Kalimi nga një sistem ekonomik në tjetrin lë pasoja, natyrisht në shëndetin e shoqërisë në përgjithësi dhe atij mendor në veçanti. Është disi e vështirë për disa individë të adaptohen nga një jetesë me një ekonomi të centralizuar...... të varur kryekëput nga shteti, në një ekonomi private, individuale pa pasur të bëjë me shtetin. Tranzicioni është i vështirë dhe i gjatë. Mendimet dhe qëndrimet e njerëzve, qoftë përsa i përket ekonomisë, apo dhe kujdesit karshi shëndetit të tyre, marrin një kthesë tjetër. Ka grupe sociale që preken më rëndë nga tranzicioni në pikëpamjen ekonomike, por ka dhe grupe të tjera, të cilat gjetën vetveten me reformat ekonomike dhe pësuan një ngritje të standartit të jetesës.
A kanë probleme shqiptarët me shëndetin e tyre mendor në këto vite të një tranzicioni të vështirë? Natyrisht që ka mjaft, por ka dhe rreze drite shpresëdhënëse. Vihet re një rritje e frekuencave të çregullimeve psikike nga faktorë të numërt si: problemet ekonomike, lëvizjet e theksuara demografike në vitet e fundit, një emigracion i madh i pa kontrolluar, abuzimet me alkoolin, medikamentet dhe drogat, depistimet më të hershme të çrregullimeve mendore se vite me parë, ndikimi i dukshëm i mas medias etj. Nuk duhet të ngatërrohen nga specialistët dhe mbarë shoqëria shqiptare “depresioni publik” si një reaksion i kushteve të reja të jetesës, i cili kryesisht vjen nga shkaqet ekonomike. Ne po diskutojmë në këtë shkrim, më tepër për çrregullimet psikike të moshave të ndryshme, të cilat kanë bërë që të rritet numri i shtrimeve në klinikat dhe spitalet psikiatrike. Nga statistikat që kemi të çdo viti, vihet re një rritje e numrit të konsultave në konsulentet ditorë, të cilët mbulojnë një pjesë të mirë të konsultimeve, të rasteve të vështira që vijnë nga mbarë Shqipëria dhe jashtë saj. Ngarkesa është e konsiderueshme për mjekët specialistë, të cilët shpesh ndihen dhe të lodhur nga puna e përditshme. Do të analizojmë shkurtimisht rëndësinë që kanë të tre nivelet e shërbimit psikiatrik në nivel kombëtar. Kjo, për faktin se një bashkërendim i detyrave dhe funksioneve të çdo hallke luan një rol kardinal në depistimin, ndjekjen spitalore dhe më tej atë komunitare të të sëmurëve.
Niveli i parë është ai që përfaqësohet nga mjeku i familjes dhe quhet ndryshe dhe shërbimi primar. Sot në kushtet e demokracisë i është dhënë një rëndësi prioritare mjekut të familjes, i cili ka një detyrë të rëndësishme në kuadrin e shërbimit psikiatrik. Duhet të njihet dhe të ballafaqohet me problemet e shëndetit mendor të familjes shqiptare në përgjithësi dhe të jetë në gjendje t’i japë rrugëzgjidhje problemeve që dalin, qofshin të shëndetit fizik dhe atij mendor. Kërkohet që mjeku i familjes të jetë i pajisur me dije të thella në drejtim të mjekësisë interne dhe të psikologjisë mjekësore. Në drejtim të mjekësisë interne do të theksoja njohuritë mbi obsetrike-gjinekologjinë, sepse aty trajtohet dhe konceptohet njeriu i ardhshëm, i cili duhet të ketë një shëndet të mirë mendor. Statistikat botërore flasin për ndikimin që kanë traumat e lindjes në dëmtimin e shëndetit mendor. Gjithashtu, nuk mund të rrisë një fëmijë të shëndetshëm në pikëpamje fizike dhe mendore, një nënë e cila vuan vetë nga një sëmundje somato-psikike. Mjeku i familjes duhet të mbajë lidhje të rregullta me specialistët e shëndetit mendor pranë qendrave ambulatore, të cilat përfaqësojnë atë që cilësohet si shërbimi sekondar.
Shërbimi dytësor ose sekondar mbulohet nga qendrat ambulatore, të cilat në qytetin tonë jane tre, të pajisura me dy mjekë psikiatër dhe infermierët përkatës. Këto kanë luajtur një rol tepër të rëndësishëm në vite dhe kanë krijuar një traditë të mirë në ndjekjen post spitalore të të sëmurëve. Detyra është e vështirë, por jo e parealizueshme me standartet ndërkombëtare. Dihet se terreni tek ne shpesh paraqet vështirësi në drejtim të ndjekjes së rregulltë të të sëmurit dhe ndodh që niveli i kulturës shëndetësore lë për të dëshiruar. Na ndodh shpesh që komplianci (marrja e medikamentit) të jetë negative, si për shkak të mungesës së një kulture shëndetësore në familje, ashtu dhe për shkak të mungesës së kritikës së gjendjes mendore nga ana e pacientit. Mjekët psikiatër ambulatorë kanë për detyrë të ushtrojnë kontrolle periodike të të sëmurëve, si me rastet e reja ashtu dhe të atyre që dalin nga klinikat dhe spitalet. Sot strategjia botërore në ndjekjen ambulatore të të sëmurëve është në drejtim të uljes në maksimum të recidivave (përsëritjes) së krizave. Falë futjes së psikotropeve të reja me avantazhe, në tregun e farmaceutikës shqiptare kemi një ulje të krizave të përsëritura. Është shumë e rëndësishme nga ana e specialistëve ambulatorë e mbajtjes së lidhjeve të rregullta me klinikat dhe spitalet psikiatrike, duke kryer atë që cilësohet si “rotacion”. Qëndrimi afatshkurtër në klinikat dhe spitalet për të rifreskuar si anën klinike të çrregullimeve mendore ashtu dhe diskutimi i gjerë mbi literaturën psikiatrike bashkëkohore. Për arsye të ndryshme, që nuk varen vetëm nga personeli shëndetësor, ky rotacion ka vite që është harruar dhe akoma nuk po gjendet gjuha e përbashkët. Mendojmë që në të ardhmen të vihet në vend ky funksionim mjaft i rëndësishëm si vite më parë. Ngritja vitet e fundit e qendrave komunitare do të sjellë padyshim një përmirësim në ngjitje të ndjekjes së të sëmurëve.
Shërbimi i tretë apo terciar, është ai i klinikave dhe spitaleve psikiatrike, i cili cilësohet si shërbimi terciar. Këtu ka shumë për të bërë. Së pari, kërkohet një ngritje e vazhdueshme tekniko- shkencore e specialistëve dhe personelit të mesëm, e cila për këta të fundit për fat nuk po funksionon siç duhet, për të qenë sa më pranë të sëmurit jo vetëm me humanizëm, por dhe me dijet përkatëse. Disiplina e psikiatrisë avancon me hapa të shpejta, ashtu si dhe gjithë mjekësia. Çrregullimet mendore, për shkak të asaj që emërtohet si psikiatria trans-kulturale, po pësojnë modifikime të rëndësishme që e vënë në lëvizje specialistin psikiatër-psikolog. Një numër i konsiderueshëm medikamentesh të reja dalin në treg nga industritë farmaceutike dhe është tepër e rëndësishme që specialisti të jetë i angazhuar me to. Po kështu, sot vihet re një rritje e konsiderueshme e frekuencave të komorbiditetit në patologjinë mendore dhe kjo bën që specialisti psikiatër të jetë i angazhuar në vazhdimësi me kolegët e tjerë të mjekësisë interne apo të neurologjisë dhe neurokirurgjisë në plan të parë. Sot për sot, specialisti psikiatër nuk mund të funksionojë i veçuar nga pjesa tjetër e mjekësisë. Përkundrazi, ai është pjesë e pandashme e saj. Specialisti psikiatër dhe ai psikolog dhe me punonjësin social, duhet të jenë figura kyçe në shoqërinë shqiptare. Sëmundjet mendore kanë jo vetëm aspektin biologjik të tyre, por dhe atë psikologjike e sociale. Niveli i demokracisë i një shoqërie që meriton të jetë demokratike dhe e emancipuar, varet nga koeficienti i ruajtjes së shëndetit të individit. Janë bërë hapa progresive në shoqërinë shqiptare drejt asaj që cilësohet sot si shërbimi komunitar për shëndetin mendor, por akoma duhet bërë një punë e madhe në drejtim të ngritjes së kualifikimit të personelit shëndetësor që punon në shërbimin psikiatrik qoftë atë spitalor dhe komunitar. Psikologët dhe punonjësit social duhet të kenë pozicionet e tyre në shoqërinë tonë si nëpër klinikat ashtu dhe në komunitet. Është i papranueshëm realiteti i mungesës së psikologut dhe punonjësit social në ambientet spitalore apo të klinikave. Këta janë elementë të rëndësishëm të shërbimit psikiatrik në përgjithësi.
Duhet të theksojmë gjithashtu, se në praktikën psikiatrike jo çdo rast klinik apo ambulator trajtohet vetëm me medikamente. Duhet të futet gjerësisht psikoterapia si metodë e suksesshme kurimi, qoftë në spitale apo dhe në shërbimin komunitar. Jemi akoma prapa në këtë drejtim. Specialistët e huaj që asistojnë në vendin tonë po përpiqen të japin një ndihmesë të vlefshme në këtë drejtim.
A munden shqiptarët të gëzojnë një shëndet të mirë mendor në shekullin e XXI?
Natyrisht, duke marrë parasysh dinamikën e kohës në të cilën jetojmë, si dhe kapacitetet që prezantojnë shqiptarët në jetën e tyre të përditshme, jam i mendimit se me një përmirësim të vazhdueshëm të standartit të jetesës, me një përmirësim në vazhdimësi të ligjeve që i shërbejnë njeriut të sëmurë dhe që ndodhet në vështirësi, me një suport më efikas nga dikasterët përkatëse për problemet e shëndetit mendor, me një bashkërenditje më të kujdesshme të shërbimeve dhe elementeve që përmendëm më lart, ekziston mundësia që në shek.XXI shqiptarët të gëzojnë një shëndet të mirë mendor. Problemet duhen parë jo vetëm në planin biologjik, por dhe në atë social-psikologjik. Le t’i drejtohemi latinëve dhe të kujtojmë se “Mente sana in corpore sana”.
Krijoni Kontakt