Close
Faqja 4 prej 5 FillimFillim ... 2345 FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 31 deri 40 prej 47
  1. #31
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-12-2004
    Postime
    1,681
    websiti qe keni ndertuar ja ka arritur qellimit ,dhe ngacmon kujtesen e atyre qe e kane njohur duke ja u sjelle me prane .
    Gjithashtu dua tju them se tragjedia e saj me ka mbetur ne mendje per shume kohe pasi e kam njohur dhe kam luajtur me te kur Anita vinte per vizite ne Tirane tek xhaxhai i saj Andoni ( o zot edhe sot qe e kujtoj si mbaj dot lotet)....
    Ne ishim moshatar dhe luanim volejboll posht pallatit ather ishim ende te vegjel rreth vitit 1982-85 prandaj ne fotot qe pashe mu rikujtuan ato momente te femijeris dhe u cmalla faleminderit .

    me respekt
    Beni

  2. #32
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    22-07-2005
    Vendndodhja
    New York
    Postime
    58
    Shkeputur nga www.anitabitri.com
    Albumi “Çdo gjë është e mundur” është frut i fantazisë së Anita Bitrit. Realizimi është mundësuar gjithashtu nga vetë ajo, si në aspektin financiar, ashtu edhe në atë profesional. Pjesën më të madhe të këngëve Anita i ka kompozuar vetë. Nuk do ta ekzagjeronim nëse do të thoshim se albumi “Çdo gjë është e mundur” është një pasqyrë reale e jetës së Anitës. Dëshirat, ndjenjat, bota e saj e brendshme shpirtërore janë përcjellë me anë të tingujve të mrekullueshëm dhe teksteve të këngëve. Çdo gjë që e rrethonte,çdo gjë që shikonte, Anita e transformonte në poezi dhe tinguj. Një shtysë shumë e madhe për të nisur realizimin e këtij albumi ka qënë edhe vajza e saj e vogël, Sibora dhe nëna e dashur Hazbia. Dëshira ka lindur fillimisht në vitin 2000. Në fakt, pas daljes së albumit të parë “Malli” edhe pse ky album ishte shumë i kompletuar, ajo nisi të kërkonte më shumë nga vetja në aspektin profesional. Si një natyrë plot jetë ajo kërkonte disa nota më të forta, një muzikë që të kishte më shumë gjallëri. Këtë ajo mund ta bëntë më së miri vetë. E përse jo, ajo që në fëmijëri kishte qenë një violiniste e shkëlqyer, më pas një këngëtare, e cila që ditën e parë të ngjitjes në skenë e bëri për vete publikun.

    Në këtë album është derdhur djersa dhe mundi i 9 viteve të emigracionit të këngëtares. Për këtë CD ajo ka punuar rreth 2 vjet, tekstet dhe përpunimi i këngëve është bërë nga vetë ajo, ndërsa në realizim do të gjeni bashkëpunimin e producentit amerikan, James Avatar dhe në tastierë, Florent Boshnjaku.
    Albumin mund ta gjeni në treg dhe në internet në faqen www.albanianmusic.com Albumi është i mbrojtur nga ligji i Uashingtonit “Form SR” për të drejtën e autorit që është ndër të paktit ligje ndërkombëtare kundër piraterisë. Riprodhimi i albumit “Çdo gjë është e mundur” i është lejuar vetëm Shtëpisë Diskografike me famë në New York , “Audio Dynamix”, e cila është e një cilësie shumë të lartë.
    Zoti bekoftë gjithë shqiptarët

  3. #33
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    22-07-2005
    Vendndodhja
    New York
    Postime
    58
    New-York – Çështja "Bitri" mbyllet në Amerikë.
    Në mesin e qershorit 2005,Drejtësia Amerikane nxori rezultatin përfundimtar për tragjedinë e madhe, ku si pasojë humbën jetën tre breza njëkohësisht. Sipas konkluzioneve të drejtësisë amerikane, në këtë fatkeqësi nuk ka asnjë element kriminal dhe vdekja ka ardhur nga bllokimi i paqëllimshëm i tubave të shkarkimit të monoksidit të karbonit, të bojlerit gjatë ndërtimit të ballkonit në krahun anësor të shtëpisë. Në këto rrethana, institucionet shtetëror kanë vendosur që të mos ndalohet dhe të mos ndiqet penalisht asnjë person. Institucionet në fjalë iu përgjigjën shkurt kërkesës së bërë nga përfaqësuesi i familjes Bitri, i cili kërkoi ndëshkimin ligjor të fajtorëve: "Çështja është e mbyllur. Nuk kemi asnjë element që të ndalojmë dikë. Për ne çdo gjë është e qartë:ishte thjesht një tragjedi".

