Roland Qafoku
Që nga 21 prilli i vitit 753 para Krishtit kur u themelua e këtej, Roma digjej nga dëshira për të zgjatur duart jashtë saj. Pushtoi tërë gadishullin e çizmes, Evropën Veriore, shtete që lageshin nga Adriatiku i Veriut, tërë Lindjen, Azinë dhe Afrikën dhe natyrisht edhe Ilirinë tonë të lashtë. Provincën në cep të Romës e quanin Iliri; Epirin, një kërcënim serioz; ndërsa Pirron, një i çmendur që për pak sa nuk ia dha truri dhe sulmoi vetë muret e perandorisë më të fuqishme që ka njohur njerëzimi mbi dhe. Për të gjitha këto, ne duhet të jemi krenarë që të parët tanë, ilirët dhe epirotët, kanë një vend jo dosido në historinë e Romës.
Duhet të sqarojmë të gjithë, se Epiri s’ka lidhje me Greqinë, lidhja e tij e vetme ishte Iliria. Ose Epiri dhe Iliria ishin një dhe të dy janë përfshirë në historinë e Romës, jo thjesht si vende të invaduara, porse mjafton të lexosh librin e Indro Montanelit, të sjellë së fundi në shqip nga shtëpia botuese “Besa”, dhe krenaria duhet të përfshijë këdo në venat e të cilit rrjedh gjak me prejardhje ilire. E nis me Pirron, që në vitin 279 luftoi në Askoli, ku u ndesh me ushtrinë romane. Fitoi me një humbje të madhe, por që famën ia dha më shumë bilanci pothuajse me një ushtar më tepër në këmbë se sa ajo që quhet fitore.
Arma e tij më e fortë ishin elefantët, porse edhe më e fortë se ajo ishte guximi i këtij strategu që kaptoi Adriatikun dhe Jonin për të sulmuar luanin e kohës, siç thirrej në atë kohë Roma. Por paraardhësit tanë nuk mbarojnë këtu. Vazhdojnë me Teutën, gruan mbretëreshë që ua nxiu jetën romanëve që “bënin shëtitje” këtej brigjeve. Ndonëse e pagoi haraçin keq, ajo do të mbahet mend si e para femër joromane që luftoi dhe udhëhoqi ushtri kundër Romës. Natyrisht nuk pati fatin e Kleopatrës së Egjiptit edhe për faktin se nuk dashuroi asnjë perandor roman.
Teuta jonë pati vetëm fatin e saj. Luftoi kundër romakëve, humbi dhe pagoi haraçin po të saj. Por kulmi i historisë së Romës për ne, është ajo që quhet beteja e betejave brenda për brenda perandorisë. Nuk dihet ende përse Çezari dhe armiku i tij, miku i dikurshëm roman, Pompeu, zgjodhën bregun e Ilirisë për t’u ndeshur në një betejë famëmadhe.
I pari u tërhoq Pompeu dhe pas tij Çezari, nga Roma shkoi në Brindizi dhe në brigjet ku ndodhet Shkëmbi i Kavajës është zhvilluar beteja që historianët romanë e quajnë edhe si një betejë civile.
Më tej u transferuan në jug të vendit, derisa mbërritën në Greqi. Ishte viti 48 para Krishtit, Çezari fitoi, Pompeu humbi, ndërsa ne shqiptarët, sot mund të gëzojmë se jemi pjesë e një historie të lashtë sa Roma e Lashtë. Edhe më mirë akoma, jemi pjesë e një historie që paraardhësit tanë na e lanë trashëgim.
Por bashkë me shuarjen prej 1 mijë vjetësh të një prej perandorive më të forta, më të larta dhe më të zhvilluara, në historinë e botës, shuhet si kripa në ujë edhe ajo pjesëz e historisë që ne duhet të na bëjë krenarë. A nuk duhet të ndjehemi krenarë, që edhe pse u rrethuam dhe u pushtuam nga perandoria helene dhe menjëherë më pas ajo romake, ne nuk u asimiluam si popull?
A nuk duhet të krenohemi, se ne qëndruam nën perandorinë romake po aq sa shumë popuj të tjerë që sot nuk ekzistojnë më mbi dhe? A nuk duhet të krenohemi, që ilirishtja jonë e vjetër, jo vetëm nuk u shua, por u pasurua?
