Lëvizja çlirimtare "Kryeziu" në rrjedhat e Luftës së Dytë Botërore
Intelektualë të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Diasporës shqiptare, veçanërisht historianë, studiues, politikanë, bashkëkohës, familjarë dhe miq të Kryezinjve, jeni të lutur të merrni pjesë dhe të ndihmoni me kumtesa, studime, ballafaqime historike, kujtime, relike, etj., konferencën shkencore që do të organizohet nga Këshilli Organizativ i veprimtarive për Lëvizjen "Kryeziu", në bashkëpunim me ministritë e Kulturës të Shqipërisë dhe të Kosovës, nën kujdesin e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, e të kryeministrit të Kosovës, Agim Çeku, dhe që do të mbahet në Prishtinë më 23-24 shtator 2006, me temën: Lëvizja "Kryeziu" në rrjedhat e Luftës së Dytë Botërore.
Me këtë rast po botojmë tezat kryesore të Lëvizjes "Kryeziu", nga mund të merren ose jo temat që do të diskutohen në konferencë:
* Lëvizja "Kryeziu" është një nga lëvizjet më të rëndësishme çlirimtare të popullit shqiptar përgjatë Luftës së Dytë Botërore.
* Karakteri kombëtar i lëvizjes: Rruga që zgjodhën Kryezinjtë, ishte ajo e luftës patriotike të shqiptarëve kundër okupatorëve, në bashkëpunim me të gjithë faktorët antifashistë dhe atdhetarë shqiptarë për çlirim dhe bashkim kombëtar. Ata bashkëpunuan me luftëtarë e krerë të Luftës Antifashiste në Shqipëri dhe Kosovë, qofshin të djathtë, të majtë apo të paangazhuar në formacione politike, por që luftonin për çlirim nga pushtuesit dhe për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare. Në këtë pikëpamje, Lëvizja "Kryeziu" nuk është as një lëvizje partiake, as një lëvizje thjeshtë lokale, por një lëvizje çlirimtare me karakter kombëtar, ndoshta një nga lëvizjet e vetme të këtij lloji në hapësirën shqiptare.
* Lëvizja "Kryeziu" është një lëvizje e rezistencës shqiptare. Ajo e ka fillesën qysh në vitin 1939, pas okupacionit italian, si një reagim kundër këtij pushtimi. Për organizimin e kryengritjes kundër pushtimit italian, vëllezërit Hasan, Gani dhe Said Kryeziu organizuan rezistencën antifashiste dhe më pas edhe kryengritjen e armatosur kundër pushtuesve nazifashistë. Ata vepruan në Shqipëri e në Kosovë, kryesisht në malësinë e Gjakovës, por pa e ndërprerë lidhjen e bashkëpunimin me trevat e tjera dhe faktorët e tjerë të kësaj lufte çlirimtare. Lider kryesor i lëvizjes dhe komandant i forcave luftarake, ishte Gani Kryeziu, i përcaktuar si i tillë qysh në vitin 1940, në mbledhjen që u bë në Sarajevë.
* Veprimtaria kryesore e Kryezinjve, gjatë viteve 1941-1942, u përqëndrua në propagandën antiitaliane, në regjistrimin e luftëtarëve vullnetarë në çetat e tyre dhe në aksionet luftarake kundër pushtuesve italianë. Prijësit Kryezinj mblodhën shumë shpejt më tepër se 1000 luftëtarë dhe bashkë me ta përparuan në perëndim përmes maleve në trevat e Nikaj-Merturit. Sulmuan disa herë italianët dhe me forca që shtoheshin vazhdimisht, menduan të mësynin Shkodrën.
* Qysh në fillimet e saj e në vazhdim, Lëvizja "Kryeziu" i pati kontaktet, mbështetjen kryesore dhe koordinimin me Aleatët Antifashistë perëndimorë, veçanërisht me britanikët, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre: Emer, Hill, Kemp, Hends, Maklin, Smith, Simkoks, etj. Interesi politik dhe kombëtar synonte veprimin gjithëshqiptar në luftën për çlirim nga okupatorët, kërkonte bashkëpunim me fituesit e Luftës së Dytë Botërore e jo me humbësit dhe orientimin nga Perëndimi, për sigurimin e një jete kombëtare e një të ardhmeje demokratike pas lufte, dhe jo orientimin nga Lindja, nga sllavo-komunizmi, që përbënte sërish një rrezik të madh për Kosovën dhe çështjen tonë kombëtare. Këtë politikë e kishin bërë të tyren dhe e ndoqën deri në fund Kryezinjtë.
* Rritja e rezistencës antiitaliane solli rritjen e masave ndëshkuese të pushtuesve kundër Kryezinjve. Gjendja u vështirësua sidomos pas pushtimit të Mbretërisë Jugosllave nga gjermanët dhe mbylljes së mbështetjes së lëvizjes së tyre nga qendra e Aleatëve SOE në Beograd, nëpërmjet koordinatorit Hill. Ndërkohë pjesa më e madhe e Kosovës ishte pushtuar nga Italia dhe kokat e Kryezinjve kërkoheshin me shpërblime të mëdha. Hasan, Gani dhe Said Kryeziu u arrestuan nga gjermanët, që i internuan në kampin e përqëndrimit në Zemun. Më pas, ata iu dorëzuan autoriteteve italiane dhe në qershor të vitit 1942 u internuan në Ventotene të Italisë, ku vuajtën dënimin deri në fund të vitit 1943.
* Lëvizja "Kryeziu" mori dimensione më të mëdha, kur u kthyen nga internimi: Hasan Kryeziu, në verën e vitit 1943, që përgatiti shtratin e lëvizjes dhe në ditët e para të janarit të vitit 1944 Gani e Said Kryeziu, bashkë me intelektualin Llazar Fundo, i cili u inkuadrua në forcat e Kryezinjve si këshilltar politik.
* Britaniku Petër Kemp ra në kontakt në Malësinë e Gjakovës me Kryezinjtë, së pari me Hasan Kryeziun, ish-prefekt i Krumës dhe deputet i parlamentit shqiptar në vitin 1925, i tërhequr në jetën private pas largimit nga Shqipëria. "Ai mbante marrëdhenie të mira me të gjitha palët politike shqiptare. Njihej që i simpatizonte Aleatët dhe më siguroi se mund të mbështetesha në përkrahjen e tij", nënvizon Kemp.
Hasan Kryeziu organizoi takime të Misionit Anglez me nacionalistët prof. Selman Rizën, Ejup Binakun, Xhevat Kryeziun, etj, si edhe me drejtues të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës si Zeqiria Rexha, Vehap Shita, Ymer Pula, etj., për organizimin e një lufte të përbashkët kundër pushtuesve gjermanë, sipas idesë dhe frymës së irredentistëve Selman Riza dhe Ejup Binaku: "Nuk kemi rrugëdalje tjetër, veçse të bashkëpunojmë me Lëvizjen Nacionalçlirimtare".
* Lëvizja "Kryeziu" del si faktor i luftës për çlirim në fillim të vitit 1944, kur Kryezinjtë, me 200-300 luftëtarë, dhe nën komandën e Gani beg Kryeziut, kaluan më 23-26 janar 1944 nga Gjakova në Tropojë, në fshatrat Degë e Gegë-Hysen dhe Berishë e Tplan, ku u organizuan dhe u mbështetën gjerësisht nga malësorët liridashës "duke i thënë popullit të mos marrin pjesë në asnjë parti, por të mbesin neutralë, me që ashtu e kërkon interesa e vendit tonë", siç mbeti edhe vetë Lëvizja "Kryeziu".
"Gani Kryeziu lufton për Shqipërinë e lirë, gjithashtu ai ushtron aktivitet që u shkon në ndihmë Aleatëve. Ai nuk është komunist, gjithashtu nuk është simpatizues i kësaj partie politike. Ai është një patriot, trim shqiptar, i cili ka vërejtur se politika e njerëzve si ju e çon vendin në shkatërrim…"- theksojnë briranikët.
* Fenomeni "Fundo" brenda lëvizjes "Kryeziu": Pjesë e Lëvizjes "Kryeziu" ishte edhe Llazar Fundo, i lauruar për drejtësi në Francë, një nga ata intelektualë të njohur të lëvizjes demokratike të viteve '30-'40, që përqafoi idetë komuniste si ideale për njerëzimin, u bë pjesë e Kominternit, por që u zhgënjye plotësisht kur pa me sytë e tij në Rusinë Sovjetike, një sistem totalitar, çnjerëzor dhe antidemokratik, dhe u kthye një nga armiqtë më të mëdhej të komunizmit. "Komunizma që ne e idealizonim si Krishti, ia kaloka edhe Satanait"- i shkruan ai nga Moska Fan Nolit. Antifashist i orëve të para, internohet në Ventotene për 5 vjet. Kthehet bashkë me Kryezinjtë në Kosovë për ta vazhduar luftën. Pyetjes para pushkatimit: "Pse edhe në Kosovë?", Ll.Fundo i përgjigjet: "Pranova të vij në Kosovë dorë për dorë. Kryezinjtë ngulën këmbë. Më parë se të niseshim, Partia Italiane, me anë të Kusavacit, më lypi të hyja në Partinë Socialiste Italiane. Iu përgjigja se me gjithë simpatinë që më tregojnë krerët e Partisë Socialiste, unë nuk hyja më në asnjë parti, se karriera ime politike kishte mbaruar. Dëshiroja që ta kurorëzoja këtë karrierë me luftën kundër gjermanit… Ata që më njohin, e dinë që unë nuk jam njeri me dy faqe dhe nuk jam prej atyre që marrin direktiva ngado që të vijnë. Kush të më dërgonte mua në Kosovë?".
* Bashkëpunimi i Kryezinjve me Lëvizjen NÇ të Shqipërisë e të Kosoves dhe dallimet prej saj: Kryezinjtë bashkëpunuan me çetën nacionalçlirimtare të Krasniqes, të komanduar nga Sali Mani, me batalionin partizan "Perlat Rexhepi" dhe me forcat e Kosmetit të komanduara nga Fadil Hoxha, që vepronin kryesisht në rajonet e Tropojës, me qendër në Valbonë. Dokumentet dëshmojnë se Kryezinjë mbizotëronin në Malësinë e Gjakovës e më gjerë, ku gëzonin mbështetje të plotë, ndërkohë që toleronin, ndihmonin dhe bashkëpunonin edhe forcat e tjera luftarake, qoftë nacionaliste, qoftë nacionalçlirimtare. "Ganiu ishte në kontakt të përhershëm me partizanët e Kosovës dhe u ndihmoi shpesh herë në kohë shumë të vështira për ta. Influenca e tij bëri që partizanët të fshihen nëpër vende të sigurta pas operacioneve gjermane në mars të vitit 1944, kur brigada partizane e Kosovës ishte shpartalluar dhe shpërbërë"- konstaton britaniku Simkoks.
Bashkëveprimi i Kryezinjve me forcat nacionalçlirimtare në luftë kundër italianëve dhe gjermanëve ishte i sinqertë dhe në vazhdën e luftës patriotike për liri të shqiptarëve, pa dallime ideje e krahine. Por ky bashkëpunim nuk vazhdoi deri në fund. Trysnia e PKSH për t'i futur Kryezinjtë në Frontin NÇ dhe mospranimi i tyre, përpjekja e dështuar e E.Hoxhës për t'i përçarë Kryezinjtë, shqetësimi i krerëve të PKSH për luftën e pandërprerë që bënin Kryezinjtë kundër gjermanëve, shqetësimi i PK Jugosllave për zgjerimin e Lëvizjes Kryeziu në Kosovë dhe urdhëri i Kominternit për të asgjësuar me çdo kusht Llazar Fundon e të tjera, bënë që dy-tre muajt e fundit bashkëveprimi u shprish dhe u zëvendësua nga konfrontimi.
*Kryezinjtë si luftëtarë nacionalistë nuk pranuan të hynin në Frontin NÇ, sepse shikonin tek Fronti NÇ Partinë Komuniste Shqiptare, që realisht drejtohej nga emisarët e PK Jugosllave, M.Popoviç, D.Mugosha, V.Tempo, V.Stoiniç, etj.. Por nuk u inkuadruan as te Balli Kombëtar, një organizatë nacionaliste, që kishte në program luftën kundër pushtuesve nazifashistë dhe Shqipërinë etnike; as tek Legaliteti, që kishte në program luftën kundër okupatorëve dhe mbretërinë. Nuk bashkëpunuan as me Lidhjen e Dytë të Prizrenit, organizatë e rëndësishme nacionaliste politiko-ushtarake në Kosovë, por e lidhur me humbësit e Luftës Dytë Botërore dhe e destinuar të humbiste, ndonëse me synime kombëtare për të ruajtur njësinë etnike shqiptare të arritur gjatë luftës dhe për të mbrojtur integritetin e kufijtë e saj nga pushtuesit serbo-malazezë-maqedonas e bullgarë.
Kryezinjtë mendonin që nuk duhet ta bënin lëvizjen e tyre pjesë të partive apo të organizatave politike dhe duke qëndruar si forcë e paangazhuar ndërmjet dy grupimeve kryesore të rezistencës shqiptare, por edhe duke luftuar në bashkëpunim me ta e faktotët e tjerë, do t'i shërbenin më mirë luftës për çlirim dhe çështjes kombëtare.
Edhe propozimit për të hyrë në Lëvizjen NÇ të Kosovës, Kryezinjtë iu përgjegjën negativisht, sepse Lëvizja NÇ e Kosmetit ishte pjesë e Lëvizjes NÇ të Jugosllavisë dhe varej nga KQ i PKJ, që mbante qëndrime paternaliste dhe kishte synime shoveniste e gllabëruese ndaj Kosovës, madje edhe ndaj Shqipërisë. Nga ana tjetër, populli shqiptar i Kosovës, për shkak të robërisë 30-vjeçare serbe, politikave koloniale, genocidiste dhe shkombtarizuese serbomëdha, nuk mund të mbështeste asnjë lëvizje që vinte nga Serbia apo aleatët e saj, aq më pak komunizmin dhe hegjemonizmin që mbartte lufta e tyre nacionalçlirimtare.
Kështu, Lëvizja "Kryeziu" ruajti një fizionomi të vetën dhe një filozofi të vetën: një Shqipëri e Kosovë e lirë mbi bazën e luftës antifashiste, pa flirte e bashkëpunim as me komunistët jugosllavë dhe as me okupatorët nazifashistë, por me një koordinim me Aleatët".
* Bashkëpunimi i lëvizjes nacionaliste dhe çlirimtare Kryeziu me figurat dhe lëvizjet e tjera nacionaliste të Shqipërisë e të Kosovës si të Muharrem Bajraktarit, Abaz Kupit, Nik Sokolit ( Nikaj-Mertur) e të Pader Lekë Lulit, Ramë Mujës, etj.
Këtë dimension bashkëpunimi edhe me faktorët e tjerë çlirimtarë ia dhanë lëvizjes "Kryeziu" vlerat kombëtare e demokratike dhe pjekuria politike e udhëheqësve të saj, toleranca, shkollimi, kontakti me Perëndimin, veçanërisht përvoja e fituar në Ventotene, tradita shqiptare e luftës së përbashkët të shqiptarëve kundër pushtuesve si edhe influenca e emisarëve britanikë pranë tyre, të interesuar më së shumti për luftën kundër gjermanëve.
* Lufta e forcave të Kryezinjve kundër pushtuesve gjermanë: Kryezinjtë, me 200-300 forca, kaluan nga Gjakova në Bytyç, ku bënë organizimin dhe plotësimin me luftëtarë nga Gjakova, Bytyçi, Gashi, Krasniqja, Valbona, Nikaj-Mërturi, Hasi, Luma, etj., dhe që arritën në 2000-3000 vetë, siç e përmendin edhe britanikët Emer dhe Kemp. Natyrisht, ata manovronin dhe operonin në terren me më pak forca, por në kohën e duhur ishin të gatshëm të ngrinin gjithë kontigjentet e luftëtarëve, siç ndodhi në betejën për çlirimin e Gjakovës, ku ata angazhuan 4000 luftëtarë, sipas majorit britanik Simkoks, që kishte marrë vetë pjesë në këtë betejë.
R.Hibert nënvizon se "Vëllezërit Kryeziu ishin të vetmit nacionalistë në Shqipërinë e kohës së luftës, që ishin kapur me gjithë zemër pas idesë për ta ndërtuar Shqipërinë e ardhme, duke luftuar kundër gjermanëve. Ata bënë disa sulme çetash kundër njësive gjermane…Nga mesi i shtatorit, forcat e Kryeziut ishin bërë aq të forta, sa të ndërmerrnin një sulm të gjerë kundër gjermanëve në Gjakovë".
