitetet që kërkojnë licensë përfshijnë hotelet, baret, restorantet, agjencitë e udhëtimit dhe shërbimin taksi. Pushteti vendor është instancë përgjegjëse për lëshimin e licensës për këto tipe aktivitetesh. Pra vendimi kërkon nga Ministrinë e Rregullimit të Territorit e Turizmit që të plotesohet kuadri rregullator të përshtatshëm për licensimin e enteve të interesuara.



    Procedurat për licensim aktiviteti janë tepër të kushtueshme


    Palëve të interesuara u kërkohet të plotësojnë një sërë hapash paraprake përpara se të aplikojnë për një licensë. Disa prej këtyre hapave mund të bëhen një barrë e madhe financiare në rast se mohohet dhënia e licensës


    Procedurat për licensim shpesh përbëjën një procedurë tepër të kushtueshme dhe që u merr tepër kohë bizneseve e personave të interesuar. Sipas këtij kuadri, palëve të interesuara u kërkohet të plotësojnë një sërë hapash paraprake përpara se të aplikojnë për një licensë. Disa prej këtyre hapave mund të bëhen një barrë e madhe financiare në rast se mohohet dhënia e licensës. P.sh, për t’u licensuar kërkohet që aplikanti duhet ta ketë instaluar dhe provuar linjën e prodhimit përpara se të jepet licensa. Kjo kërkesë shoqërohet me një investim të ndjeshëm. Ky lloj investimi ndjehet sidomos nga ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME) me kapital të kufizuar dhe me pak perspektivë në tregun e kapitaleve në Shqipëri. Në këtë mënyrë rritet edhe presioni për korrupsion nga autoritet publike në mënyrë që licensa të merret sa më parë, ose të merret pa i plotësuar të gjitha kushtet ligjore.
    Vështirësitë janë edhe më të mëdha në reastin e disa proceduarave të veçanta. Kështu, në disa raste kërkohet që të merren disa leje përpara lëshimit të licensës. Këto leje përfshijnë lejet e shëndetit dhe/ose të mjedisit. Nëse nuk merren këto leje, automatikisht mohohet edhe lëshimi i licensës nga autoritetet kompetente. Ky është rasti i aktiviteteve në sektorin e ushqimit dhe në atë joushqimor. Megjithëse këto hapa paraprake janë të nevojshme, licensimi bëhet një procedurë me dy faza dhe shoqërohet me shpenzim kohe, energjie dhe kapitali. Më tej, instanca të ndryshme kanë standarde të ndryshme, duke krijuar një situatë pasigurie që është kufizuese për inisiativat e biznesit. Procedurat e licensimit reflektojnë rëndësinë e një sërë aktivitetesh dhe të natyrës së tyre të veçantë. Kjo reflektohet gjithashtu në kuadrin ligjor që i rregullon këto procedura.
    Shqipëria është kritikuar vazhdimisht si një nga vendet me numrin më të madh të pengesave administrative në rajon. Ulja e numrit të këtyre pengesave si dhe liberalizimi i vazhdueshëm i këtyre procedurave është një nga kushtet e vendosura për t’u plotësuar për negociatet për antarësismin në Bashkimin Europian.



    Vonesa, problemi më i madh për licencimet
    Megjithëse aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë procedurat e licensimit parashikojnë kufij kohorë të përcaktuar, autoritetet publike përgjegjëse për këto procedura rrallë i zbatojnë këto kërkesa


    Problemi më i madh për licensimet është vonesa e madhe e dhënies së licensave nga institucionet përkatëse. Kjo përbën një nga çështjet më madhore, që palët e interesuara përballen në fushën e licensimeve. Këto vështirësi janë të zakonshme, megjithëse aktet ligjore dhe nënligjore që rregullojnë procedurat e licensimit parashikojnë kufij kohorë të përcaktuar. Pavarësisht nga kjo, është vënë re se autoritetet publike përgjegjëse për këto procedura rrallë i zbatojnë këto kërkesa. Rezultati është humbja e paevitueshme e kohës dhe kapitalit nga ana e enteve të interesuara.


    Liçencimi në “heshtje”
    Në mjet i mundshëm për zgjidhjen e kësaj situate është dhënia e licensave në heshteje. Pra, nëse kërkesa për licensë nuk mohohet as pranohet brenda një afati të caktuar atëherë licensa quhet se është dhënë sipas kërkesës së bërë. Në pak raste ligjet parashikojnë për një njohje në heshtje të lejeve të kërkuara. Megjithëkëtë, ky është më tepër një përjashtim se sa një rregull, duke marrë në konsideratë se në shumicën e rasteve lëshimi i licensave krijon të drejta dhe detyrime për mbajtësin e saj.


    Procedura gjyqësore
    Me tej, zgjidhja e ofruar nga ligji në rast se autoriteti publik nuk i përgjigjet në një farë mënyre, një kërkese për licensë, është rruga gjyqësore. Sipas kodit të procedurave administrative e Kodit Civil, palët mund t’i drejtohen gjykatës për kundërshtimin e një akti (psh refuzimin e licensës). Sipas ligjit, palët mund t’i drejtohen gjykatës edhe për nxjerrjen e një akti në favor të saj nëse një e drejtë e tillë i takon me ligj (p.sh, në rastin e vonesave). Por përpara se palët t’i drejtohen gjykatës, ato duhet më parë që të ndjekin një procedure ankimimi administrativ. Kjo procedurë zakonisht mbaron me shqyrtimin e çështjes te kreu i entit publik përgjegjës për licensimin. Në çdo rast, duke marrë në konsideratë kohën që zakonisht i duhet gjykatës për të vendosur për një ankimim, rezultati është përsëri dëmtimi i enteve tregtare në kohë, energji e shpenzime të kryera, kundrejt të cilit ato nuk marrin sqarimin dhe efiçiencën e kërkuar për një drejtim normal të biznesit të tyre.


    Problemet
    Vonesat në licensimin e bizneseve për ushtrimin e procedurave të ndryshme shkakton probleme të shumta për këto biznese. Nga njëra anë, ndërmarrjeve u kërkohet të investojnë shumë kapital në mënyrë që të plotësojnë kërkesat e nevojshme për leshimin e licensës së kërkuar, dhe nga ana tjetër, autoritetet publike rrallë e zbatojnë kohën “tavan” të përcaktuar për procedurat e licensimit. Kjo gjendje bëhet tejet e rëndë veçanërisht për SME-të. Kjo përbën edhe një nxitje për ryshfet dhe korrupsion, së bashku me shpenzimet shtesë për bizneset.
    Një tjetër problem që përbën një barrë për operatorët ekonomikë është numri i madh i zyrave publike, që ata duhet të drejtohen për të siguruar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për licensim. Këto kërkesa e bëjnë këtë proces në mënyrë të panevojshme të stërzgjatur për shkak të procedurave burokratike. Vonesat në kohë shoqërohen me shumëfishimin e humbjeve të pësuara. Pak a shumë, koha e humbur duke rendur pas burokratëve është plotesisht joprodhuese për sipërmarrësit dhe menaxherët e ndërmarrjeve. Për më tepër, një mjedis i tillë jomiqësor, në vend që të mbështesë e lehtësojë zhvillimin e operatorëve ekonomikë të përgjegjshëm, prodhon në fakt të kundërtën.



    Problemet me licensimin zgjidhen me formimin e “një stacion të vetëm”


    Qëllimi i formimit të një “stacioni të vetëm” është që të eliminohet “ping pong” – u i sipërmarrësve nga një agjenci qeveritare në një tjetër. Biznesmenët që kanë nevojë për lejë dhe licensa për aktivitetin e tyre, e paraqesin kërkesën e tyre në një zyrë të vetme


    Licensimi është një procedurë e rëndë, e stërzgjatur dhe me kosto të lartë. Kjo situatë kërkon zgjidhje të menjëhershme. Një zgjidhje për lehtësimin e procedurave të licencimit do të ishte përcaktimi i një vendi të vetëm ku sipërmarrësit mund të paraqesin kërkesat e tyre dhe të marrin të gjitha lejet dhe licensat e nevojshme. Kjo procedurë është quajtur “One stop shop” apo një stacion i vetëm për të gjitha çështjet e lidhura me licensimet. Praktika në vendet që e kanë zbatuar kët model ka treguar se janë ulur ndjeshëm kostot dhe koha e shpenzuar nga sipërmarrësit në procesin e marrjes së licensave dhe lejeve.


    Si funksionion “One stop shop”
    Qëllimi i një strukture të tillë është që të eliminohet “ping pong” – u i sipërmarrësve nga një agjenci qeveritare në një tjetër. Biznesmenët që kanë nevojë për leje dhe licensa për aktivitetin e tyre, e paraqesin kërkesën e tyre në një zyrë të vetme. Punonjesit e kësaj zyre plotesojnë pjesën tjetër të procedurave duke marre të gjithë dokumentacionin e nevojshëm nga agjenci të ndryshme qeveritare, dhe në fund të procedurës, aplikantit i lëshohet licensa.


    Tarifat
    Tarifat për këtë shërbim duhet të përfshijnë koston dhe një përqindje fitimi. Çdo sipërmarrës do të jetë shumë më i lumtur që të paguajë diçka më shumë për të shmangur zyrtarët e shumtë publikë. Për më shumë, sipërmarrësi do të merrët vetëm me personelin e linjës së parë të kësaj zyre dhe jo drejtpërdrejt me njerëzit që do të ndjekin procedurën. Një metodë e tillë pune do të ndikojë edhe mbi problemet e rryshfetit në administratën publike. Megjithatë, në mënyrë që ky sistem të funksionojë mirë, është e nevojshme që zyra të kompletohet me personel të aftë dhe të ketë të gjithë infrastrukturën e përshtatshme në dispozicion. Në të kundërt, kjo strukturë nuk do të jetë e aftë që t’u përgjigjet plotësisht nevojave të biznesit. Për mbarëvajtjen e punës së kasj strukture është e domosdoshme që të sigurohet transparenca dhe informimi si për fazat e procedurës, dokumentet e nevojshëm, tarifat etj.



    Shënim: Shkrimet janë përgatutur duke u mbështetur në “Analiza dhe Rekomandime për Kuadrin Ligjor për SME-të”, nga European Training Foundation, përgatitur nga Genc Boga, Eris Hoxha LL.M., dhe Ina Aleksi.

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    17-03-2003
    Postime
    683
    Varet ne cfare vendi jeton ..... PO te jesh ne Shqiperi p.sh nuk do te nevojiten dokumentat , mjafton te kesh leket me vete se pastaj mund te regjistrosh cfare te duash

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 26-06-2006, 05:59
  2. Bill Gates, themeluesi i Microsoftit do të tërhiqet nga aktiviteti.
    Nga DYDRINAS në forumin Lajme nga informatika
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 17-06-2006, 19:29
  3. U.S. firms gets copper exploration license in Kosovo
    Nga Qerim në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 25-11-2005, 20:35
  4. Ushtrim mbi sistemin operativ
    Nga demolition man në forumin Arti i programimit
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 04-07-2003, 11:22

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •