Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046

    "Hrushovi erdhi në Tiranë për të kërcënuar Enverin"

    Rrëfen Agim Popa, përkthyesi i Hrushovit gjatë vizitës në Shqipëri.

    Në majin e vitit 1959 një telegram urgjent nga Tirana e njoftonte se duhej të kthehej urgjent në Shqipëri. Agim Popa, studenti i filozofisë, e kuptoi se diçka e madhe kishte ndodhur, por rëndësinë e vërtetë të atij telegrami do ta kuptonte vetëm me mbërritjen në kryeqytet. Në komitetin qendror do t'I komunikonin me pompozitetin e duhur se i ishte ngarkuar e përkthyesit kryesor gjatë vizitës së Nikita Hrushovit në Shqipëri. Cilat janë deklaratat dhe ironitë e Hrushovit pas kuintave me udhëheqësit e atëhershëm shqiptarë.


    Zoti Agim, ju njiheni si njeriu që keni përkthyer personalitetet më të larta të shtetit të asaj kohe, madje edhe personalitete të rangut ndërkombëtar, siç ka qenë në vitet '60 Nikita Hrushovi. Ju ishit caktuar organikisht në këtë detyrë?
    Është e vërtetë se unë kam përkthyer Enver Hoxhën në shumë takime, ashtu siç kam përkthyer Mehmet Shehun apo delegacione të ndryshme që kanë ardhur në Shqipëri, deri te Nikita Hrushovi, për të cilin e theksuat dhe ju por unë dua të saktësoj një gjë lidhur me këtë çështje.unë nuk kam qenë me detyrën e përkthyesit si profesion. As nuk ka pasur ndonjëherë një funksion të tillë, përkthyes i Enver Hoxhës. Kur ishte nevoja për të përkthyer aktivizoheshin njerëz që e njihnin relativisht mirë gjuhën përkatëse, pavarësisht nga vendi i tyre i punës.

    Thatë se keni përkthyer Nikita Hrushovin gjatë vizitës së tij të bujshme që ka bërë në ato vite në Shqipëri?! Si jua ngarkuan konkretisht një detyrë të tillë?
    Ka qenë maji i vitit 1959, kur udhëheqësi sovjetik bëri një vizitë historike në Shqipëri. Në atë periudhë unë kam qenë në Moskë për të dhënë provimet pasuniversitare të filozofisë. Nuk e di kush ka propozuar që pikërisht unë të përktheja Hrushovin. Më thërresin të kthehem nga Moska. Ashtu bëra.

    A shkuat te Enver Hoxha apo Mehmet Shehu që të prezantoheshit apo t'u jepeshin porositë e nevojshme?
    Jo, nuk kishte të bënte me mua asnjë takim apo porosi. Unë do të bëja përkthimin dhe aq. Në momentin që pritej ardhja e avionit të posaçëm nga Moska, ashtu si gjithë ekipi qeveritar me Enver Hoxhën në krye, që shkuan në Rinas për të bërë ceremoninë e pritjes, shkova edhe unë për të kryer detyrën time, e cila do të fillonte pikërisht në ato momente. Hrushovi shoqërohej nga marshalli Malinovski, në atë periudhë ministër i Mbrojtjes i BS-së.

    Çfarë ju ka bërë përshtypje në ato përkthime, sigurisht nuk po flas për anën politike e dokumentare?
    Sigurisht që gjatë atyre takimeve pati edhe shumë episode, madje dhe tepër interesante, të cilat, duke i parë në retrospektivë, flasin për karakterin e Hrushovit, për marrëdhëniet e tij të atëhershme me Enver Hoxhën dhe udhëheqjen shqiptare, si dhe për qëllimet e vërteta të vizitës së tij në Shqipëri.

    Mund të jeni më i qartë në shpjegime kryesisht të episodeve që kanë ndodhur, si të thuash, jashtë kuintave?
    Qysh në momentin e zbritjes në aeroportin shqiptar, fjala e parë që tha Hrushovi ishte: "Gjatë qëndrimit tonë në Shqipëri ne nuk do të flasim kundër Jugosllavisë. Shpresojmë se edhe të zotët e shtëpisë do të veprojnë po kështu". Unë dhe të tjerët si unë, që nuk ishim në dijeni të domethënies së atyre deklaratave, më pas mësuam se ai e kishte vënë këtë si kusht paraprak dhe para se të nisej për në Shqipëri kishte dërguar një telegram ultimativ me një përmbajtje të tillë: "Në qoftë se gjatë ceremonisë në aeroport ose gjatë qëndrimit tonë në Shqipëri, ndonjë nga udhëheqësit shqiptarë do të flasë publikisht kundër Jugosllavisë, ne menjëherë do ta ndërpresim vizitën në Shqipëri, do t'i hipim avionit dhe do të kthehemi në BS". E vërteta është se kjo kërkesë e Hrushovit ato ditë u respektua me korrektësi. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri, Hrushovi bëri edhe shumë kritika për ekonominë shqiptare, pavarësisht se ato i shprehte gjysmë me shaka dhe gjysmë me të vërtetë.

