Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 6
  1. #1
    !Welcome! Maska e StormAngel
    Anëtarësuar
    05-02-2003
    Vendndodhja
    Zurich, Switzerland
    Postime
    6,846

    Kufoma e 17-vjeçares, në autostradë

    Policia: Dyshohet se vajza me emrin Merita, banore e Sukthit, është hedhur vetë nga një makinë me të cilën udhëtonte

    Kufoma e 17-vjeçares, në autostradë


    Llambi Kallço

    DURRËS- Gjendet e vdekur në autostradën Durrës- Tiranë, në rrethana misterioze, një vajzë 16-vjeçare. Burime të policisë së Durrësit thanë për gazetën se, vajza që është e moshës rreth 16 vjeç, është gjendur në krah të autostradës Durrës-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Sukthit. Burime të policisë së Durrësit që po merren me hetimin e kësaj ngjarjeje bënë të ditur vetëm emrin e saj që është identifikuar disa orë pas gjetjes së kufomës. “Ajo quhet Merita dhe është banore e zonës së Sukthit”, thanë për gazetën burimet e policisë së Durrësit, pa dhënë shumë detaje, pasi deri pak para mesnatës të së premtes grupi i ekspertëve ende nuk kishte përfunduar hetimet paraprake. Aktualisht, saktësuan burimet, po hetohet në dy pista se vajza mund të jetë viktimë e një aksidneti, ose ajo është hedhur vetë nga makina në të cilën dyshohet të ketë qënë me më shumë se një person. Pista e fundit është dhe më e mundshmja për momentin; tha një burim i rezervuar

    Ngjarja
    Ka qënë ora 19:00 e ditës së djeshme kur kalimtarë të rastit kanë vënë re një kufomë, në afërsi të mbikalimit të Sukthit, në anë të autostradës dhe menjëherë kanë lajmëruar në komisariatin e Durrësit. Uniformat blu të policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë konstatuar se kufoma e gjetur, në anë të autostradës, ishte e seksit femër, nuk ishte dëmtuar shumë dhe se mund të ishte e moshës 16-17 vjeç. Po ashtu mësohet se trupi i vajzës ka qënë i ngrohtë, gjë që do të thotë se ajo kishte ndërruar jetë pak kohë para se të diktohej nga kalimtarët. Më pas ekspertët e policisë kanë vendosur që trupin e viktimës ta çojnë në morg, me qëllim që kufoma e 16-vjeçares t’i nështrohej ekspertizës. Kjo për faktin se nga një kqyrje e jashtme e saj, ekspertët nuk kanë mundur të gjejnë motivet e vdekjes.

    Policia
    Vajza e gjetur e vdekur në anë të autostradës ka alarmuar drejtuesit e policisë së Durrësit, të cilët kanë filluar hetimet intensive lidhur me këtë ngjarje. Në orët e vona të ditës së djeshme në drejtim të fshatit Sukth është nisur një grup hetimor i policisë së Durrësit, për t’u ndalur në familjen, së cilës mendohet se i përket viktima. Deri pak para mesnatës së djeshme policia nuk bëri të ditur ndonjë detaj të saktë lidhur me rrethanat e vdekjes së vajzës adoleshente. Por burime të rezervuara të policisë thanë se pista më e mundshme është ajo se vajza mund të jetë hedhur vetë nga makina. Madje të njëjtat burime thanë se kanë identifikuar dhe personin e dyshuar me të cilin dyshohet të ketë qënë viktima dhe se po punohet për kapjen e tij.
    We didn't land on Plymouth Rock, Plymouth Rock landed on us.

  2. #2
    !Welcome! Maska e StormAngel
    Anëtarësuar
    05-02-2003
    Vendndodhja
    Zurich, Switzerland
    Postime
    6,846
    Vizitë në familjen e Manjola Halilit në Sukth, ku ceremonia mortore nuk shoqërohet me vaj dhe të qara të familjarëve

    “Shteti të gjejë vrasësin e sime bije”

    I ati: Vajza doli për pak nga shtëpia dhe erdhi e vdekur. Nuk dimë të jetë ngatërruar me ndonjë djalë