Mjafton të përmendim se gjuha latine e vetë pushtuesit roman u shua, ndërsa genet e ilirishtes jetojnë sot në shqip dhe ky është një argument kaq i fortë për t’i qëndruar genit tonë të fortë.
Ajo që ne nuk duhet të krenohemi është e shkruara dhe përmendja e historisë. Sot në tekstet tona të historisë këto që shkruan i madhi Indro Montanelli ose kalojnë me një rresht, ose janë të qarta vetëm për autorët e teksteve që shkruajnë vetë, se lexuesi nuk kupton asgjë. A nuk do të ishte e udhës që në vendet kur kaloi dhe u ndesh Çezari me Pompeun të kishte një pllakatë apo më mirë akoma, një guidë historike, ku kaluan dhe thyen “brirët” kolosët e betejave antike?
Do ishte shumë pak, po të kemi parasysh se bota ua ka dhënë vlerën me kohë këtyre ngjarjeve të lashta. Në verën e këtij viti kalova pushimet në plazhin e Tekirovës në Jug të Turqisë. Një vend piktoresk, ku mali, deti dhe natyra ishin rregulluar mrekullisht me dorën e Zotit, të vendosura në një pikë të përbashkët. Por sa lezet kishte kjo panoramë kur një pllakatë afër plazhit tregonte se në atë vend mbretëresha e Egjiptit, Kleopatra, si dhe perandori romak, Jul Çezari, e kishin ngjizur dashurinë e tyre bashkë në këtë mrekulli të Zotit.
E pra, bëhej fjalë për nja 2050 vjet më pas. Por turistët kjo i tërhiqte pa masë. Ndërsa te Shkëmbi i Kavajës mund të gjesh hekur e beton pa fund, hotele, motele e pishina e restorante. Por askush që i frekuenton ato nuk e di se dy mileniume më parë është zhvilluar një betejë që përcaktoi ecurinë dhe fatin e ardhshëm të vetë Perandorisë së Romës. Donte Zoti dhe Kleopatra me Çezarin nuk e ngjizën dashurinë e tyre tek Shkëmbi i Kavajës, se ec e parashikoje si do të komentohej në Shqipëri, nëse dikush do të vinte të njëjtën pllakë si në plazhin turk të Tekirovës. Mirë dashuriçkat e Çezarit, por betejat e tij, a mund t’i lihen vetëm librave?
Po Oktaviani apo Augusti, perandori më i madh i të gjithë kohërave? Ishte duke studiuar në Apolloni kur mësoi se daja i vet, Çezari, u vra në një komplot në senat. I hipi anijeve dhe nga bregu ilir frymën e mbajti në Romë. U bë perandor dhe mori famë për besnikërinë, duke trashëguar cilësitë më të mira. Edhe ai lidhej me Ilirinë. Po Diokleciani, djali i një skllavi të liruar, një tjetër perandor ilir, ia shton bukurinë historisë së Romës që kishte prejardhje nga të parët tanë. Apo edhe momente të tjera që kanë ndikuar në historinë e Romës. Të gjitha këto nuk i lexojmë në një tekst të historisë së Shqipërisë. Por, në atë që ka shkruar Indrio Montaleni me gjininë e re të tij, historia erudite. Dhe, duhet dhe ndjehemi krenarë për ilirët tanë që na dhanë famë dhe shumë emër. Jemi me fat, që ata në mos nuk lejuan asimilimin, arritën të bëhen edhe perandorë.
I vetmi ndryshim me italianët e sotëm, ne kemi atë që nuk e shkruajmë historinë dhe mburremi vetëm në tavolina me fjalët kemi qenë ashtu e kështu. Por ka ardhur koha të themi se kjo nuk ka më vlerë. Më e mira është ajo që bëjnë sot italianët, e shkruajnë dhe e rishkruajnë historinë sa herë e ndjejnë të nevojshme. Prandaj Italia ka të drejtë të krenohet se sot ka një kryeqytet të lavdishëm, i cili falë modestisë së popullit kur thërret “Forca Roma”, aludon vetëm për një skuadër futbolli.
Krijoni Kontakt