ida Korkuti - 18/11/2004
Shumë njerëz pëlqejnë të shlyejnë kredinë para kohe me shpresë se me këtë mënyrë ulen interesat. Por ekspertët thonë se pas kalimit të gjysmës së kohës të shlyerjes së kredisë, nuk ka leverdi për shlyerjen para kohe sepse interesat e fituara, nëse e njejta shumë mbahet si depozitë, janë shpesh më të larta se interesat e mbetura të kredisë
Mbyllja e kredisë para kohe nuk është gjithmonë e leverdisshme. Nëse keni një kredi dhe në një moment keni paratë e mjaftueshme për ta mbyllur atë, mos u gëzoni para kohe. Mbyllja e kredisë përpara përfundimit të periudhës së shlyerjes nuk do të thotë se ju do të arrini të fitoni pjesën që ju ka mbetur pa shlyer. Kështu, në përgjithësi në rastin e marrjes së një kredie për një periudhë 12- mujore, rezulton se deri në fund të gjashtë-mujorit të parë klienti ka paguar rreth 50 për qind të principalit dhe pothuasje 72 për qind të interesave. Siç shihet, në gjysmën e parë të periudhës së shlyerjes së kredisë, klienti ka paguar pjesën më madhe të interesave dhe i mbetet të paguajë vetëm 47 për qind e principalit. Me një llogaritje të thjeshtë, shpesh rezulton se interesat që arrihen të “shpëtohen” pa u paguar nga mbyllja e kredisë janë më të vogla se sa interesat që merren nga paratë e futura në një depozitë tremujore. Pra, më e leverdisshme është marrja e interesave nga një depozitë tremujore.
Pse ndodh kështu?
Një gjë e tillë mund të ilustrohet fare mirë me anë të një shembulli. Supozojmë se është marrë një kredi prej 1 800 euro pranë një banke të nivelit të dytë, kredi që do të shlyhet brenda një periudhe 10- mujore. Si rregull, në momentin e marrjes së kredisë klienti pajiset nga banka me një plan-pagese, në të cilin janë dhënë të detajuara: kësti, që është një shumë fikse që paguhet çdo muaj nga klienti pranë bankës, principali dhe interesi (shuma e të cilëve jep këstin fiks mujor), mbajtjen e komisionit, që përgjithësisht është zero dhe balancën: shuma që mbetet nga totali i kredisë pas pagimit mujor të këstit. Kësti fiks që paguhet çdo muaj është 200 euro. Muajin e parë principali është 170 euro, interesi i paguar 30 euro (kësti i paguar 200 euro), ndërsa përqindja e interesit real është 16 për qind. Interesi real i paguar për muajin e parë është raporti ndërmjet interesit (30 euro) dhe shumës totale të kredisë, 1 800 euro. Për muajin e dytë principali është 172 euro, interesi është 28 euro, ndërsa interesi real i aplikuar është 17 për qind (raporti ndërmjet interesit të paguar 28 euro dhe balancës së muajit të parë, 1630 euro). Siç shihet nga tabela, për pesë muajt e parë të periudhës së shlyerjes së kredisë, klienti ka paguar pothuajse gjysmën e principalit (të shumës së marrë) dhe rreth 72 për qind të interesave. Po gjatë kësaj periudhe, interesat reale të aplikuara nga banka janë të ndryshueshme, ndërkohë që në periudhën e dytë me zvogëlimin e shumës së kredisë së pashlyer, interesat janë të njëjta.
Krijoni Kontakt