Fisnikja shqiptare bashkëshorte e themeluesit të Cetinjës
Prof. Shyqri Nimani, Prishtinë*
Familja sunduese e Cërnojeviqëve përmendet për herë të parë në shekullin XIV, anëtarët më të rëndësishëm të së cilës ishin: Stefani (1426-1465), Ivani (1465-1490) dhe Gjergji (1490-1496). Me pushtimin osman të Cetinës, më 1499, kryeqyteti i Zetës përfshihet në Sanxhakun e Shkodrës, kur edhe përfundon sundimi i Cërnojeviqëve.
Familja e Cërnojeviqëve një kohë të gjatë luftoi kundër Balshajve1, sunduesve të fuqishëm shqiptarë.
Një lidhje martesore bëhet edhe ndërmjet familjes së njohur fisnike shqiptare Komneni dhe asaj Cërnojeviq. Çifti bashkëshortor do të bëhet Ivan Cërnojeviqi dhe Nora Komneni, e bija e sunduesit të Shqipërisë Jugore – Aranit Komnenit.
Ivan Cërnojeviqi zë vend të rëndësishëm në historinë malaziase. Ai ishte themelues i Cetinës (1481), kryeqytetit të shtetit Zeta2. Ivan Cërnojeviqi ngriti një manastir në stilin renesansogotik (që është një kuriozitet) dhe një kishë të vogël. Supozohet se në shtypshkronjën e këtij manastiri është botuar libri i parë i shtypur, inkuanabulik – Oktoih (1494) në alfabetin cirilik në jugun sllav.
Kush janë Cërnojeviqët
N'kohën e Jugosllavisë mretnore (1918-1941), n'Ulqin ka jetue nji plak shkodran i kshtenë, qi për veti thonte se isht Zezali*. Ju luta t'm'thonte se kush janë Zezalitë. Aj u përgjegj: Po, Zezalitë janë ata qi Malazezët ju thonë Cërnojeviqi.
*Edhe tash ka familje Zezaj të krishterë në Shkodër
Tregoi Gjoni Niks Kol'Niks Pjetër Gjonit Gjergj Gjonaj-Dobreci (1899-1977), Braticë, Ulqin. Shënoi Sima, i biri, më 1970. Marrë në BUZUKU 31/2009:11.
Më 1986, gjatë gërmimeve arkeologjike, ekipi i Entit për Mbrojtjen e Përmendoreve të Mali të Zi zbuloi eshtrat e sunduesit të Zetës (Malit të Zi) dhe themeluesit të Cetinës, Ivan Cërnojeviqit – pesë shekuj mbas vdekjes së tij. Eshtrat u gjetën në kishën oborrtare të Cetinës, nën pllakat e dyshemesë që gjendet pranë ikonës së Krishtit Shpëtimtar në altar. Ndërkaq, asgjë nuk u kumtua për eshtrat e bashkëshortes së tij, Norës. Sepse, të dhënat flasin se Ivani ishte varrosur në themeltën e vet të përshpirtshme së bashku me të shoqen. Këtë e pohon edhe historiani malazias, Sava Vukmanoviq, duke thënë: “U istoj crkvi sahranjena je i Ivanova žena, po narodnoj pjesmi Nara, a po istoriji Gojislava, kćerka Arvanita Komnena, gospodara Južne Albanije”3. Kështu pohonte edhe poeti Jovan Sundeçiq, i cili ndër tjerat thoshte: “...gde su bile sahranjene kosti Ivanbegove i Ivanbegovice”4. Deri tash nuk kemi hasur në të dhëna të tjera, as në burimet shqiptare, e as të huaja, që do të ndriçonin sadopak figurën e fisnikes shqiptare Nora Komnenit – zonjës së parë të kryeqytetit të Zetës mesjetare, Cetinës.
Nga ana tjetër, ende mbetet e paqartë cili prej Arianitëve ishte ati i Norës, kur dihet se nga kjo familje e njohur feudale shqiptare nuk shfaqet vetëm një personalitet me emrin Arianit Komneni. Vallë, mos është fjala për trimin Gjergj Arianit Komnenin (bashkëluftëtarin dhe mikun e Skënderbeut), për të cilin K. Jeriçek thotë se ai kishte edhe një emër e mbiemër: “Arnit Spata të cilin grekët e quanin Arijanit Komnen”. Pa përgjigje mbeten edhe disa pyetje që kanë të bëjnë me një letër të zbuluar para ca vitesh në arkivin e një manastiri të Meteorës (Greqi), të shkruar sllavisht në kancelarinë e Arianit Komnenit; letra nuk ka datë, nuk shënon emrin e personit që i dërgohet...por jep vetëm emrin e dërguesit – Arianit Komnenit.
1.Balshajt, siç dihet, ishin familje e madhe feudale e Shqipërisë së Veriut, të cilët sunduan prej vitit 1360 deri në 1421 në Principatën e Shkodrës, në të cilën arritën të bashkojnë deri më 1385 një pjesë të madhe të trevave shqiptare. Përfaqësuesit kryesorë të tyre ishin: Balsha I (deri më 1362) dhe tre djemtë e tij Strazimiri (deri më 1372), Gjergji I (deri më 1379) dhe Balsha II (deri më 1385), pastaj Gjergji II Strazimiri (1385-1403) dhe Balsha III (1403-1421). Balshajt, duke përdorur forcën, aleancat dhe lidhjet martesore, sundonin Zetën, Shkodrën, Tivarin dhe Buduan.
2.Zeta u themelua në hapësirën që në lashtësi quhej Dioklea, qendër e fisit Ilir të Dokleatëve, për t'u shkatërruar nga sllavët në shekullin VII, pastaj për t'u përfshirë në shtetin serb të Rashës në shekullin XIII e deri në vdekjen e Stefan Dushanit (1355), që, së fundi, nga pushtimi osman e këtej të pagëzohet me emërtimin Mali i Zi.
3.Në kishën e njëjtë është varrosur edhe gruaja e Ivanit, si mbas këngës popullore Nara, ndërsa si mbas historisë Gojislava, e bija e Arvanit Komnenit, kryezotit të Shqipërisë Jugore.
4...ku kanë qenë të varrosura eshtrat e Ivanbegut dhe të Ivanbeges).
*Marrë prej KOHA DITORE nr 300, 15.IV.2006.
Krijoni Kontakt