Close
Faqja 0 prej 5 FillimFillim 12 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 49
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,281
    Postimet në Bllog
    22

    Socialistët rrëzojnë kërkesën për hetim parlamentar të Nano

    Pas bisedës Nano-Abdiu, dënimi për trafikimin e armëve nga 15 vjet u ndryshua me 7deri në 10 vjet

    Trafiku i armëve, si u ndryshua ligji


    Shekulli

    TIRANE- Vërtetohet ndryshimi ligjor i Kodit Penal për pjesën e trafikimit të armëve, i bërë publik dy ditë më parë në sallën e Kuvendit, nga deputeti dhe botuesi i gazetës “Koha Jonë”, Nikollë Lesi, i cili, për këtë ndryshim ligjor, ka akuzuar direkt kryeministrin Fatos Nano, se ka dashur që të lehtësojë dënimet për trafikimin e armëve. Këtë akuzë tepër të rëndë deputeti Lesi e referonte në një bisedë të zbardhur nga SHISH në vitin 1997 mes kryeministrit Fatos Nano dhe Fehmi Abdiut (asokohe deputet dhe kryetari i komisionit të Ligjeve). Sipas Lesit, gjatë kësaj bisede, kryeministri Fatos Nano i kishte kërkuar Abdiut, ndryshimin e Kodit Penal, në pikat ku sanksionohej dënimi për trafikun e armëve. Dhe këto ndryshime janë bërë vërtet në 15 janar të 1998, vetëm një muaj nga biseda e bërë në “Rogner” mes Abdiut dhe Nanos. Edhe vetë Abdiu pranoi dje ndryshimet në Kodin Penal.

    Çfarë u ndryshua

    Sipas Kodit Penal të ndryshuar nga Partia Demokratike në 23.12. 1996 trafikimi i armëve konsidesohej në nenin 280 si një vepër penale dhe dënohej me 15 vjet burg dhe konfiskim të pasurisë. Në bisedën Nano- Abdiu, pikërisht ky i fundit i kishte sqaruar kryeministrit se neni 280 i Kodit Penal (përmes ligjit të datës 23.12.1996) ishte trajtuar si një dispozitë e veçantë, vetëm për trafikun e armëve për të cilën ishte parashikuar një sanksion deri në 15 vjet burg dhe konfiskim i pasurisë. Për këtë arsye, (duke ju referuar gjithnjë bisedës së bërë publike nga deputeti Lesi), Abdiu i ka thënë kreut të ekzekutivit se ky ligj (ku përfshihet edhe trafiku i armëve) duhej shfuqizuar menjëherë. Në të vërtetë nuk kaloi më shumë se një muaj dhe në 15 janar të 1998, neni 280 i Kodit Penal ndryshon në Kuvend dhe vepra penale e trafikimit të armëve nga 15 vjet burg dhe konfiskim pasurie parashikohet të dënohet nga 7 deri në 10 vjet. Pra kemi një lehtësim të masës së dënimit, në gjysmën e tij për trafikimin e armëve.

    Neni 280

    Në ligjin 8175 të datës 23.12.1996, juristët në kohën e qeverisjes së PD përgatitën një nen të veçantë për trafikun e armëve. Në nenin 31 të ligjit kërkohet ndryshimi i nenit 280 i Kodit Penal me këtë përmbajtje. “Vepra penale e prodhimit, mbajtjes, blerjes, shitjes, transportimit, importimit ose eksportimit të paligjshëm të armëve dënohet me pesëmbëdhjetë vjet burgim dhe me konfiskim të të ardhurave nga kjo vepër”. Më pas neni shtjellon edhe llojet e armëve që do të ishin objekt i veprës penale. Paragrafi në fjalë është ndryshuar në ligjin e datës 15 janar i vitit 1998 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin numër 7895, atë 27.01.1995 “Për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë”, i lexuar dy ditë më parë nga deputeti Lesi. Në këtë paragraf, (të ligjit 1998) masa e dënimit për trafikimin e armëve nuk është më 15 vjet, por 7 deri në 10 vjet. Ndërkohë që në Kodin Penal aktual neni që flet për trafikimin e armëve dhe municioneve, (neni 278 paragrafi a) parashikon masa më të larta dënimi nga 7 deri në 15. Ky ndryshim është bërë me kërkesë të ish-prokurorit të përgjithshëm, Arben Rakipi, përmes ligjint numër 8733, datë 24.1.2001. Në nenin 278 paragrafi a thuhet se, “importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin, i armëve dhe municionit luftarak, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. Por kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë ose sjell pasoja të rënda, dënohet me burgim nga 10 deri në 20 vjet”.

    Neni 31 i ligjit 8175 i datës 23.12.1996

    Neni 280 i Kodit Penal ndryshohet si më poshtë: Prodhimi dhe mbajtja e armëve në rrethana rënduese
    “Vepra penale e prodhimit, mbajtjes, blerjes, shtijes, transportimit, importimit ose eksportimit të paligjshëm të armëve dënohet me pesëmbëdhjetë vjet burgim dhe me konfiskim të të ardhurave nga kjo vepër kur:
    1. objekt i kësaj vepre penale janë armë të kalibrit të madh ose të rënda (mitralozë të rëndë, granatëhedhës, mortaja etj.) si dhe municionet e tyre;
    2. mjete ose pajisje luftarake që mbushen ose përmbajnë lëndë eksplozive a djegëse si bomba, mina, dinamit etj;
    3. vepra penale kryhet me cilësinë e një anëtari të një organizate kriminale për qëllimet e kësaj organizate;
    4. vepra penale kryhet për sigurimin e përfitimeve ekonomike
    nga trafiku i paligjshëm i armëve”.

    Si u ndryshua në 15 janar 1998

    Trafiku i armëve dhe i municionit

    Importimi, eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi, në kundërshtim me ligjin, i armëve dhe municionit luftarak, me qëllim fitimi material ose çdo përfitim tjetër, dënohet me burgim nga shtatë gjer në dhjetë vjet.

    Si u ndryshua në 2001
    Trafiku i armëve dhe i municionit

    Neni 278/a i Kodit Penal

    Neni 280 i Kodit Penal
    Përmbajtja: Prodhimi, mbajtja, shitja ose blerja e armëve të gjuetisë ose sportive, si dhe e municioneve të tyre, pa leje të organeve kompetente shtetërore, përbëjnë kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.
    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,281
    Postimet në Bllog
    22
    Meta: Përgënjeshtrimet e Nanos, të pabesueshme

    D.Tanushi

    TIRANË – Kryetari i LSI-së Ilir Meta ka shprehur dje, kënaqësinë për mbrojtjen që sipas tij, i bëri Parlamenti lirisë së shtypit në Shqipëri, duke goditur në këtë mënyrë përpjekjet e paprincipta dhe antiligjore të pushtetit të sotëm për të vënë nën kontroll mediat e lira”. “LSI shpreh shqetësimin e saj për faktet tronditëse të paraqitura nga deputeti Nikollë Lesi, të cilat implikojnë rëndë kryeministrin aktual të vendit, si dhe figura të tjera të rëndësishme publike, të përfshira sipas tij në afera trafiqesh dhe shkelje të hapur të ligjeve të vendit”,-tha Meta, i cili i pyetur nga gazetarët, shtoi se në periudhën kur bëhet fjalë dhe kur paraqiten faktet nga deputeti Nikollë Lesi, ai ka qenë deputet i thjeshtë dhe nuk i kujtohen ngjarje të tilla, por vlerësoi mënyrën e paraqitjes së fakteve sipas tij, nga deputeti Lesi. “Unë mendoj se përgënjeshtrimet kaq të vonuara dhe në mes të natës në fakt tregojnë një nxitim për të hedhur sadopak hi ndaj të vërtetave përvëluese që deputeti Lesi paraqiti në Parlament. Unë personalisht edhe në cilësinë time të mëparshme si ish-kryeministër i besoj plotësisht faktet e paraqitura nga deputeti Lesi dhe besoj se të gjithë shqiptarët kanë arsye të shumta për të mos besuar përgënjeshtrimet e radhës nga kryeministri aktual, i cili është kampioni i mashtrimit dhe i demagogjisë”, -ka thënë Meta, pas reagimit të kryeministrit Nano, i cili nëpërmjet zëdhënësit kundërshtoi Lesin. Përsa i takon justifikimit se këto lloj trafiqesh, në veçanti të armëve janë bërë për interesa të Kosovës mund të nxirrni vetë konkluzionin, tha më tej Meta. “Pra në të njëjtën deklaratë fakte të tilla konsiderohen si shpifje dhe ku nxirret justifikimi se këto gjëra janë bërë për interesa më të mëdha mund të kuptoni se vetë zëdhënësi i qeverisë ka konfirmuar faktet e vërteta të zotit Lesi”, -sqaroi Meta. Ndërsa përsa i takon patriotizmit të kryeministrit në fjalë mund të kujtoj se deklaratat e bëra gjatë bisedës së zbardhur në Parlament, janë bërë vetëm dy muaj pasi kryeministri në fjalë kishte deklaruar se kryeqyteti i Kosovës nuk është Prishtina, por është Beogradi, pra bëhet fjalë për një deklaratë të bërë në shtator të vitit 1998, shtoi Meta.

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,281
    Postimet në Bllog
    22
    Brokaj: Ka pasur trafik armësh, por jo nga shteti

    Shekulli

    Sabit Brokaj, ish-ministër i Mbrojtjes në vitet 1997-1998 është shprehur dje, se deri në prill të vitit 1998, kur ai ka qenë në qeveri nuk ka pasur trafiqe armësh në mënyrë të organizuar nga qeveria. Por ai është shprehur se mund të ketë patur trafiqe në rrugë private, pasi në atë periudhë kufijtë kanë qenë të gjithë të hapur dhe të pakontrolluar. “Deri në fundin e prillit të 1998, shteti nuk ka ndërmarrë trafik armësh si shtet. Lëvizja e armëve sidomos në kushtet kur në veriun e Shqipërisë, ku kufijtë ishin të pakontrolluar mund të ketë ndodhur, por jo në mënyrë të organizuar nga shteti”, -është shprehur Brokaj, i pyetur nga “Shekulli”. Edhe më pas, ai tha se shteti nuk ka organizuar trafik armësh. I pyetur në lidhje me bisedën e zbardhur nga deputeti dhe botuesi Nikollë Lesi, bisedë kjo midis kryeministrit Fatos Nano dhe Fahmi Abdiut, kryetar i Gjykatës Kushtetuese, Brokaj tha se nuk ka patur dijeni për detaje të asaj bisede, ndërsa ndryshimet në Kodin Penal janë të verifikueshme dhe janë të botuara në fletoren zyrtare.

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,281
    Postimet në Bllog
    22
    Sekretari për Çështjet Ligjore në PD tha se kryeministri duhet të japë dorëheqjen

    PD: Ja si e fshehu Abdiu qëllimin e ndryshimit të ligjit

    N.Perndoj

    TIRANE- Sekretari për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhjet në PD, Ilir Rusmali, deklaroi dje se, kryeministri Fatos Nano duhet të japë dorëheqjen pas akuzave të forta për trafik armësh, që u adresuan dy ditë më parë nga deputeti dhe botuesi i gazetës “Koha Jonë”, Nikollë Lesi. Akuzat e hedhura nga deputeti Lesi u hodhën menjëherë poshtë nga kryeministri Fatos Nano. “Unë besoj se kryeministri me deklaratën e djeshme ndoshta dhe me përcjelljet, që i janë bërë sot, është duke bërë një tentativë për të larë veten në rrugë shtetërore të njollave të tij, të cilën ia kanë vënë në kurriz. Njollë e madhe, por tërësisht e merituar. Nuk besoj se instrumentat, që ai ka në dorë mund ta çlirojnë nga kjo njollë. E vetmja gjë që mund ta çlironte do të ishte dorëheqja nga të gjitha postet, që ka aktualisht. Me qëllim që t’i faktonte shqiptarëve, që është i gatshëm që të mos shfrytëzojë pushtetin e tij politik për të zbuluar të vërtetën dhe hetimin e të vërtetës”,- tha dje Rusmali. Sekretari për çështjet ligjore dhe zgjedhjet shtoi se me ligjin numër 8175 datë 23. 12. 1996, (që u shfuqizua më pas përmes një ligji tjetër numër 8279, atë 15.01.1998), synohej në mënyrë të veçantë lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Qëllimi ishte shumë serioz dhe ishte një ndër ligjet më të rëndësishme me anë të të cilave parashikohej që të merreshin masa të dënimit dhe me një disiplinim të dispozitave të Kodit Penal. Ndërkohë që anonçohet ndërmarrja e një nisme ligjore individuale nga ana e Fehmi Abdiut për të abroguar këtë ligj të miratuar në kohën e Partisë Demokratike, e cila del e kuptueshme qartë se do të ishte platforma ligjore e tolerancës dhe e zhvillimit të krimit të organizuar. Ky ligj është 8279 datë 15. 1. 1998 i cili abrogonte ligjin me numër 8175, datë 23. 12. 1996”, - sqaroi ai

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,281
    Postimet në Bllog
    22
    Nano: Në 15 dhjetor ‘97 kam qenë në Londër

    A.Rama

    TIRANE- Kryeministria përgënjeshtron zyrtarisht për herë të dytë brenda 24 orësh, dokumentet e publikuara nga deputeti Nikollë Lesi në seancë plenare, lidhur me një bisedë të zhvilluar mes kryeministrit Fatos Nano dhe ish -kryetarit të komisionit parlamentar të Ligjeve Fehmi Abdiu. Zëdhënësi i qeverisë Aldrin Dalipi tha dje se kjo e ashtuquajtur bisedë, ishte një spekulim i plotë, kriminal dhe i rrezikshëm, pasi në 15 dhjetor të vitit 1997, kryeministri Nano ka qenë në një vizitë zyrtare 3 -ditore në Mbretërinë e Bashkuar në Londër. “Nga një verifikim i plotë i dokumentacionit zyrtar dhe publik të asaj periudhe, rezulton se në datën 15 dhjetor 1997, kryeministri Fatos Nano ka qenë duke zhvilluar një vizitë pune në Mbretërinë e Bashkuar, në Londër, vizitë që ka filluar që në datën 14 dhjetor dhe ka përfunduar në 17 dhjetor 1997. Për më tepër pikërisht në orën e pretenduar nga “dokumentet Lesi” se është zhvilluar një bisedë e tillë në hotel “Rogner”, kryeministri Nano ka qenë me sekretarin e Jashtëm britanik Robin Kuk”, -tha Dalipi. Ai pohoi se takimi në fjalë nuk ekzistonte, për rrjedhim as akuza dhe se Nano nuk kishte asnjë arsye për t’u paraqitur në komisionin hetimor, pasi edhe vetë gazeta “KJ” në atë kohë ka publikuar ecurinë e vizitës së kryeministrit në Londër.

