NDALESA E SHKATËRRIMIT NË TOKË

Shejhu: Ali Abdurrahman El-Hudhejfi

4/3/1425H

Tregohuni të devotshëm ndaj Allahut me sinqeritet të vërtetë dhe friksojuni Atij ashtu si duhet t`i friksohet ai i cili është i bindur se Ai e njeh të fshehtën dhe të shfaqurën. Zoti i Lartësuar na ka lajmëruar në Librin e Tij se njerëzit ndahen në dy grupe. Njëri grup është i mirë dhe përpiqet për të rregulluar gjërat, Ai është i kënaqur me Allahun si Zot, me Islamin si fe dhe me Muhammedin sal-lallahu alejhi ue sel-lem si pejgamber dhe të Dërguar. Zoti i tyre i ka cilësuar me cilësitë më të mira dhe i ngriti në shkallët më të larta. Ai ka thënë: (ky është komentimi i ajetit) “E robërit e Zotit janë ata që ecin nëpër tokë të qetë, e kur atyre me fjalë u drejtohen injorantët, ata thonë: Paqe! Dhe ata që për hir të Zotit të tyre natën e kalojnë duke bërë sexhde dhe duke qëndruar në këmbë (falen). Edhe ata që thonë: Zoti ynë, largoje prej nesh dënimin e Xhehennemit, e s’ka dyshim se dënimi në të është gjëja më e rëndë. Ai, vërtet është vendqëndrim i keq. Edhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë




dorështrënguar, po mbajnë mesataren e janë të matur. Edhe ata që përveç All-llahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk vrasin njeriun që ka ndaluar All-llahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri. Ndërsa kush i vepron këto, ai gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi ditën e Kijametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë. Përveç atij që është penduar, që beson dhe ka bërë vepra të mira, të tillëve All-llahu të këqiat ua shndërron në të mira. E All-llahu ishte falës i madh, mëshirues.” (El-Furkan: 63-70) dhe “Me të vërtetë ata që besuan dhe bënë vepra të mira, vendpritje për ta janë Xhennetet e Firdeusit. Aty do të jenë përgjithmonë, e nuk kërkojnë të largohen nga ai (ose t’u ndryshohet).” (El-Kehf: 107-108)

Qëllimi kryesor i Islamit është rregullimi i njeriut duke adhuruar vetëm Allahun e Madhëruar i cili ka thënë: (ky është komentimi i ajetit) “Nuk i krijova xhindet dhe njerëzit veçse që të më adhurojnë.” (El-Xhinn: 56) Rregullimi në tokë duke njësuar Allahun, ndëshkimi i atyre që e meritojnë, mbrojtja e gjakderdhjes, pasurive, lartësimi i urdhërimit për të mirë, luftimi i çdo të keqeje dhe shthurjeje duke u kujdesur për ndërtimin e tokës në një mënyrë që ta ndihmojë njeriun të plotësojë qëllimin për të cilin u krijua. Allahu i Madhëruar i ka premtuar atij që rregullon në jetën e kësaj bote se ai nuk do të frikësohet për atë që vjen pas vdekjes, as për të ardhmen e jetës së tij e nuk do të hidhërohet për trashëgimtarët që lë pas e për të do të ketë xhennete të larta. Allahu i Madhëruar ka thënë: (ky është komentimi i ajetit) “O bijtë e Ademit, juve ju vijnë të dërguar nga mesi juaj, ju përkujtonë argumentet e Mia. E kush tregohet i devotshëm dhe rregullon, për ta s’ka as frikë e as do të hidhërohen.” (El-A`raf: 35) dhe “Ne të dërguarit nuk i dërgojmë vetëm si përgëzues dhe qortues. E kush besoi dhe u përmirësua, ata nuk do të kënë frikë e as do të hidhërohen.” (El-En`am: 48) dhe “Po atyre që i përmbahen librit dhe falin namazin, Ne nuk ua humbasim shpërblimin përmirësuesve.” (El-A`raf: 170)

Allahu i Madhëruar bëri që të rregullohet gjendja në tokë me dërgimin e të dërguarve, me zbritjen e librave dhe me pasuesit e të dëguarve. Prandaj largimi nga rruga e të dërguarve është shkatërrim në tokë. Allahu i Madhëruar thotë: (ky është komentimi i ajetit) “Dhe mos bëni shkatërrime në tokë pas rregullimit të saj (pasi u dërguan të dërguarit). Kjo është më e mirë për ju nëse jeni besimtarë.” (El-A`raf: 58) Por njeriu i prishur ndryshoi, ngreu krye, kundërshtoi dhe pasoi hapat e shejtanit e kështu bëri shkatërrime në tokë me shirk, gjakderdhje, shkatërrim të pasurisë, imoralitet, shthurje dhe padrejtësi ndaj të pafajshmëve. Prandaj shpërblimi i atyre që bëjnë shkatërrime në tokë është poshtërrimi në dynja dhe Ahiret dhe ndëshkimi i tyre është ndëshkimi më i ashpër. Ky është grupi i dytë i njerëzve, grupi i atyre që bëjnë shkatërrime në tokë e për ta Allahu bëri ndëshkim në Ahiret Xhehennemin dhe vendqëndrimin më të keq. Ai ka thënë: (ky është komentimi i ajetit) “Atyre që nuk besuan dhe penguan nga rruga e All-llahut, u shtojmë dënim mbi dënimin për shkak se bënin shkatërrime.” (En-Nahl: 88)

“Ka ndonjë nga njerëzit që fjala e tij të mahnit, por vetëm në këtë botë (pse në botën tjetër gjykon Ai që i di të fshehtat), dhe për atë që ka në zemrën e tij, e paraqet All-llahun dëshmues, e në realitet ai është kundërshtari më i rreptë. E posa të kthehet, ai në tokë shpejton të bëjë shkatërrim në të, të asgjesojë të mbjelljat dhe gjallesat. E All-llahu nuk e do shkatërrimin (fesadin). Dhe kur i thuhet atij: Ki frikë All-llahun!, atë e kap eufori për punë mëkati. Prandaj për të do të jetë Xhehennemi, e sa shtrat i keq do të jetë për të.” (El-Bekare: 204-206)

Më e çuditshmja është se kur atyre shkatërrimtarëve u bëhet këshillë dhe u kërkohet që të kthehen tek e drejta e të pendohen tek Allahu, ata vazhdojnë në rrugën e tyre të shkatërrimit në tokë ashtu siç ka thënë Allahu i Madhëruar: (ky është komentimi i ajetit) “E kur atyre u thuhet: Mos bëni ç’rregullime në tokë! Ata thonë: Ne jemi vetëm përmirësues! Vini re, ata në të vërtetë janë shkatërruesit, por nuk e ndiejnë!” (El-Bekare: 11-12) Kjo sjellje është shenjë e zemrës së sprovuar. “E për atë të cilin Allahu do ta sprovojë, ti nuk mund të bësh asgjë për të (nuk mund ta shpëtosh). Janë ata të cilëve All-llahu nuk deshi t’u pastrojë zemrat. Për ta në dynja ka poshtërim, kurse në Ahiret do të kenë një ndëshkim të madh.” (El-Maide: 41)

Ndërsa ndëshkimin e shkatërrimtarëve në tokë të cilët luftojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij e ka qartësuar Allahu i Madhëruar në fjalën e Tij (ky është komentimi i saj) “Me të vërtetë shpërblimi i atyre që luftojnë (kundërshtojnë) All-llahun dhe të Dërguarin e Tij dhe bëjnë shkatërrime në tokë, është të vriten, ose të kryqëzohen, ose t’u priten duart dhe këmbët e tyre të anëve të kundërta, ose të dëbohen nga vendi. Kjo (masë ndëshkuese) është poshtërim për ta në dynja, dhe në Ahiret ata do të kenë dënim të madh.” (El-Maide: 33)

Ajo që ndodhi dje në drekë në Riad, shkatërrimi dhe vrasja e të pafajshmëve, është një vepër e urryer terroriste të cilën Islami e lufton ashpër. Ajo është luftë kundër Islamit dhe muslimanëve dhe ka për qëllim prishjen e fesë, sigurisë dhe jetës së banorëve vendas dhe të ardhur këtu. Ata shkatërrues të tokës mundën të bënin atë që nuk mundi ta bënte shejtani i mallkuar dhe armiqtë e Islamit. A kënaqen për vetet e tyre që të jenë në këtë pozicion të keq? Çfarë duan të arrijnë me këtë vepër terroriste? A duan dynjanë? Shkatërrimi, prishja, mashtrimi dhe frika e prishin jetën dhe nuk lenë gjë prej saj. Apo mos vallë duan Ahiretin? Xhenneti nuk arrihet me vrasjen e muslimanëve apo të jomuslimanëve të cilëve u është dhënë besa e as duke kundërshtuar Allahun, të Dërguarin e Tij dhe prijësin e besimtarëve. Këto vepra janë prej punëve të banorëve të Zjarrit. “... dhe mos vrisni vetet tuaja. Me të vërtetë All-llahu është i mëshirshëm për ju. E kush bën këtë qëllimisht dhe tejkalon kufijtë, Ne do ta hedhim atë në një zjarr të fortë. Dhe kjo është e lehtë për All-llahun.” (En-Nisa: 29-30), “Kush e vret një besimtar me qëllim, dënimi i tij është Xhehennemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. All-llahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar atë dhe i ka përgatitur dënim të madh.” (En-Nisa: 93)

Në hadith thuhet: “Kush vret një person të cilit i është dhënë besa nuk do ta ndiejë erën e Xhennetit.” E Allahu i Madhëruar ka thënë: (ky është komentimi i ajetit) “O ju që besuat, bindjuni All-llahut, dhe bindjuni të Dërguarit dhe përgjegjësve nga ju. E nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, drejtojuni All-llahut dhe të Dërguarit po qe se i besoni All-llahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë.” (En-Nisa: 59)

Apo mos vallë duan rrëmujën, frikën dhe ndarjen nga baballarët, nënat, të afërmit, komshijtë, prishjen e vendit?! Le të kujtojnë thënien e Allahut të Madhëruar (ky është komentimi i saj) “A pritet prej jush (hipokritëve) që në nëse merrni sundimin (ose zbrapseni prej fesë islame) të bëni trazira në tokë dhe të ndërpreni lidhjet me të afërmit? Të tillët janë që All-llahu i mallkoi, i bëri të shurdhët dhe ua verbëroi shikimet e tyre.” (Muhammed: 22-23) Nëse ata shkatërrimtarë nuk e pëlqejnë këtë vend dhe Islamin, sigurinë dhe qetësinë që është në të, atëherë le të shkojnë në cilin vend të duan e të shohin se a do të gjejnë ndonjë vend më të mirë se vendi i tyre. Nëse i marrin urdhërat nga dikush a mos vallë ai person tek ta ka më shumë përparësi se Allahu, i Dërguari i Tij dhe se prijësi i tyre? Nëse urdhërat i marrin me ndërmjetësim, a janë të sigurt se këto ndërmjetësime nuk janë mashtrimet e shejtanëve të cilët i shtyjnë ata drejt fundit të Xhehennemit dhe i bëjnë ata vegla shkatërrimi kundër fesë dhe dynjasë. “(hipokritët janë) Si shembulli i shejtanit, kur i tha njeriut: Moho (besimin), e kur ai mohoi, ai (shejtani) tha: Unë i frikësohem All-llahut, Zotit të botëve.” (El-Hashr: 16)

Nëse ata shkatërrimtarë dinë ndonjë komentim të veçantë të Kur`anit ose hadithit, gjë të cilën nuk e kanë ditur sahabët, tabiinët dhe dijetarët e umetit deri më sot atëherë le të dalin nga vrimat e tyre e le të dialogojnë me dijetarët për mendimet e fshehta që kanë. Umer ibn Abdulaziz (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: Nuk grumbullohet një grup fshehtas për të diskutuar një nga çështjet e fesë, veçse janë (grumbulluar) mbi humbje.

O të rinj të Islamit! A nuk po kuptoni këshillat? A nuk po llogjikoni? A nuk po nxirrni mësime nga ato që i ndodhën umetit islam gjatë historisë nga prijësit e bidateve dhe fitneve? A nuk u vra Uthmani (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) vetëm se për shkak të këtyre bidateve dhe mendimeve? A nuk u bënë luftërat kundër Aliut (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!) nga hauarixhët vetëm se sipas kësaj rruge? Sa madhështor dhe i plotë është Sheriati islam i cili e bëri të ndaluar daljen kundër prijësit. Kush vdes duke qenë i dalë kundër prijësit, ai ka vdekur vdekje injorance. Allahu i Madhëruar ka thënë: (ky është komentimi i ajetit) “Dhe me të vërtetë kjo është rruga (feja) Ime e drejtë (që e caktova për ju), prandaj pasojeni atë e mos ndiqni rrugë të tjera e t’ju ndajnë nga rruga e Tij. Këto janë porositë e Tij për ju, me shpresë se do të tregoheni të devotshëm.” (El-En`am: 153)

O ju njerëz! Ruajuni nga sprovat sepse ato dëmtojnë fenë dhe dynjanë. Bashkohuni me xhematin se dora e Allahut është me xhematin. Kush veçohet do të veçohet në Zjarr. Kapuni fort pas fesë suaj sepse do të jetë siguri për ju nga çdo gjë e papëlqyer. Allahu i Madhëruar ka thënë: (ky është komentimi i ajetit) “Dhe kapuni që të gjithë ju pas litarit (fesë dhe Kur’anit) të All-llahut, e mos u përçani! Përkujtojeni begatinë e All-llahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai bashkoi zemrat tuaja dhe me mirësinë e Tij aguat të jeni vëllezër. Madje ishit në buzë të greminës së Zjarrit, e Ai ju shpëtoi prej saj. Po kështu All-llahu ua sqaron juve argumentet e veta që ju të udhëzoheni.” (Ali Imran: 103)

Në hadith thuhet: “Feja është këshillë, feja është këshillë, feja është këshillë.” Thamë: Për kë? Tha: “Për Allahun, për Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për prijësat e besimtarëve dhe për njerëzit e thjeshtë të tyre.” Transmetoi Muslimi.

O robërit e Allahut! Bëhuni si një zemër e vetme përballë kësaj sprove në të cilën ata persona bënë të lejuar gjakderdhjen, prishjen e pasurisë, dëmtuan fenë dhe i vendosën vetet e tyre në luftë kundër Allahut dhe të Dërguarit të Tij e ndoqën rrugë tjetër veç rrugës së besimtarëve.

O robërit e Allahut! “Me të vërtetë All-llahu dhe engjëjt e Tij me madhërim e mëshirojnë Pejgamberin. O ju që keni besuar, madhërojeni atë (duke bërë salavate) dhe përshëndeteni me selam.” (El-Ahzab: 56)
Per me teper informacion ju lutem vizitoni kete faqe