Dëshmia e majorit në pension, Ahmet Mehmeti, ish-inspektor në Shtabin e Përgjithshëm.
Pas diskutimit të ministrit Beqir Balluku, i cili u mbështet nga disa ushtarakë të lartë, fjala iu dha Prokurorit të Përgjithshëm të Ushtrisë, që deklaroi: "Letra që Dilaver Radëshi i ka dërguar udhëheqjes së lartë të partisë është një kundërvënie ndaj vijës së partisë dhe si e tillë ajo përbën shkelje ligjore e penale. Nisur nga kjo gjë, në emër të popullit, Dilaver Radëshi arrestohet". Pas kësaj, Dilaverit i vunë hekurat aty në sallë dhe e dërguan menjëherë në burgun e Tiranës. Kështu e kujton, 74-vjeçari Ahmet Mehmeti, atë mbledhje me ushtarakët e Garnizonit të Tiranës, në prillin e vitit 1966, kur u arrestua kolegu dhe shoku i tij i ngushtë kolonel Dilaver Radëshi, ish-partizan dhe kuadër drejtues në Brigadën e Mehmet Shehut, i diplomuar me Medalje Ari në dy akademi ushtarake në Bashkimin Sovjetik. Po kur u hodh fillimisht ideja për heqjen e gradave ushtarakëve shqiptarë, përse u trembej Enver Hoxha ushtarakëve që ishin diplomuar në Bashkimin Sovjetik dhe çfarë thuhej në Letrën e Hapur të Byrosë Politike në 1966 lidhur me atë çështje? Si u prit heqja e gradave nga ushtarakët e Shtabit të Përgjithshëm dhe cilët ishin dy kolonelët e atij shtabi që kundërshtuan vendimin e Byrosë Politike? Çfarë i shkroi Dilaver Radëshi Enver Hoxhës dhe si u prit diskutimi i tij në mbledhjen e zgjeruar me ushtarakët e Garnizonit të Tiranës?Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje të panjohura të vitit 1966 kur ushtarakëve shqiptarë iu hoqën gradat, na njeh majori në pension, Ahmet Mehmeti, me origjinë nga Tolari i Përmetit, ish-korrier partizan, i diplomuar në dy akademi ushtarake dhe më pas për Histori-Filologji në Tiranë, i cili për vite me rradhë shërbeu si inspektor në degën e Planifikimit të Mbrojtjes dhe Përgatitjes së Shtabeve pranë Shtabit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes.

Zoti Ahmet, kur u hodh për herë të parë ideja e heqjes së gradave për Ushtrinë Shqiptare?
Ideja për heqjen e gradave në ushtrinë tonë u hodh për herë të parë në prillin e vitit 1966, në Letrën e Hapur që dërgoi Byroja Politike e KQ të PPSH-së për të gjitha organizatat bazë të komunistëve. Në atë letër, e cila kishte tre boshte kryesore, bëhej fjalë për reformat që duhej të bëheshin dhe revolucionarizimin e mëtejshëm të partisë, pushtetit e ushtrisë. Një nga pikat kryesore që ngrihej në çështjen e ushtrisë ishte dhe heqja e gradave. Në atë letër të Byrosë Politike jepeshin edhe argumentet përkatëse se përse duhej të hiqeshin gradat dhe ndër kryesoret ishin: se kur ishte formuar ushtria partizane, gjatë luftës, nuk kishte grada, gradat ne i kishim huazuar nga rusët dhe, pas prishjes me ta, nuk kishim pse i mbanim; dhe argumenti i fundit ishte ai se ushtrinë ne e kishim marrë nga populli dhe nuk kishim pse të ndaheshim nga populli, duke bërë dallime me anë të gradave. Këto ishin tre argumentet kryesore, apo më saktë preteksti që ngrinte Letra e Hapur e KQ për heqjen e gradave në ushtri

Cili ishte shkaku i vërtetë, për heqjen e gradave ushtarakëve shqiptarë ?
Të gjitha argumentet që ngriheshin në Letrën e Hapur të Byrosë Politike për heqjen e gradave, ishin vetëm demagogjira, sepse e vërteta qëndronte ndryshe. Pas prishjes me rusët, Enveri nuk kishte më besim tek oficerët që ishin diplomuar në Bashkimin Sovjetik dhe trembej se mos ata i bënin ndonjë puç ushtarak. Prandaj ai nisi goditjen ndaj tyre, fillimisht duke u hequr gradat.

Si u prit Letra e Hapur e Byrosë Politike në organizatat bazë të partisë në ushtri?
Letra e Hapur, e cila u punua në të gjitha organizatat bazë, u punua edhe në organizatën e partisë të Shtabit të Përgjithshëm, ku bëja pjesë edhe unë, pasi në atë kohë isha instruktor në Drejtorinë e Planifikimit të Shtabit dhe njëkohësisht anëtar partie. Ajo mbledhje për punimin e Letrës së Hapur në organizatën e partisë të Shtabit të Përgjithshëm, e cila u zhvillua në prillin e vitit 1966 në zyrën e Petrit Dumes, u drejtua nga sekretari i organizatës, kolonel Xhaferr Peçi. Ndërsa referatin kryesor në zbërthimin e letrës, i cili ishte përgatitur nga një grup pune, e mbajti kolonel Elami Hado. Ndër të tjera, në referatin e tij Elamiu u ndal edhe tek heqja e gradave në Ushtri, duke argumentuar se ai veprim do të sillte pasoja jo të mira në forcimin e disiplinës ushtarake dhe në zbatimin me rigorozitet të detyrave të përgatitjes për mbrojtjen e vendit. Pas Elamiut u ngrit dhe diskutoi edhe kolonel Dilaver Radëshi, i cili diskutimin e tij e kishte përgatitur me shkrim. Me tone të larta, Dilaveri kritikoi stilin e metodën e punës të Shtabit të Përgjithshëm dhe vuri theksin tek problemi i heqjes së gradave, duke e konsideruar atë si një gabim shumë të madh që po bëhej në Ushtri. Pasi dha mendimet e tij për forcimin e mbrojtjes së vendit në kushtet e reja kur Shqipëria ishte distancuar nga vendet e bllokut komunist të Lindjes, Dilaveri bëri kritika të ashpra dhe të drejtpërdrejta për disa nga drejtuesit më të lartë të Ushtrisë. Në këtë kohë që Dilaveri po kritikonte me emra drejtuesit kryesorë të Ushtrisë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Petrit Dume, i tha Xhafer Peçit që ta ndërpriste menjëherë mbledhjen.

U ndërpre mbledhja?
Pas ndërhyrjes së Petritit, Xhaferi e ndërpreu mbledhjen, duke na nxjerrë ne jashtë në korridor, ndërsa vetë Petriti, i cili qëndroi brenda në zyrën e tij, u lidh menjëherë në telefon me KQ, duke folur me sekretarin përkatës që mbulonte Ushtrinë. Nuk dihet se çfarë bisedoi Petriti me të, por pas disa minutash ai doli dhe na tha: "Sot mbledhja mbyllet këtu dhe ajo do të vazhdojë nesër në sallën e kolegjumit të Ministrisë dhe do jetë mbledhje e zgjeruar.

Si u zhvillua mbledhja të nesërmen dhe ç'ndodhi aty me ata që ishin kundër idesë për heqjen e gradave në Ushtri?
Mbledhja u zhvillua të nesërmen pasdite në sallën e kolegjumit të Ministrisë dhe aty erdhën të deleguar Hito Çako e Dilaver Poçi, pasi ministri i Mbrojtjes, Beqir Balluku, ishte në Kinë me një delegacion. Tehu i të gjitha diskutimeve në atë mbledhje u drejtua kundër mendimeve e sugjerimeve që kishin bërë një natë më parë Dilaveri me Elami Hadon, me kritikat e ashpra për heqjen e gradave dhe metodën e stilin e punës të drejtuesve kryesorë të Ministrisë dhe Shtabit të Përgjithshëm. Në përfundim, mbledhja konkludoi përjashtimin e Dilaverit nga partia dhe transferimin e Elamiut nga Shtabi i Përgjithshëm në Brigadën e Rrëshenit, si shef Xhenjo.

Çfarë qëndrimi mbajtën Dilaveri me Elamiun në atë mbledhje?
Elamiu me Dilaverin nuk lëvizën asnjë presje nga ato që kishin thënë një natë më parë dhe nuk u tërhoqën edhe pas kritikave që u bënë aty. Për hir të së vërtetës, dua të them se, me disa përjashtime, pjesa më e madhe e të gjithëve ne që ishim aty në atë sallë, me mendje dhe me zemër ishim me Elamiun e Dilaverin dhe krejt të vetëdijshëm se ata kishin të drejtë. Por atyre të dyve u përpoqën që t'ua mbyllnin gojën, që të heshtnim ne të tjerët. Por Dilaveri nuk e la me aq. Para se të vinte në atë mbledhje, ai i kishte dërguar një letër direkt Enver Hoxhës, ku ndër të tjera i argumentonte se pse nuk duhej të hiqeshin gradat. Para se t'ia dërgonte atë letër Enverit, ku Dilaveri vuri emrin dhe firmën e tij, ai erdhi në zyrën time për të ma treguar. Unë i dhashë disa sugjerime vetëm nga ana drejtshkrimore, pasi Dilaveri i kishte kopsitur vetë të gjitha dhe nuk kishte nevojë për mendimin e askujt.

Çfarë ndodhi pas mbledhjes së dytë dhe letrës që Dilaveri i dërgoi Enver Hoxhës?
Pas mbledhjes së dytë që u bë në sallën e kolegjumit të Ministrisë, ku u vendos përjashtimi i Dilaverit nga partia dhe transferimi i Elamiut, unë e shoqërova Dilaverin deri tek godina e Komitetit Ekzekutiv, në qendër të Tiranës, duke biseduar me të për të gjitha ato që ishin folur në të dyja mbledhjet. Aty u ndava me Dilaverin, pasi ai e kishte shtëpinë tek Medreseja, ndërsa unë tek "Mine Peza". Dilaveri ishte ekzigjent për ato që kishte shkruar e thënë dhe nuk tërhiqej fare nga e vetja. Të nesërmen e asaj mbledhjeje, me urdhrin e Beqir Ballukut, u organizua dhe u mbajt një mbledhje tjetër në sallën e Shtëpisë së Ushtarakëve (aty ku është sot Dhoma e Tregtisë), ku merrnin pjesë të gjithë oficerët e Garnizonit të Tiranës. Dilaverin e kishin ulur me detyrim në rreshtin e parë dhe anash tij ishin dy oficerë të Sigurimit. I pari në tribunë foli Beqir Balluku, (i cili një natë më parë ishte kthyer nga Kina), dhe tehu i diskutimit të tij ishte: kuptimi e zbatimi i Letrës së Hapur të Komitetit Qendror, e veçanërisht problemi i heqjes së gradave në Ushtri. Pas tij, nga salla u ngritën e diskutuan disa kuadro të lartë, të cilët e mbështetën ministrin. Pati edhe ndonjë prej tyre, që tha: "Ne nuk na kanë lindur nënat me grada në supe". Më pas iu dha fjala Prokurorit të Përgjithshëm të Ushtrisë, i cili deklaroi: "Letra që Dilaver Radëshi i ka dërguar udhëheqjes së lartë të partisë (ai nuk përmendi Enver Hoxhën, të cilit i ishte drejtuar Dilaveri me letër) ështe një kundërvënie ndaj vijës së partisë dhe si e tillë ajo përbën shkelje ligjore e penale. Nisur nga kjo gjë, në emër të popullit, Dilaver Radëshi arrestohet". Pas kësaj, Dilaverit i vunë hekurat aty në sallë dhe e dërguan menjëherë në burgun e Tiranës.

Si qëndroi Dilaveri kur e arrestuan dhe cili ishte reagimi i sallës?
Dilaveri u prek shumë kur e arrestuan, por nuk foli asnjë fjalë dhe vetëm ktheu kokën prapa, ku një rresht pas tij isha unë. Edhe shumica e ushtarakëve që ishin në atë sallë qëndruan në heshtje dhe nuk folën asnjë fjalë. Pati edhe ndonjë që, kur dolëm nga salla, shprehu pakënaqësinë për arrestimin e Dilaverit. Të kthehemi tek letra e Dilaverit për Enverin. Që në atë kohë, por edhe më pas, është thënë se letra ka qenë anonime, pa emër. Letra e Dilaverit ishte me emër, mbiemër dhe firmë. Por në atë kohë, një letër e tillë, por pa emër (anonime), ku kundërshtohej heqja e gradave, Enver Hoxhës iu dërgua edhe nga një kuadër i lartë dhe tepër i rëndësishëm i Ministrisë së Brendshme, që, siç doli më vonë, ishte gjeneral-major Halim Xhelo, zv / ministër i Brendshëm dhe njëkohësisht Shef i Sigurimit të Ushtrisë. Për këtë gjë ai u burgos dhe u vetëhelmua në burgun e Burrelit, tamam atë ditë që u arrestua Beqir Balluku.

Si shpjegohet kjo koinçidencë?
Halim Xhelo kishte shpresa se do ta shpëtonte Beqir Balluku, i cili e kishte përkrahur dikur, kur kishte shkruar letrën për Enverin. Dhe, kur Beqirin e arrestuan, Halimi e humbi shpresën dhe i dha fund jetës.

Pse, Beqir Balluku nuk ka qenë për heqjen e gradave?
Ajo që ju thashë më lart për Halim Xhelon, flet më së miri për këtë gjë.

Të kthehemi tek arrestimi i Dilaverit. Nisur nga fakti se ju ishit shok i tij dhe e kishit lexuar letrën që ai i kishte dërguar Enverit, a patët probleme më pas?
Në mbrëmjen e asaj dite që u arrestua Dilaveri, në shtëpinë time erdhi gruaja e tij me gjithë vajzën. Kur unë hapa derën, ato më pyetën se ku ishte Diloja. Me keqardhje të thellë unë u mundova t'i qetësoja dhe u thashë se ishte mire. U thashë që të nesërmen të shkonin tek sekretari i Komitetit të Partisë të Ministrisë së Mbrojtjes, Niko Dodbiba, pasi vetëm ai mund t'i sqaronte për gjithçka. Gruaja e Dilaverit u zverdh në fytyrë, ndërsa vajza filloi të qante dhe u larguan. Unë mbylla derën dhe ato minuta që pasuan kanë qenë momentet më të vështira që kam kaluar në gjithë jetën time. Pak pas largimit të tyre, dera trokiti përsëri dhe kur e hapa pashë dy fytyra të panjohura. Njëri prej tyre ishte veshur me pallto ngjyrë blu dhe tjetri me kafe, të cilat në atë kohë i mbanin rëndom agjentët e fshehtë të Sigurimit të Shtetit.

Çfarë kërkonin ata?
Ata më pyetën nëse banonte në atë pallat një njeri, duke përmendur një emër që unë nuk e kisha dëgjuar kurrë. Pas kësaj, njëri prej tyre më pyeti se si më quanin mua dhe kur unë i tregova emrin tim ata u larguan. Ardhja e tyre kishte si qëllim që të verifikohej se tek cila derë kishin trokitur gruaja dhe vajza e Dilaver Radëshit. Të nesërmen e asaj nate në zyrën time erdhën dy oficerë të Sigurimit nga Ministria e Brendshme, të cilët kishin si qëllim të bënun hetime se çfarë do të thoshim ne për Dilaverin. Unë me shokun tim të zyrës u thamë: "Çfarë ka pasur Dilaveri, i ka thënë vetë me gojë dhe me shkrim. Ne nuk dimë më shumë asnjë fjalë". Pas kësaj ata u larguan, ndërsa mua më hoqën nga Ministria dhe më dërguan në një repart në periferi të Tiranës.


Enveri kishte frikë nga ushtarakët e diplomuar në Bashkimin Sovjetik

Lidhur me shkakun e vërtetë sepse Enver Hoxha vendosi që të hiqte gradat nga supet e ushtarakëve shqiptarë dhe a ishte ndikuar ai nga Kina për këtë gjë, Ahmet Mehmeti dëshmon: "Si fillim po ju them se Kina nuk kishte asnjëlloj ndikimi në idenë e hedhur në atë kohë për heqjen e gradave për ushtarakët shqiptarë, pasi në atë kohë ushtria kineze i kishte për vete gradat dhe as që ishte diskutuar për heqjen e tyre. Shkaku i vërtetë, pse Enver Hoxha kërkonte që të hiqeshin gradat nga ushtria shqiptare, ishte frika që ai kishte nga ndonjë puç ushtarak i mundshëm, gjë e cila i kishte lindur atij në kokë që pas prishjes me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961. Këtë gjë ai e lidhte me faktin se pjesa më e madhe e ushtarakëve të lartë shqiptarë kishin mbaruar studimet dhe ishin diplomuar në akademitë e Bashkimit Sovjetik. Pra, Enveri u trembej ushtarakëve shqiptarë, se mos ata ishin të lidhur me Moskën dhe një ditë të bukur do t'i bënin ndonjë puç për ta rrëzuar nga pushteti. Nisur nga kjo ide që ziente në kokën e tij që në fillimin e viteve '60, për të rrëzuar disi mitin që ishte krijuar në atë kohë për oficerët e lartë të ushtrisë shqiptare, ai vendosi fillimisht t'u hiqte gradat atyre, duke i bërë të gjithë njëlloj. Para se të vendoste për heqjen e gradave, Enveri kishte filluar gradualisht që të spostonte ushtarakët e lartë shqiptarë, duke i hequr ata nga Shtabi i Përgjithshëm dhe duke i transferuar ata nëpër rrethe të ndryshme të vendit. Në aktivin e Ushtrisë, që u mbajt në qytetin e Durrësit vetëm pak kohë pas Letrës së Hapur, ndërmjet të tjerash Enveri u shpreh: "Shtabet e njësitë duhen rinovuar me kuadro të rinj, që kanë mbaruar studimet këtu". Pas këtij aktivi gjeneral-kolonel Vehbi Hoxha (Hero i Popullit) u hoq nga Shtabi dhe u dërgua në Shkodër, gjeneral-kolonel Sadik Bekteshi (Hero i Popullit) u dërgua në Korçë, gjeneral-major Vaskë Gjino u dërgua në Flotën Ushtarako-Detare, gjeneral-major Spiro Shalësi u dërgua në Burrel, gjeneral-major Ernest Jakova u dërgua në Akademinë Ushtarake etj . Po kështu, në atë kohë u hoqën nga Tirana edhe një numër i madh ushtarakësh me grada më të ulëta dhe u dërguan nëpër reparte e njësi të ndryshme në të gjithë vendin. Pas kësaj, Enveri solli në drejtimin kryesor të ushtrisë kuadro të rinj, të cilët më pas do t'i rrinin gati për gjithçka".