Të gjitha vendet e rajonit si Bosnja, Maqedonia e Serbia renditen më mirë se ne.
Korrupsioni, Shqipëria më keq se 2003
Raporti i “Transparency International” e rendit vendin tonë të 108-in në 146 vende
A.Rama
TIRANE- Shqipëria vazhdon të renditet në raportet e ndërkombëtarëve ndër vendet ku niveli i korrupsionit në strukturat shtetërore dhe në administratën publike vazhdon të ngelet i lartë dhe shqetësues për ecjen e vendit përpara. Raporti i “Transparency International”, për vitin 2004 dhe i publikuar dje, nën titullin për “Për indeksin e perceptimit të korrupsionit”, e rendit Shqipërinë në vendin e 108, nga 146 vende të cilat janë monitoruar nga kjo organizatë gjatë vitit 2004. Renditja që paraqitet në këtë raport, është e konceptuar në mënyrë të tillë, që vendi që është më pak i korruptuar ndodhet i renditur i pari në listën e vendeve të monitoruara, duke vijuar më pas në mënyrë numerike. Në krye të listës së 146 vendeve qëndron Finlanda, si vendi ku korrupsioni është në nivele tepër të ulëta. Ndërkaq koeficenti i indeksit të perceptimit të korrupsionit, për vendin tonë ku është bazuar edhe renditja, paraqitet 2.5 . Krahasuar me vendet e rajonit që janë monitoruar nga “Transparency International”, Shqipëria është renditur në listë në një pozicion që paraqet nivel më të lartë korrupsioni në administratën publike dhe në strukturat shtetërore. Sipas raportit, Bosnja është renditur në vendin e 83 me një koeficent perceptimi korrupsioni 3.1, ndërsa Maqedonia, është renditur në vendin e 99, me koeficent 2.7 dhe Serbia në vendin e 101 me të njëjtin koeficent. Ndërkaq në raportin që kjo organizatë ka paraqitur në vitin 2002, Shqipëria është renditur në vendin e 81, ndër 102 vendet e monitoruara me koeficent perceptimi 2.5, ndërsa në vitin 2003 Shqipëria ka qenë në vendin e 92, ndër 133 vende të monitoruara, me të njëjtin koeficent si në vitin 2002. Sipas një llogarie të thjeshtë në vitin 2003 Shqipëria, është renditur 9 pozicione më poshtë se në renditjen e vitit 2002, ndërsa në raportin për vitin 2004, ajo është renditur 16 pozicione më poshtë se në vitin 2003. Por krahasuar me numrin e vendeve të monitoruara nga “Transparency International”, që ka ardhur duke u rritur nga viti në vit, duket se Shqipëria nuk ka pësuar përmirësime të nivelit të korrupsionit. Kjo vërtetohet edhe tek koeficienti i njëjtë i perceptimit të korrupsionit përgjatë tre viteve të monitoruara. Nga ana tjetër poshtë vendit tonë në renditje ka vetëm vende si Iraku, Palestina, Kongo, Tazhikistani, Indonezia, Gjeorgjia, Bangladeshi, Haiti etj. Gjatë publikimit të raportit shefi i “Transparency International” Peter Engen, tha se për të ndihmuar njerëzit që vuajnë nga varfëria, deri në vitin 2015, qeveritë duhet të luftojnë seriozisht korrupsionin në sektorin publik. Sipas tij niveli i lartë i korrupsionit mbërthen fuqinë vepruese të këtyre vendeve.
Kliko per te lexuar atikullin ne faqen e Shekullit
Krijoni Kontakt