Bujqësia
Llambi Kallço - 11/11/2004
Toka bujqësore, 150 mijë hektarë të braktisura
Toka bujqësore braktiset pasi fatura e punimit të saj është shumë e lartë, ndërkohë që qindra hektarë rezultojnë të jenë kthyer në kënetë
Rreth 150 mijë hektarë tokë bujqësore në Shqipëri rezultojnë të braktisura. “Toka bujqësore braktiset pasi mekanika bujqësore, plehrat kimike dhe lënda e parë bujqësore vazhdojnë të jenë me çmime të larta”,-ka thënë Alfred Çomo, kryetari i federatës së sindikatave të bujqësisë, ushqimit dhe të tregtisë dje gjatë një konference për shtyp të zhvilluar në qytetin e Durrësit. Në kongresin e dytë të federatës së sindikatave përfaqësuesit e federatës kanë ngritur disa nga problemet kryesore të cilat shqetësojnë bujqësinë shqiptare. Sipas tyre, problem kryesor ngelet edhe kënetëzimi i tokave bujqësore për shkak të rrjetit të amortizuar të kanalizimeve.
Sipas profesor Çomos një problem i rëndësishëm është dhe moskreditimi i sektorit bujqësor. “Për këtë kemi kërkuar nga shteti të përkrahë bujqësinë si sektorin kryesor për rritjen ekonomike të vendit”- thotë Çomo.
Ndërkohë që zëvendësministri i Bujqësisë dhe Ushqimit Ymer Tola është shprehur optimist lidhur me përkrahjen që i jepet bujqësisë. Një ndihmesë e madhe për bujqësinë është ulja e akcizës së karburantit e cila është bërë realitet. Ndërsa përsa i përket naftës për bujqësinë, Tola tha se ka filluar një projekt pilot për 1/3 e Shqipërisë për aplikimin e naftës pa akcizë dhe vitin tjetër do të fillojë aplikimi i naftës pa akcizë në të gjithë Shqipërinë.
Sipas Tolas këtë vit janë eksportuar 16 % më shumë produktet se vitin ekaluar, gjë që tregon se bujqësia është në zhvillim.
Krijoni Kontakt