Gladiola Bendaj - 13/12/2004



Bëhet fjalë për segmentin rrugor prej 650 metrash linear përgjatë Lanës midis dy urave, asaj “Vasil Shanto” dhe urës te Qyteti i Nxënësve


Pas plot 15 vjetësh Tiranës i shtohet një rrugë e re në një nga zonat më me prespektivë të saj. Kjo është një segment i vazhduar i Unazës së Madhe me një gjatësi prej 650 metra linearë, i cili do të lidhë përfundimisht hyrjen e qytetit me zemrën e tij për t’u dhënë një kuptim më të plotë investimeve të bëra në zonën e Tiranës së Re. Bëhet fjalë për segmentin që do të lidhë vazhdimin e Unazës së Vogël që nga ura e madhe te kryqëzimi i shkollës “Vasil Shanto” me urën tjetër të Lanës te Qyteti i Nxënësve. Investimi i plotë për realizimin e kësaj rruge kap vlerën e 126 milionë lekëve. Panorama tërësisht e ndryshuar brenda pak muajve në këtë zonë të re të zhvillimit urban, pas sistemimit të të dy brigjeve të lumit të Lanës duket më e plotë tani që rruga përshkon të dy krahët e saj. Në përurimin e bërë ditën e djeshme mori pjesë edhe kryebashkiaku Edi Rama. “Kjo është e para rrugë e re që ndërtohet në Tiranë në 15 vite. Sjell një cilësi të re në trafikun e kryeqytetit për kënaqësinë e të gjithë atyre qytetarëve që besojnë tek ne dhe për qetësinë e atyre që nuk besojnë”, u shpreh ai. Plotësimi i segmentit rrugor midis dy urave të mëdha të Lanës ishte paraqitur si një domosdoshmëri prej shumë kohësh. Lëvizja e automjeteve në një rrugë kalimi në të dyja drejtimet sillte një trafik mjaft të rënduar në këtë pjesë rruge që përshkohet nga linja urbane e Tiranës së Re. Ndërtimi i kësaj rruge të re paralele me të, jo vetëm do të zgjidhë problemin e trafikut të rënduar, por do të shpalosë edhe hapësira të tjera të reja e të sistemuara brenda Tiranës. Por ky nuk është as fundi dhe as fillimi i investimeve të këtij lloji ne infrastrukturën rrugore dhe rehabilituese për Tiranën. Burime zyrtare nga bashkia bëjnë të ditur se me rastin e zgjedhjeve, pra deri në mes të verës së ardhshme kryeqytetit do t’i shtohen edhe 18 segmente të tjera rrugore të rindërtuara.