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,281
    Postimet në Bllog
    22
    Abdiu: Kodi Penali ndryshoi, por jo në thelb

    A.Rama

    TIRANE- Ish -kryetari i Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu, ka hedhur poshtë përmbajtjen e materialit që deputeti Nikollë Lesi publikoi dy ditë më parë në Kuvend, ku paraqiten fakte kompromentuese rreth bisedës që ai ka zhvilluar me kryeministrin Fatos Nano në fundin e vitit 1997 sipas një përgjimi të realizuar nga SHISH. Abdiu, në atë kohë kryetar i komisionit parlamentar të Ligjeve, tha dje se materiali me të ashtuquajturën bisedë mes tij dhe Nanos, ishte i trilluar dhe ishte përdorur në një moment të caktuar për të përfituar politikisht. Ai pranon se Kodit Penal të vitit 1995, të ndryshuar nga PD në 1996 nuk i janë bërë ndryshime thelbësore nga Kuvendi në 1998, e lidhur me shfuqizime nenesh të rëndësishme, por vetëm disa përmirësime. “Asnjë ndryshim nuk ka bërë Kuvendi në Kodin Penal të vitit 1995, por vetëm ka plotësuar disa dispozita, që koha i bënte të nevojshme për t’u riformuluar. Ligji nuk ka pasur të bëjë në mënyrë absolute me heqje nenesh, veprash penale apo për trafiqe, pasi të gjitha veprat penale siç kanë qenë më parë kanë mbetur në KP dhe janë edhe sot e kësaj dite si në vitin 1998”, -tha Abdiu. Ai shton më tej se materiali ishte i mbushur me sajesa, duke u nisur edhe nga fakti që marrëdhëniet e tij me disa figura të PS-së të asaj kohe paraqiten si kontradiktore kur nuk kanë qenë të tilla.

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,281
    Postimet në Bllog
    22
    Ish-kreu i SHISH tha se ligji e ndalon që të flasë për çështje teknike

    Klosi: Përgjimi Nano-Abdiu, nuk mund të flas

    Shekulli

    TIRANË- Fatos Klosi, ish- kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror në vitin 1997, ka pohuar dje se ligji e ndalon që të flasë në lidhje me akuzat e Nikollë Lesit kundrejt Fatos Nanos. I kontaktuar dje në linjë telefonike nga “Shekulli” ai as ka mohuar dhe as ka pohuar faktin që Fatos Nano në atë kohë kryeministër i Shqipërisë, dhe Fehmi Abdiu, në atë kohë deputet dhe kryetar i komisionit parlamentar të Ligjeve, janë përgjuar nga agjentët e Shërbimit teksa po bisedonin në hotel “Rogner”. “Më vjen keq por unë nuk mund të flas në lidhje me këtë gjë. Këto janë probleme teknike që është e ndaluar për mua që t’i diskutoj. Unë jam i detyruar nga ligji që të mos them asgjë nga ato që kemi bërë në SHISH. Jam i pamundur që të flas për ato”, -tha dje Fatos Klosi. Sipas tij, ligji e detyron që për pesë vjet të mos tregojë gjëra teknike që ka marrë vesh gjatë kohës që ka qenë kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror. Ai e ka konsideruar pyetjen në lidhje me përgjimin apo jo të Fatos Nanos dhe Fehmi Abdiut si një aspekt teknik të punës së tij për të cilin nuk mund të flasë. “Kur bëhet fjalë për gjëra të përgjithshme unë edhe mund të flas. Ndërsa kur vijmë tek gjërat teknike e kam të ndaluar nga ligji që të tregoj ose të bëj komente të çfarëdo lloji”, -tha dje ish- kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror.

  8. #8
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,281
    Postimet në Bllog
    22
    Deputeti shprehet se ka filluar mbledhjen e firmave për të ngritur një komision hetimor në Kuvend për faktet e paraqitura

    Lesi: Komision hetimor për trafikun e armëve

    “Data 15 dhjetor 1997 nuk lidhet me datën e realizimit të përgjimit, kohën kur ajo është zbardhur”

    A.Rama

    TIRANE- Deputeti Nikollë Lesi, ripërsëriti qëndrimin e tij të mbajtur në seancë plenare, për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar që do të zbardhë faktet e paraqitura prej tij në Kuvend, lidhur me një bisedë të zhvilluar mes kryeministrit Fatos Nano dhe ish -kryetarit të komisionit të Ligjeve në atë kohë Fehmi Abdiu. Sipas transkriptit të paraqitur nga Lesi të hënën në Kuvend Nano i kërkonte Abdiut që të ndryshohej Kodi Penal në lidhje me trafikimin e armëve. Lesi i konsideroi të kota përpjekjet e kreut të qeverisë Nano për të përgënjeshtruar faktet e publikuara në seancën e ditës së hënë, kur u rrëzua kërkesa për heqjen e imunitetit parlamentar të tij. Sipas tij, data 15 dhjetor 1997 e paraqitur në dokumentin e transkriptuar në bazë të përgjimeve të realizuara nga shërbimet sekrete, nuk lidhet me datën e realizimit të përgjimit, por të kohës kur ajo është zbardhur dhe dokumentuar në SHISH. Lesi pohon se ai do t’i shkojë deri në fund kësaj çështjeje duke shtuar se ka filluar procedurat për mbledhjen e firmave të nevojshme për ngritjen e komisionit hetimor. “Data 15 dhjetor 1997, nuk lidhet me ato përgënjeshtrime që po mundohet të bëjë Nano, se në atë datë nuk ka qenë në Shqipëri. Unë e siguroj kryeministrin, që do të ngre një komision hetimor parlamentar për të zbardhur këtë ngjarje. Po vazhdoj me marrjen e firmave, për ta hetuar për këtë ngjarje dhe ngjarjet e tjera”, -tha Lesi. Sipas tij materialet origjinale që ai dispononte, do të viheshin në dispozicion të komisionit hetimor që do të ngrinte Parlamenti, ku sipas tij, duhej të thirreshin të gjithë ish-krerët e institucioneve kushtetuese në atë kohë si Prokuroria, SHIK etj. Deputeti Lesi, sqaron më tej se, ky komision nuk do të ngrihej për t’u hakmarrë ndaj kryeministrit Nano, ashtu si ky i fundit u hakmor ndaj tij duke urdhëruar Gjykatën e Lartë të kërkonte heqjen e imunitetit të tij parlamentar. Lesi ka pasur dje një takim me kryetarin dhe nënkrytar------------------------------------------ e Partisë Demokratike në “Rogner” ku mësohet se është diskutuar pikërisht mbledhja e firmave të depuetëtve për të paraqitur kërkesën për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Edhe sekretari për Çështjet Ligjore në PD Ilir Rusmali tha dje se nisma e Lesit do të mbështetet nga partia më e madhe e opozitës. Ndërkaq dy ditë më parë gjatë votimit në Kuvend, u rrëzua me shumicë votash kërkesa e Gjykatës së Lartë për heqjen e imunitetit të Lesit, e bazuar në padinë për shpifje dhe fyerje publike të ngritura nga bashkëshortja e kreut të qeverisë Nano, Xhoana Nano. Lesi, paraqiti në këtë seancë disa dokumente të cilat implikonin kryeministrin Nano në krijimin e lidhjeve për zhvillim trafiku me Kosovën dhe faktonin autorësinë e tij në vdekjen e një të moshuari nga Shkallnueri në Durrës me makinën e drejtuar nga Nano.

  9. #9
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    KJ

    .......


    NJEREZIT E NANOS, OFERTA SOKOL KOCIUT

    Ish-funksionarit te policise i ofrohet liria, nese mohon autoresine mbi pergjimin. I gjithe shteti ne gjendje gatishmerie. Por e verteta nuk mund te fshihet e manipulohet

    Parulla e kryeministrit Nano keto dite eshte: Gjithcka per te shpetuar cka mund te shpetojme! Ka mobilizuar shtetin ne cdo cep e zyre te tijen, qe ka lidhje me mbulimin e se vertetes se deklaruar ne parlament nga deputeti Lesi. Levizja me e fundit eshte nje oferte per Sokol Kociun, te cilit i kerkohet te mos pranoje autoresine e firmes mbi dokumentin akuzues, ne kembim te shume gjerave. SHISH, struktura te Policise dhe te Drejtorise se Burgjeve jane perfshire ne nje tension, aq sa ore e cast kryeministri pyet jo se cfare po ndodh me shqiptaret e hallet e tyre, por cfare po behet per te mbuluar apo zhdukur ndonje deshmi nga akuza e dokumentit te Lesit. Eshte nje gjendje gatishmerie numer 2, nga ato te padeklaruarat, por ku cdo funksionar eshte me gisht ne kembez.

    Por problemi eshte se Nano nuk e ka edhe aq te lehte. Deputeti qe lexoi nje dokument ku shkruhej se Fatos Nano e Fehmi Abdiu jane pergjuar ne dhjetor te vitit 1997 dhe biseda e tyre eshte transkriptuar me 15 dhjetor 1997, dhe qe posedon gjithashtu mikrokaseta per keto pazare, ka vendosur qe te ngreje nje komision hetimor parlamentar. Ky eshte fillimi. Nje komision tjeter parlamentar do te ngrihet dhe per aksidentin e Shkallnuerit, ku akuzohet zoti Nano si fshehes i krimit te tij. Megjithate, kryeministri, me djallezine qe e mbizoteron edhe ne veshtiresi si kjo, ku bomba i ka plasur ne dore prej disa ditesh, perseri u mundua ta coje sa me larg topin, e te tregoje se "kjo eshte nje ceshtje qe cenon Kosoven". Ne te vertete, zoti Nano qe ka qene kryeminister ne fundvitin 1997 dhe deri me 14 shtator 1998 sikur te kishte lejuar ne menyre zyrtare, por natyrisht te fshehte, dhenien e armeve UCK-se ne Kosove, por falas, atehere mund te quhej nje patriot.

    Por ne kohen e tij trafiku i armeve sillte dhjetera milione dollare perfitime per trafikantet e krimit te organizuar dhe shtetaret, por jo per shtetin. Gjithcka behej nen veshtrimin e strukturave, por jo per Kosoven dhe shtetin shqiptar, por per krimin e organizuar qe perfitonte. Pyetja eshte e thjeshte. Pse zoti Nano nuk i dha falas armet per luftetaret e Kosoves kunder Milloshevicit, por ua shiti atyre sa frengu pulen? Pergjigja eshte e natyrshme. Nanos me shume se sa e ardhmja e Kosoves, i interesonte e ardhmja e tij ekonomike. Perse zoti Nano shkoi ne Krete dhe u perqafua me Milloshevicin, nderkohe qe po vriteshin vellezerit kosovare? Perse nga Lisbona zoti Nano asokohe deklaroi se kryeqyteti i Kosoves eshte Beogradi dhe jo Prishtina? Keto jane qendrimet e tij te para pak viteve, jo te nje shekulli me pare. Ndaj zoti Fatos Nano, vetem per patriot nuk mund te shitet.

    Faktet jane tronditese dhe sidomos kronologjia e disa ngjarjeve. Nano hoqine fillim ligjin qe pengonte trafikun e armeve, dhe me tej kjo pune nisi. Si ka mundesi qe ne kete kohe, kur qeveriste zoti Nano ne fundvitin e 1997-s dhe deri me 14 shtator 1998, jane vrare Azem Hajdari dhe ish-ministri i Mbrojtjes se Kosoves, Ahmet Krasniqi? Natyrisht dhe shume vrasje te tjera. Per keto dhe per disa te tjera zoti Nano do te pyetet ne komisionin hetimor parlamentar qe po kerkohet nga deputeti Lesi dhe 34 deputete te tjere. Deputeti Lesi kerkon qe gjithcka te hetohet nga ky komision hetimor, pasi SHISH-i, policia, prokuroria dhe gjithcka tjeter eshte nen kontrollin e kryeministrit ne orvatjen per te fshehur provat. Komisioni hetimor do te kontrolloje edhe arshivat e SHISH-it dhe te Prokurorise se Pergjithshme. Do te therrase edhe zotin Nano si deshmitarin kryesor, pa harruar edhe shume e shume te tjere. Natyrisht edhe Sokol Kociun qe tashme nga zyrtar i larte i policise dhe Prokurorise, gjendet ne burg. Por edhe atje eshte shume i rrezikshem. Pasi eshte ai qe ka vene firmen ne biseden e pergjuar mes Nanos dhe Abdiut mbi trafikimin e armeve.

    Mesohet se njerez te kryeministrit aktual po mundohen te bejne nje oferte per ujdi me Sokol Kociun, duke i premtuar lirimin nga burgu ose para cash ne kembim te nje deklarate, se nuk eshte firma e tij ne dokumentin e paraqitur nga deputeti Lesi ne parlament apo te tregoje se ku ndodhet kaseta e incizuar. Por njerezit e kryeministrit harrojne se edhe nese e realizojne kete Pazar, perseri komisioni parlamentar do te kerkoje ekspertize nderkombetare te firmes se tij, pasi Kociu ka punuar ne shtet dhe ka plot dokumente me firmen e tij. Plus kesaj, komisioni do te kerkoje qe te behet edhe ekspertiza e zerit te Nanos dhe Abdiut nga incizimi i bere. Pra edhe kjo orvatje e mbremshme vone ne burgun ku ndodhet Sokol Kociu ka deshtimin brenda, pasi ka menyra te tjera per ta provuar dokumentin qe i lene mbrapa hilete kryeministrore. Problemi mbetet tek dera e zotit Nano, pasi ndryshimi i ligjit nr. 8175 date 23.12.1996 me ligjin nr.8279 date 15.01.1998, ku u hoqen shume dispozita ndeshkuese per trafikun e armeve nga socialistet, u be nga Nano, dhe ky eshte fakt publik tashme, e thote apo jo biseda e incizuar. Pervec ketij objekti, komisioni hetimor parlamentar do te hetoje edhe aksidentin e Shkallnuerit, do te therrase perseri kryeministrin Nano si dhe shume e shume zyrtare te tjere, pasi kaseta me zerin e Robert Qirios, ish-shef i qarkullimit ne Durres ne kohen e aksidentit te pasqaruar nga drejtesia, eshte nje akuze e forte per kryeministrin Nano dhe disa miq te tij. Te gjitha do te behen publike ne komision.

    Irritimi i kryeministrit keto dite tregon se ai e ka humbur edhe ate pak logjike qe i kishte mbetur nga vitet 1991-1997 dhe po shkon me duart e tij drejt nje hetimi te drejtesise qe do t'i kujtoje vitet 1993-1997. Zgjidhje tjeter nuk ka per te, pervec te perballet me drejtesine duke rrefyer te verteten. Tashme nuk akuzohet per vjedhje, si dikur, por per zullume te medha, qe i rendojne shikimin e mplakur. Edhe nese mundohet te shpetoje me ane te Prokurorise kete vit, i kujtojme - tha mbreme deputeti Lesi - se vitin e ardhshem kur opozita do te vije ne pushtet, do ta kerkoje trafikantin e armeve me Interpol kudo qe te shkoje. Pa zbardhur te verteten per Shkallnuerin dhe disa akuza te tjera, zoti Nano nuk mund te flere ne dyshekun e parase kryeministrore.

    Oferta e kryeministrit per Sokol Kociun eshte bere me marifet, pasi kane menduar se, edhe nese ai refuzon, te mos kete mndesi te flase per median. Megjithate, TV-Klan ka bere nje kerkese zyrtare per ta intervistuar ne burg Sokol Kociun lidhur me te verteten e dokumentit te ofruar nga deputeti Lesi para parlamentareve, por akoma nuk ka marre pergjigje pozitive nga organet kompetente. Gjithashtu mesohet se po thirren punonjes qe kane punuar apo punojne ne regjistrime te tilla qe te mos flasin ne lidhje me kete incizim te zotit Nano.

    Shteti eshte ne kembe, jo per qytetaret e tij, por per te mbuluar e shpetuar kryeministrin nga halli qe e ka zene. Zyra e kryeministrit ka vetem hyrje-dalje per kete problem. Hallet e tjera te shqiptareve nuk jane ne liste, ndonese asnjehere nuk kane qene prioritet i ketij kryeministri.






    ......

    shum po spekulojne klasa nanoiste keto dite..jo po ska qene Nano .. jopo nano ne angli..etj..
    Pse nuk po e xhirojn at kaset e tja u degjojm zerat atyre dy krokodilave abdi e Nano?

  10. #10
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    33,281
    Postimet në Bllog
    22
    Opozita mbledh 35 firma për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar

    Armët e Shkallnueri, Nano në hetim

    Komisioni do të hetojë për trafikun e armëve, aksidentin e Shkallnuerit dhe fyerjen e Ditës së Zisë Kombëtare

    Nevila Perndoj

    TIRANE- Grupet parlamentare të opozitës ligjëruan me firmat e tyre ngritjen e paralajmëruar të komisionit hetimor parlamentar ndaj kryeministrit Fatos Nano në lidhje me trafikun e armëve, aksidentin e Shkallnuerit ku gjeti vdekjen një person si dhe për fyerjen dhe poshtërimin që ai i bëri ditës së zisë kombëtare në 15 tetor. Dje, në fillim të seancës plenare, deputeti dhe botuesi i gazetës “Koha Jonë”, Nikollë Lesi, ka mbledhur një nga një deputetët e opozitës për të firmosur relacionin e përgatitur posaçërisht për ngritjen e komisionit hetimor. Janë plot 35 firma, numër i mjaftueshëm, në bazë të Kushtetutës, për të garantuar ngritjen e këtij komisioni. Në relacionin e përgatitur, shquhen qartë firmat e pothuajse të gjithë deputetëve të opozitës, përfshi këtu edhe deputetin Ligoraq Karamelo, i cili është shkëputur përfundimisht nga Partia e Bashkimit të të Drejtave të Njeriut. Komisioni hetimor parlamentar do të ketë si qëllim hetimin e akuzave publike të bëra ndaj kryeministrit Fatos Nano “për përfshirjen e tij në trafik armësh, aksidentin rrugor me pasojë vdekjen e një shtetasi dhe veprime në fyerje të zizë kombëtare”. “Komisioni hetimor duhet të hetojë dhe të nxjerrë konkluzione për akuzat e bëra publike në drejtim të kryeministrit për përfshirjen e tij në organizim dhe drejtim trafiku armësh, pas një dokumenti të paraqitur në seancën plenare të datës 8.11.2004. Komisioni do të nxjerrë konkluzione edhe për hetimin e ngjarjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete për kryeministrin në aksidentin rrugor të datës 2.2.2001, në Shkallnuer me pasojë vdekjen e shtetasit Petrit Ismaili dhe nxjerrjen e përgjegjësive për fshehjen dhe mbulimin e këtij aksidenti nga institucionet shtetërore. Komisioni duhet të vërtetojë gjithashtu edhe vërtetësinë e veprimeve të kryeministrit në fyerje dhe poshtërim të ditës së zisë kombëtare 15 tetor 2004”,- thuhet në projektvendimin, që së shpejti do të dërgohet për votim në Kuvend. Opozita parashikon që komisioni hetimor do të përbëhet nga 13 deputetë, 7 të maxhorancës dhe 6 përfaqësues të opozitës parlamentare. Kryetari i komisionit zgjidhet nga përfaqësuesit e opozitës parlamentare. Në bazë të rregullores së Kuvendit, komisioni ushtron veprimtarinë e tij për 30 ditë nga data e miratimit të përbërjes së tij në Kuvend.
    Relacioni
    “Ditët e fundit, mbarë shoqëria shqiptare është njohur me disa fakte tronditëse të veprimtarisë së kryeministrit Fatos Nano në përfshirjen e tij në disa afera trafikimi si dhe përgjegjësinë e tij në një aksident rrugor në Shkallnuer të Durrësit me pasojë vdekjen e një shtetasi të denoncuar më parë publikisht nga politikanët shqiptarë dhe media. Situata e krijuar kërkon domosdoshmërisht futjen e institucionit më të lartë në Shqipëri, Kuvendit të Shqipërisë, në kërkim për zbardhjen e së vërtetës ndërmjet instrumentit të hetimit parlamentar”, - thuhet në relacionin e përgatitur. Në relacion, deputetët e opozitës veçojnë se akuzat e fundit publike kanë ngjallur, sipas tyre, një reagim si të politikës ashtu edhe të shoqërisë civile dhe opinionit publik. “Të qëndrosh indiferent ndaj tyre në këto momente mund dhe duhet të quhet tradhti kombëtare, do të thotë shpërdorim në ekstrem i besimit publik të të qeverisurve për të siguruar një qeverisje më të mirë. Pikërisht Kuvendi si agregat i vlerave dhe përmbledhëse e interesave të shoqërisë nuk mund të qëndrojë indiferent përpara fakteve të tilla. Nga ana tjetër nëse ka institucion i cili tërësisht mund të investohet në zbulimin e së vërtetës është Kuvendi i Shqipërisë dhe kjo falë pavarësisë relative, që ka krijuar kjo fjalë në raport me ekzekutivin”, - thuhet në relacion.

    Komisioni hetimor duhet të hetojë dhe të nxjerrë konkluzione:
    I. Për akuzat publike të bëra në drejtim të kryeministrit për përfshirjen e tij në organizim dhe drejtim trafiku armësh, pas një dokumenti të paraqitur në seancën plenare të datës 8.11.2004.
    II. Komisioni do të nxjerrë konkluzione edhe për hetimin e ngjarjes dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete për kryeministrin në aksidentin rrugor të datës 2.2.2001, në Shkallnuer me pasojë vdekjen e shtetasit Petrit Ismaili dhe nxjerrjen e përgjegjësive për fshehjen dhe mbulimin e këtij aksidenti nga institucionet shtetërore.
    III. Komisioni duhet të vërtetojë gjithashtu edhe vërtetësinë e veprimeve të kryeministrit në fyerje dhe poshtërim të ditës së zisë kombëtare 15 tetor 2004




    Deputetët që kanë firmosur kërkesën

    1.Bardhyl Londo
    2.Uran Metko
    3.Arjan Starova
    4.Fatmir Mediu
    5.Teodor Laço
    6.Luan Malltezi
    7.Aleksandër Garuli
    8.Pal Dajçi
    9.Bamir Topi
    10.Ridvan Bode
    11.Edi Paloka
    12.Vili Minarolli
    13.Ferid Hoti
    14.Xhovalin Bzheta
    15.Pjetër Arbnori
    16.Marjeta Pronjari
    17.Zef Gjoka
    18.Azgan Haklaj
    19.Astrit Bushati
    20.Ilir Bano
    21.Shaban Memia
    22.Muhamet Ukperaj
    23.Besnik Mustafaj
    24.Pëllumb Berisha
    25.Valentin Palaj
    26.Gani Hoxha
    27.Dilaver Qesja
    28.Ndriçim Babasi
    29.Preç Zogaj
    30.Nard Ndoka
    31.Saimir Curri
    32.Ilirjan Berzani
    33.Jak Ndoka
    34.Ligoraq Karamelo
    35.Nikollë Lesi

Faqja 0 prej 5 FillimFillim 12 ... FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Nëse kërkoni persona në Turqi - bëjeni kërkesën tuaj këtu
    Nga White_Shadow:) në forumin Në kërkim të personave të humbur
    Përgjigje: 23
    Postimi i Fundit: 31-05-2015, 07:40
  2. PS 91 gjykata rrëzon kërkesën për rregjistrim
    Nga white-knight në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 16-01-2009, 11:06
  3. Autoritetet greke të Qiprios rrëzojnë murin ndarës të Nikozisë
    Nga DYDRINAS në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 11-03-2007, 09:10
  4. Francezët rrëzojnë kushtetutën evropiane në referendum
    Nga Kryeplaku në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 33
    Postimi i Fundit: 26-06-2005, 14:13
  5. Socialistët rrëzojnë heqjen e imuniteteve
    Nga Albo në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 23-05-2003, 20:37

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •