Sindikata e RTP-së kundërshton grevën e “grupit të vetëzgjedhur të drejtorëve” Kosovë
Sindikata e Pavarur e Radiotelevizionit të Prishtinës përmes një kumtese ka shprehur përkrahje për kërkesat e punëtorëve të RTP-së për t'u kthyer në vendet e tyre të punës. Njëherësh, kjo organizatë, të cilën e udhëheq Feriz Ratcokeri, ka deklaruar se nuk e përkrah “mënyrën që ka zgjedhur një grup i vetëzgjedhur drejtorësh të RTP-së, të cilët nuk janë legjitimë dhe nuk përfaqësojnë askënd”. Në kumtesë thuhet se protesta dhe greva kanë të drejtë të organizojnë sindikatat dhe askush tjetër, pra as “drejtorët e vetëzgjedhur të RTP-së”.
“Qëllimi i Sindikatës së Pavarur të RTP-së është zgjidhja e statusit të punëtorëve të RTP-së, siç janë kthimi në vende të tyre të punës, pensionimi i parakohshëm dhe ndihmat e tjera materiale, pa kushte.
BSPK-ja dhe Kryesia e SP të RTP-së janë duke vazhduar negociatat me organet vendore që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejtë dhe sa më mirë që të jetë e mundshme. Ne mendojmë se, ende ka hapësirë për negociata me Qeverinë e Kosovës dhe që Projektligji për RTK-në, që pritet ta miratojë Kuvendi i Kosovës, me disa vërjetje nga Kryesia e SP të RTP-së, të miratohet, por që pa zgjidhjen e statusit të punëtorëve të RTP-së, mos të bëhet bartja e pronës së RTP-së në RTK.
BSPK-ja përkrah protestat dhe grevat që organizohen nga Këshilli organizativ i sindikatave përkatëse, por jo protestat/grevat e organizuara nga një grup individësh të papërgjegjshëm, të cilët e quajnë veten drejtorë të RTP-së!
BSPK-ja përkrah qëndrimin e SP të RTP-së, lidhur me distancimin nga fyerjet dhe shpifjet që i bëhen Qeverisë dhe Parlamentit të Kosovës, nga drejtorët e vetëzgjedhur të RTP-së, siç është Qerim Ujkani me disa të tjerë, të cilët Qeverinë dhe Parlamentin e Kosovës i quajnë "të turpit", "Qeveri dhe Parlament bolshevik dhe rus", madje shkojnë edhe aq larg sa që kryeministrin dhe zëvendëskryeministrin i quajnë "bajlozë", siç ishte rasti në emisionin e mëngjesit të KTV-së, më datën 12.07.2005.
Prandaj, BSPK-ja dhe Kryesia e SP të RTP-së apelojnë te punëtorët e RTP-së që ta presin epilogun e dialogimit dhe të miratimit të Projektligjit për RTK-në. Por, nëse nuk realizohen premtimet e Qeverisë për zgjidhjen e statusit të punëtorëve të RTP-së, atëherë do të thirret tubimi i punëtorëve të RTP-së dhe do të vendoset për qëndrimet më të reja të SP të RTP-së, me ç' rast do të informohet edhe opinioni i gjerë”, thuhet në kumtesë.
Krijoni Kontakt