    Lindita Çela

    Nga e dërguara jonë
    Lindita Çela

    SUKTH - Vaji i familjarëve është shuar bashkë me flakën e qiririt, në familjen Halili. Dhoma ku qëndron arkivoli i Manjola Halilit është në terr, pasi në Sukth mungon energjia elektrike. Gratë e pakta të lagjes në periferi të Sukthit, aty ku edhe banon prej 6 vjetësh familja e zbritur nga Dibra, kanë rrethuar trupin pa jetë të 21 vjeçares. Nuk dëgjohen të qara, siç ndodh rëndom në raste vdekjesh, megjithëse Manjola Halili ishte në fillim të jetës së saj. Së ëmës, Dallandyshes, nuk i del asnjë psherëtimë nga goja. Qan të bijën pa zë, ndërkohë që burrat qëndrojnë në verandën e shtëpisë duke u marrë me ceremoninë mortore. Shkojnë dhe vijnë njerëz pa folur as një fjalë. Gjithsecili prej tyre mundohet të bëjë një punë, a thua se duan ta mbyllin një herë e mirë gjëmën që iu ka ndodhur në shtëpi. Dallëndyshja nuk është në gjëndje të flasë as edhe një falë. Po ashtu edhe të afërm të tjerë të familjes. Askush nuk di më shumë për vdekjen tragjike të Manjolës.

    Rrëfimi
    Burrat e fisit Halili qëndrojnë në hyrje të shtëpisë, një ndërtesë kjo njëkatëshe, në ndërtim e sipër. Banesa jo vetëm që është e pasuvatuar, por edhe e pa shtruar. Mesim Halili, babai i Manjolës, qëndron në një qoshëzë të korridorit dhe të gjitha adetet ia ka lënë të vëllait, Halitit. Babai i gjashtë fëmijëve tregon se nuk ka shumë që ka ardhur nga Dibra në Sukth. Megjithëse në varfëri të plotë, ka plot gjashtë vjet që familja Halili ka rifilluar jetën në një lagje periferike të Sukthit. “Manjola ishte vajza më e madhe e shtëpisë dhe puna e saj në rrobaqepësi ka ndikuar disi në përmirësimin e gjendjes ekonomike të familjes”,-thotë për “Shekullin” babai i Manjolës. Djali më i madh i shtëpisë sapo i ka mbushur të 14-at, ndërsa Mësimi punon aty- këtu me ditë, si murator. Burri rreth të 40-ave tregon se nuk ka asnjë dijeni për çfarë ka ndodhur me vajzën e tij. Thotë se prokurorët e shumtë që kanë bujtur në shtëpinë e tyre i kanë porositur të mos flasin, deri në zbardhjen e ngjarjes. “Nuk dimë asgjë se çfarë ka ndodhur me Manjolën. Do të presim shtetin në gjetjen e autorëve dhe më pas do të veprojmë si e do zakoni”,-thotë babai i viktimës. Sipas Mesimit, vajza e tyre punonte në rrobaqepësi dhe deri më tani, nuk kanë patur as edhe një problem më të vogël. Babai i 21-vjeçares që u gjend e vdekur dy netë më parë në autostradën Durrës- Tiranë, thotë se nuk ka as edhe idenë më të vogël se kush mund të jetë autori i vrasjes së të bijës. “Nuk dimë që vajza jonë të jetë ngatërruar me ndonjë djalë apo të ketë probleme. Ajo që ne dimë është që Manjola punonte dhe çdo ditë kthehej në shtëpi, pas orarit të punës. Edhe dje ishte këtu. Tha se do të dalë pak, ndërkohë që na vjen e vdekur në shtëpi. Nuk dimë ç’të themi gjë tjetër. Do të presim që autorin ta gjejë drejtësia e më pas do të veprojmë si e do zakoni. Këtu do jemi e do të flasim ditë tjetër”-thotë babai i gjashtë fëmijëve.

