Teri Dejvis ka thënë se kosovarët mund të përfaqësohen në Këshillin e Evropës vetëm si qytetarë të Serbisë
Strasburg, 23 nëntor - Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës (KE), Teri Dejvis u ka thënë një grupi prej rreth 30 pjesëmarrësve nga Kosova në një takim në Strasburg se "kosovarët nuk mund të përfaqësohen ndryshe në Këshillin e Evropës, pos si qytetarë të Serbisë". Pjesëmarrësve kosovarë të një shkolle politike Dejvis u ka thënë se ata janë qytetarë të Serbisë dhe Malit të Zi, shkruan në numrin e sotëm gazeta e Prishtinës "Lajm".
"Ambasadorja e Serbisë dhe Malit të Zi është përfaqësuese shumë e denjë e të gjithë qytetarëve të Serbisë dhe Malit të Zi, këtu hyjnë edhe qytetarët e Kosovës", u ka thënë Dejvis kosovarëve, gjë që ka shkaktuar protestën e tyre.
Pokështu gazeta citon Dejvisin të ketë thënë se shumica e deputetëve të KE-së janë kundër pavarësisë së Kosovës dhe se janë të pakët ata, si zonja Doris Pak, që besojnë që ka zgjidhje tjetër pos Unionit Serbi dhe Mali i Zi. "Unë nuk dua t'ju gënjej. Nëse doni t'i besoni Doris Pakut, mund ta bëni këtë", ka thënë Dejvis.
Gazeta thotë se grupi kosovar ka reaguar ashpër kundër deklaratave të Teri Dejvisit.
"Ju kurrë nuk do të jeni të pavarur sa më përket mua dhe Këshillit të Evropës, unë besoj në sovranitetin e Serbisë dhe Malit të Zi dhe ju jeni pjesë e pandashme e tyre. Edhe nëse Mali i Zi do të ndahet unë do të them se ju jeni pjesë e Serbisë atëherë. SMZ atëherë është njohur nga OKB-ja dhe kjo është një çështje e pashmangshme, kurse ju jeni pjesë e saj. Ju jeni armiqtë më të mëdhenj të vetvetes për krimet e kryera ndaj qytetarëve tuaj dhe ju jeni ata që bëjnë probleme", citon fjalët e Teri Dejvisit gazeta "Lajm".
Krijoni Kontakt