Universitetet private nuk kanë imituar dot vlerat e tregut të lirë
Mero Baze
Nga aq sa më mbeti në mendje nga letra e hapur e Henri Çilit, ishte shqetësimi i tij për përfshirjen dhe mospërfshirjen e disa gazetarëve të njohur shqiptarë në evidentimin edhe të disa universiteteve të mirë në Shqipëri, ndërkohë që opinioni publik ishte i përfshirë në teledramën e Renzo Bossi-t. Dy ishin argumentet kryesore të tij. E para, që shumë prej nesh u kanë rekomanduar miqve apo familjarëve Universitetin Evropian të Tiranës dhe e dyta që ne kemi një lloj paragjykimi për tregun e arsimit privat. Me argumentin e parë nuk po merrem, pasi më duket e palogjikshme që për një raport personal me një pronar universiteti të mbaj një qëndrim publik. Do të them disa gjëra vetëm për atë se çfarë solli arsimi privat në Shqipëri, së paku deri tani.
Në çdo fushë të ekonomisë shqiptare pas vitit 1990 sektori privat ka bërë një histori më vete. Ai ka rritur cilësinë, ka evoluar tregun dhe ka prodhuar vlera. Mjafton të kujtojmë gjërat elementare, p.sh siç është buka që hamë sot dhe atë që hanim në vitin 1990 e deri tek apartamentet, stomatologjinë, furnizimin me ushqime, veshjet etj. I vetmi rast kur ne kemi treg privat, por nuk kemi zhvillim cilësor është arsimi. Më vjen keq të them që çdo student që ka mbaruar shkollën në vitin 1990 është shumë herë më i kualifikuar dhe serioz në diplomimin e tij sesa studentët e dekadës së pas viteve 2000, kur filluan të lulëzojnë godinat e universiteteve private. Kjo natyrisht nuk na jep të drejtën të ndalim arsimin privat, por duhet ta standardizojmë atë në një masë të tillë që ai të mos kthehet në një biznes të mbështetur mbi vesin dhe inferioritetin e njerëzve të paaftë mendërisht për të marrë një diplomë, por të mbështetet mbi ambicien e një njeriu që do të shkollohet. Lulëzimi i arsimit privat universitar dhe bumi i 42 universiteteve u mbështet mbi një kategori të ekzagjeruar shqiptarësh inferiorë, që duan një diplomë për stoli dhe jo mbi makthin që kisha unë apo mijëra të rinj të brezit tim se mos nuk na dilte e drejta e studimit për shkak të notave apo biografisë. Tashmë mendoj se kjo kategori shqiptarësh u konsumua, por dëmi që i bën imazhit të një të diplomuari është i pariparueshëm.
Bazuar mbi këtë ves njerëzor, unë nuk pranoj dot në bllok që këtu ka vetëm universitete të mira dhe universitete jo të mira dhe nuk mund të quaj fatlumë ata që kanë shkuar tek UET apo UMB dhe fatkeq ata që janë te ‘Kristali’. Unë më shumë jam i shqetësuar për ata studentë të ‘Kristalit’ që janë seriozë, që kanë shkuar në mësim, që e kanë merituar notën, që kanë qenë qysh në shkollë fillore apo tetëvjeçare në atë shkollë, pasi ata kanë shkuar aty për të studiuar dhe janë dëmtuar
nga një skandal, i cili është dhe virusi i universiteteve, jo vetëm private. Siç e theksova, universitetet private duhet ta përmirësonin cilësinë e arsimit dhe duhet të detyronin Universitetin Publik të ishte më cilësor dhe më elitar. Në të vërtetë arsimi privat universitar deri tani jo vetëm që nuk ia ka dalë të jetë vetë cilësor, por ka shkatërruar dhe Universitetin Publik, duke e bërë atë po ashtu një prodhues diplomash fiktive, dhe duke dypunësuar pedagogët e tij part-time në tregun privat. Brenda gjithë universiteteve ka studentë që kanë shkuar aty për të mësuar, si te publiku, te ‘Kristali’ tek UET, tek UMB, te NYU etj., dhe shqetësimi ynë do të jetë i fokusuar te mosfyerja e përkushtimit të tyre për të mësuar dhe ëndrra për t’u diplomuar. Dhe për t’u bërë kjo, ka vetëm një mënyrë, standard të njëjtë vlerësimi për ata që hyjnë e dalin në dyert e universiteteve. Vetëm kështu do të shpëtojmë nga Renzo Bossi dhe të ngjashmit e tij, por dhe nga nderet apo rekomandimet që krijojmë me pronarët e universiteteve, siç përmend dhe Çili shumë raporte të tij me gazetarët e njohur në Shqipëri. Deri më sot, nderi i vetëm që i kanë bërë universitetet private tregut të arsimit është e drejta e pafundme për t’u regjistruar, por kjo nuk duhet të ngatërrohet me të drejtën e pafundme për t’u diplomuar. Shqipëria ka nevojë urgjente të reformojë rrënjësisht standardin e universiteteve private, jo vetëm duke i rankuar ato me kritere të pabesueshme, siç dhe bën, por duke standardizuar vlerësimin e studentëve nga agjenci të specializuara, që korrigjojnë testet, esetë, apo provimet e studentëve, jashtë këtyre universiteteve.