    Ngjarja
    Vëllai më i madh i viktimës është vetëm 14 vjeç. Sapo ka mbaruar klasën e tetë, ndërkohë që Manjola kishte vetëm 6 vjet shkollë. “Filluan trazirat dhe nuk mund ta çoja dot në shkollë, kështu që Manjola mbeti vetëm me 6 vjet shkollë. Më pas filloi punë”-thotë Mesim Halili. Edhe Altini, vëllai i viktimës, nuk ka as edhe idenë më të vogël se ç’mund të ketë ndodhur me motrën e tij. Teksa të përcjell tek porta e shtëpisë, një gardh me kunja, të thotë se nuk di asgjë ç’mund të ketë ndodhur me Manjolën, dy netë më parë. “Ne po përgatitemi për varrimin, që do të bëhet nesër (sot) në orën 10”,-thotë 14 vjeçari për të motrën. Në familjen dibranase nuk vajtohet për humbjen e vajzës. As edhe gjitonët nuk të flasin për këtë vdekje tragjike. Dy netë më parë, rreth orës 19.00, në afërsi të mbikalimit të Sukthit, Manjola Halili është gjendur e vdekur në rrethana krejtësisht miserioze. Kanë qenë kalimtarë të rastit që kanë vënë re kufomën dhe menjëherë kanë lajmëruar në komisariatin e Durrësit. Në momentin që uniformat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje trupi i vajzës ka qenë i ngrohtë, gjë që do të thotë se ajo kishte ndërruar jetë pak kohë para se të diktohej nga kalimtarët. Pas ekspertizës së mjeko-ligjorëve trupi i pajetë i Manjolës është dërguar në familjen e saj, ku sot pritet të zhvillohet ceremonia mortore.
    We didn't land on Plymouth Rock, Plymouth Rock landed on us.

  3. #3
    http://www.ganoweb.com Maska e Shpirt Njeriu
    Anëtarësuar
    30-09-2002
    Vendndodhja
    Ne toke sepse ne HENE per fat te keq nuk arrita dot
    Postime
    1,869
    S`PO I MARR VESHT SE C`FARE SHKRUAJNE KETA GAZETA NGA 16 E BEN 17 TANI THONE 21

    Gazeta Shqiptare

    Faqja 18 - GAZETA E DURRESIT
    Dhjetor5, 2004


    Policia: Familja pohoi se 21-vjeçarja largohej me ditë nga shtëpia

    Shoqërohet i dashuri i vajzës së vrarë në autostradë


    --------------------------------------------------------------------------------

    Artur Korriku


    DURRES

    Shoqërohet i dashuri i 21-vjeçares nga Sukthi i Durrësit, trupi i së cilës u gjet mbrëmjen e së premtes në autostradën Tiranë-Durrës, e hedhur në anë të rrugës. Në policinë e Durrësit janë shoqëruar 20 persona të tjerë, ku përfshihen familjarët dhe deri te shoqet e punës. Identifikimi i emrit të personit me të cilin vajza shoqërohej kohët e fundit, ishte bërë nëpërmjet numrave të telefonit celular që iu gjet vajzës në xhep. Edhe djali (identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur) ishte me origjinë nga Golloborda e Dibrës, prej nga ishte edhe viktima Manjola Halili, dhe ishte e lidhur prej pak kohësh me të. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka shpjeguar për lidhjen me vajzën, por pa sqaruar ndonjë gjë lidhur me ngjarjen. Më pas, i riu është lënë i lirë. Agjentët e policisë kanë marrë në pyetje edhe 20 persona të tjerë, porse askush nuk i ka shpjeguar arsyet e pranisë së Halilit në atë orë të vonë të natës në anë të autostradës. Ndërkohë, familjarët e viktimës kanë pohuar se vajza largohej nga shtëpia për një ose dy ditë, pa sqaruar me saktësi vendet se ku e kalonte natën.

    Hetimi
    Por ende policia nuk është në gjendje të përcaktojë shkakun e vdekjes së vajzës. 21-vjeçarja Halili punonte prej pak kohësh në një fabrikë këpucësh, e cila ndodhej fare pranë shtëpisë së saj. Ditën e premte ajo kishte dalë nga shtëpia në orën 10.00 të mëngjesit dhe nuk është kthye më. Prindërit e saj nuk janë shqetësuar për vonesën e 21-vjeçares, pasi largimet e saj ishin të shpeshta. Sipas deklaratës së motrës së saj, gjatë ditës ato kishin komunikuar me telefon celular me njëra-tjetrën në orët e drekës. Policia nuk ka arritur dot të ngrejë një pistë të qartë për ngjarjen. Pistat e hedhura deri tani duket se qëndrojnë, por ende mbeten për t'u vërtetuar. Fillimisht u mendua se mos vajza është hedhur nga ndonjë makinë, ose në variantin më të keq, është shtyrë nga ndonjë njeri. Ndërkohë, i besueshëm ngelet vetëm fakti që vajza është aksidentuar, ndërsa mënyra se si është bërë, me qëllim apo jo, ngelet ende e paqartë. Mister për policinë janë targa e makinës nga ku mund të jetë hedhur ose e kanë hedhur vajzën, si dhe personat që mund të kenë qenë me të. 21-vjeçarja ka qenë edhe një herë e fejuar, por policia e heq ndonjë mundësi hakmarrjeje për lidhjen e saj të mëparshme.

    Varfëria
    Familja e 21-vjeçares Halili kishte vetëm tre vjet që ishte shpërngulur nga Golloborda për në qytetin e Sukthit, dhe deri pak kohësh ata jetonin në një shtëpi me qira. Me kursimet e mbledhura nga puna e fëmijëve (vajza në fabrikë dhe djemtë duke shitur hekur), i ati Mersini kishte ndërtuar një shtëpi njëkatëshe, ende e papërfunduar. Të afërmit e kanë përjetuar shumë keq humbjen e vajzës. Familja përbëhet nga 7 pjesëtarë, 2 prindërit dhe 5 fëmijë, dy vajza dhe tre djem, ndërkohë që në fshatin e lindjes ata kanë edhe një vajzë të martuar.


    Mjeku ligjor: 21-vjeçarja ka vdekur si pasojë e një aksidenti

    Për të bërë ekspertizën e kufomës së 21-vjeçares Manjola Halili ka ardhur edhe një ekspert mjeko-ligjor nga Tirana. Pas këqyrjes, ai deklaroi se vdekja e vajzës ka ardhur si rezultat i një aksidenti automobilistik, duke rrëzuar hipotezat se vajza mund të jetë hedhur nga makina ose mund ta kenë hedhur. Me gjithë këtë përfundim të ekspertit nga Tirana, policia ende nuk ka të dhëna se çfarë bënte vajza në atë orë në autostradë pranë mbikalimit. Cila ka qenë makina që e ka përplasur dhe pastaj është larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe personat që kanë qenë në makinë apo që kanë lidhje me ngjarjen

  4. #4
    http://www.ganoweb.com Maska e Shpirt Njeriu
    Anëtarësuar
    30-09-2002
    Vendndodhja
    Ne toke sepse ne HENE per fat te keq nuk arrita dot
    Postime
    1,869
    Ja c`thote `Panorama`

    Faqe 3 - Aktualitet

    vdekja e 22-vjeçares

    hetimi


    Manjola Halili u gjet e vdekur të premten në mbrëmje në autostradë

    Misteri i vdekjes së 22-vjeçares <------- U be 22 vjec tani

    Policia: Po verifikojmë lidhjet e saj me disa persona


    Vladimir Karaj& Dorina Topallaj
    Është shtyrë, është hedhur nga një makinë, e kanë përplasur apo u ka dalë rastësisht përpara.

    Këto janë dyshimet që duhet të zbardhë policia e Durrësit, pas gjetjes të premten në mbrëmje në Sukth, të trupit të pajetë të Manjola Halilit. Burime nga kjo e fundit bëjnë të ditur se janë ngritur një sërë pistash hetimi, kjo edhe për shkak të lidhjeve që kishte vajza dhe numrave të shumtë të telefonit që iu gjetën në celularin e 22-vjeçares. Misteri i vdekjes së dhunshme, duket se do të vazhdojë edhe për pak kohë, ndërkohë që policia kriminale e qytetit bregdetar, është vënë e gjitha në lëvizje për të zbardhur ngjarjen. Policia tha se kishte arritur të mësonte edhe një pjesë të jetës së vajzës, ku përfshihet një tentativë trafikimi për në Itali, rreth dy vjet më parë, kur ajo ishte 20 vjeç.

    Hetimi
    Menjëherë pas identifikimit të vajzës, që është bërë e mundur përmes numrave të telefonit që ajo kishte në celular, policia e Durrësit ka marrë në pyetje personat që janë identifikuar si të lidhur me të. Deri më tani është mësuar fakti se vajza ka thënë në shtëpi se do të shkonte në punë. Familja e saj nuk ka qenë në merak për moskthimin në shtëpi, pasi vajzat mund të punonin në fabrikë me orë të zgjatura dhe deri vonë në darkë. Ndërkohë, që kjo e fundit është njoftuar nga policia për atë që kishte ndodhur, pak kohë pasi ishte bërë identifikimi i trupit. Burime nga blutë e Durrësit, bënë të ditur se ende po vazhdon puna për verifikimin e të gjitha lidhjeve dhe motiveve që mund ta shtynin në vrasje. Deri më tani është e sigurt se vajza është përplasur ose hedhur nga ndonjë makinë dhe kjo është verifikuar duke pasur parasysh plagët që ajo ka marrë në trup. Ekspertiza ka mundur të përcaktojë se bëhet fjalë për dëmtime që mund të shkaktohen nga përplasje me makina ose hedhje nga lartësitë. Policia mohon faktin se vajza mund të jetë hedhur nga mbikalimi, pasi trupi i saj u gjet disa metra larg këtij të fundit.

    Dyshimet
    E ndërsa shoqet e punës e mohojnë faktin që viktima të ketë shkuar atë ditë në rrobaqepësi, familjarët thanë se ajo ishte nisur për atje. Nga ana e saj, policia pohon se ishte mësuar që vajza nuk ka pasur si qëllim të shkonte në punë, prej së cilës kishte marrë leje, pasi ishte e sëmurë. Ndërkohë që ende nuk dihet se ku ka shkuar dhe si ka përfunduar në rrugë vajza. Policia tha se ajo kishte një të kaluar problematike, gjë që e bënte dhe më të mistershme ngjarjen. Sipas policisë, ishte mësuar se katër vjet më parë vajza ishte ndarë nga i fejuari i saj. Kjo, gjatë kohës që ata banonin në Gollobordë. Ndërkohë që dy vjet më parë persona të panjohur kanë tentuar ta trafikojnë atë në drejtim të Italisë, por nuk kanë mundur për shkak të ndërhyrjes së policisë dhe familjes.



    Fakte nga ngjarja


    Manjola Halili ka dalë nga shtëpia, ku ka njoftuar se do të shkonte të pyeste një shoqe për punën, rreth orës 10.00 të paradites së të premtes.
    Trupi u gjet në orën 19.30 të ditës së premte, poshtë mbikalimit në Sukth
    Sipas mjekësisë ligjore kishte thyerje në brinjë, qafë dhe krahë
    Policia dyshon se ka të bëjë me një përplasje ose hedhje nga makina
    Hetimet nuk kanë konkluduar dhe s’kanë nxjerrë përfundime, nëse gjithçka është aksidentale apo është bërë me dashje
    Vajza ka qenë 4 vjet më parë e fejuar, por më pas është ndarë
    Dy vjet më parë persona të paidentifikuar kanë tentuar ta trafikojnë
    Punonjësit e rrobaqepësisë, thanë se ajo nuk kishte shkuar në punë, pasi ishte e sëmurë dhe as atë ditë nuk e kishin njoftuar për punë
    Familjarët thonë se kishte dalë nga shtëpia, për të shkuar në punë
    Trupi është gjetur nga kalimtarë të rastit dhe është identifikuar vetëm në orët e vona të mbrëmjes


    Prej 2 vjetësh ishin transferuar në Sukth

    Familja Halili kishte dy vjet e 6 muaj që kishte mbërritur në Sukth, nga Golloborda. Fillimisht ata kanë jetuar në një shtëpi me qira dhe vetëm dy muaj më parë ishin futur në shtëpinë e re. Manjola ishte vajza e madhe e familjes, e cila ka edhe katër fëmijë të tjerë.



    Daja i 22-vjeçares: Drejtësia të zbardhë të vërtetën

    “Po vijnë të njohur e të panjohur, e unë dasmën po ta bëj pa daulle”, vajton nëna e Manjola Halilit. Fqinjët që hyjnë e dalin nga shtëpia e saj, ngrejnë supet kur i pyet për atë çfarë thonë familjarët, vetëm disa gra të krahinës së Gollobordës dinë të përkthejnë dhimbjen e familjes Halili. Por vetëm në fjalë, se të tjerat nuk kanë nevojë për përkthim. “E ëma thotë se e kishte rritur me vështirësi dhe ajo ishte bërë vajzë e bukur”, vazhdon të tregojë gruaja gollobordase. “Zakonisht, thotë ajo, ne qajmë edhe për mënyrën se si vdiq, por në këtë rast nuk dimë se çfarë të themi”. Ndërkohë, burrat qëndrojnë në oborr dhe shkëmbejnë tek-tuk ndonjë fjalë, por duket se së bashku me dhimbjen për njeriun e dashur që kanë humbur, trurin dhe zemrën ua lodh edhe misteri i vdekjes së saj. “Asgjë nuk dimë”, thotë Luan Seiti, daja i Manjolës 22-vjeçare.

    Çfarë dini për vdekjen e mbesës suaj?
    Ne nuk dimë asgjë. Kemi dëgjuar nga policia, por nuk e marrim vesh se çfarë ka ndodhur.

    Kur është larguar Manjola nga shtëpia?
    Unë jam daja i Manjolës dhe di ato çfarë më kanë treguar. Kështu, sipas tyre, ajo ka dalë nga shtëpia rreth orës 10.00 të mëngjesit dhe u ka thënë prindërve të saj se po e kërkonin në punë. Pastaj vetëm kur na kanë njoftuar se e kanë gjetur të vdekur.

    Çfarë do të bëni për të marrë vesh atë çfarë ka ndodhur?
    Ne ia kemi lënë drejtësisë. Nëse ka shtet, policia duhet ta zbardhë atë çfarë i ka ndodhur mbesës sime. Nëse drejtësia nuk e zbardh, atëherë vetëm Zoti para e ne pas tij. Por, këto punë ia kemi lënë shtetit, pasi ai mund ta zbulojë ngjarjen, gjithmonë nëse ka shtet.


    Trupi i Manjola Halilit është gjetur në orën 19.30 të mbrëmjes së të premtes, disa metra para mbikalimit në Sukth të Durrësit
    Ajo është gjetur e vdekur në të majtë të autostradës Durrës-Tiranë dhe menjëherë është njoftuar policia
    Trupi i saj ka pasur dëmtime të shumta, të cilat dyshohen të jenë shkaktuar nga ndonjë përplasje me makinë
    Deri më tani nuk është gjetur asnjë dëshmitar që të jetë ndodhur në vendngjarje, e të tregojë se si ka përfunduar aty 22-vjeçarja

    NGUSHELLIMET E MIA FAMILJES QE HUMBI BIJEN E TYRE!
    Ndryshuar për herë të fundit nga Shpirt Njeriu : 05-12-2004 më 13:36

  5. #5
    Creator Spiritus Maska e Dito
    Anëtarësuar
    02-04-2004
    Vendndodhja
    Ne Bahçen time
    Postime
    3,882
    Packa c`fare shkruajne gazetat eshte fakt i hidhur dhe i dhimbshem. Ju prefte shpirti ne paqe dhe drejtesia rente nje dite mbi keta njerez pa skrupull.

  6. #6
    -==|ylli_forumit|==- Maska e ElMajico
    Anëtarësuar
    11-07-2004
    Vendndodhja
    [Milano].Me Zemer Atje...Tek e Vjetra e Bukura [Shqiperi!!!]
    Postime
    1,042
    Citim Postuar më parë nga Shpirt Njeriu

    NGUSHELLIMET E MIA FAMILJES QE HUMBI BIJEN E TYRE!
    Bashkohem edhe une me kete ngushellim familjes dhe te afermeve te saj...

Tema të Ngjashme

  1. Zbulohet kufoma e masakruar e adoleshentes
    Nga Humdinger në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 28-10-2006, 15:40
  2. Kryeministri i Kosovës jep dorëheqjen
    Nga rudo në forumin Portali i forumit
    Përgjigje: 227
    Postimi i Fundit: 14-11-2005, 08:52
  3. Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 10-04-2005, 18:39
  4. Aktakuza e tribunalit të Hagës për Haradinaj
    Nga I-amëshuar në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 25-03-2005, 14:58
  5. Haradinaj nuk do të shkojë në KS të OKB-së
    Nga mani në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 23
    Postimi i Fundit: 11-03-2005, 09:11

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •