-------------------------------------------------------------

Kapen tre raketa tokë-ajër

Arrestimi i katër trafikantëve të armëve, Sokol Mujaj, Ilmi Isufi, Armir Troshani dhe Mentor Cani, paraditen e djeshme i ka justifikuar 6 muaj punë intensive në mënyrë operative të policisë. Në fakt ka qenë investigimi në lidhje me arsenalin e armëve të kapura një vit më parë në Shkodër, mes të cilave dhe dy mina me telekomandë, ajo që i çoi hetuesit në gjurmët e trafikantëve të armëve. Sipas burimeve, vetëm në qershor policia kishte siguruar emrat dhe të dhënat e trafikantëve. Por duhej që goditja të bëhej atëherë kur të ishin zbardhur të gjitha detajet e funksionimit të këtij rrjeti dhe autorët të kapeshin me "presh në duar".

Operacioni

Për gjashtë muaj janë vënë në përgjim telefonat e të dyshuarve, ndërsa agjentët survejonin veprimet e tyre. Ndërsa një muaj më parë në qendrën operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, që mbikëqyrte veprimet në terren, erdhi sinjalizimi për shkëmbimin që do kryhej. Informacionet ishin sakta dhe origjina e armëve ishte Mali i Zi. Fqinjët veriorë u treguan të gatshëm për të kontribuar me informacione dhe dy ditë më parë ata sinjalizojnë se ngarkesa prej tre raketash të tipit "Strela 2M". Operacioni është mbajtur tepër sekret nga policia. Ishin vetëm një grup i vogël i besuar, i cili i ka ndjekur qysh në fillim hetimet. Agjentët nuk kanë ndërhyrë menjëherë, ata kanë lejuar që tri raketat të hynin në territorin shqiptar. Për kryerjen e operacionit ishin caktuar Forcat Speciale dhe të Ndërhyrjes së Shpejtë të Ministrisë së Rendit, në mënyrë që të evitohej rrjedhja e informacionit. Furgoni me mbishkrimin EHW është ndjekur gjatë të gjithë rrugës nga Shkodra për në Tiranë. Automjetet e policisë ndërroheshin rrugës, në mënyrë që të mos binin në sy, në një kohë që përgjimet telefonike regjistronin të gjitha orientimet që i jepeshin drejtuesit të furgonit rrugës.

Arrestimi

Ndërhyrja e specialeve është kryer pikërisht në kohën që trafikantët kryenin dorëzimin e raketave dhe marrjen e 100 mijë USD-ve si shkëmbim. Specialët që kishin ndjekur furgonin prej nisjes së tij nga Shkodra e kanë parë automjetin tip Benz në segmentin rrugor Rinas-Vorë. Ai afrohet dhe i bën me shenjë furgonit të hapë krahun, pikërisht në vendin e quajtur Fushë-Prezë. Më pas është pritur momenti kur drejtuesi i tij i ka nxjerrë tri raketat Tokë-Ajër nga ngarkesa e sallamit në cilën i kishte maskuar. Në kohën kur të dyja palët ishin gati për të kryer shkëmbimin, blutë kanë ndërhyrë duke i vënë ata në pranga. Sipas burimeve, të ndaluarve nuk u është gjetur ndonjë armë tjetër me vete. Ata janë shoqëruar nën masa të rrepta sigurie në ambientet e izolimit të policisë së Tiranës.

Masat

Mëngjesin e djeshëm katër të ndaluarit, Sokol Mujaj, Ilmi Isufi, Armir Troshani dhe Mentor Cani, janë futur të maskuar me kapuçë të zinj në kokë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Furgoni i specialeve dhe tre automjete civile të përdoruara në aksion kanë dorëzuar të arrestuarit dhe janë larguar, ndërsa në drejtori kanë mbetur furgoni me stemën EHW dhe automjeti Benz i të arrestuarve. Një telefonatë kishte mbledhur aty të gjithë krerët e drejtorisë, ndërsa, sipas burimeve, deri në atë kohë ata nuk kishin dijeni për arrestimet. Në drejtori, për të ndjekur procedurat paraprake dhe për të marrë në pyetje, kanë mbërritur menjëherë Drejtori i Drejtorisë së Luftës Kundër Krimit të Organizuar, Kostaq Beluri, prokurorë të Krimeve të Rënda dhe drejtues të zyrës së Antitrafikut për armët, Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Për informacione të mundshme për grupin e të arrestuarve ishin thirrur, në mbledhjen e kryer në drejtorinë e policisë së Tiranës, edhe shefat e Antidrogës dhe Antiterrorit të kësaj drejtorie.

-------------------------------------------------------------