Kompania e ndërtimit, QUFAJ sh.p.k e çoi çështjen në Strasburg, pasi nuk u ekzekutua vendimi i Gjykatës së Apelit

Gjykata e Strasburgut dënon Shqipërinë

Qeveria Shqiptare duhet t’i paguajë kompanisë 60 milionë lekë dhe 70 mijë euro dëmshpërblim

Ervin Baku

STRAZBURG- Gjykata e Strasburgut ndëshkon rëndë shtetin shqiptar. Pas pesë vjetësh procesi gjyqësor, Gjykata e Strasburgut i ka dhënë të drejtë kompanisë së ndërtimit, QUFAJ sh.p.k, duke e dënuar Shqipërinë me 60 milionë lekë të reja, 70 mijë euro dëmshpërblim material dhe moral si dhe 2 mijë euro shpenzime gjyqësore. Seksioni i tretë i Gjykatës së Strasburgut, i drejtuar nga presidenti G.Ress ka dhënë këtë vendim dje, rreth 5 vjet e katër muaj pasi presidenti i QUFAJ sh.p.k e kishte çuar atje çështjen. Përfaqësuesi i kësaj firme, Avenir Ballvora, e ka dërguar në Strasburg çështjen më 26 korrik të vitit 1995. Kjo firmë ndërtimi kishte fituar gjyqin në Shqipëri, kundër Bashkisë së Tiranës, por zvarritjet në ekzekutimin e vendimit, që e dëmshpërblente atë me 60 milionë lekë e detyruan t’i drejtohej Gjykatës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ku fitoi kundër Shqipërisë.
Procesi
Çështja Qufaj sh.p.k kundër Shqipërisë, mban numrin 54268/00. Kompania shqiptare e ndërtimeve u përfaqësua në gjyq nga presidenti dhe drejtori i përgjithshëm, Avenir Ballvora. Nga ana e saj, Qeveria Shqiptare u mbrojt nga juristi Sokol Puto. Kompania e ndërtimeve ka pretenduar para Gjykatës së Strasburgut se autoritetet shqiptare kanë dështuar në ekzekutimin e një vendimi gjyqësor, që e dëmshpërblente atë me 60 milionë lekë të reja, duke shkelur kështu konventat ndërkombëtare. Më dy tetor të vitit të kaluar, Gjykata e Strasburgut pranoi padinë e përfaqësuesit të Qufaj sh.p.k, duke i hapur kështu rrugën dënimit me gjobë të shtetit shqiptar.
Çështja
Gjithçka ka filluar në vitin 1992, kohë në të cilën Bashkia e Tiranës i shiti kompanisë 15.788 metra katrorë tokë, në një zonë banimi në Tiranë. Ky vendim është marrë më 9 qershor të vitit 1992. Me vendim nr.174, Bashkia e Tiranës ka pajisur Qufaj sh.p.k me leje trualli për ndërtimin e 500 apartamenteve. Më pas, Bashkia e Tiranës nuk zbatoi afatet kohore të parashikuara nga ligji, duke penguar dhënien e lejes së ndërtimit. Pasi Bashkia refuzoi dhënien e lejes së ndërtimit për kompaninë QUFAJ sh.p.k, kompania ngriti padi në Gjykatën e Tiranës. Ajo kërkoi 60 milionë lekë dëmshpërblim për humbjet që i ishin shkaktuar biznesit. Qufaj sh.p.k e humbi çështjen në këtë gjykatë, në vitin 1995. Pas apelimit të vendimit, Gjykata e Apelit të Tiranës anulloi vendimin e shkallës së parë dhe vendosi që kompania të dëmshpërblehej me 60 milionë lekë për humbjet. Vendimi është marrë më 23 shkurt të vitit 1996. Ky vendim mori formën e prerë, pasi Bashkia e Tiranës nuk apeloi.
Mosekzekutimi
Kompania kërkoi në vitin 1997 ekzekutimin e vendimit, në gjykatë të Tiranës. Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës i dërgoi gjykatës një kërkesë për të rishikuar vendimin e marrë, duke pretenduar se nuk bazohej në ligj. Më 23 qershor 1997, zyra përmbaruese njoftoi bashkinë se duhej të zbatonte vendimin e Gjykatës së Apelit, duke i dhënë 60 milionë lekë dëmshpërblim Qufaj sh.p.k. Nga ana e saj, Bashkia e Tiranës refuzoi të paguante, pasi nuk kishte buxhet të mjaftueshëm. Ekzekutimi i vendimit kaloi më pas në Ministrinë e Financave, në mënyrë që ky institucion të jepte fondin e nevojshëm për dëmshpërblimin e kompanisë së ndërtimit. Zvarritjet nga njëri institucion tek tjetri, por edhe përgjigjja negative e marrë nga Gjykata Kushtetuese, e detyroi kompaninë e ndërtimit t’i drejtohej Gjykatës së Strasburgut. Kjo kompani pretendoi se ishin shkelur konventat dhe të drejtat kushtetuese, ndërkohë që kërkesat e parashtruara jo vetëm që u morën parasysh nga Gjykata Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut, por edhe u quajtën të drejta.

PRETENDIMET

QUFAJ

Kompania Qufaj sh.p.k pretendoi se mosekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Apelit ka shkelur konventat ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me të drejtat e tij civile. Kjo kompani pretendoi se në vitin 1992, Bashkia e Tiranës i ka shkaktuar një dëm prej 2500000 USD

QEVERIA

Qeveria Shqiptare pretendoi në Strasburg se kompania shqiptare e kishte ekzagjeruar vlerën e dëmit të shkaktuar. Ajo u mbrojt, duke shtuar se mosekzekutimi i vendimit gjyqësor ka ardhur nga mungesa e fondeve, konfuzioni i kopetencave si dhe nga problemet sociale, politike në Shqipëri