Lëvizja "Kryeziu" zhvillohej natyrshëm kryesisht në hapësirat ndërmjet dy gjysmë-Shqipërive, ishte një lëvizje çlirimtare shqiptare dhe nuk kushtëzohej nga politikat pa vizion apo nga interesat e çastit. Ajo ndodhej ende jashtë kësaj vorbulle të luftës civile dhe e vazhdonte luftën kundër gjermanëve. Janë të dokumentuara luftërat e Kryezinjve në bjeshkën e Bytyçit, në Pac, Kam, Kepenek, Zogaj, Vlad, Devë, Zherkë, Vagone, Qerret, Junik dhe beteja për çlirimin e Gjakovës (10-16 shtator 1944).
Në këtë luftë, sipas njoftimeve të Komandës së Gjindarmërisë Shqiptare, mbetën të vrarë 170 luftëtarë nga çetat e Gani Kryeziut. Ndërsa, sipas dokumenteve jugosllave u vranë mbi 200 njerëz me rastin e sulmit mbi Gjakovë.
* Lëvizja "Kryeziu" ishte e papranueshme për udhëheqësit e PKSH dhe PKJ. "Lëvizja e kryezinjve, - shkruan Hibbert,- po të vazhdonte, mund të çonte në një kryengritje të përgjithshme nacionaliste kosovare, por kjo mund të ishte shqetësuese e ndoshta e rrezikshme, ndonëse në mënyra të ndryshme, për udhëheqësit komunistë si në Jugosllavi, ashtu edhe në Shqipëri".
Në radhë të parë, Lëvizja çlirimtare "Kryeziu", me mbështetjen anglo-amerikane, ishte shqetësuese, madje e papranueshme për udhëheqjen e PKJ dhe politikat e saj antishqiptare. Nëse do të shtrihej ajo në tërë Kosovën dhe kjo do të fitonte lirinë me luftën e saj, do të shprehte vullnetin për vetëvendosje dhe bashkim me Shqipërinë, pa lejuar ripushtimin e saj nga Serbia apo përfshitjen në Federatën Jugosllave. E drejta e popujve për vetvendosje, që trumbetohej kudo në botë, ishte bërë parimi bazë i luftës për trajtimin e çështjeve nacionale, aq më tepër i kombit tonë të ndarë padrejtësisht më dysh, që kërkonte zgjidhje dhe që ishte shprehur mëse një herë në Mukje, në Bujan, etj. "Në këto rrethana, - konstaton Hibbert,- E.Hoxha dhe Titoja kishin vendosur se do të ishte më mirë që të mos kishte fare rezistencë antifashiste në Kosovë, sesa të kishte një lëvizje të udhëhequr nga Gani Kryeziu, me mbështetjen anglo-amerikane".
*Lëvizja "Kryeziu" trembte veçanërisht PKSH, që e shikonte këtë lëvizje çlirimtare si një lëvizje rivale të Lëvizjes Nacionalçlirimtare, e cila "cënonte" monopolin komunist të luftës dhe të pushtetit monist, si edhe marrëdhëniet e planet e përbashkëta me jugosllavët. Aq më tepër që Lëvizja "Kryeziu" kishte mbështetjen a Aleatëve perëndimorë dhe përfaqësuesit e saj kishin shprehur simpati për lëvizjen dhe liderin e saj, Gani Kryeziun. Vetë ministri i Jashtëm, Iden, i kishte bërë të ditur E.Hoxhës se kur të vinte koha për njohjen e qeverisë së tij "duhet të këshillohet dhe të pranojë në qeveri persona të tillë si Gani Kryeziu, që kanë dhënë prova të luftës antifashiste dhe të patriotizmit".
Gani Kryeziu dhe lëvizja e tij tundonin etjen e ambicien delirante të E.Hoxhës për pushtet personal, aq më tepër kur emri i G.Kryeziut rekomandohej nga aleatët për të qenë në qeverisjen e ardhshme, pra brenda zonës së rezikshme të pushtetit "të pakonkurueshëm" të Hoxhës.
E.Hoxha i shkruante Dali Ndreut, komandantit të Korparmatës I më 10.09.1944: "Reaksioni përpiqet të grumbullojë forca në Veri dhe të lozë kartën e tij të fundit, i ndihmuar për këtë gjë nga reaksioni i jashtëm. Anglezët po bëhen kumbarë për bashkimin e reaksionit të Kosovës me tradhtarët tanë, nën flamurin e ndonjë Gani Kryeziu ose të ndonjë qeverie që eventualisht mund të formojnë, me ndonjë kombinacion të mundshëm…".
