Close
Duke shfaqur rezultatin -9 deri 0 prej 2
  1. #1
    ("ANDREA" ZEMRA BABIT) Maska e Genti^Itali
    Anëtarësuar
    19-09-2003
    Vendndodhja
    Itali ''Venezia''
    Postime
    635

    Vdes nga mbidoza e drogës babai i dy fëmijëve

    Viktima, 37 vjeç i martuar me dy fëmijë, kishte tentuar edhe më parë që të linte drogën por pa ia arritur qëllimit.

    Vdes nga mbidoza e drogës babai i dy fëmijëve

    Eduart Picirit është gjetur i vdekur dje në një ambjent të braktisur pas selisë së Partisë Socialdemokrate

    Artur Qoraj

    TIRANË- Megjithëse familja e kishte denoncuar në polici humbjen e Eduart Picirit prej tre ditësh, trupi i tij u gjet vetëm nga banorët mëngjesin e ditës së djeshme, nga pas selisë së partisë Socialdemokrate, në rrugën “Fortuzi” të Tiranës. Kufoma e 37 vjeçarit, baba i dy fëmijëve, u konstatuar nga një kalimtar prej erës së keqe që mbante zona e përhumbur dhe e rrethuar me gjithfarë dërrasash e mbeturinash. Aty babai i dy fëmijëve ka gjetur dhe prehjen e fundit, ndërkohë që dje në mëngjes një telefonatë ka lajmëruar familjen Piciri pranë ambasadës Polake, në rrugën e Durrësit, ngjitur me komisariatin nr. 3 të policisë se Eduarti ishte gjetur i vdekur nga overdoza. Zyrtarë të policisë së Tiranës njoftuan se shkaku i vdekjes së 37 vjeçarit ka qënë mbidoza e heroinës dhe këtë e ka vërtetuar edhe mjeko-ligjori gjatë ekspertizës paraprake.
    Shiringat e gjetura, qeset dhe shenjat në krah nga aget kanë qënë mëse të mjaftueshme për të zbuluar shkakun e vdekjes. Burime të policisë thanë se Eduarti njihej si përdorues i heroinës me anë të injektimit.
    Për t’i shpëtuar helmit të bardhë i riu kishte krijuar edhe familje. Të afërmit treguan se ishin njoftuar nga policia vetëm mëngjesin e djeshëm, kur ishte gjetur dhe trupi. “Ne kishim bërë dencim për humbjen e Eduartit prej tre ditësh”, sqaroi një i afërm i të ndjerit për gazetën “Shekulli”. Në lagje ai njihej si një djalë i rregullt dhe pa probleme. Por vesi më i keq që edhe të afërmit ishin munduar t’ia hiqnin ka qënë droga, nga e cila prej vitesh nuk kishte mundur t’i shpëtonte. “Nuk mund të themi më shumë. Kjo gjëmë ishte e papritur për ne”, shtojnë njerëzit e afërm të familjes, e goditur nga lajmi i vdekjes. Policia e komisariatit nr. 3 ka kryer hetimet e para dhe nga provat e mbledhura ka rezultuar si shkak i vdekjes mbidoza e heroinës së injektuar në gjak. Pikërisht dy ditë më parë u gjet i vdekur në Yzberisht Enkel Andoni, mekaniku 24 vjeçar, jo larg nga shtëpia e viktimës së djeshme të heroinës. Edhe Andoni kishte vdekur si pasojë e mbidozës. Burime të policisë cituan se rastet e vdekjeve nga lëndët narkotike vijnë në rritje. Ky fenomen është konstatuar edhe nga mjeko-ligjori që ka për objekt të punës së tij vërtetimin shkencor të vdekjeve të qytetarëve. Po burime të policisë thanë se Piciri kishte humbur prej tre ditësh, por se nuk kishin arritur ta gjenin, edhe pse ishte vetëm pak metra larg një prej bulevardëve, “Zogu i Parë” në Tiranë. Sipas hetimeve të kryera, 37 vjeçari ka arritur të gjejë një skutë të përshtatshme për të injektuar dozën e radhës. Vendi ka qënë i përshtatshëm dhe ku nuk mund të viheshe re prej kalimtarëve. Por era e keqe ka qënë një faktor në gjetjen e kufomës. Mjekët dhe burime të policisë shpjeguan për gazetën se një nga shkaqet e vdekjeve përveç sasive të mëdha të injektuara në gjak nga narkomanët, janë edhe përzierjet e dozave të heroinës me papastërti që helmojnë dhe bllokojnë damarët e gjakut gjatë qarkullimit të tij. Në rast se droga është e papastër, çka e vërteton edhe rënia e çmimit për dozë, 500-1 mijë lekë të reja, pasojat janë vdekjeprurëse. Rasti i djeshëm bëhet i treti brenda 12 ditëve të fundit dhe i këtij muaji.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    LINDI EDHE "ANDREA"

  2. #2
    ("ANDREA" ZEMRA BABIT) Maska e Genti^Itali
    Anëtarësuar
    19-09-2003
    Vendndodhja
    Itali ''Venezia''
    Postime
    635
    Doktori i shkencave, Gramoz Ylli, tregon pasojat që jep droga, shkaqet e vdekjeve dhe mundësitë për t’i shpëtuar

    Mjeku ligjor: Kështu vret droga

    “Droga e pastër është vështirë të gjendet dhe përdoret ajo e përzier. Ajo përzihet deri me gëlqere”

    Artur Qoraj

    TIRANË- Shifrat në rritje të vdekjeve nga overdoza kanë një ritëm të lartë, po aq sa është shpejtësia e vdekjes së një narkomani në momentin që ai injekton helmin në gjak. Për këtë fenomen janë shqetësuar edhe mjekët specialistë që këqyrin rastet fatale. Vetëm në dy javë, janë shënuar tre viktima të overdozës sipas njoftimeve zyrtare të policisë, por që nga reparti i mjeko-ligjorit duhen të paktën edhe disa ditë për të dhënë rezultatet shkencore. Një nga specialistët e vjetër të këtij institucioni, doktori i shkencave, Gramoz Ylli, tregon për pasojat që jep droga, shkaqet e vdekjeve si pasojë e konsumimit të lëndëve narkotike dhe apelin që u bën në mënyrë publike të gjithëve për të shëruar këtë plagë, sepse dhe mundësitë ekzistojnë. “Vdekja nga sasia e madhe e heroinës që ka papastërti dhe përzierje jo të sakta shkaktojnë edhe vdekje të sigurt tek konsumatorët, që quhen të shpejta. Ato mund të ndodhin edhe brenda disa sekondave, por nuk shkojnë më tepër se disa minuta”,- shpjegon profesor Ylli për gazetën “Shekulli”. Në një intervistë për gazetën, ai jep gjithë detajet që lidhen me studimin e rasteve të overdozës dhe shkaqet.
    Doktor Ylli, kohët e fundit janë shtuar rastet e vdekjeve që sipas policisë janë përcaktuar me shkak overdozën, sasinë e madhe të heroinës në gjak. Çfarë keni konstatuar ju si mjekë pas këqyrjes së viktimave për rastet në fjalë?
    Vdekjet e kohëve të fundit që kemi parë, kanë ngacmuar mendimin për të hedhur ide për overdozën, ose mbidozën e lëndëve narkotike. Bie në sy, qoftë në pamje të parë, pozicioni i kufomës, që në të gjitha rastet pothuajse janë identike në qëndrim. Koka varur dhe duart në pozicion injektimi të shiringës në venat e gjakut. Përpos kësaj, janë edhe disa rrethana të tjera, siç është ujët e hollë menjëherë pas injektimit të drogës dhe çrregullimeve në aparatin frymëmarrës. Duhet thënë se vdekjet nga overdoza vijnë si pasojë e çrregullimeve në aparatin e frymëmarrjes dhe luhatjet e zemrës pas injektimit. Vendngjarjet dhe kufomat shikohen me një grup ekspertësh dhe në veçanti për viktimën përgjigjet mjeko-ligjori, për të dhënë dhe shkakun e vdekjes. Për një mjek me eksperiencë është kuptimplote shprehja “edhe kufoma flet”.
    Ç’do të thotë “edhe kufoma flet”?
    Ajo që ne shikojmë në pamjen e jashtme të personit. Shpjegova dhe më sipër për pozicionin e qëndrimit, efektet anësore të pas injektimit dhe më tej analizat e gjakut dhe të urinës që i bëhen viktimës pas gjetjes së trupit. Në të gjitha rastet është veti që një narkoman në overdozë urinon dhe kjo shërben për të vërtetuar shkencërisht shkakun konkret. Në të gjitha rastet kjo veti ka ndihmuar edhe në përcaktimin shkencor pas analizave për shkakun e vdekjes.
    Po për tre rastet e fundit mund të flitet shkencërisht për vdekje nga overdoza?
    Duhen pritur edhe disa ditë për dy viktimat e fundit. Për rastin e parë të dy javëve të shkuara, mund të them se nuk është gjetur asnjë element i domosdoshëm për analizat, pasi kufoma ishte pothuajse e dekompozuar dhe përfundimi shkencor ishte i pamundur. Kurse për dy rastet e tjera duhet pritur dhe disa ditë, megjithëse këqyrja tregon se flitet për mbidozë dhe janë gjetur prova në vend, përsëri shkencërisht është herët të jepet një konkluzion. Pasi bëhet këqyrja e jashtme e kufomës, jepet mendimi për shkakun pas analizave komplekse.
    Flitet për drogë të papastër e cila shitet në treg dhe që është edhe shkak i vdekjeve të narkomanëve. Ka ndonjë konkluzion shkencor për overdozën?
    Nuk mund të thuhet vetëm se ka papastërti dhe ajo shkakton vdekjen. Ka shumë komponentë që çojnë në vdekje një narkoman. Kryesorja është sasia e madhe e drogës që injektojnë në venat e gjakut,nga merr edhe kuptimin shprehja “overdozë” që do të thotë mbidozë, mbi normalen. Shkaku kryesor është lënia e konsumit të drogave nga përdoruesit për një kohë të gjatë dhe rikthimi përsëri tek ajo me të njëjtat doza si më parë, duke dhënë dhe goditjen fatale. Shprehja overdozë, e marrë nga substancat narkotike, ka kuptime të ndryshme, në raste të ndryshme, sipas llojit të substancës, përzierjes, sasisë.
    Si shpjegohet ky fenomen?
    Droga e pastër është vështirë që të gjendet dhe detyrimisht që përdoren doza me papastërti, në kuptimin që përzierjet nuk janë të përshtatshme, u futen deri dhe gëlqere,duke dhënë reaksione të ndryshme, ose më saktë nuk bëhet përzierja e duhur. Lënda narkotike kërkon komponentë të përshtatshëm, pasi në të kundërt, bëhet vdekjeprurëse. Por shkaku kryesor mendoj se është rikthimi tek droga pas një kohe të gjatë shkëputjeje dhe injektimi në vena. Ka më pak mundësi që vdekja të vijë duke e marrë lëndën nga hunda se nga gjaku.
    Pse është rrezik rikthimi tek droga nga të sëmurët?
    Sepse trupi e ka humbur ekuilibrin, ndërsa personi që e konsumon e nis menjëherë me një dozë të madhe si dikur.
    Cilat janë shenjat pas injektimit?
    Sapo mbaron injektimi në venat e gjakut, narkomanit i krijohet gjendja e asfiksisë, bllokohet qendra e frymëmarrjes, ka çrregullime të ritmit të zemrës, deri në vdekje. Vdekjet janë të shpejta, sipas sasisë e llojit të drogës, njeriut që e përdor dhe mund të zgjasë me sekonda, ose me minuta. Sapo mbaron injektimi, varet koka dhe mund të ndodhë që ende lëngu narkotik nuk ka mbaruar dhe mbetet në shiringë.
    A mund të ketë një zgjidhje?
    Droga është një sëmundje, një shqetësim për të gjithë. Mendoj se është urgjente ngritja e një grupi të veçantë për të studiuar fenomenin, të ngrihet një qendër e fuqishme me mjekë profesionistë, psikologë, ndryshe nga ato ekzistentet, që të kenë efekt. Droga po bëhet shqetësim për të gjithë prindërit, pasi konsumatorë të saj janë edhe nxënësit e shkollave dhe ky është rrezik


    Specialisti
    “Rikthimi me të njëjtën dozë është vdekjeprurës”
    Ajo që mjekët këmbëngulin me forcë është “burgosja” e fëmijëve nëse shkëputen për një farë kohe nga droga, për të mos lejuar rikthimin më tek kjo vdekje e qetë. Pasoja në rast të kundër do të ishte fatale, vetëm vdekje e sigurtë. Specialistët shpjegojnë se në momentin që sapo lëngu narkotik rrjedh në vena, vdekja është e sigurtë dhe nuk mund ta shmangësh. Madje zgjat vetëm disa sekonda. Rikthimi do të ishte një fund tragjik dhe të tilla janë gjithë rastet e overdozës, me histori të njëjta. Mjekët shpjegojnë se rruga me injektim në gjak është më vdekjeprurëse se ajo e thithjes me hundë. Kujtohen disa nga rastet më të veçanta që kanë ndodhur në Tiranë. Rasti i parë zyrtar është ai i një punonjësi shqiptar të ambasadës italiane, rreth 30 vjeç, pothuajse nëntë vjet më parë. Shkaku i vdekjes nga mjeko-ligjori u përcaktua overdoza, sasia e madhe e drogës së injektuar në gjak. Specialistët thonë për “Shekulli” se duhet të jesh një mjeshtër i vërtetë në njohjen dhe përdorimin e drogës, në të kundërt, je i vdekur. Një tjetër rast është ai i një të riu areonautik, kampion vendi në këtë sport. Pikërisht disa minuta para ngritjes me parashutë në qiell, ai do të merrte dozën e fundit pesë vite më parë. Sapo injekton, shiringa i mbetet në krah dhe vdes. Mjekët përcaktuan si shkak mbidozën. A.Q

    12 tetor ora 11.00
    Pranë tregut elektrik, në rrugën “Zoje Çurre”, një 60- vjeçar i ngacmuar nga era e keqe, gjen një kufomë njeriu pas disa bombulave të gazit. Policia dërgoi kufomën në morg dhe orët e pasdites të afërmit identifikuan nga veshja trupin e 22- vjeçarit Bledar Muça, i denoncuar nga e ëma prej mëse një jave si i humbur. Muça, sipas policisë, kishte humbur jetën nga overdoza dhe iu gjetën pranë shiringa dhe letër alumini. Sipas familjarëve, picieri ishte kuruar për një farë kohe në qëndrën “Emanuel” të narkotikëve, por më pas ishte kthyer në shtëpi dhe tek heroina.

    19 tetor ora 18.00
    Në një kopsht të fshatit Yzberish, periferi e Tiranës, gjendet nga një banor, i riu 24 vjeçar i vdekur që më vonë u identifikua nga familjarët si Enkel Andoni. Djaloshi punonte si mekanik në firmën “Ital-servis”, shumë pranë banesës, në rrugën “Kristo Mema”, afër komisariatit nr. 3 të kryeqytetit. Policia deklaroi se kishte gjetur një sasi droge, shiringa dhe letra alumini, ndërsa si shkak u përcaktua overdoza. Familjarët deklaruan se Enkeli ishte kuruar prej dy vjetësh dhe nuk përdorte më drogë, ndërsa ishte gjetur me duart gjithë graso nga puna. Në krah ishte dalluar vetëm një shpim tek me shiringë.

    22 tetor ora 10.00
    Pas selisë Socialdemokrate, pranë bulevardit “Zog i Parë”, në një rrugicë qorre, gjendet i vdekur një i ri që kishte nisur të dekompozohej. Ai u identifikua si Eduart Piciri, 37 vjeç, baba i dy fëmijëve. Edhe në këtë rast policia gjeti shiringën dhe disa sende të tjera që shërbenin për injektimin e sasisë së heroinës. Familjarët bënë identifikimin e trupit, ndërkohë që u shprehën se Eduarti prej kohësh nuk e përdorte më heroinën. Por edhe në këtë rast rikthimi tek helmi i bardhë ka qënë fatal për babain e dy fëmijëve. Familjarët treguan se kishin denoncuar humbjen prej tre ditësh të të afërmit të tyre.
    LINDI EDHE "ANDREA"

Tema të Ngjashme

  1. Në Shqipëri punojn 50 mijë fëmijë
    Nga Hyllien në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 14-06-2010, 09:02
  2. Ndal! Punes Dhe Trafikut Te Femijeve Ne Shqiperi
    Nga StormAngel në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 21-10-2004, 04:45
  3. Raporti i UNICEF-it për trafikimin e fëmijëve shqiptarë
    Nga Brari në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 18-01-2004, 16:05
  4. Kosova dhe ndalimi i tregtise se droges
    Nga Enri në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 23-01-2003, 12:52

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •