Më 15 dhjetor vijnë në atdhe eshtrat e Aleksandër Kondos. Xhelili, Shabani e Mitro kanë pranuar
“Pirro Dhima, eja për Sandrin”
Ftesë kampionit në nderim të Kupës “Kondo”
DRITAN LUNDRA
Dikush ka kënduar një këngë për ta kaluar në përjetësi, dikush i ka ende të nxehta duart nga përplasja sa herë që Aleksandër Kondo ngrinte peshën.
Dikush ka ende në sy lot për miqësinë, rivalitetin, por edhe për atë që Sandri ka bërë për sportin shqiptar. Të gjithë kanë nga pak brenda, por askush nuk ka atë që ka familja, dhimbjen, po akoma më shumë keqardhjen që asnjë ditë të vetme të vitit nuk ka mundësinë të çojë një tufë lule, të bëjë një rit mbi eshtrat e tij, apo të mbledhë të gjithë ata që e kanë respektuar në një përvjetor. Kampioni i madh i shtangës shqiptare, por jo vetëm i saj, Aleksandër Kondo është ndarë prej kohësh nga jeta. Për nder të tij do të organizohet Kupa “Aleksandër Kondo”, ku një prej të ftuarve do të jetë edhe i famshmi Pirro Dhima.
Aleksandri humbi jetën në një aksident automobilistik shumë misterioz dhe të përfolur, por më në fund duket se edhe familja e "shpirti" i tij do prehen të qetë në tokën e vendin ku ai lindi, u rrit, u bë kampion dhe asnjëherë nuk rreshti së dashuri. Pavarësisht nga ikja e tij, e cila edhe sot mbetet mister, pavarësisht nga vdekja aksidentale, e cila është një mister më vete, më në fund ata që e kanë dashur më shumë, ata që e kanë respektuar më shumë, ata të cilët kanë menduar se një ditë do bëhen aq të fortë sa Sandri, kanë vendosur dhe paguar gjithë kthimin e eshtrave në tokën amtare.
Kush janë ideatorët
Natyrisht, ata që kanë qenë pranë tij, ata që e kanë vlerësuar dhe në të njëjtën kohë ata që jo rrallë kanë rivalizuar me rezultatet e tij. Janë mjeshtrat Muharrem Berisha dhe Mirjan Hakani, si dhe presidenti i Federatës së peshëngritjes, Esat Ademi. Të gjithë kanë kontribuar, por bashkë me ta, ndoshta me një ndjenjë të madhe dashurie për sportin e sidomos atij të rëndë (pjesë e së cilës ka qenë edhe vetë dikur) ka kontribuar edhe presidenti i Telesport, Muhamed Malaj. Në ndihmesë ka ardhur edhe Ministria e Kulturës e Sporteve, e cila është pranë kësaj ndërmarrjeje, e cila mund dhe duhet quajtur e gjitha individuale. Individuale e atyre që e kanë pasur shok, atyre që vazhdojnë të ndjejnë ende pranë Sandrin e atyre që ndoshta deri sa të marrin frymë do vazhdojnë të kenë në kujtimet e tyre garat e njeriut, i cili shpresonte që një ditë të përfaqësonte Shqipërinë në Hollivud.
Ftesë Pirro Dhimës për nder të Kondos
Shpesh jemi krenuar, jo një herë, por në katër olimpiada rresht, pavarësisht se me një ndjenjë "faji" për ngritjen e flamurit grek e jo atij shqiptar kemi bërtitur e ulëritur për rezultatet e Pirro Dhimës. Mbase nuk do kishte kaq shumë ndjesi shqiptare për këtë peshëngritës, nëse gjatë një dite punë në Telesport nuk do shikoja pamje nga garat e tij, të cilat i përkisnin moshës 17 vjeç. As vetë nuk e kam kujtuar faktin, se përse më është dukur një garë e vërtetë olimpiade dhe përse pavarësisht faktit se kanë qenë gara që i përkisnin të paktën 17 vjetëve më parë, më është dukur vetja si në një garë të vërtetë. Personalisht, entuziazmin për fitoret e Pirro Dhimës e kam mbajtur përbrenda, por gjithmonë, ndoshta jashtë dëshirës, kam bërë tifo për të. Ftesa për Kondon i është bërë, bashkë me të edhe tre të tjerëve, të tre rekordmenë dhe kampionë, të cilët kanë pranuar. Janë Viktor Mitro, Agron Xhelili dhe Luan Shabani. Pirro e ka pritur me skepticizëm, jo se nuk ka dëshirë, jo se nuk do të respektojë Sandrin e madh, por thjesht për shumë arsye, të cilat dihen. Në këto kushte, apeli i atyre që e kanë thirrur për të nderuar shokun, mikun e pse jo edhe idhullin e tij të rinisë, por më shumë yni është: "Pirro eja, je i mirëpritur e për më shumë Sandri ka nevojë për emrin tënd, ashtu sikundër edhe ne shqiptarët kemi nevojë për një kampion të madh si ty".
Si do të organizohet ceremonia në nderim të Kondos
Më në fund, grupi organizator i kthimit të eshtrave të Kondos duket se ka gjetur fondin e nevojshëm. Janë 9400 dollarë amerikanë, nga të cilët janë siguruar 8600. Megjithatë, ata kanë bërë edhe programin. Duke mos dashur të sigurohen para kohe kanë menduar mbërritjen e eshtrave deri në 15 dhjetor. Atë ditë do bëhen homazhe në Teatrin e Operas dhe Baletit e më pas eshtrat e Kondos do përcillen për në varrezat e Kombinatit, aty ku kanë kërkuar edhe të afërmit. Një prej organizatorëve, Mirjan Hakani beson se gjatë varrimit do të jetë e pranishme edhe banda e ushtrisë.
Shou kampionësh në Kupën Aleksandër Kondo
Shumëkush mund të donte një gjë të madhe, por vështirë se mund të mendonte atë që lidhet me emrin e Sandrit, pra një Kupë në nderim të tij. Në fakt, në Shqipëri ka shumë kupa në shumë sporte, por asnjëherë nuk kam ndjerë sadisfaksion më të madh, të paktën në idenë e organizatorëve. Një Kupë në peshëngritje, me pjesëmarrjen e më të mëdhenjve të këtij sporti, aktualë dhe të tërhequr, shqiptarë dhe "shqiptarë", të cilët në nderim të kujtimit të Sandrit, një ditë para ceremonisë së sjelljes së eshtrave apo një ditë më pas të bëjnë një garë. Nuk e di, por ndjej një sensacion të jashtëzakonshëm, që në një ditë të vetme të shikojmë në pedanë mjeshtrat Berisha, Hakani, Nikolla e përkrah tyre të rinjtë e shtangës shqiptare. Veteranët përkrah të rinjve, por do ishte mrekullia vetë që këto breza të lidhur me një tjetër, atë që kontribuon për Greqinë, pra kampionët e mëdhenj Shabani, Xhelili, Mitro të jenë së bashku për herë e parë, por jo të fundit. Të tre kanë dhënë viston e të qënit prezent, por mbi të gjitha do të jetë kënaqësia më e madhe e sportit shqiptar të ketë pranë vetes edhe Pirro Dhimën, kampionin e trifishtë olimpik të medaljes së artë.
Agron Xhelili
Në vitin 1991, vlonjati largohet për në Greqi së bashku me Pirro Dhimën, Viktor Mitron, Luan Shabanin dhe Leonidha Kokën. Pas tre vjetësh ai bëhet anëtar i superekipit grek të peshëngritjes, që mundi superfuqi botërore si Rusia, Bullgaria apo edhe Turqia. Është renditur në vendin e katërt në Olimpiadën e Atlantës, viti 1996, në kategoriën e peshës 66 kg, pasi kishte ngritur gjithsej 322 kg. Ka qenë i martuar me sportisten e suksesshme shqiptare, Mirela Manajani, me të cilën është divorcuar më pas.
Luan Shabani
Është lindur më 28 tetor të vitit 1971 në Korçë dhe është larguar njëherësh me peshëngritësit e tjerë shqiptarë për në Greqi. Ka fituar medalje argjendi në Olimpiadën e Atlantës, 1996, në kategorinë 59 kg, ndërkohë që e ka përsëritur këtë arritje dhe në Olimpiadën e Sidneit, viti 2000. Në Olimpiadën e Athinës ka fituar medaljen e bronzit, por pas analizave antidoping, Shabani rezultoi pozotiv dhe iu hoq medalja e marrë.
Viktor Mitro
Ka lindur në Vlorë në vitin 1973 dhe ka filluar që në moshën 15-vjeçare të merret me sportin e peshëngritjes. Që nga viti 1995, përfaqëson Greqinë në kompeticionet ndërkombëtare, ku suksesin më të madh e ka arritur në Olimpiadën e Sidneit, viti 2000, duke marrë medalje argjendi në kategorinë e peshës 77 kg, pasi kishte ngritur gjithsej 367 kg. Edhe në kampionatet botërore të peshëngritjes ka zënë dy herë vendin e dytë në vitin 1999, si dhe dy vende të treta në vitet 1995-96, gjithmonë në kategoritë 76-77 kg.
Pirro Dhima
Kampion i trefishtë olimpik e po kaq herë edhe kampion bote. Njeriu më i fuqishëm në Greqi në sportin grek e njëkohësisht njeriu, i cili ka dalë nga shkolla shqiptare, por me rezultatet e tij ka bërë të jetë kampioni absolut jo vetëm në shtangë, por të errësojë gjithë sportistët grekë. Në olimpiadën e fundit zuri vendin e tretë, nuk ka ardhur asnjëherë në Shqipëri e ndoshta për nder të Aleksandrit do nderojë edhe gjithë ata që kanë bërë tifo për të.
Nesër do të lexoni
Arratisja e bujshme e Aleksandër Kondos ka sjellë shumë hipoteza. Shumë njerëz kanë folur, por më shumë kanë folur për vrasjen e tij misterioze, por deri më sot askush nuk ka sjellë momentet e arratisjes. Duke marrë shkas nga kthimi i eshtrave të Kondos, por edhe nga rrëfimi i njeriut, i cili thuri, ideoi e deri në momentet e fundit qëndroi me të në Beograd, Muharrem Berishës, në faqet e gazetës "Panorama" do zbardhet gjithçka që ka të bëjë me arratisjen. Ku ka qenë një javë para nisjes, çfarë i ka thënë falli në filxhan, kush kanë qenë ideatorët, pse nuk janë arratisur në Poloni, përse zgjodhën Beogradin, përse hipën në tren dhe ku i gjetën paratë. Të gjitha këto nga goja e Muharrem Berishës do i gjeni në numrin e ardhshëm të gazetës "Panorama".
Krijoni Kontakt