Për herë të parë pas tri vjetësh "hapet" për biznesin e jetën private
Abramoviç, rrëfim për vetveten
Njeriu më i pasur i Rusisë s‘kënaqet mesa ka arritur.Për të planet e së ardhmes janë marramendëse
Ai është shumë i qetë, thotë njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Roman Abramoviç. "I turpshëm" do të kishte qenë dhe fjala më e përshtatshme për të përshkruar atë. Ka dhe shumë të tjera: i pamëshirshëm, bujar, kokëkrisur, i matur e vizionar. Por i druajtur? -Një atribut disi i çuditshëm për të përshkruar një ndër njerëzit më të pasur dhe më të fuqishëm të botës - oligarkun rus, i cili guxoi të "kapte për fyti" futbollin anglez.
Më pas sërish askush nuk mund të pretendojë se është i sigurt të thotë çfarë rezervon një takim i parë me të. Për të kaluarën e tij dihet paksa nga të gjithë, e gjithashtu edhe pikëpamjet e tij mbi biznesin, politikën apo dhe sportin, ku thashethemet e spekulimet kanë dalë me shumicë për të. A po zbulohet ndonjë gjë e re mbi atë se si ai i bëri milionat e miliardat e tij në kohën e të ashtuquajturit "kapitalizmi i kaubojve" të viteve nëntëdhjetë në Rusinë postkomuniste? Sa dhe si ai përfitoi nga patronazhi i Presidentit Vladimir Putin, i cili për biznesmenë të tjerë të kalibrit të tij rezervoi ekzilin apo burgun? Si do të dukej futbolli pa të? -Si do të dukej futbolli pasi ai të largohej?
Mirë pra, tashmë ne dimë pak më shumë për të. Në intervistën e tij të parë të dhënë në çfarëdolloj media qoftë pas tri vitesh, Abramoviç foli me të përditshmen britanike "The Observer" mbi atë se pse ai zgjodhi futbollin anglez dhe pse këmbëngul që shpenzimi i tij i madh në këtë drejtim nuk do ta shkatërrojë këtë lojë. Ai kërkon të shkatërrojë mitet që lidhen me fëmijërinë e tij dhe jetën e tij mbi elitën ruse të Londrës. Pak pas ngjarjes së helmimit të Litvinenkos, ai u përgjigjet dhe ngandonjëherë u rrëshqet disa pyetjeve mbi lidhjet e tij me Kremlinin; i jep gjithashtu përgjigje edhe pyetjes se përse ai hoqi dorë nga posti i guvernatorit të Chukotka-s, një rajon ky tri herë më i madh se sipërfaqja e Britanisë së Madhe, e gjithashtu rrëfen arsyet e veprimtarisë së tij filantropike në atë rajon.
Tashmë 40-vjeçar, "oligarku i qetë" qëndron ulur në një dhomë veshur me dru të llakuar në zyrën e tij të kompanisë financiare, që ndodhet vetëm pak hapa larg nga "Sheshi i Kuq". Prapa dhomës ndodhet një pikturë e vogël e Putinit dhe një skulpturë e një peshku të madh, dhënë si dhuratë për Abramoviçin. Në tavolinën prej ahu ndodhen shishe uji "Evian", një shoqërues i përhershëm i thuajse të gjithë anti-alkoolistëve në udhëtimet e tij. Aty nuk gjendet ndonjë gjurmë rojesh personale rreth e rrotull. Ashtu sikurse kolegu i tij, miliarderi Bill Gates, Abramoviç është jashtëzakonisht elegant. Vizita e tij e fundit në një klinikë në Austri nuk ishte ashtu sikurse u interpretua nga mediat, për të kuruar stresin, por për të hequr disa kile të tepërta nga pesha e tij trupore. Ai ka flokë të kuqërremta të shtrira, mjekrën të parruar e me qime të ashpra dhe sy ngjyrë blu. Më i këndshëm në "jumpers" e xhinse, sot ai mban veshur një kostum ngjyrë gri me vija të holla, me këmishën e tij blu të hapur pranë kollares që e mban të pa mbërthyer. Me gjithë pasurisë e tij prej 10,8 miliardë paundësh, pasuria e dytë personale më e madhe në Britani, ai mban në dorë një orë të madhe dixhitale tip sportive, model i viteve tetëdhjetë. E nuk ngjan të jetë nga ato të shtrenjtat.
Në pjesën e parë të intervistës, çështja kryesore duket të jetë ajo e Chukotka-s, rajoni i ashpër me ngrica e akuj në skajin më të largët verilindor të federatës ruse, ku Abramoviç ka qenë guvernator për gjashtë vjet, duke shpenzuar me qindra milionë paundë nga paratë e veta për të ndërtuar shkolla dhe spitale. Ai e flet rusishten me një timbër prej zëdhënësi publik plot droje, që nuk e di nëse audienca do ta duartrokasë në çdo fjalë që ai thotë. Ai në fillim pranoi me gjysmë zemre të jepte intervistë për "BBC", por sot ai ka përjashtuar madje edhe praninë e diktofonit. Në të djathtë të tij ndodhet Sasha Borodin, asistenti dhe përkthyesi i tij personal dhe John Mann, një amerikan që është dhe zëdhënësi i Abramoviçit dhe "varrmihësi i thashethemeve". Ai i cilëson raportet ku thuhet se Irina Abramoviç kohët e fundit është konsultuar në aspektin ligjor me avokatët mbi kushtet e një divorci të saj me të shoqin, thjesht si "përfundimisht jo të vërteta". Abramoviç qëndron ulur me krahët e shtrira, si një njeri i sëmurë që kërkon të relaksohet. I druajtur, në fakt, do të ishte fjala e duhur.
Kur biseda vërtitet më pas për futbollin, gjithsesi ai duket më i çliruar. Ai madje nuk e merr si ofendim kur atë e kryqëzojnë se po ndyn merkaton e futbollistëve, duke e akuzuar se është pikërisht ai që po e kthen futbollin në një lojë të dominuar nga të pasurit e një elite të tillë në rang global.
Unë nuk shoh ndonjë rrezik nga kjo, thotë ai. Paratë luajnë një rol të rëndësishëm në futboll, por ato nuk janë gjithsesi faktori dominant. Kur Chelsea luan një ndeshje në "Carling Cup", është një qytet i vogël dhe ndeshja mund të përfundojë në barazim- emocionet, shpirti, atmosfera - kjo është pra bukuria e vërtetë e futbollit në Angli.
Abramoviç, i cili e vuri pasurinë e tij nga nafta, kur ndërmarrjet publike ruse u privatizuan në vitet nëntëdhjetë, nuk njihej fare në Britaninë e Madhe derisa ai e ktheu futbollin me kokë përmbys, duke blerë Chelsea-n tri vjet më parë. Ai ka hedhur në tavolinë një shifër që vlerësohet në rreth gjysmë miliardi paund, duke larë të gjitha borxhet e klubit dhe duke blerë njëkohësisht lojtarë me çmime marramendëse. Chelsea, me ambicien tij për t‘u bërë klubi më i madh në botë, është bërë njëkohësisht një ndër më të urryerit. Ka thyer rregullat e transfertave dhe ka bërë të përftohet një shije e hidhur në shumë gojë në mbarë Evropën, për mënyrën se si Abramoviç po e bën biznesin e tij. Shumë agresive? Një herë pati një pauzë të gjatë. Është vështirë të thuhet, tha ai së fundmi, duke u dukur më shumë sikur po bënte një koncesion. Por më pas ai preferon të flasë për faktin se Chelsea nuk duhet trajtuar si "delja e zezë" në të gjithë këtë histori.
Askush nuk e di se sa do të zgjasë perandoria e Abramoviçit. Një nëpunës, i cili e ka njohur atë për vite më radhë, paralajmëroi: "Ai është shumë entuziast për shumë gjëra, porse kjo nuk do të zgjasë shumë kohë. Ai ishte entuziast për naftën për disa vjet, por më pas u tërhoq. Do të ndodhë e njëjta gjë me Chukotka-n. Do të ndodhë po e njëjta edhe me futbollin". Abramoviç, gjithsesi, është i bindur për detyrën që ka marrë përsipër dhe ka gjithnjë një përgjigje me vete: "Njerëzit të cilët më njohin, më thonë se unë do të fitoj një apo dy herë kampionatin dhe më pas nuk do të jem më i interesuar për futbollin. Realiteti është se ne kemi fituar dy herë "Premiership"-in, por unë jam më i emocionuar për këtë sezon, se sa atë të një viti më parë. Unë jam një fans i një natyre të veçantë. Unë emocionohem gjithnjë e më shumë para çdo ndeshjeje. Trofeu në fund është më pak i rëndësishëm se sa vetë procesi".
Abramoviç, ashtu sikurse dhe një pjesë e rusëve të pasur, është vendosur në lagjet më të shtrenjta të Londrës. Ai ka një shtëpi në Belgravia, me një vlerë prej 28 milionë paundësh, si dhe një pronë që kap shifrën e 18 milionë paundësh në "West Sussex". E shoqja e tij, Irina, një ish-stjuardesë avioni, shijon jetën e qytetit dhe pesë fëmijët e çiftit shkojnë në shkolla angleze. Por, Abramoviç - i cili gjithashtu ka në pronësi edhe një vilë në San Trope, dy superjahte dhe një avion personal "Boeing 767" - nuk e sheh domosdoshmërisht kryeqytetin anglez si shtëpinë e tyre. "Unë jetoj në avion. Më pëlqen të vizitoj Londrën. Nëse unë do mendoja se ku duhej të jetoja përveç Moskës, Londra do të kishte qenë zgjidhja ime e parë, dhe e dyta do të ishte Nju-Jorku. Në Moskë unë ndjehem më rehat. Jam mësuar të shijoj katër stinë të veçanta; është e vështirë për njerëzit në Londër ta kuptojnë këtë fakt. Njerëzit e rritur në Rusi, si fëmijët e mi, duan të luajnë me dëborë. A e blejnë dot paratë vallë lumturinë? Nuk mund të ta blenë lumturinë ato, thotë ai. Pak pavarësi, po. Atë munden ta japin".
Armiqësitë e Luftës së Ftohtë dhe vdekja e mistershme në Londër e Aleksandër Litvinenkos, ish-spiuni i KGB-së, mbytur me "polonium 210", e ka rigjallëruar spektrin e autoritarizmit rus, duke i dhënë atij një karton të verdhë më shumë. Abramoviç pretendon se nuk ka asnjë lloj lidhje apo dijenie të hollësishme mbi këtë çështje dhe shpreh besimin e tij se prokuroria do ta zgjidhë atë. Ai gjithashtu këmbëngul se nuk është kërcënuar kurrë në Londër dhe se llogaritë e badigardëve të tij janë ekzagjeruar nga shtypi. Ai qesh mbi pretendimet se masat e tij mbi sigurinë personale janë veçse një hi syve për të hutuar vrasësit e mundshëm. Ai pretendon se zërat në (jo vetëm) median britanike, e cila e fotografoi atë me të shoqen, duke përhapur fjalë se po bëheshin gati për divorc, nuk e kanë shqetësuar fare atë. "Unë i kuptoj fare mirë mediat britanike dhe përse ato e bëjnë një gjë të tillë. Kjo nuk ngre shumë peshë. Jam mësuar në jetën time të mos u kushtoj shumë vëmendje gjërave të tilla".
Në fund të botës, dhe madje disi më larg se aq, ndodhet një vend i quajtur Chukotka. Nëntë zona orare nga kryeqyteti dhe plot 4375 milje larg Moskës, edhe rusët vetë ndjejnë nevojën e një leje të veçantë për ta vizituar atë. Revolucionit sovjetik iu deshën dy vjet për të arritur në shkretëtirën e akullt, kur një bandë e vogël bolshevikësh sollën lajmin se ndërmarrjet private tashmë ishin bërë të shtetit, duke vrarë kapitalistët lokalë. Por komunizmi eventualisht mori hov dhe rajoni, 24 milje përgjatë ngushticës së Beringut në Alaskë, u bë dhe linja e frontit e Luftës së Ftohtë.
Chukotka dëshmon temperatura që kapin nivelin e 60 gradëve minus dhe bën pjesë në rrethin polar me nëntë muaj dimër. Është njëra ndër zonat më armiqësore të planetit, ku jetojnë rreth 50000 banorë dhe mijëra milje aty nuk gjen asgjë të rritet. Në vitet e turbullta nëntëdhjetë, rrogat mbetën pa u paguar për punëtorët dhe njerëzve iu desh të vuanin urie ose të ecnin me mijëra milje në të ftohtin e acartë në tundrën e ngrirë për të gjetur ushqim. Chukotka përshkruhej si një copëz e dëshpërimit post-sovjetik; banorët e saj, qarkullonte prej kohësh shprehja, e konsiderojnë Siberinë "një vend të mirë për të bërë pushime".
Është e vështirë të imagjinosh një botë kaq të largët nga ajo e milionerëve të futbollit. Ai mbërriti atje si një student dhe vazhdoi me tregti, ku bëri një vrasje si truproja e Boris Berezovskit, njëri ndër biznesmenët që përfituan nga asetet e ndërmarrjeve shtetërore ruse. Kur Berezovski u prish me Putinin, Abramoviç bleu aksionet e mësuesit të vet në "Sibneft", gjiganti i naftës dhe në "Aeroflot", kompania ajrore vendase, dhe u ngrit në skenë si një oligark me meritën e vet. Oponentët e tij në biznes e akuzojnë se ai bën marrëveshje jo të ndershme dhe se dikur është hetuar nga autoritetet që më pas e lanë të lirë.
Ai nuk vuri këmbë në Chukotka deri në vjeshtën e vitit 1999, por shumë shpejt u bë përfaqësuesi i tyre në parlamentin rus dhe më pas u bë dhe guvernatori i tyre, duke fluturuar mbi dhjetëra fshatra të largët e dëgjuar me durim hallet tyre. Nuk bënte fjalime karizmatike, që s‘ishin në stilin e tij, por ai fitoi zgjedhjet me rreth 100 për qind të votave, duke lënë një lloj imazhi që alarmon demokratët në çdo vend të botës, dhe e mori atë mandat në vitin 2001. Abramoviç kurseu familjen e vet nga zhvendosja, por duke u regjistruar si një taksapagues nga Chukotka, solli me vete "Sibneft"-in dhe krijoi dy aktivitete bamirësie, projektet e të cilit përfshinin dhënien e të gjithë fëmijëve të rajonit, një palë pushime në vit në një vend të ngrohtë. Në total, ai kanalizoi si investime në atë rajon, një vlerë prej 770 milionë paundësh dhe thithi edhe 500 milionë të tjerë. Kritikët besojnë se ai ishte i frikësuar përballë dëshirës së Putinit dhe rusëve të tjerë patriotë, për ta investuar pasurinë e tij në të mirë të burimeve natyrore në vend, duke iu shmangur kësisoj fatit të baronit të gjigantit "Yukos", Mikhail Khodorkovski, një kritik ambicioz politik i Presidentit, që tashmë siç dihet po konsumon dënimin në një burg, pasi u dënua për evazion fiskal. Por vepra bamirëse e Abramoviçit në Chukotka nisi përpara se Putin të bëhej i ashpër me oligarkët.
Fëmijët kanë qenë në qendër të veprimtarisë së tij sociale. Pasi shumë kohë nga fëmijëria e vetë Abramoviçit është kaluar me një xhaxha nga rajoni i Komit në veri të vendit, ku ndjehej gjerësisht moskujdesi shëndetësor. Ai kishte jetuar me ungjin, pasi mbeti jetim në moshën dy vjeç e gjysmë. Këto vite janë përshkruar si të tmerrshme nga të tjerët, por Abramoviç është treguar i prirur ta korrektojë disi këtë përshtypje: "Të them të drejtën, unë nuk mund ta quaj fëmijërinë time të keqe. Në fëmijërinë tënde nuk mund të krahasosh dot gjërat: njëri ha karota dhe një ha çokollata, e të dyja mund të të shijojnë njësoj. Kur je fëmijë nuk mund të dallosh dot diferencën".
Largimi i Abramoviçit është interpretuar si dëshmi e humbjes së interesit të tij për vendin e tij të origjinës në përgjithësi, pra për Rusinë. Vitin e shkuar ai shiti "Sibneft"-in te "Gazprom"-i, gjiganti shtetëror i naftës, duke e bërë veten edhe më të pasur. Por ai ka edhe miliarda paundë të tjerë të investuar në industrinë ruse të hekurit, atë farmaceutike, pronat e paluajtshme, atë ushqimore dhe atë të botimeve, dhe bën dhe plot donacione për të rinjtë në akademitë e muzikës, shkencës e sportit, si dhe një sërë aktivitetesh bamirësie.
Kur vjen puna për favoret që i bën Kremlini, ai mohon të ketë bërë ndonjë marrëveshje dhe saktëson se të qenit guvernator nuk i ka garantuar atij imunitet politik. Akoma dhe sot e kësaj dite ai nuk preferon t‘u bashkohet zërave kritikë ndaj Putinit, pavarësisht nga frika në rritje mbi drejtimin e një vendi ku gazetarët vriten, dyshohen se torturohen nga policia dhe ku korrupsioni bën kërdinë. "Sipas mendimit tim personal, Rusia nuk është më pak demokratike se sa duhet", ky ishte komenti i trajtuar me finesë prej tij rreth kësaj çështje. A ka qenë ajo më demokratike më parë? Është një vend demokratik? Është mjaft demokratik.
Kur takon Putinin, Abramoviç i drejtohet atij me ju. Ai është më i vjetër se unë, thotë ai. Të fitosh në jetë, ashtu si në futboll, mund të jetë një biznes shumë i brishtë. Ka një proverb rus, thotë ai: "Mos thuaj kurrë se nuk do të shkosh kurrë në burg, e se nuk do të bëhesh kurrë i varfër. Një arsye tjetër kjo për ta mbajtur kokën poshtë, e për mos u kapardisur me atë që ke arritur".
Kush është Roman Abramoviç
Ai ka lindur në Saratov, një qytet në brigjet e lumit Vollga në jug të Rusisë më 24 tetor 1966. E ëma e tij vdiq nga hemorragjia dhe i ati, një punëtor ndërtimi, mbeti i vrarë në një vendndërtimi nga një aksident fatkeq, duke e lënë atë jetim para se të mbushte tri vjeç. Ai ka studiuar në Institutin Industrial në Ukhta, Komi. Më pas kryen shërbimin ushtarak, merr pastaj edhe një diplomë juristi nga Akademia Shtetërore e Moskës në më pak se një vit.
Pasuria
Pasurinë ai e bëri nga biznesi me naftën, aluminin e gjithashtu edhe aksionet në shoqërinë ajrore ruse "Aeroflot". Tashmë ai zotëron aksione edhe në industrinë e hekurit, atë farmaceutike, pronave të patundshme, atë ushqimore dhe botimin e gazetave e revistave - dhe sigurisht edhe biznesin lukrativ të futbollit, ku ai drejton me sukses klubin anglez të "Chelsea"-it, të cilin e bleu në vitin 2003
Politika
Për sa u përket interesave e përfshirjes së tij në politikë, ai gjendet aktualisht pranë braktisjes së postit të guvernatorit të rajonit të Chukotkas, pas gjashtë vjetësh punë e investimesh në atë zonë që i ka bërë banorët e asaj ta mbajnë mend gjatë
Pasuria
Pasuria që ai zotëron kap shifrën e 10,8 miliardë paundësh britanikë, duke e bërë atë kësisoj edhe njeriun e dytë më të pasur në Britani, vetëm një hap prapa manjatit të hekurit, Lakshmi Mittal.
Familja
Roman Abramoviç është i martuar me Irinën, një ish-stjuardesë avioni, me të cilën ai ka pesë fëmijë, por më parë ka qenë i martuar me Olgën, me të cilën iu desh të divorcohej tri vjet më pas e të ribashkohej për t‘u ridivorcuar përfundimisht në vitin 1989
Krijoni Kontakt