Universitetet janë vende ku studiohet dhe lexohet, dhe u duhet hequr urgjent e drejta e vlerësimit të studentëve, ku qëndron dhe hallka e vetme korruptive e tyre. Vetëm kjo mund të na shpëtojë nga epidemia e diplomave dhe t’i kthejë universitetet private dhe publike në vend ku shkohet për të studiuar dhe jo në kartëvizita apo diploma të printuara për dekor.
Në fund desha të them diçka dhe për atë që Henri Çili e quan heshtje të pedagogëve të mirëpaguar. Mendoj se dëmi i dytë që kanë prodhuar universitetet private është humbja e pavarësisë akademike. Në çdo vend të botës, sidomos në vende problematike për demokracinë si kjo e jona, pavarësia akademike është një nga siguritë e mëdha që ka shoqëria për të shmangur deformimet e mëdha të demokracisë, por dhe për orientuar debatet te tema të mëdha të ekonomisë, politikës, reformave dhe standardeve të demokracisë. Falsiteti i elitave universitare, të prodhuara nga tregu privat, ka fyer në thelb pedagogët e vërtetë të këtij vendi, ata që dhe në kohë të komunizmit kanë shtrënguar dhëmbët, por s’e kanë ulur kokën. Mjafton të kujtojmë zgjedhjet e fundit lokale në Tiranë, kur vetë Henri Çili vuri në rresht gjithë pedagogët e universiteteve private dhe publike në favor të pushtetit, për të parë sa çfarë keqkatandisje ka pavarësia universitare për shkak të tregut privat. Është e vërtetë që pagat janë të larta, është e vërtetë se ata ndoshta nuk i meritojnë gjithë ato rroga, por as ne nuk e meritojmë të na shitet për elitë universitare një çupëlinë, që më shumë shikon gjoksin para pasqyrës sesa librat në bibliotekë dhe të presim pastaj prej saj të ketë pavarësi mendimi, apo më keq akademike. Duke mos qenë një treg konkurrent, por i favorizuar, arsimi privat universitar ka dëmtuar rëndë, së paku deri më sot, pavarësinë akademike, jo vetëm duke prodhuar studentë fals, por dhe pedagogë fals. Nuk dua të lëndoj askënd, se shumë prej atyre pedagogëve të vërtetë që punojnë në arsimin privat u kemi borxh përkushtimin për të investuar dijet e tyre në atë treg, por e sigurt është se ata janë alibi për një standard të ulët pedagogësh. Ndaj Henri Çili nuk ka çfarë pret prej tyre. Ata të mirët natyrisht që nuk flasin, pasi paguhen shtrenjtë për të mos folur, ata të dobëtit natyrisht që nuk kanë çfarë thonë përveç mirënjohjes që i quajmë dhe pedagogë.
Duke e mbyllur, dua ta them se rruga e vetme është të mos bëjmë hapa pas sa i përket tregut të arsimit, por hapa para përsa i përket standardizimit të tij. Dhe kam vetëm një propozim, agjenci vlerësimi kombëtare për testet, provimet dhe diplomat e studentëve, të cilat nuk kanë lidhje me universitetet. Të caktohen ato në fillim të vitit me konkurrim në raport me numrin e studentëve dhe nxënësve, të certifikohen për të korrigjuar teste, ese dhe provime, dhe ta bëjnë këtë pa ditur se i kujt universiteti është studenti. Një agjenci, fjala vjen, specializohet për korrigjim të matematikës, tjetra të lëndëve të juridikut, tjetra të ekonomisë e kështu me radhë. Vetëm ky hap i parë drakonian kundër spekulimit me notat dhe cilësinë universitare mund të ndalë ofertën që ka ende tregu për të blerë diploma që të përdoren ose si stoli, ose si alibi për vendet e punës në administratën shtetërore, e cila është konsumuesja më e madhe e këtij tregu informal.
Tema
Krijoni Kontakt