* Bashkëpunimi komunist jugosllavo-shqiptar për asgjësimin e Lëvizjes "Kryeziu".
Në vjeshtën e vitit 1944, kur Lëvizja "Kryeziu" ishte bërë faktor i luftës për liri e çlirim kombëtar në të dy anët e kufirit politik, PKJ dhe PKSH vendosën ta asgjësonin, pikërisht kur Kryezinjtë luftonin kundër gjermanëve.
U vu në përdorim edhe për Kryezinjtë, si edhe për Abaz Kupin dhe Muharrem Bajraktarin, Ramë Mujën e të tjerë parrulla e ditës: "O me ne, o kundër nesh", u shpallën armiq kur pak më parë ishin bashkëpuntorë me ta dhe u dërguan divizionet e brigadat nacionalçlirimtare për t'i goditur dhe asgjësuar pa mëshirë. Sulmi kundër Lëvizjes "Kryeziu" qe i kombinuar nga të dy anët e së njëjtës monedhë: forcave nacionalçlirimtare të Kosovës nga njëra anë dhe forcave e Brigadës V të Shqipërisë nga ana tjetër, të urdhëruara njëherësh nga E.Hoxha dhe Titoja. Thuajse në çdo letër apo radiogram, qarkore e tij që Titoja i dërgonte PKSH dhe E.Hoxhës, porosiste asgjësimin fizik të Llazar Fundos, duke përcjellë jo vetëm vendimin e Kominternit, por edhe shqetësimin e tij për lëvizjen "Kryeziu", që përbënte "një kërcënim për interesat jugosllave në Kosovë dhe në Shqipëri".
E.Hoxha vraponte për të qenë i pari në këtë holokaust vrasës. Në radiogramin dërguar Liri Gegës datë 8.08,1944 Hoxha udhëzon: "Pranë Kryeziut është Zai Fundo. Para një muaji ka biseduar Fadil Hoxha me shokët e Kosmetit. Ka dijeni edhe Dushani e Rade. I thashë Fadilit që ta vrasë pa marrë parasysh asnjë rrethanë".
Një bashkëpunim në krim ndërmjet krerëve të Luftës Nacionalçlirimtare të Shqipërisë dhe të Kosovës, të dirigjuar nga D.Mugosha e Pavle Joviçeviç, kundër luftës për çlirim, interesave të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar. Pavle Joviçeviç, sekretar i komitetit të PKJ për Kosovën dhe anëtar i shtabit operativ të UNÇ, njofton komandën e forcave partizane të Kosovës që ishin në aksionin për të asgjësuar Kryezinjtë në Bytyç, se ishin nisur për atje edhe dy batalione të Brigadës IV së NÇ. Ndërkohë, Pavle udhëzon Fadil Hoxhën që të verifikojë tepër fshehtas informacionin se ku ndodhej saktësisht Gani Begu, sa forca kishte, ku ndodheshin batalionet, a ruhej rruga, etj. "Kjo është rigorozisht konspirative. Lajmërohu në 5.30 dhe 10"- Pavle.
Bashkëpunimi komunist shqiptaro-jugosllav për eliminimin e Lëvizjes "Kryeziu" është evident dhe i dokumentuar. Asgjësimi i Lëvizjes "Kryeziu" ishte rezultante e bashkëpunimit ndërmjet udhëheqjes komuniste shqiptare dhe asaj jugosllave, e bashkëveprimit të ndërsjelltë të forcave nacionalçlirimtare shqiptaro-jugosllave. Këtë e provojnë të gjitha dokumentat arkivore, e pohon edhe vetë E. Hoxha: "Interesi i dy partive tona dhe i luftës sonë të përbashkët kërkon që këta armiq (Kryezinjtë -shën im. UB) të dënohen ashpër. Njerëz të tillë meritojnë plumbin ballit… Ushtria jonë Nacionalçlirimtare i kapi këta banditë dhe i dënoi me vdekje".
Goditja dhe asgjësimi i Kryezinjve nga aradhët nacionalçlirimtare hedh poshtë katërcipërisht tezën komuniste të sajuar fillimisht nga emisarët jugosllavë në Konferencën e Labinotit, menjëherë pas Mukjes, dhe të trumpetuar me pompë të madhe nga komunistët shqiptarë e kalemxhinjtë e tyre se Lufta Nacionalçlirimtare ishte luftë kundër okupatorëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Kryezinjtë nuk ishin bashkëpunëtorë të pushtuesve nazifashistë, përkundrazi u deklaruan publikisht dhe luftuan pa asnjë kompromis kundër italianëve dhe gjermanëve.
* Fundi i Lëvizjes "Kryeziu".
Forcat e Kryezinjve u rrethuan dhe u sulmuan njëherësh nga forcat nacionalçlirimtare të Kosovës të komanduara nga Fadil Hoxha dhe nga forca të mëdha të Brigadës V të komanduar nga Shefqet Peçi, më 20 shtator 1944. Britanikun Simkoks, të shoqëruar nga rojet, e nisën forcërisht për në Shtabin e Përgjithshëm NÇ, duke e trajtuar rrugës për në Berat si një rob lufte bashkë me Said Kryeziun. Llazar Fundon e arrestuan, e rrahën për vdekje dhe i kërkuan t'u përgjigjej pyetjeve që kishte dërguar më 21.09.1944 E.Hoxha me radiogram: "Zai Fundon ta torturoni deri në vdekje dhe pastaj ta pushkatoni. T'i kërkohet të japë sqarime për këto pyetje: Pse ka ardhur në Kosovë, kush e ka dërguar dhe me ç'direktiva; cilat janë qëllimet e Ganiut dhe të anglezëve? Të japë sqarime për aktivitetin e mëparshëm dhe për tradhtinë e tij…Zain e vrisni andej…"
Kështu vepruan. E ekzekutuan më 23 shtator 1944. "Vrasja brutale e Fundos, - konstaton Hibbert,- ishte dëshmi e natyrës së papranueshme të pushtetit komunist".
Dhe E. Hoxha i dërgoi më 21.09.1944 Korparmatës së Parë, në mënyrë shumë konspirative Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH në Veri, përgjigjen e mëposhtme: "Mos kërkoni më nga Ganiu të dorëzohet, por me çdo kusht dhe me ashpërsi të sulmohet dhe të vritet. Duhet të veproni sa më parë, se mund t'i vijnë në ndihmë kosovarët".
E. Hoxha i konsideronte kosovarët si armiq.
Gani Kryeziu nuk pranoi dhe s'i përfilli kërcënimet. Si një strateg i luftës, ai i njihte mirë kahet e lëvizjeve, strategjitë dhe përfundimet e tyre. Vetëm një gjë nuk e kishtë menduar, se lëvizja e tij do të goditej për vdekje nga bashkëkombasit e vet, nga ata që e quanin veten nacionalçlirimtarë e me të cilët kishte bashkëpunuar sinqerisht. Megjithatë, ai nuk kundërveproi me armë, sepse nuk donte të shkaktonte luftë civile dhe viktima të saj.
Akti i fundit i tragjedisë "Kryeziu" u luajt në Kosovë. Këtë akt e luajtën partiakët e lartë të PKJ, detashmentet e OZNA-s dhe brigadat e divizionet e Ushtrisë Nacionalçlirimtare serbo-malazeze-maqedonase, që tashmë e kishin vënë Kosovën ndër këmbë.
Forcat e brigadës së OZNA-s për Kosovën e rrethuan kullën e Tosun Kryeziut në ditët e para të janarit 1945. Kërkuan vetëm të bisedonin me Gani Kryeziun, por i vunë prangat dhe e nxorën para gjyqit ushtarak në Beograd, me akuza të pavërteta dhe absurde, si bashkëpunëtor i gjermanëve, etj.
*Përpjekjet e Aleatëve për të hedhur poshtë akuzat e rrejshme dhe për të vërtetuar të kundërtën nëpërmjet dëshmive, memorandumeve dhe notave të misëve të Misionit Britank që kishin bashkëpunuar me Gani Kryeziun gjatë luftës kundër gjermanëve, nuk patën dobi. Dënimi i tij ishte paravendosur. Notat, informacionet dhe raportet e Simkoksit, Smithit, Maklinit, Emerit, Laskey, Hodgson, Boxshall, Hill etj drejtuar qeverisë së tyre e sensibilizuan atë dhe vunë në lëvizje të ngarkuarit me punë të Britanisë së Madhe, të cilët kontaktuan, përveç të tjerëve, edhe me Titon.
Më 23 korrik 1945 ambasada britanike në Beograd njofton FO se Qeveria Jugosllave nuk e konsideron si rast ndërkombëtar çështjen e Gani Kryeziut, por si çështje të Jugosllavisë, pasi G.Kryeziu është shtetas i Jugosllavisë dhe se është e vështirë që Qeveria Jugosllave të pranojë ndonjë intervenim nga qeveritë e jashtme. E mbyllën në burgun e Sremsko Mitrovicës, nga ku nuk doli i gjallë. E vranë në burg pak ditë para se të plotësonte dënimin, në vitin 1952.
* Masakra e Hereçit. Me pabesi, gjoja për t'i çuar në Pejë, detashmentet e OZNA-s i nxorrën nga kulla 22 bashkëluftëtarët e G.Kryeziut si edhe 4 simpatizantë të ndodhur rastësisht aty dhe i masakruan barbarisht në Hereç të komunes së Deçanit, në ditët e para të janarit të vitit 1945: Hasan Kryeziu, Xhevat Kryeziu nga Gjakova, Selim Male Dula nga Paci, Brahim Musli Demaliaj nga Vladi, Shaban Sadik Saraçini nga Berisha, Shpend Beqir Pregjoni bashkë me të birin 16 vjeçar Sali Pregjoni, Ukë Arif Pregjoni dhe Halil Pregjoni nga Zherka, Mete Rexhë Saraçini, Col Isuf Koka, Sadri Gjonpapaj nga Berisha, Sali Shpend Muja nga Paci, Mus Avdul Neza nga Leniqi, Musë Zenel Alimetaj, Ali Miftar Zhuta nga Kepeneku, Ramë Osmani, Shpend Halili, Mehmet Musa nga Gashi, Smajl Sadik Koka nga Berisha, Rexhë Mehmeti nga Paci, Ahmet Ali Mehmetaj nga Vladi, Zenel Miftar Zhuta dhe Shabani Ali Bajrami nga Kepeneku.
Këta burra nuk ishin as kriminelë, as tradhëtarë, as mercenarë, as hajdutë, po ishin luftëtarë të shquar të Lëvizjes "Kryeziu", të cilët me pushkën majë krahut luftuan e vdiqën për Shqipërinë dhe Kosovën martire.
* Një vështrim krahasues i Lëvizjes Kryeziu me lëvizjet e korentet tjera gjatë Luftës II Botërore. Krahasuar me lëvizjet e tjera shqiptare, Lëvizja Kryeziu ka përparësi dhe dallimet e saj, se, pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, ishte alternativa më e mundshme për çlirim dhe bashkim kombëtar. Rruga që zgjodhën Kryezinjtë, ishte ajo e luftës patriotike të shqiptarëve kundër okupatorëve, në bashkëpunim me të gjithë faktorët antifashistë, veçanërisht me aleatët perëndimorë. Kryezinjtë u përpoqën ta kthenin lëvizjen e tyre gradualisht në një faktor të luftës çlirimtare në Shqipëri e Kosovë dhe të reshtimit tek fitimtarët, por edhe me mbështetjen e tyre, në një forcë dalëzotjeje e vetvendosëse të Kosovës kur të mbaronte lufta. Ata nuk u lidhën as me humbësit e Luftës II Botërore dhe as i lidhën duart e mendjen me ideologjinë komuniste, as nuk u vunë nën urdhërat e Kominternit dhe të PK Jugosllave, e cila pengonte zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare, madje përveç Kosovës, donte të gllabëronte edhe Shqipërinë.
"Për Shqipërinë e veriut dhe për Kosovën, Kryezinjtë ishin grupi kryesor i pakomprometuar… Ata nuk kanë besim se me Frontin NÇ të Jugosllavisë do të fitojë lirinë Kosova, prandaj Kosovën e quajnë pjesë të pandame të Shqipnisë", - shkruante vetë Fadil Hoxha.
Prandaj ata zgjodhën rrugë tjetër, atë të luftës çlirimtare që do të çonte edhe në zgjidhjen e çështjes kombëtare dhe në një shtet demokratik, të orientuar nga Perëndimi.
Për Këshillin Organizativ
Bashkëkryetarët
Uran Butka, Bajazit Nushi
Gazeta RD
23-08-2006
Krijoni Kontakt