    Mund të njihemi me disa prej tyre?
    Ka shumë të tilla, por unë mund të kujtoj ato më të spikaturat, që më ngelën jo vetëm mua në mendje, por edhe Enver Hoxhës e Mehmet Shehut. P. sh. duke udhëtuar me makinë nga Tirana drejt Durrësit dhe në zona të tjera të Shqipërisë, Hrushovi vuri re plepat që ishin anës së rrugës dhe pyeti se për çfarë duheshin. Kur i shpjeguam se duheshin për hije, gjelbërim e freski, ai tha: "Ju shqiptarët nuk e kollandrisni mirë ekonominë. Përse mbillni plepa dhe nuk mbillni në vend të tyre pemë frutore, p.sh. fiq?!".
    Ndërsa kur vizitoi Shkodrën, e çuan dhe në një fermë të re frutore në atë zonë. E shoqëruan Enver Hoxha, Mehmet Shehu etj. Atje ai pa se pjesa fushore e fermës ishte e mbjellë me hardhi, ndërsa kodrat rreth e qark ishin të pambjella. Atëherë nuk duroi dhe tha: "Kështu drejtohet ekonomia? Keni harxhuar kot këtë tokë pjellore në fushë me hardhi, në vend që hardhitë t'i mbillni në kodrat përreth, dhe në fushë të mbillni misër". Specialistët e bujqësisë i thanë se edhe kodrat do t'i mbillnin me hardhi, por meqenëse në atë fushë toka ka një strukturë tepër të thatë, aty nuk bëhet asgjë veç rrushit e fiqve. Hrushovi nguli këmbë në të tijën, madje propozoi të vihej dhe një bast se, po t'i bëhen shërbimet e duhura misrit aty, ai rritej mbi dy metra i lartë etj. Gjatë këtij debati ndërhyri Mehmet Shehu dhe tha: "Po të rritet misri në këtë tokë, unë pres kokën shoku Hrushov!". Hrushovi iu përgjigj: "Shoku Mehmet Shehu, të jap një këshillë, kokën mos e pre, se nuk të rritet më".

    Çfarë vërejtjeje tjetër bëri ai për ekonominë tonë?
    Vërejtje për ekonominë shqiptare Hrushovi bëri sidomos gjatë vizitës në Vlorë e Sarandë, ku pa plantacionet me agrume, si dhe disa pjesë që po shpyllëzoheshin nga shkurret. Ai, duke bërë aluzion për orientimin e bujqësisë shqiptare për prodhimin e bukës në vend, pyeti me ironi Mehmet Shehun: "Po këtu çfarë do të mbillni, grurë!?". Dhe vazhdoi: "Përse harxhoni tokën, punën, mjetet dhe paratë për të prodhuar grurë? Çmimet e grurit në tregjet ndërkombëtare nuk janë të larta. Grurë ju japim ne sa të doni". Ndërkohë, ai pyeti se sa grurë harxhon populli shqiptar për një vit, dhe pasi mësoi shifrën, tha: "Çudi, çfarë koincidence, pikërisht këtë sasi gruri hanë minjtë çdo vit në hambarët e Bashkimit Sovjetik!". Rekomandoi që në vend të grurit të mbilleshin agrume dhe fruta. Madje, me atë humorin e tij karakteristik, vazhdoi: "Të gjithë e dinë që unë jam partizan i patundur i kukuruzës ( misrit), por në tokën dhe klimën e Shqipërisë është gjynah edhe kukuruzë të mbjellësh. Mbillni fruta dhe agrume, do të dërgojmë çdo ditë një avion për t'i tërhequr. Do ta bëjmë Shqipërinë kopshtin e lulëzuar të kampit socialist!".

    Kishte gjë të keqe në këto premtime dhe rekomandime mes miqsh?
    Megjithse Hrushovi premtoi shumë, nuk do të kalonte veç një vit kur pala sovjetike refuzoi t'i livronte Shqipërisë një sasi gruri të domosdoshme për të përballuar pasojat e thatësirës së jashtëzakonshme të atij viti, duke e përdorur këtë si presion ekonomik ndaj udhëheqjes së pabindur shqiptare.

    Thatë se në atë vizitë Hrushovi shoqërohej nga ministri i Mbrojtjes i BS-së. Çfarë konstatuat ju te figura e tij?
    Mendoj se nuk ishte një zgjidhje e rastit që, gjatë vizitës në Shqipëri, Hrushovin e shoqëronte marshalli Malinovski, një ndër drejtuesit ushtarakë më të njohur në atë kohë edhe ministër i Mbrojtjes i BS-së pas shkarkimit spektakolar të Zhukovit nga ky post.Ai gjatë gjithë kohës së vizitës në Shqipëri ai qëndroi fare pasiv, me përjashtim të vizitës në Vlorë e Butrint, kur doli nga apatia dhe tregoi një interesim të gjallë për gjirin e Vlorës, ku ishte ndërtuar baza e nëndetëseve e Pashalimanit, si dhe për liqenin e brendshëm në Butrint, si baza ushtarake ideale për të kontrolluar e mbajtur nën kërcënim Adriatikun e Mesdheun.

    Është thënë se ai gjatë asaj vizite ka bërë disa herë presion mbi vetë Enver Hoxhën.
    Në mitingun e mbajtur në qytetin e Vlorës, Nikita Hrushovi paralajmëroi e kërcënoi botërisht Italinë e Greqinë të mos prekin Shqipërinë, sepse, siç tha ai, "në rast se bëjnë një marrëzi të tillë, do t'ju japim një përgjigje që s'do ta ndiejnë veten mirë". Prania e Malinovskit i jepte një peshë të veçantë këtij paralajmërimi, për të theksuar se ato nuk ishin fjalë të lëshuara në tym, por se e kishin seriozisht dhe se kundërveprimi do të kishte karakter ushtarak. Por, sipas mendimit tim, kjo deklaratë e tij në prani të Malinovskit destinohej thjesht për qeverinë italiane e greke, por në mënyrë të tërthortë për vetë Enver Hoxhën dhe udhëheqjen shqiptare, për t'i joshur ata me premtimin se kishin mbrojtjen e Bashkimit të madh Sovjetik. Kjo do t'i detyronte që të rrinin në orbitën sovjetike e t'i vinin brigjet e Shqipërisë në dispozicion të tyre, për të vendosur bazat kundër NATO-s dhe Perëndimit në përgjithësi.

    Mund të përmendni ndonjë rast që ai ta ketë sulmuar drejtpërdrejt Enverin?
    Patjetër që pati. Unë do të kujtoja disa fraza që ai shprehu gjatë momenteve interesante në vizitën që bëri në Korçë, ku pritja që iu bë atij dhe Enver Hoxhës nga populli ishte veçanërisht entuziaste. Në takimin me kuadrot që u zhvillua atje, Nikita tha këto gjëra: "Ju shqiptarët jeni njerëz të mirë, por keni një të metë: njerëzit që i doni, ju i lavdëroni aq shumë, saqë ka rrezik t'u rritet mendja. Por njerëzit nuk janë të përjetshëm. Ja, ishte në BS Stalini, një njeri i madh (duke e ditur se në Shqipëri Stalini gëzonte popullaritet të madh, ai bëri disa elozhe), por Stalini nuk do të ishte gjithmonë. Iku Stalini dhe erdhën të tjerë, që e bëjnë punë jo më keq se ai. Por edhe ne nuk do të jemi gjithmonë. Do të ikim ne dhe do të vijnë të tjerë, që do ta bëjnë punën më mirë se ne". Me siguri deklarata të tilla të Hrushovit nuk do të jenë pritur aspak mirë nga Enver Hoxha, të cilit duhet t'i kenë tingëlluar si presion për spostimin e tij nga ana e udhëheqjes sovjetike, në rast se do të tregohej i pabindur.


    Agim Popa, njeriu i preferuar inomeklaturës në përkthimin e rusishtes

    Agim Popa ka lindur më 14 maj 1927 në Elbasan. Arsimin fillor e kreu në qytetin e lindjes. Ka vazhduar studimet në Liceun Francez të Korçës dhe në shkollën normale të Elbasanit. Në vitet 1949 -1954 kryen studimet e larta në universitetin "Lomo-nosov" të Moskës, në Fakultetin e Filozofisë. Menjëherë pas çlirimit të vendit, ai ka qenë me punë në organizatën e rinisë të qarkut të Elbasanit dhe në aparatet qendrore të saj në Tiranë.Pas përfundimit të studimeve universitare dhe kthimit në Shqipëri, Agim Popa është emëruar me punë në shkollën e Partisë "V. I. Lenin" si pedagog i filozofisë marksiste (materializmi dialektik e historik), shef katedre dhe për një kohë jo shumë të gjatë zv.drejtor i saj. Në vitin 1958 ai u transferua në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë në përbërje të një grupi që merrej me problemet e luftës kundër të ashtuquajturit "revizionizëm modern". Në vitin 1972-1975 ai ka punuar si përgjegjës i sektorit të jashtëm të KQ të PPSh-së. Më mbrapa, për një vit ka qenë në Institutin e Studimeve M-L pranë KQ të PPSh-së. Ndërsa nga shtatori i vitit 1976 deri në fund të vitit 1980 si kryeredaktor i gazetës "Zëri i popullit", organ i KQ të PPSh-së.
    Nga 1 janari i vitit 1981 deri në shkurt të vitit 1991, kur doli në pension me kërkesën e tij, ka punuar sërish në detyrën e shefit të Sektorit të Jashtëm të KQ të PPSh-së. Pikërisht në detyrat që kryente dhe besimin që kishte krijuar, si dhe në profesionalizmin absolut që prezantonte në fushën e përkthimeve në gjuhën ruse, Agim Popa ka qenë nga njerëzit më të preferuar të nomenklaturës më të lartë të shtetit komunist për të bërë pikërisht përkthimet nga kjo gjuhë.


    Gjesti i çuditshëm i Enverit kur përcolli Hrushovin në Rinas

    Gjatë vizitës së Hrushovit në Shqipëri, me sa duket jo vetëm nga dokumentat e kohës por edhe nga ky rrëfim i Agim Popës, duhet të jetë krijuar një situatë e tillë: nga njëra anë, një ndjenjë alarmi te Enver Hoxha dhe shokët e tij, nga ana tjetër iluzione te N.Hrushovi për autoritetin dhe ndikimin e tij mbi shqiptarët. Duhet thënë se pritja që iu organizua Hrushovit në Shqipëri, mori pamjen e një feste të vërtetë popullore, një pritje që atij nuk i qe bërë kurrë as në BS, qoftë edhe në momentet më të mira të popullaritetit të tij atje. Nga një pritje e tillë atij duhet t'i jetë krijuar iluzioni se do të mjaftonte që ai të jepte sinjalin dhe shqiptarët do të ngriheshin e ta përmbysnin E. Hoxhën. Kjo jepet akoma më qartë gjatë punimeve me filmat e bërë në ditët e vizitës. Konkretisht për këtë, Popa shpjegon:
    "Unë nuk isha në përcjelljen e tij në aeroport ditën e largimit nga Shqipëria, sepse po atë ditë që herët u nisa për t'u kthyer në Moskë me avionin që transportonte dhuratat për Hrushovin. Por pati një moment interesant. Në Moskë për vizitën e tij në Shqipëri u përgatit një film dokumentar, tekstin e të cilit në gjuhën shqipe e përktheva dhe e lexova unë. Gjatë një seance pune për filmin, kur po shiheshin sekuencat e përcjelljes së Hrushovit në aeroport, regjisori i filmit, i cili, si edhe unë, nuk ishte në dijeni për fërkimet e brendshme midis udhëheqjes shqiptare dhe Hrushovit, tha: "Nuk më pëlqen paraqitja e figurës së shokut Enver në momentin e nisjes së avionit. Ai bëri një gjest sikur u çlirua nga diçka". Me syrin e hollë të artistit, ai kishte mundur të kapte gjendjen psikologjike të Enver Hoxhës në këto momente."
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

  2. #2
    Kalorës i Lirisë Maska e BlueBaron
    Anëtarësuar
    29-04-2002
    Vendndodhja
    Në Tironën e Ondrrave
    Postime
    5,046

    Mehmeti s'e takoi Titon në transoqeanikun anglez.

    Ngjarja se Mehmet Shehu kishte udhëtuar në të njëjtin vapor me Titon, të birin e Uinston Çërçillit dhe Fulcin, u hap në mënyrë të befasiishme në vitin 1981. Jo vetëm kaq, por ai, në kundërshtim me vijën e atëhershme të Partisë së tij dhe të Enver Hoxhës, ka bërë disa takime tepër misterioze me ata të cilët Shqipëria i njihte si armiq të betuar të saj. Gjithë ky alarm është dhënë nga vetë Enver Hoxha, pikërisht në vitin 1981, kohë kjo kur Kryeministri më jetëgjatë i Shqipërisë vrau veten dhe u shpall nga bashkëpunëtori i tij i disa dekadave "Armik i Partisë dhe i popullit". Kaq mjaftonte që ai lajm të merrte dhenë me një sensacion të paparë. Në të shumtën, si zakonisht në të tilla raste, çdo gjë që thuhej u besua absolutisht, gjë që shërbeu për një akuzë më shumë për Kryeministrin e hekurt. Por cila është e vërteta e padiskutueshme e atyre ditëve të qershorit të vitit 1960, kur Mehmet Shehu ka udhëtuar për në Nju Jork me transoqeanikun e Mbretërisë së Anglisë?


    Zoti Agim, ju keni përkthyer Mehmet Shehun në vitin 1960 në Asamblenë e OKB-së. Si nisi historia e shumëpërfolur e atij udhëtimi enigmatik?
    Ka qenë qershori i vitit 1960. Në selinë e OKB-së në Nju York do të zhvillohej Asambleja e rëndësishme e saj, ku shtetet anëtare do të merrnin pjesë në rang kryetarë shtetesh apo kryeministrash. Nga Shqipëria u vendos që delegacionin ta kryesonte Mehmet Shehu. Mehmeti mori një vendim, që në Asamble të fliste rusisht dhe jo anglisht, pavarësisht se këtë e njihte mirë. Mësoj se si përkthyes ai do të më merrte mua. Në atë kohë unë punoja në aparatin e Komitetit Qendror të Partisë së Punës, pikërisht në grupin që ishte ngritur për luftën kundër revizionizmit modern, i cili varej nga Ramiz Alia. Kështu, u nisëm për rrugën e gjatë, e cila deri në Nju York do të zgjaste më shumë se një javë. Që në Tiranë u vendos që delegacioni ynë të mos udhëtonte me vaporin sovjetik "Balltika", me të cilin do udhëtonin të gjitha delegacionet e vendeve të bllokut sovjetik, por të shkonte me transoqeanikun anglez dhe tepër modern "Kuin Elisabet" (Mbretëresha Elisabet). Në atë vapor hipëm në portin verior të Francës, pikërisht në atë të Sherburgut. Që në port mësuam se po me atë vapor do të udhëtonte edhe vetë Marshalli Tito, i cili, ashtu si dhe ne, po shkonte në Aasamblenë e OKB-së në Nju York.

    Sa persona ishit gjithsej në atë delegacion?
    Të gjithë bëheshim 8-9 veta. Siç thashë, ai delegacion kryesohej nga kryeministri Mehmet Shehu. Merrte pjesë dhe ministri i Jashtëm, Behar Shtylla.

    Ju organizuan pritje në vapor, meqenëse ishit delegacion i nivelit të lartë?
    Atje nuk mund të flitej për një pritje kortezie, pasi ishte thjesht një mjet udhëtimi, pavarësisht se ishte një mjet gjigant lundrimi, madje në atë kohë ishte vapori më i madh në botë për pasagjerë, i cili përfaqësonte mbretërinë e Anglisë. Me sa më kujtohet, duhet të ketë qenë rreth 84 mijë tonë, ndërkohë që kishte veç 1500 pasagjerëve edhe 1500 veta personel shërbimi. Atje na ishin rezervuar bileta të klasit të parë.

    Çfarë mund të thoni në lidhje me akuzat për Mehmet Shehun, të bëra nga Enver Hoxha, se gjoja në atë udhëtim paska bërë takime me Fulcin, Titon e Randolf Çërçillin, që konsideroheshin armiq të Shqipërisë?
    Mehmet Shehu me Behar Shtyllën ishin vendour në një kabinë të veçantë, ndërsa ne të tjerët në kabina të tjera. Vetëm në portin ku hipëm mësuam se po në atë vapor ndodhej dhe Titoja me delegacionin e vet, që do të shkonin në po atë mbledhje të Asamblesë së OKB-së. Gjithashtu në vapor mësuam se aty ndodhej edhe Randolf Çërçilli, i biri i Uinston Çërçillit. Këtu ka një koinçidencë domethënëse, që pikërisht i biri i Çërçillit, i cili ndodhej për udhëtim në atë Vapor, gjatë luftës kishte qenë përfaqësues anglez pranë shtabit të Titos në Jugosllavi. Ndërkohë, morëm vesh se Titoja ishte i ftuar i mbretëreshës së Anglisë në vapor.

    Çdo të thotë kjo?
    Duke qenë se shoqëria detare "Kunard" mbështetej nga shteti anglez, vapori përfaqësonte në të njëjtën mënyrë mbretëreshën e Anglisë. Shumë figura të larta të shteteve, kur udhëtonin me të, sipas preferencave të mbretërisë, konsideroheshin të ftuar të veçantë në vapor.

    Ju kishit pasur rast t'i shikonit?
    Titoja rrinte në një kabinë të cilën nuk e di ku e kishte, pasi ajo ishte një hyrje e plotë në kat tjetër dhe as kishte lidhje me katin ku ishim vendosur ne. Ne e shikonim vetëm në drekë, kur ai shkonte në restorantin e pasagjerëve të klasit të parë dhe bashkë me suitën e tij hante në tavolinën kryesore të tij, që mbahej e rezervuar posaçërisht për të. Madje, kur kalonim ne Shqiptarët njerëzit e shërbimit të tij në survejonin me një vëmendje të veçantë, për efekt sigurie për Marshallin. Herë tjetër nuk kishim mundur ta shikonim asnjë herë. Mbaj mend që me të në tavolinë, veç të tjerëve, ishte edhe Josip Gjergjia, i cili kishte qenë ambasador në Shqipëri para prishjes së marrëdhënieve të dy vendeve tona. Ndërsa Mehmet Shehut dhe Behar Shtyllës, me dëshirën e tyre, u shërbehej në kabinë.

    Lëvizte Mehmet Shehu nëpër vapor?
    Patjetër që lëvizte, madje bënte edhe qyfyre. P.sh. në një rast ai, duke bërë shëtitje në kuvertë, i shoqëruar nga të gjithë ne, duke qeshur me të madhe tha: "Këtu jam më i siguruar se kurrë, pasi nuk ia vlen që të mbytësh të gjithë këtë vapor kaq gjigant dhe modern për të eleminuar Mehmet Shehun. Pastaj, këtu kemi dhe Titon, kështu që garancia bëhet shumë herë më e lartë". Kuptohej që ato ishin shenja të holla ironie për udhëheqësin jugosllav. Por unë do të theksoja me forcë, ndryshe nga sa është thënë për vite të tëra, se ai nuk ka lëvizur asnjë herë vetëm dhe as është shmangur në asnjë rast nga ekipi i tij që e shoqëronte, pra nga ne.

    Thatë se ishte edhe djali i Çërçillit?
    Po ishte. E shikonim që lëvizte korridoreve dhe kuvertës. Thonin nëpër vapor që ishte Randolf Çërçili, pikërisht i biri i Uiston Çërçillit. Ai ishte rreth të 60-tave. Zyrtarisht ai paraqitej si gazetar.

    Është e vërtetë se Mehmet Shehu ka takuar kënd nga personalitetet e atij udhëtimi?
    Absolutisht jo. I biri i Çërçillit kishte kërkuar takim me të, me pretekstin e një interviste që dëshironte t'i bënte, por atij iu refuzua takimi. Në këtë rast kam qenë vetë dëshmimtar, kur Behar Shtylla, i ngarkuar nga Mehmeti, e mori në telefon dhe i ktheu përgjigje negative se kryeministri nuk kishte kohë që ta takonte. Pas kësaj ai që nga matanë receptorit e përplasi atë me nervozizëm. Dhe kaq.

    Jeni i bindur që Mehmeti nuk ka lëvizur dhe jashtë syve tuaj?
    Këtë e them me plot gojën, që ai absolutisht nuk është shmangur nga syrë tanë në asnjë rast. Dilte nga kabina dhe rrinim së bashku në kuvertë, duke shëtitur. E pëcillnim deri te kabina e tij dhe ne rrinim po në ato ambiente. Më mbrapa mora vesh, madje mes akuzave që dëgjova t'i bëheshin Mehmetit, se pikërisht në atë vapor kishte qenë dhe Fultzi. Por ne nuk e pamë në asnjë rast dhe nuk jam i bindur nëse ka qenë me të vërtetë. Unë di saktësisht se pesë ditë e pesë net, sa ndenjëm në atë vapor, nuk është bërë asnjë takim nga ana e Kryeministrit, me askënd. Unë këtë e them me shumë garanci, për vetë faktin se kam qenë prezent në atë udhëtim. Në Nju York pastaj na pritën me ceremoni, madje na shoqëronin me polici, ashtu siç vepronin me të gjitha delegacionet e shteteve komuniste, për të krijuar idenë se pikërisht ne ishim tepër të rrezikuar. Aty merrnin pjesë delegacionet e mbi 100 shteteve, të përfaqësuar nga kryetarët e tyre apo kryeministrat, siç ishte Titoja, Hrushovi, Kastro, që foli tepër shkurt, veç 4-5 orë etj.

    Ju keni përkthyer dhe Enver Hoxhën në mbledhjen e 81 Partive në Moskë? Çfarë mund të kujtoni nga ato momente?
    Në Moskë kemi arritur rreth datës 4 nëntor, se ishte llogaritur që delegacionet të merrnin pjesë në festimet e 7 Nëntorit. Delegacioni i PPSh-së përbëhej vetëm nga katër vetë: Enveri, Hysniu, Mehmeti dhe Ramizi. Ishte edhe ekipi i këshilltarëve, i përkthyesve dhe i personelit tjetër të shërbimit. Unë isha në grupin e punës, ku merrte pjesë dhe Foto Çami, Frederik Gjerazi, i cili ishte përkthyesi kryesor i delegacionit, Myfit Mushi, Haxhi Kroi etj. Ne konkretisht do të merreshim me materialet që do të duheshin në moment, si dhe me përkthime të ndryshme. Aty delegacioni ynë u vendos në një vilë të posaçme në kodrat "Lenin", ndërsa ne shkuam në ambasadë. Por kjo gjë nuk zgjati shumë, se shpejt u acaruan tej mase marrëdhëniet mes Enverit dhe Hrushovit dhe delegacioni, për efekt siguri,e erdhi në ambasadë. Madje, aty Enveri në një rast, kur ne kishim hapur materialet, na e bëri me shenjë që t'i mbulonim se kishte kamera të fshehta dhe përgjues deri në tavan. Kur filloi mbledhja, jo pa qëllim delegacioni shqiptar u vendos ngjitur me podiumin ku flisnin diskutantët, të cilët tundnin gishtin mbi kokën e Enverit sa herë që kritikonin. Sulmet kundër delegacionit tonë u ashpërsuan së tepërmi pas fjalës së Enverit, të mbajtur në datën 16 nëntor, kur kinezët kishin folur në datën 13. Unë isha në kabinën e përkthimit në fund të sallës, bashkë me Frederik Gjerazin, në momentin që fliste Enver hoxha, pasi lexonim në rusisht materialin e tij, të cilin e kishim parapërgatitur më shpejt. Që andej ndiqja reagimin e sallës, sidomos lëvizjet ironike të Hrushovit ndërsa fliste Enveri. Pas fjalës së tij gjithçka që ka ndodhur në atë sallë e kemi ndjekur të ulur mbrapa delegacionit tonë. Kur ndiqja atë që ndodhte në sallë, shumë herë vendoseshim në situata të vështira, nga sa dëgjonim mbi akuzat që i bëheshin delegacionit shqiptar dhe vetë Enver Hoxhës, si dhe nga gjestet ironizuese të Hrushovit.

    Ju e përkthyet në rusisht materialin?
    Në kabinë unë kam qenë bashkë me Frederik Gjerazin. Aty pjesën më të madhe të materialit e ka lexuar në rusisht (ishte i parapërkthyer) Frederiku, ndërsa një pjesë e lexova unë. Ne e përkthenim nga shqipja në rusisht fjalimin që mbajti Enveri, ndërsa të tjerët në kabinat e tyre e përkthenin nga rusishtja në anglisht, frëngjisht e spanjisht. Nga kabinat (prej xhami) ku ishim vendosur kishim mundësi të ndiqnim me sy çfarë ndodhte në sallë. Pas fjalës së Enverit, kur u ulëm në karriget tona pranë delegacionit, kishim mundësi më mirë të përjetonim gjithë atë histori që po ndodhte aty. Ndër ata që folën veçanërisht ashpër kundër PPSh-së, pas fjalës së Enver Hoxhës të datës 16 nëntor, ishin kryetarja e delegazionit të PK të Spanjës, Dolores Ibarruri, me pseudonimin "Pasionarja" dhe Vladaslov Gomulka i PK të Polonisë, i cili e cilësoi fjalimin e Enver Hoxhës një fjalim rrugaçësh.


    Enver Hoxha, për të ruajtur pozicionin e vet politik, u pozicionua hapur kundër Hrushovit

    Marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe ish-Bashkimit Sovjetik papritur filluan të ngrinin, që pas Kongresit XX të PK të BS Gjithçka më mbarapa u kristalizua pikërisht në konfrencën e Partisë së rrethit të Tiranës, në vitin 1956, ku Shqipëria ishte ndoshta nga të vetmet që nuk mbështeti erërat demokratike të atij kongresi. Mbledhja e Bukureshtit, ku PPSh-ja u pozicionua fuqishëm në mbështetje të PK të Kinës, duke kundërshtuar zyrtarisht Hrushovin, krijoi gjendjen tejet të vështirë mes dy vendeve komuniste që kishin filluar një përplasje të paprecedentë. Vizita e Hrushovit në Shqipëri në vitin 1959 ishte një paralajmërim për vetë udhëheqjen më të lartë komuniste të Shqipërisë së asaj kohe, për fatin që e priste shtetin në rast mosnënshtrimi ndaj vijës së përgjithshme komuniste të inicuar nga BS, ndërkohë që atje u prezantuan dhe favoret që do të kishin në rast pozicionimi pro asaj vije. Të gjitha ngjarjet dhe përplasjet diplomatike mes palëve u finalizuan në Mbledhjen e famshme të 81 Partive Komuniste e Punëtore nga e gjithë bota, ku Enver Hoxha jo vetëm me ashpërsinë që kishte treguar deri atëherë, por me një kokëfortësi të çuditshme paraqiti oponencën e partisë që drejtonte para të gjitha vendeve që pothuajse ishin në të njëjtën koherencë politike. Kjo do të bënte që nga ai moment të priste lumë sharjesh dhe goditjesh deri në diskretitime. Që nga ajo mbledhje filloi distancimi i menjëhershëm mes dy politikave tona, gjë që u konkretizua në mënyrën e menjëhershme dhe në ekonomi. Të gjitha kontratat e nënshkruara me supershtetin sovjetik u ndërprenë absolutisht, ndërkohë që u kthyen menjëherë dhe 1500 studentët që ishin vendosur në akademitë sovjetike.


    Enveri te "Titistët": Mehmeti bisedime të fshehta me Fulcin e Titon

    "... Kur Partia jonë përpunoi plartformën për qëndrimin që do të mbante në Bukuresht, duke i ruajtur vetes të drejtën që pikëpamjet e saj t'i shtronte në mbledhjen e rregullt të të gjitha partive (në nëntor të vitit 1960 në Moskë), Mehmet Shehu u ndodh në udhëkryq: Kujt t'ia prishte dhe kujt t'ia ndreqte? Të vihej në kundërshtim me udhëheqjen e Partisë, nuk i leverdiste, se e pësonte si Liri Belishova dhe gjithë armiqtë e tjerë antiparti. Por, si njeri i shumë agjenturave të huaja, duhej të llogariste, veç nesh e sovjetikëve, edhe amerikanët, edhe anglezët, edhe jugosllavët.
    Nga t'ia mbante ky poliagjent në këtë situatë të komplikuar?!
    Por puna erdhi që ai e gjeti rrugëdaljen në situatën e komlikuar që i ishte paraqitur. Në atë kohë (qershor 1960, shënimi im, F.V.) Mehmet Shehu u nis për në Nju-Jork në krye të një delegacioni qeveritar për në OKB. Ai udhëtoi me transatlantikun anglez luksoz "Kuin Elisabet". Ne e dinim se me këtë anije udhëtonte edhe Titoja, por as që na shkonte mendja se Mehmet Shehu mund të takohej me Titon. Tani marrim vesh nga shoqërues që ishin bashkëpunëtorë të tij e që tani janë në burg, se me këtë anije udhëtonte edhe Harri Fulci i CIA-s amerikane, edhe Randolf Çërçilli, që ishte personalitet i Intelixhens Servisit e që në vapor u paraqit si gazetar. Mehmet Shehu, si agjent i tyre, bëri gjatë disa ditëve të udhëtimit takime e bisedime të fshehta me Titon, Fulcin e R.Çërçillin, u parashtroi gjendjen dhe qëndrimet e Partisë sonë, acarimet që po lindnin me Bashkimin Sovjetik dhe qëndrimin që mendonte të mbante udhëheqja e Partisë sonë në Moskë.
    Strategjitë e tri agjenturave, jugosllave, amerikane dhe angleze, përputheshin dhe i sugjeruan superagjentit të tyre që 'të mbështeste' pa rezerva qëndrimet e udhëheqjes së partisë, që do të sillnin përçarjen e prishjen me Bashkimin Sovjetik...
    Mehmet Shehu u kthye plot 'kurajë' nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe u bë më katolik se Papa, tregohej i papërmbajtur 'në mbrojtjen' e vijës së Partisë sonë kundër planeve e qëndrimeve të Hrushovit e të udhëheqjes revizioniste sovjetike".
    Mund të shkëpusësh Çunat nga TIRONA, por kurrë nuk mund të shkëpusësh TIRONËN nga zemra e Çunave !!!

Tema të Ngjashme

  1. Polifonia Popullore
    Nga Eni në forumin Folklori shqiptar
    Përgjigje: 27
    Postimi i Fundit: 23-05-2023, 16:43
  2. Lista e 813 personave në kërkim nga Interpoli
    Nga Albo në forumin Portali i forumit
    Përgjigje: 54
    Postimi i Fundit: 29-12-2014, 10:16
  3. Libra te rinj
    Nga dodoni në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 89
    Postimi i Fundit: 11-01-2012, 21:14
  4. Kishat, Famullite dhe Misionet... ne Shqiperi, Kosove etj.
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 11-04-2006, 18:11
  5. Kishat dhe Misionet e Veprimit Katolik ne Shqiperi
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 04-04-2006, 16:50

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •