Historia e fisit së Myteveliut, ku stërnipër janë vëllezërit Frashëri
Tregimin e tij, zoti Rustem Myteveliu ( i riu ), e filloi me të parin
e kësaj dere, rreth 600 vjet më parë, duke u bazuar edhe në pemën
gjeneologjike të familjes, pra me ate te Iljaz bej Mirahorit (
Myteveliu ). Rustemi është brezi i 16-të dhe fëmijët e tij janë brezi
i 17-të i këtij fisi të dëgjuar. Iljaz bej Mirahori lindi aty rreth
vitit 1408 në Panarit të Korçës. Ai ishte biri i priftit të
Panaritit. Kishte trup të bëshëm, ishte 2 metër i gjatë dhe jetoi 104
vjet. Mësimet e para i mori në trevat e Panaritit. Gjatë kësaj
periudhe Shqipëria ka qenë nën sundimin e dinastisë otomane turke dhe
Iljazi merret peng, nizam, si jeniçer, nga Porta e Lartë. Në Stamboll
ai mori mësimet e para në gjuhën osmanishte turke dhe më pas, vazhdon
edhe shkollën. Shkallë mbas shkalle, ai ngrihet në poste të
rëndësishme, ku edhe emri nga Ilia, i kthehet në Iljaz bej. Në vitin
1457 ai ishte pjesëmarrës në luftën për çlirimin e Stambollit; më pas
si komandant në luftën e Konstandinopojës dhe gradë pas grade mori
titullin "Mirahor", që do të thotë gjeneral i gjeneralëve,
kryegjeneral. Rreth Iljaz bej Mirahorit ka shkruar edhe Sami Frashëri
si stërnip i tij, nga dera e nënës së Frashërllinjve, Emineja.
Iljazi, shqiptari që i shërbeu Sulltan Bajazitit të Dytë.
Iljaz bej Mirahori i ka shërbyer Sulltan Bajazitit të Dytë, i cili i
dha gradën "LALE" dhe titullin e "Profesorit të dinastisë turke" të
asaj kohe. Iljazi u martua me të bijën e Sulltan Bajazitit të Dytë
dhe nga kjo martesë pati edhe tre djem: Muhamet bej, Mehmet bej dhe
Sefer bej. Mehmet bej, djali i dytë i Iljaz bej Mirahorit, i quajtur
ndryshe edhe Ine beu, u vra në luftën për marrjen e Bagdadit, betejë
në të cilën ishte komandant i ushtrisë turke dhe u shqua për trimëri.
Më pas, Iljaz bej Mirahori u zhvendos në Shqipëri, në trevën e
Korçës, ku me nënshkrimin e 4 fermaneve nga ana e Sulltan Bajazitit
të Dytë, i falin disa fshatra si: Panaritin, Treskën, Trebickën,
Katundin, Drenovën, Boboshticën dhe Vithkuqin. Duke bërë martesë me
vajzën e Sulltanit, ky i fundit bën shkëmbimin e Panaritit me
Leshnjën, dhe Vithkuqit me Korçën, që në atë kohë quhej Peshkëpi. Ai
jetoi gati 70 vjetët e jetës së tij në Korçë. Iljaz bej Mirahori
ndërtoi xhaminë e Korçës, aty rreth vitit 1496. Më pas ai ndërtoi
medresenë, shkollën afër saj, hanet dhe hodhi hapat e para të tregut,
d.m.th., ndërtoi Pazarin e Korçës. Në vitin 1504 ai krijoi Imaretin,
që do të thotë Vakëf ose në shqipen e sotme, Mision Bamirësie. Dy-tri
herë në javë, të varfërit shkonin dhe hanin falas në Imaret.
Gjithashtu, gjithë tregtarët që shkonin e vinin për tregti nga Janina
e Follorina, nëpërmjet Bilishtit, qëndronin dhe hanin në këtë Imaret,
falas.
Një lagje e Stambollit mban emrin e Iliaz Mirahorit, themeluesit të
Korçës
Iljaz bej Mirahori, duke ardhur nga Stambolli, ku mori një kulturë të
gjerë në të gjitha fushat nga njohja e mirë e qytetit të Stambollit,
qytet model i periudhës mesjetare (ku edhe sot një lagje e tërë mban
emrin e Iljaz bej Mirahorit, vetë ky i fundit diti me mjeshtëri të
shfrytëzojë territorin për zhvillimin e qytetit të Korçës, si nga ana
gjeografike, ekonomike, tregtare dhe për lëvizjen e lirë të
tregtarëve dhe tregtisë, veçanërisht me Janinën. Ai krijoi bazën
social-kulturore të Korçës dhe hodhi themelet e këtij qyteti. Në
shpirtin e karakterin e Iljaz bej Mirahorit kishte shumë bamirësi, aq
sa këto nuk njihnin kufij. Për këtë arsye, atij i jepet edhe
titulli "Myteveli", që në greqisht do të thotë Epitropos e në shqip
Kujdestar, ndërsa, përshtatur me shqipen e sotme, përkthehet Bamirës.
Edhe sot dera dhe pasardhësit e Mirahorit të madh njihen me mbiemrin
Myteveliu. Këtë titull e trashëgonte djali dhe në rast se nuk kishte
trashëgimtar për ta trashëguar, për të drejtuar administratën e
Imaretit, e merrte Sulltani, dhe kjo pronë nuk shitej, por mbetej,
Vakëf. Martesa e tij me vajzën e Sulltan Bajazitit të Dytë ndikoi
shumë në zhvillimin e rajonit të Korçës, duke e përjashtuar këtë
rajon nga taksat e dinastisë turke deri edhe në përjashtimin e të
rinjve nga detyrimi ushtarak, por edhe për vakëfet, nuk donte taksë.
"Filantropia" e Korçës, e para në Evropë
Pjesën më të madhe të pasurisë Iljaz bej Mirahor Myteveliu e bëri
Imarete, Vakëfe. Në dokumente që kanë mbërritur deri në ditët tona,
del qartë ideja e tij, për të qenë njeriu një filantrop i madh.
Madje, në testamentin e tij, testament që ekziston edhe sot, dhe
ruhet me shumë fanatizëm nga Rustem Myteveliu (i riu), ai është
shprehur: "Pjesën më të madhe të pasurisë sime e bëra Imaret, se
është pjesa me jetëgjatë dhe ndikon në zhvillimin e rajonit. Ky
Imaret, Vakëf, vazhdoi për 500 vjet dhe drejtohej brez pas brezi nga
dera e Mytevelinjve, pasardhësit e Mirahorit të Madh. Deri në vitin
1933, kur drejtohej nga Rustem Myteveliu (i vjetër), d.m.th., gjyshi
i Rustem Hysen bej Myteveliut (i riu), nga i cili ka marrë edhe
emrin. Format dhe rrugët për të ndihmuar të varfërit kanë ekzistuar
në shekuj në Shqipëri dhe ato e kanë zanafillën e tyre që me Iljaz
bej Mirahor Myteveliun, që tregon fare mirë se për bamirësi jemi të
parët, jo vetëm në Evropë, por edhe në botë. Iljaz bej Mirahor
Myteveliu vdiq më 1512.
Varri i tij, i gruas dhe djalit të vogël, Sefer beut, ndodhen në
tyrben ngjitur me xhaminë e ndërtuar prej tij në vitin 1496.
Pinjollët e ardhshëm të derës se Mirahorit të Madh, nipër, mbesa,
stërnipër dhe stërmbesa, do të vazhdonin rrugën e bamirësisë të nisur
nga Iljaz bej Mirahor Myteveliu. Ata do të shkëlqenin si atdhetarë
dhe patriotë, por edhe si bejlerët e Korçës. Babai i Rustem
Myteveliut (junior), Hysen beu, si një atdhetar dhe patriot i
ndershëm, mori pjesë në jetën social-kulturore të qytetit të Korçës,
si anëtar i grupit "Lira". Gjyshja e Rustem Myteveliut (i riu) vjen
nga dera e Frashërllinjve, rilindasve tanë të shquar, Sami, Abdyl dhe
Naimi. Ajo është kushërirë e parë me nënën e Frashërllinjve, Eminenë.
Gjylistania, duke ardhur nga kjo derë rilindasish, ndikoi shumë në
edukimin dhe formimin e tyre patriotik. Gjatë viteve të pushtimit
fashist dhe nazist, kjo derë e bejlerëve të Korçës, pra,
Mytevelinjtë, u vunë në shërbim të Luftës Nacional-Çlirimtare, për të
cilën shkrinë, po ashtu, edhe pasurinë e tyre. Ata i kanë dhënë
luftës pesë partizanë, ku midis tyre, edhe dëshmoren e Atdheut,
Floresha Myteveliu, bija e Ruzhdi bej Myteveliut. Dy rrugë, shumë
ngjitur me njëra-tjetrën, rrotull xhamisë së ndërtuar nga Mirahori i
Madh, mbajnë emrin Iljaz bej Mirahori dhe Floresha Myteveliu. Por
gjatë regjimit komunist, dera e Mytevelinjve u godit në heshtje, ku
në një mënyrë apo në një tjetër, u konfiskohet pasuria, duke filluar
me shtetëzimin e malit të Rungajës, prishjen e disa shtëpive,
Imaretin, furrat e pjekjes së bukës dhe gatimit.
Varrezat e pinjollëve të Mytevelinjve, pasardhësit e Mirahorit të
Madh, ndodhen prapa tylbes, ngjitur me xhaminë 600-vjeçare. Aty
ndodhet edhe varri i Rustem bej Myteveliut (i vjetri). Por shumica e
varreve të Mytevelinjve do të sheshoheshin nga regjimi komunist dhe
mbi eshtrat e tyre do të ngriheshin vendstrehimet në rast lufte, pra,
bombardimit të aviacionit armik. Sheshimi i këtyre varreve, jo vetëm
ishte shkatërrimi i elementit historik me vlera kombëtare, por do të
lëndonte edhe ndjenjat shpirtërore, shqiptare dhe kombëtare të
Mytevelinjve. Rustem Hysen Myteveliu (i riu), me profesion ekspert në
urbanistikën e qytetit të Korçës, si një nga stërnipat e Mirahorit të
Madh, duke atribuar nga i pari i fisit të tij anët me të mira,
shprehet kështu për qytetin e Korçës, të themeluar nga Iljaz bej
Mirahor Myteveliu: "Korca ka një truall me një pjerrësi të favorshme
dhe të përshtatshme, për zhvillimin dhe ndërtimin e infrasrtukturës
së rrjetit rrugor, të lagjeve të banimit, shpërndarjen e zonave
ekonomike, industriale apo për çlodhje dhe të gjitha këto, janë të
lidhura në mënyrë organike, që i japin qytetit një komoditet, të
mjaftueshëm dhe në përshtatje me klimën. Kodrat e qytetit formojnë
një kurorë të larmishme ku mbi to ngrihet mali i Moravës, që mbron
qytetin nga përmbytjet dhe erërat e forta. Duke shfrytëzuar këto
elemente të pozitës gjeografike, Iljaz bej Mirahor Myteveliu i
famshëm, hodhi themelet e Korçës sonë". Duke u ndarë nga Rustem bej
Myteveliu (i riu) me këtë histori me shumë vlera kombëtare për
popullin tonë, për derën e bejlerëve Mytevelinj, si hedhës të
themeleve të qytetit tim, Korçës, në shpirtin tim vlonte krenaria
kombëtare, mirënjohja, respekti, nderimi dhe përjetësimi për këtë
derë bejlerësh patriotë dhe për Mirahorin e Madh.
Duke ecur nëpër rrugët me kalldrëm të lagjes sime, të lagjes së
Mirahorit të Madh, në mendjen time ishin të ngulitura 600 vitet e
themelimit të qytetit të Korçës, m'u kujtuan vargjet e Mihal
Gramenos: "Lumja ti moj Korçë, o lule/që le pas shoqet e tua/si trimi
në ballë u sule/ta paçim përjetë hua". Nuk do rresht së shkruari për
historikun e qytetit tim, Korçës, të bukur, mondan, modern, historik,
antik, të tolerancës fetare, të dijes e të kulturës, të arsimimit, të
ëndërrave të mia, të serenatave, të dashurive të pastra. Përkulem dhe
puth me respekt varrin e Mirahorit të Madh për këtë qytet që themeloi
dhe na la pas.
