-----------------------------------------------
Shqiptarët emigrantë që jetojnë e punojnë në Greqi, do të kenë mundësi të kalojnë festat e fundvitit në Shqipëri, edhe pse nuk kanë përfunduar procedurën për bërjen e dokumenteve të qëndrimit në shtetin fqinj. Burime diplomatike konfirmojnë se pas takimit që ambasadori shqiptar në Greqi Bashkim Zeneli, pati me ministrin e Brendshëm grek Vulgaraqis, u arrit që gjithçka të konkretizohej me një urdhër të lëshuar të shtunën e kaluar nga ministri grek, i cili autorizon gjithë pikat e kalimit kufitar të lejojnë qarkullimin e emigrantëve shqiptarë në të dy anët e kufirit, nga data 15 dhjetor e këtij viti deri në 15 janar të vitit të ardhshëm, edhe pse nuk kanë përfunduar procedurën e bërjes së dokumenteve të reja të qëndrimit në shtetin fqinj.
Urdhri
Dhjetë ditë më parë ambasadori Zeneli, sipas burimeve diplomatike, i ka shkruar një letër zyrtare ministrit grek, ku i konfirmon marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe kërkon krijimin e disa procedurave lehtësuese për emigrantët shqiptarë, në mënyrë që festat e fundvitit t'i kalojnë në vendin e tyre. Pas kësaj letre, fundjavën e kaluar ambasadori Zeneli është takuar vetë me ministrin e Brendshëm grek, dhe menjëherë pas kësaj është bërë e mundur dalja e kësaj urdhërese, që lehtëson mjaft emigrantët shqiptarë që nuk kanë përfunduar dokumentacionin.
Procedurat
Çdo emigrant shqiptar mund të kalojë kufirin, duke nisur nga data 15 e këtij muaji, nëse do të paraqesë pranë autoriteteve pasaportën e tij, lejeqëndrimin që i ka përfunduar afati, dhe kërkesën që ka bërë për një leje të re. Menjëherë pas kësaj procedure, ata do të mund të hyjnë në Shqipëri e të dalin nga Shqipëria nëpërmjet së njëjtës mënyrë, por brenda datës 15 janar.
-----------------------------------------------
Krijoni Kontakt