Infermieri dhunon pacienten e mitur
DURRES
Reanimacioni i kirurgjisë së Durrësit është përfshirë nga një skandal dy ditë më parë. Infermieri Gëzim Abazi është zënë në flagrancë nga kolegët, ndërsa po tentonte të përdhunonte një 16 vjeçare të sapooperuar nga apendisiti. Në përpjekje për ta kaluar në heshtje ngjarjen e pazakontë krerët e shërbimit kanë urdhëruar pushimin e menjëhershëm nga puna të 34-vjeçarit. Në organet e drejtësisë nuk është depozituar ende asnjë denoncim për rastin në fjalë.
Historia
Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës një britmë ka zgjuar pacientët dhe personelin e paktë që kryente shërbimin e rojës në kirurgjinë e spitalit. Ka qenë mjeku i rojës që ka rendur duke u përpjekur të gjente dhomën nga vinin thirrjet për ndihmë. Në pak çaste ai është bërë dëshmitar i një skene perverse ndërsa ka gjetur infermierin e reanimacionit mbi 16-vjeçaren I.M në tentativë për të kryer marrëdhënie seksuale. Pacientja ndodhej në gjendje të rëndë shëndetësore pas komplikacioneve të operacionit. Dhe akti i mbetur në tentativë erdhi pas kujdesit të infermierit për t'i ndërruar fashot vajzës. Por ka qenë kjo e fundit, që megjithëse në gjendje të rënduar, ka mundur të nxjerrë zë dhe të tërheqë në dhomë doktorin që shpëtoi atë dhe kufizoi përmasat e skandalit. Megjithatë vajza si rezultat i tentativës ka pësuar tronditje psiqike. Bluzat e bardha sigurojnë se 16 vjeçarja u ka shpëtuar të paktën dëmtimve fizike, asaj nuk i është dëmtuar plaga e operacionit. Menjëherë kur në ambientet e reanimacionit është kthyer normaliteti është thirrur shefi i shërbimit dhe siç bëhet e ditur nga burime spitalore është zhvilluar një mbledhje urgjente me personelin. Ndërsa mjeku roje ka rrëfyer ngjarjen e pazakontë pasoja ka qenë e pashmangshme. Në përfundim të mbledhjes që zgjati fare pak minuta u mor vendimi për pushimin e menjëhershëm nga puna të infermierit Gëzim Abazi. I diplomuar në shkollën e Infermierisë, një vit më parë u punësua në spitalin e Durrësit në repartin e kirurgjisë. Kolegët e tij të punës thonë se ai ishte një tip enigmatik dhe jo i shoqërueshëm por ata nuk i kishin konstatuar atij prirje perverse si ajo që demonstroi 2 netë më parë.
Pasojat
Përpjekjet për ta mbajtur skandalin brenda dyerve të spitalit bëjnë të mendosh se një rast i tillë mund të mos jetë unik. Dhe se tentativa të këtyre natyrave perverse janë ndëshkuar thjesht me masa administrative, duke mbetur larg organeve të drejtësisë. Deri dje ngjarja kishte kapërcyer kufijtë e reanimacionit të kirurgjisë e më gjerë, duke tërhequr vetëm komente personale të bluzave të bardha. Nëse masa e marrë ishte apo jo e mjaftueshme. Asgjë më tej. Organet e policisë dhe të prokurorisë nuk kishin asnjë dijeni, në adresë të tyre s'kishte mbërritur ndonjë denoncim. Kompromisi i heshtjes së bluzave të bardha është justifikuar nga ana e tyre dhe në shërbim të pacientes, së cilës me këtë rast i është ruajtur anonimati. Mungesa e një denoncimi justifikohet gjithashtu me paktin e bërë mes bluzave të bardha dhe familjarëve të viktimës. Të cilët janë mjaftuar me masën administrative për infermierin. Duke menduar se këmbëngulja për ta çuar më tej ngjarjen mund të kishte pasoja psikologjike mbi vajzën e tyre, denoncimi do të kërkonte praninë e saj në organet e drejtësisë, thirrjen e dëshmitarëve e mbi të gjitha këto përmasat e ngjarjes s'do mund të kufizoheshin… duke mos qenë të aftë për të parashikuar ç'mund të ndodhte të afërmit e viktimës qenë të ndërgjegjshëm të pranonin paktin me bluzat e bardha dhe të mos vazhdonin më tej. Historia u arkivua në thashethemnajën e spitalit që zgjat tri ditë dhe e shpjeguar me fjalë të përgjithshme në motivacionin që largoi nga puna një nga punonjësit e personelit.
Precedenti i mashtruesit
Male, mjeku popullor që dhunoi pacienten
Shumë prej lexuesve të "Gazetës", duhet t'i kenë ende të freskëta bëmat e të vetëquajturit "mjek popullor", Gazmend Male. Në fillimin e vitit 2001, pas një sërë denoncimesh të publikuara në faqet e "Gazetës" për mashtrimin që kryente Male duke u premtuar njerëzve shërim nëpërmjet fuqive të mbinatyrshme, doli në dritë edhe një tjetër skandal. Sipas dëshmisë së nipit të Males, Sokol Mitajt, të publikuar në 13 mars 2001, mjeku popullor kryente edhe abuzime seksuale apo përdhunime të pacienteve të tij. Mitaj, i cili kishte punuar për shumë kohë si roje e mashtruesit, solli rastin e një vajze të re nga Shkodra, e cila ishte përdhunuar në dhomën ku kryheshin vizitat. Edhe pse jo një mjek i vërtetë, rasti i Gazmend Males mbetet deri më sot i vetmi rast i bërë publik i një abuzimi seksual ndaj pacientëve. Ndërkohë, pas këtyre denoncimeve publike, mashtruesi Male u detyrua të largohej në drejtim të SHBA-së. Autoritetet tatimore bllokuan aktivitetin e tij në një vilë të marrë me qera në Selitë të Tiranës, ndërkohë që prokuroria nisi një procedim penal për të verifikuar të gjitha denoncimet në drejtim të Males. Që prej këtij momenti, Gazmend Male nuk ka preferuar të kthehet më në Shqipëri, ndërkohë që nuk është sqaruar ende nëse ai i ka mbyllur të gjitha telashet me drejtësinë shqiptare.
Flet profesor Kristaq Hute
Drejtori i spitalit: Pezulluam infermierin, sot vendoset masa
Drejtori i spitalit të Durrësit, Kristaq Hute duket i bindur në pohimin se ky është rasti më i shëmtuar që mund të ketë ndodhur ndonjëherë në mjekësi. Aq sa ai vazhdon të përsërisë gjatë bisedës shprehjen "nëse është e vërtetë". Ndërkohë pritet që sot, drejtuesit e spitalit të diskutojnë për marrjen e masave të mëtejshme ndaj infermierit Abazi:
Ç'masa janë marrë nga drejtoria e spitalit pas zbulimit të këtij abuzimi?
Më kanë informuar për këtë ngjarje dhe meqënëse ishim në një mbledhje, menjëherë vendosa të marr masën e pezullimit. Ne akoma nuk kemi kryer një vërtetim të kësaj akuze, një farë ballafaqimi me vajzën, në mënyrë që të vërtetojmë plotësisht këtë akuzë dhe të marrim masën e shkarkimit nga puna. Unë kam qenë i sëmurë sot dhe nuk munda të ndiqja këtë problem, por mendoj se nesër do t'I shkoj deri në fund.
Ju do të mjaftoheni vetëm me një shkarkim nga puna?
Nuk ka ndodhur asnjëherë një precedent i tillë në mjekësi dhe ne jemi gjendur pak të papërgatitur. Si drejtori kemi për detyrë vetëm masa administrative, pastaj i takon organeve të tjera të marrin masa të mëtejshme. Kjo është edhe në dorë të vajzës, e cila duhet të zgjedhë nëse do të denoncojë këtë fakt, gjithnjë nëse është i vërtetë sepse siç ju thashë duhet të bëjmë nesër një ballafaqim të fakteve.
Krijoni Kontakt