Historia e qytetit të Korçës
Zona e Korçës ka qenë e banuar qysh në kohët e hershme. Rrënojat
neolike të gjetura në këtë qytet tregojnë vazhdueshëm pushtimin e tij
brenda këtyre 6000 vjetëve. Është një numër i madh qendrash
arkeologjike të pazbuluara në këtë qytet, shumica e të cilave besohet
të janë të së njëjtës kohë me civilizimin mycenian në Greqi. Kjo zonë
luajti rol të rëndësishëm në shpërndarjen e kristianitetit bizantin
në Shqipëri; një kishë u themelua më 898. Qyteti modern e ka filluar
ekzistencën e tij në shek. e 15-të, kur Iljaz bej Mirahori, nën
komandën e Sulltan Mehmetit II, zhvilloj Korçën. Për një kohë të
gjatë qyteti rivalizohej nga Voskopoja, por me shkatërrimin e saj në
shek e 18-të, Korça mori një pozitë në këtë zonë që kurrë nuk e
humbi. Ajo ishte një pikë qëndrimi për rrugët e karvaneve dhe, në një
kohë nuk kishte më pak se 16 hane në qytet.
Ky qytet u bë në mënyrë të veçantë edhe qendër e rritjes së
ndërgjegjes kombëtare shqiptare. Në mars 1878 u ngrit shkolla e parë
që mësonte shqip në Shqipëri dhe më 1891 shkolla e parë shqipe për
vajza. Zona ishte në trazira gjatë luftërave ballkanike dhe pati dëme
të mëdha në popullsi dhe ndërtesa, nën shtypjen e lëvizjeve
iridentiste greke në atë kohë. Korça u pushtua nga forcat greke më 6
dhjetor 1912. Së shpejti u tërhoqën nga vendimet e Komisionit të
Kufijve, por u mor përsëri nga ta më 10 korrik 1914. Gjatë Luftës së
Parë Botërore qyteti u pushtua nga Austro-Hungaria, përsëri nga
grekët dhe më vonë nga trupat franceze në vitin 1916, që shpallën
Republikën Autonome të Korçës, njohur kjo edhe nga Greqia, si Korica.
U vendos, por u rrëzua për shkak se Greqia u hodh në luftë në anën e
aleatëve; Themistokli Germenji u qëlluan nga një skuadër pushkatimi
në Selanik. Pushtimi francez mbaroi në vitin 1920, por influenca
kulturore vazhdoi me Liceun Francez të Korçës. Në vitin 1929 banorët
e Korçës ishin aktivë në agjitacionin për kthimin e Vidit si monark i
Shqipërisë.
Gjatë viteve `30-të lëvizjet punëtore, u rrit shumë shtresa e grupit
komunist të Korçës; u bë bërthama e PKSH-së. Në vitin 1936, një
demonstratë e të papunëve u shyp brutalisht nga xhandarët e Zogut dhe
gazeta liberale e Korçës, "Bota e Re", u ndalua nga qeveria. Në
Luftën e Dytë Botërore qyteti ishte një pikë qëndrese e lëvizjeve
partizane dhe pikë e luftës antifashiste. Një demonstratë kundër
pushtuesve u ndalua nga trupat gjermane në vitin 1943.
Personazhe të famshëm të historisë
( Elita shqiptare e Turqisë )
Jahja bej Dukagjini
Është një nga djemtë e familjes së Lekë Dukagjinit, që mund të jetë
strehuar ose marrë peng dhe është rritur në oborrin e Sulltanit,
dalluar si ushtarak i zoti. Ka marrë pjesë në luftimet që komandonte
Sulltan Sulejman Kanuni në Tameshvar (Hungari)
Osman bej Dukagjini
Nipi i vezirit hero, Ahmet Pashë Dukagjinit, dhe biri i Mehmet Pashë
Dukagjinit. Ai ishte dijetar i urtë e punoi si kadi në Stamboll.
Hartoi veprën biografike "Kaditë e Stambollit"
Arkitekt Kasem Agai
Ka lindur në fshatin Grëmsh, të krahinës së Tomoricës. Rininë e parë
e kaloi në Berat. Pastaj i ati e dërgoi në Stamboll për studime
profesionale. U bë asistent pranë Koxha Mimar Sinanit (të madh) dhe
Sedefqar Mehmet Elbasanit. Duke u dalluar në punime arkitekturale, më
1595 u afirmua arkitekt i pallatit. Më 1622 u bë kryearkitekt. Ka
ndërtuar JENI XHAMI (Xhaminë e re) të Stambollit dhe ka edhe shumë
vepra të tjera.
Kryemjeshtër Mehmet Isa
Është arkitekt me origjinë shqiptare, një nga kryemjeshtërit e Tyrbes
së famshme TAXH-MAHAL në INDI. Mehmet Isai kishte lindur në Opar
Arkitekt Sinan Atik Agai
Ky arkitekt quhet edhe Sinan Isuf. Megjithëse nuk dihet plotësisht
jeta e tij, shumë shkrimtarë thonë se Sinan Atiku ka qenë shqiptar,
edukuar në pallatin osman. Ishte arkitekti që kishte ndërtuar XHAMINE
FATIH të Stambollit
Arkitekt Mehmet Sedefqar
Është marrë nga Elbasani më 1562 dhe u bë nxenësi dhe asistenti i
Koxha Mimar Sinanit. Bëri studime në Rumeli dhe Lindje të Mesme. Në
vitet 1597?1598 ai ishte drejtor i përgjithshëm i krojeve të
Stambollit, ku shërbeu 8 vjet. Më 1606 u bë kryearkitekt, ndërtoi dhe
zbukuroi mjaft faltore dhe pallate. Kryevepra e tij është Xhamia e
Sulltan Ahmetit (Xhamia Blu).
Dedë Ismail Efendi
Ka lindur në Stamboll, por rrjedh nga një familje shqiptare. Babai i
tij, Sulejman Agai, ishte shpërngulur nga Elbasani për në Stamboll.
Kishte blerë një hamam dhe nga ky mbante mbiemrin Kosturi, që e
shndëroi në Hamamizade (bir hamamxhiu). Këngët e tij u pëlqyen edhe
nga Oborri i Sulltanit. Më pas atë e emëruan kryemuzikant në Pallat.
Këngët ishin me karakter popullor dhe hartuar me një turqishte të
thejshtë. Kënga e titulluar "Fati im i zi, varet te flokët e tua", u
pëlqye shumë prej Sulltan Selimit. Dede Ismail Efendiu kishte
kompozuar më tepër se 200 vepra muzikore. Sot kanë mbetur të
paharruara dhe dëgjohen me kënaqësi, 160 këngë klasike turke.
Dijetarë të shquar turq, me origjinë shqiptare
HALIL PASHA BUSHATI
Poet dhe dijetar
HUSEIN QAMIL BEJ TEPELENA
Nipi i Ali Pashë Tepelenës, poet, ka vepra të botuara dhe rreth 15
dorëshkrime.
SELIM SIRRI PASHA
Nipi Ali Pashë Tepelenës, poet lirik i dalluar
MUSTAFA RESHIT SALIH PASHA
Lindi në Janinë, biri i Vezir Mehmet Aqif Pashës. Kishte hartuar
poema filozofike.
HASAN HAKI PASHA
Ka lindur në Shkodër dhe padishahut i qe paraqitur me petka
shqiptare. Shërbeu si zëvendësvali
NUMAN MENEMENXHIOGLU
Diplomat i dalluar, shërbeu si ambasador në Paris në fillim të Luftës
II Botërore. Deputet gjatë viteve 1955-1956 dhe 1957-´58.
TURHAN PASHA
I lindur në Janinë, diplomat dhe burrë shteti. Në kohën osmane
shërbeu si ambasador në Vjenë, Moskë, Madrid etj. Pas Luftës I
Botërore mori pjesë në qeverinë shqiptare. Në Konferencën e Paqes,
mbajtur në Paris më 25 shkurt 1919, mbrojti të drejtat shqiptare,
duke bashkëpunuar me shumë delegacione të diasporës shqiptare
Krijoni Kontakt