    Fajtorët
    Duket si ironi të quash shuarjen e tri jetëve njëkohësisht, thjesht një tragjedi. Për më tepër ironia shkon deri në sarkazëm, kur bëhet fjalë se kjo tragjedi ka dhe një emër autori: Petrit Salillari. Ky person, i cili kur është prezantuar me këngëtaren e madhe,Anita Bitrit i është paraqitur si një
    "specialist" ndërtimesh, ndërkohë që nuk di as "abc-në" e kësaj mjeshtërie, vazhdon të jetë i lirë. Pra, jo vetëm që nuk është ndëshkuar për injorancën teknike të bllokimit të tubave të monoksidit të karbonit, që si pasojë solli vdekjen e tre pjesëtarëve të familjes Bitri, por vazhdon të prishë i qetë shumat e mëdha të dollarëve që mori për punimet fatale. Është po ky njeri Petrit Salillari që po tolerohet nga drejtësia amerikane, i cili nuk denjoi që t'i kërkonte falje vogëlushes Sibora, teksa të njohur e të panjohur po i jepnin lamtumirën e fundit. Po ashtu, edhe më pas personi në fjalë nuk ngushëlloi familjarët Bitri, ndërkohë që edhe vetë Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, si dhe shumë personalitete nga e gjithë bota respektuan
    këngëtaren e madhe, Anitën së bashku me të bijën amerikane, Sibora, si dhe gjyshen Hazbie.

    Paradoksi

    Petrit Salillari jo vetëm që nuk është ndëshkuar nga drejtësia amerikane, por vazhdon të ushtrojë aktivitetin e tij në New-York, duke rrezikuar kështu edhe familje të tjera amerikane. Për këtë arsye, përfaqësuesi i familjes Bitri duke bërë të qartë për gjithë opinion publik amerikan dhe shqiptar se nuk kërkon hakmarrje, i drejtohet edhe njëherë drejtësisë që ky person jo vetëm të dalë me çdo kusht para trupit gjykues, por edhe të marrë dënimin që i takon nga gjykata për mashtrim dhe për punë të papërgjegjshme e aspak profesionale.
    Edhe pse drejtësisia amerikane e konsideronë këtë çështje të mbyllur, një fakt i tillë nuk vlen për familjen Bitri. Sipas tyre, në rast se ndaj Petrit Salillarit nuk do të hapet procesi penal, tragjedia "Bitri" mund të përsëritet në shumë shtëpi amerikane. Duke kërkuar edhe ndihmën e gjithë publikut, organizatave
    ndërkombëtarë, të mediave të ndryshme, si dhe institucioneve ligjore, familja Bitri bën apel për të mos e lënë këtë çështje në një frazë të përmbledhur "thjesht një tragjedi", por të veprohet ligjërisht mbi fajtorët.
    I gjithë opinioni amerikan dhe shqiptar është prekur nga tragjedia "Bitri" e 19 tetorit 2004, datë e cila përkon me shenjtërimin e Nënë Terezës. Në Staten Island, policia njujorkeze gjeti trupat e pajetë që përfaqësonin tri gjenerata; nëna, vajza dhe mbesa.
    Ishte pikërisht këngëtarja që për famë kishte kaluar kufijtë shqiptarë, Anita Bitri, që ka ndërruar jetë së bashku me nënën Hazbie dhe vajzën e saj, Siborën amerikane në natën e 19 tetorit.
    Vdekja e këtyre femrave u bë shkak që Qeveria e New Yorkut të miratonte ligjin për vendosjen e detyrueshme të dedektorit kundër monoksidit të karbonit. Në këtë linjë mbetet për t'u vlerësuar qëndrimi i Qeverisë së New York-ut dhe veçanërisht i Mayor Michael R. Blomberg, të cilët me respektin dhe humanizmin që treguan
    ndaj kësaj fatkeqësie, si dhe me vënien e ligjit mbi monkisidin emrin "Anita", lehtësuan zemrat e plagosura të familjarëve.
    Megjithatë, tragjedia nuk është shkaktuar nga shkaqe natyrore, por e gjitha ka ardhur si pasojë e neglizhencës së disa personave që po punonin për ndërtimin e një ballkoni pranë shtëpisë së Anita Bitrit.
    Ky nuk është një aludim, por përgjigjja ka ardhur nga tri ekspertiza të njëpasnjëshme, të cilat kishin një konkluzion të përbashkët:bllokimimi tubave të shkarkimit të monoksidit të karbonit nga ana e punëtorëve gjatë ndërtimit të një ballkoni në pjesën anësore të shtëpisë, bënë që të shuhen njëkohësisht tri jetë të pafajshme.
    Kështu u bë e mundur që në brendësi të shtëpisë të futej nga djegia e gazit të kaldajës të sistemit të ngrohjes(bojlerit), një sasi monoksidi karboni e barabartë me 762 mijë për centimeter kub, kur mjaftonte vetëm një sasi prej 6 për qind për vdekjen e çdo qënieje të gjallë.
    Konkluzioni është i qartë dhe i pakundërshtueshëm. Bazuar në teknologjinë më moderne amerikane, vdekja ishte aksidentale.
    Familja Bitri vdiq si rrjedhojë e një pakujdesie të pafalshme në punimet ndërtuese.

    N.Q.S. deshironi te shikoni fotografite e ballkonit dhe tubin e bllokuar te monoksidit te karbonit vizitoni faqen www.anitabitri.com
    Zoti bekoftë gjithë shqiptarët

  4. #34
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    22-03-2005
    Postime
    14

    E paharruara Anita Bitri-Prapaniku!

    Me ikjen e Anitës arti dhe publiku shqiptar humbi një zë të mrekullueshëm, Shqipëria një patriote të flaktë, diaspora një aktiviste dhe personalitet muzikor, familja dhe miqtë, një artiste dhe shoqe të mrekullueshme.[/B][/B]

    Shkruar nga vetë Anita!

    Materialet janë origjinale të gjetura në kompjuterin e këngëtares


    Në moshën 7-vjeçare kam dhënë koncertin e parë në skenë, para qindra njerëzve si violiniste, në shtëpinë e Kulturës në Vlorë, në duet me pedagogun tim, Robert Papavrami. Gjatë kësaj kohe mund të përmend edhe aktivitetet e tjera si “Festivali i Fatosave dhe Pionerëve”, ku kam qenë pjesëmarrëse e rregullt e asaj moshe.
    Prezantimi im i parë, përsëri në një edicion të gjerë dhe në një sallë koncertale, ka ndodhur në fillim të vitit 1986, ku unë isha nxënëse e vitit të 4-t në degën e violinës. Ishte krejt rastësisht, pasi në këtë koncert unë isha me violinë shoqëruese e orkestrinës së shkollës, ku ishim caktuar të shoqëronim disa nga këngët e tij. Të gjithë ndodhinë e kam përshkruar në autobiografinë time në librin e ardhshëm që do të dalë së shpejti, “Rastësia dhe jeta ime”. Mbas këtij koncerti kam marrë pjesë, duke prezantuar qytetin tim në “Festivalin e Interpretuesve të Klasës Punëtore” në Elbasan, pavarësisht se ende isha maturante. Në këtë festival me luftë të madhe, (pasi duhet të largohesha nga mosha) me ndihmën e publikut të mrekullueshëm elbasanas, u vlerësova me çmim të tretë dhe kam kënduar këngën “Eja” nga Osman Mula.
    7 qershor 1987, pranimi im si këngëtare profesioniste në trupën e Teatrit të Estradës, Vlorë. Menjëherë më bëhet ftesë në qershor të vitit 1987, që të marr pjesë tashmë në një garë kombëtare në “Festivalin e Interpretuesve” në RTSH. Me shumë përpjekje dhe kësaj here jam prezantuar në festival me këngën e shoqes sime të klasës, Laureta Çuku, “Hartimi dhe Dëbora” dhe jam vlerësuar me çmimin e dytë. Pas suksesit tim për herë të parë në Tiranë, në po të njëjtin vit, pra 1987, përsëri më bëhet ftesa për të marrë pjesë në “Festivalin e Këngës”në RTSH, ku kësaj here kënga “E vogla mes shoqesh” e kompozitorit, David Tukiqi më sjell çmimin e tretë.
    1987-1988, fituese dy herë në Anketat Muzikore, me këngët e kompozuara nga A. Xhunga dhe Th. Çaçi.



    6 marsi 1988 do të sillte prezantimin tim në Koncertin e Pranverës. Në bashkëpunim me Aleksandër Vezulin dhe Alqi Boshnjakun do të vijë në skenë kënga “Mos u nxito, mos u gabo”, një nga perlat e repertorit tim, (që akoma edhe mbas 16 vitesh është kënga më e kërkuar nga njerëzit në prezantimet e mia artistike), ku vlerësohem me çmimin e parë. Bashkëpunimi im me kompozitorin Vladimir Kotani do të ndërpritet (nga anëtarët drejtues që caktonin programin e festivalit, pasi, sipas tyre, dilte një këngë më tepër dashurie) në momentin e fundit të prezantimit tonë në “Festivalin e Këngës” në dhjetor 1988, me këngën shumë të preferuar edhe sot e kësaj ditë “Lulet e majit i çel në janar”. Po në ditët e fundit në atë festival, duke u vlerësuar si një talent që duhet të paraqitesha patjetër jam prezantuar me këngën “Fotografia”, e kompozuar nga David Tukiqi, ku kam qenë e shoqëruar në sfond nga këngëtarët Gëzim Çela dhe sopranoja Lindita Lole Mezini. Me këngën e dëshiruar “Lulet e majit i çel në janar”, shoqëruar dhe nga (kompleksi i çunave) të Pallatit të Kulturës pas një pritjeje të gjatë, prezantohem në vitin 1989 në “Koncertin e Pranverës”. Këtë këngë akoma edhe sot, pas 15 vjetëve, vazhdoj ta këndoj dhe është gjithashtu një nga perlat e repertorit tim.



    zhdimi i viti 1989, koncerti im i parë recital, që mbante emrin “Anita”. Të ftuar, parodistët e Vlorës dhe shoqëruese kompleksi këngëtarja Aurela Gaçe. Ky koncert është xhiruar dhe transmetuar nga TVSH. Koncertet e mia recitale me parodistët e Vlorës, kanë qenë një nga evenimentet e mia të jetës kulturore në të gjithë territorin e Shqipërisë. Nuk lë pa përmendur dhe Koncertet e Verës, që zhvilloheshin nga Ministria e Kulturës. Këto koncerte janë shfaqur gati në të gjithë Shqipërinë. Të ftuar specialë kanë qenë edhe dy çiftet e Ansamblit të Shtetit, të shoqëruar nga orkestra e Estradës së Vlorës.




    “Festivali i këngës” në dhjetor të vitit 1990, do të sillte bashkëpunimin tim të parë me kokat e muzikës së lehtë shqiptare, Flamur Shehu dhe Jorgo Papingji. Në këtë festival edhe një herë vlerësohem me çmimin e parë, kësaj herë fillon bashkëpunimi tresh.
    Viti 1991, në “Koncertin e Pranverës” përsëri bashkëpunimi Bitri-Shehu- Papingji sjell në skenë këngën “S’ka formulë në dashuri”.
    Viti 1991 do të sjellë para publikut në “Festivalin e Këngës” përsëri një bashkëpunim me Flamur Shehun dhe Jorgo Papingjin. Prezantohem me këngën “Fat dhe jetë”, ose siç e mbajnë mend njerëzit, “Filxhani i kafesë”.



    Koncerti i Pranverës 1992, përsëri do të sillte në skenë trinomin Bitri-Shehu- Papingji. Kësaj rradhe kënga ishte kushtuar për një pjesë së jetës sime, për vetë autorët, por papritur, një udhëtim larg atdheut ma bëri të pamundur paraqitjen në këtë koncert.
    Kthimi në “Festivalin e Këngës”, në dhjetor të 1993-shit, do të sillte prezantimin tim me këngën e kompozitorit vlonjat, Artur Dhamo. Vlerësohem me çmim të tretë. Nuk dua të lë pa përmendur e pa falenderuar publikun e atij viti në pritjen e interpretimit tim.



    Viti 1994 sjell mosparaqitjen time para publikut për arsye largimi nga atdheu.
    Viti 1995 do të sillte dhe Koncertin e dytë recital para spektatorit vlonjat, që u ndoq nga 4000 spektatorë për dy ditë me rradhë. Të ftuar në këtë koncert, ishte e mrekullueshmja Silvana Braçe dhe i madhi Met Bega, si dhe çiftet e baletit të ardhur nga kryeqyteti. Ky koncert u filmua nga TVSH-ja.
    “Festivali i këngës” 1995 do ishtë prezantimi im i fundit para spektatorit. Në këtë festival, unë prezantohem si e ftuara e nderit, duke mos konkurruar si këngëtare. (Paraqitja e një dite me vonesë e këngës së kompozitorit vlonjat A.Dhamo para komisionit, bëri që kënga të dilte jashtë konkurrimit) .
    Vazhdimësia e koncertit recital do të kapte dhe kufijtë e Veriut. Gjatë koncertit 2-ditor mbajtur në Tropojë, me të ftuar këngëtaren Fatmira Breçani, pata dhe kërkesën për të udhëtuar në SHBA. Në mars 1996 u bë i mundur largimi im nga Shqipëria
    Gjatë qëndrimit në SHBA, aktiviteti im artistik ka qenë i pandalshëm. Pjesëmarja në koncertet e ndryshme të komunitetit si dhe ato të bamirësisë kanë qenë vazhdimësi e rrugës time si artiste.
    Viti 1999 solli daljen e albumit tim “Malli”, realizuar në “Electric Planet Sound” studio, në New York. Promovimi i këtij albumi u bë në mjediset e Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara po në New York.



    5 prilli i vitit 1999 përkoi me paraqitjen time në skenat e Brodoway-it si e ftuar në një koncert të organizuar nga një prej organizatave më të njohura në SHBA, “Madre”. Në këtë koncert paraqitja ime si artiste ishte e dyanshme, pasi për herë të parë unë do të prezantohesha edhe si violiniste. Aty pata rastin e nderin të njihem me disa nga yjet e Hollivudit si Tom Robinns, Susan Sarandow, Vanesa Redgrave, Danny Schechter, Eve Essler, Nenad Bach etj., ku gjatë përshtypjeve që më dhanë më përshkruan si një element shumë të denjë në artin muzikor dhe më uruan mirëseardhjen në botën amerikane.
    12 gushti 1999 është gjithashtu edhe prezantimi im në darkën e organizuar nga Misioni Shqiptar në Kombet e Bashkuara për nder të Ambasadorit, zotit Peter Burleigh. Misioni im në këtë mbrëmje ishte të shpalosja vlerat e muzikës shqiptare, popullore dhe moderne. Të gjithë ambasadorët e Botës patën rastin të kënaqen me muzikën tonë të mrekullueshme. Falënderimi i ambasadorit Burleigh në letrën drejtuar ambasadorit tonë, zotit Agim Nesho, ishte një vlerësim i madh për mua.




    Dhjetori i vitit 1999 përkoi me fitimin e konkursit të zhvilluar nga kompania amerikane C.P.V. për të kënduar 2 këngë në programet e tyre televizive, që do të transmetoheshin të përkthyera në shqip.
    Më 10 prill 2000, do të kisha rastin të takohesha personalisht me Presidentin e Shqipërisë, zoti Meidani dhe zonjën e tij në një koncert bamirësie për fëmijët e Shqipërisë, ku zonja Meidani më shoqëroi gjatë interpretimit tim në sallë, duke kënduar së bashku disa këngë të vjetra korçare.
    Vera e vitit 2000 do të ishte e shoqëruar me koncertet e mia recitale bashkë me aktorin dhe regjizorin e njohur, Koço Devole në disa shtete të Amerikës. Në një nga këto koncerte, me dëshirën e tij vjen prej së largu edhe një nga figurat shqiptare më të njohura, zoti Antoni Athanas, i cili e vlerësoi shumë muzikën tonë të lehtë.
    26 Nëntori 2000 shënoi edhe pjesëmarjen time në një nga koncertet më të shënuara të komunitetit të përbashkët shqiptaro-amerikan, 9-vjetori i gazetës “Illyria”. Në këtë koncert fuqia ime do të ishte e dyanshme, këngëtare dhe violiniste. Një moment prekës ishte interpretimi me violinë i potpurisë arbëreshe (e përpunuar prej meje) dhe lotët e arbëreshit të ftuar nga Italia, zotit Antonio Bellusci.



    12 Nëntori 2000 sjell Koncertin e madh në New York me artisten me famë botërore, Inva Mula dhe bashkëshortin e saj, Piro Çako, Silvana Braçen, Pali dhe Zerina Kuken etj., organizuar po nga i madhi me famë botërore, Fadil Berisha (kam fatin që fotografitë e albumit të ardhshëm janë të bëra prej tij. E veçanta ime në këtë koncert ishte prezantimi im live si këngëtare dhe violiniste, ndryshe nga kolegët e mi. Përshtypjet dhe suksesi im në këtë koncert ishte i padiskutueshë m. Për Fadil Berishën unë isha “elementi që, pa dashjen time, i vodha shfaqjen me suksesin tim”.
    Viti 2001 fillon me një tjetër sukses në jetën time artistike: Më bëhet një ftesë për të prezantuar muzikën e repertorit tim shqiptar në një koncert të përbashkët amerikano-shqiptaro -turk, ku do të shpaloseshin vlerat artistike të këtyre tre vendeve. Një nga ditët më të gëzuara në fushën e artit ka qenë prezantimi im me një nga kompozitoret më të njohura në Amerikë, Tina Shaffer, e cila e cilësoi zërin tim si “zë engjëllor që zbret nga qielli”. Shaffer është kompozitore e Celin Dion-it, Dona Sammer, Betty Midler etj. Vlerësimi i saj më dha shtytje të futem më thellë në artin amerikan.
    Viti 2002 do të jetë një vit pune për gjetjen e muzikes sime në gërshetim me muzikën amerikane.
    24 Janari i vitit 2003 do të niste me një nga koncertet e mëdha të mbarë komunitetit, ku përkrah këngëtarëve kosovarë dhe maqedonas do të më bëhej ftesa për të prezantuar muzikën e lehtë shqiptare. Të ftuar nderi ishin ambasadori William Walker dhe Drejtori i projektit të Evropës Lindore në CSIS, zoti Janusz Bugajski.
    Shkurti i vitit 2003 do të vendosi dhe kontratën time me një kompani amerikane “An’Km records@Enterteimen t” për realizimin e një albumi amerikan.



    Në vitet 2003-2004 aktiviteti im vijon në veprimtaritë më të rëndësishme, ku shpreheshin vlerat e artit dhe muzikës shqiptare në kufijtë e Amerikës. Në këtë kohë shënohet gjithashtu edhe fillimi i punës si kantautore e albumit tim “Çdo gjë është e mundur”.
    Viti 2004 do të vazhdojë në dy drejtime: me muzikën shqiptare dhe atë amerikane. Kontrata me producentin James Avatar në maj të këtij viti mbaroi për prodhimin e albumit tim shqiptar.
    Viti 2004 shënoi realizimin e 3 videoklipeve, të cilët do të shihen nga teleshikuesit shumë shpejt.
    Viti 2005 po fillon në kalendarin tim me një ftesë nga Kanadaja për të dhënë një koncert recital në Toronto.






    Malli

    Nga syri, pikon një lot
    Është i nxehtë, përvëlon
    Nga buza, një plagë rënkon
    Puthjen tënde e kërkon
    Ho ho ho Sytë e mi vajtojnë në lot
    Rri e mbyllur o në këtë botë
    Ah, kjo jetë e shkret o pa gëzim
    Pa dashuri , pa dashuri
    E di se ti ku je, e di se ti ku pret,
    E di se më thërret
    E ndjej se ti më do, E ndjej se më kërkon
    Emigrim unë të mallkoj
    Një ditë do të kërkojë, unë ty të takojë
    Dhe me thinja do t’shijoj
    Je mall në shpirtin tim, je këngë në zërin tim
    Kurbet unë të mallkoj
    I them diellit, mos më ngrohë
    I them hënës, mos ndriço
    I them detit, mos valëzo
    I them shpirtit, ti këndo


    ANITA BITRI
    New York
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  5. #35
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    22-03-2005
    Postime
    14

    Biografi e Anita Bitri

    ANITA BITRI

    Anita Bitri u lind në Sarandë, më 8 Janar 1968 në një familje intelektuale. Të gjithë admironin tiparet e ëmbla dhe të bukura të kësaj fëmije ëngjëllor. Edhe pse ishte në kopësht, ajo këndonte me fëmijët e tjerë dhe imitonte në ambjentet e shtëpisë, recitonte pa pushim; që në atë moshë dinte shumë poezi të njohura dhe imitonte shumë këngë të festivaleve. Vlen për të përmendur pjesëmarrja e Anitës në Festivalin e Fatosave të rrethit të Vlorës, që u zhvillua në kopshtin Nr. 10, ku Anita u paraqit si valltare në rolin e “bletës punëtore”. Interpretimi i talentuar i Anitës tërhoqi vëmëndjen e pjestarëve të jurisë, të cilët e vlerësuan si valltaren më të mirë të këtij Festivali. Ishte vetëm 6 vjeçe dhe Anita ishte pjesmarrëse e rregullt e Festivaleve të Fatosave dhe të Pionerëve të rrethit të Vlorës, duke u vlerësuar edhe me çmime nderi. Për t’u përmendur janë këngët e kënduara prej saj “Kukulla ime” dhe ”Agimi dhe fshesa”.

    Fare e vogël, Anita kishte një pasion shumë të madh për muzikën. Dhe kjo është e lidhur dhe me trashëgimin kulturore të familjes së mamasë, të cilët kanë pasur në fisin e tyre shumë muzikantë dhe këngëtarë, ku spikat sidomos gjyshi i mamasë, Rauf Ngraçani, që ishte një talent i lindur në të kënduar. Në Berat ai ishte i kërkuar në dasma për zërin e tij të bukur. Vajza e tezes së Anitës, Majlinda ishte këngëtare profesioniste me grupin muzikor të Ersekës, vajza e dajës Mira (e Tafil Ngraçanit) bënte pjesë në trupën e valleve dhe të baletit në Tiranë. Pa përmendur që gjithë fisi i mamasë mbartnin talent natyror në fushën e artit, dasmat e fisit Ngraçani ktheheshin në një konkurs të vërtetë zërash dhe valltarësh. Talenti i saj i veçantë për muzikën tërhoqi vëmendjen e profesorit të violinës, zotit Robert Papavrami, i cili u mahnit nga veshi muzikor i Anitës në konkursin që u zhvillua për pranimin e elementëve të vegjël për klasën e parë të Shkollës së Muzikës “Naim Frashëri” në Vlorë. Për të parën herë profesori i madh u ndesh me një talent të tillë të dhuruar nga natyra. Anita, sipas profesorit, ishte një nga rastet e rralla që kishte 99 % talent të dhuruar nga Zoti dhe i duhej vetëm 1 % punë për t’u bërë gjeni në violinë. Intuita e profesorit nuk gaboi; do të duhej vetëm një vit pune që Robert Papavrami dhe Anita të dilnin para spektatorit vlonjat në një duet me violin, duke mahnitur sallën me interpretimin e tyre virtuoz.
    Vitet e shkollës fillore dhe tetëvjeçare u karakterizuan nga një pjekuri e lartë artistike e Anitës në drejtim të violinës. Por Anita ishte edhe një nxënëse e mirë në disiplinat e tjera, përveç solfexhit ajo ishte e pasionuar edhe për sportin, veçanërisht i pëlqenin ushtrimet gjimnastikore dhe lojrat e topit me dorë (basketbolli dhe voleibolli) dhe në këtë fushë shfaqej si një sportiste e lindur. Anita ishte një fëmijë ëndërrimtar dhe shumë e apasionuar pas muzikës dhe këngës. Këngëtarja Vaçe Zela ishte hidhulli i saj, Anita ëndëronte të bëhej si ajo, një këngëtare e famshme. Në vitet e shkollës së mesme Anita filloi të studionte fshehurazi dhe të besonte në eksistencën e Zotit dhe t’i bindej verbërisht Atij. Të gjithë habiteshin me bindjet e saj fetare, të ndaluara për atë kohë. Anita pa asnjë druajtje shprehej që dhuntitë e saj ishin dhuratë e zotit dhe çdo gjë e shikonte në këndvështrimin e tij.
    Në shkollën e mesme të muzikës “Naim Frashëri”, ku Anita vazhdoi nga viti i parë deri në vitin e katërt, karakterizohej si një nxënëse shembullore, veçanërisht në violinë, që ishte edhe instrumenti për të cilën vazhdonte shkollën. Pasioni i fëmijërisë, kënga, ia kishte lënë vëndin violinës dhe solfexhit. Në vitet 1980-1986 Anita prezantohet para publikut vlonjat si violiniste në orkestrinën e shkollës së muzikës “Naim Frashëri”, mirëpo duke u rritur po e thërriste paisoni për këngën, të cilin ajo filloi ta demostronte te shokët e klasës dhe profesorët e kantos. Të gjithë kuptuan se përveçse një violiniste e talentuar, Anita kishte edhe një zë të jashtëzakonshëm. “Një zë i ëmbël e njëkohësisht i rrallë”, e cilësuan profesorët e saj.
    Prezantimi i Anitës si këngëtare ishte thjesht një rastësi e përgatitur nga Zoti. Gjatë një koncerti ku Anita merrte pjesë si violiniste, një nga këngëtaret u sëmur dhe kështu, lindi domosdoshmëria të zvëndësohej. Shokët e orkestrës, që e kishin dëgjuar Anitën të këndonte, propozuan atë dhe efekti ishte i mahnitshëm. Prezantimi i parë u prit me duartrokitje pa fund nga publiku i sallës i elektrizuar nga zëri i bukur i saj. Ky ishte fillimi i një karriere të gjatë dhe të lavdishme, që ka vetëm një protagoniste: të madhen dhe të paharruarën ANITA BITRI

    Kënga e parë e saj në shkallë kombëtare titullohet “Hartimi dhe Dëbora”. Në anketën muzikore të Radio Tiranës për këtë këngë, Anita vlerësohet për interpretimin e saj brilant. Më pas, sukseset e saj vazhduan me këngën shumë të njohur, “Mos u nxito, mos u gabo” të Alqi Boshnjakut në Koncertin e Pranverës 1988, ku u vlerësua me çmim të parë. Talenti i saj nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e kompozitorëve të njohur të asaj kohe. Flamur Shehu është i pari që do të besonte tek Anita dhe do të fillonte të bashkëpunonte me të në disa festivale me radhë të Radio Televizionit Shqiptar. Vlen për t’u përmendur interpretimi i këngëve “Lulet e majit i çel në janar”, “S’ka formulë në Dashuri”, “Abrakadabra” etj.

    Në këto vite triumfi pranohet si këngëtare profesioniste në trupën e Teatrit të Estradës Vlorë. Më pas korr një sukses të jashtëzakonshëm me koncertin e saj recital “Anita” në shkallë kombëtare. Në çdo vit që kalonte, Anita shihej si një rrezik i madh për marrjen e çmimeve, sepse nga kënga në këngë, nga viti në vit, konfirmohej si një këngëtare pa të cilën festivali nuk kishte kuptim. E gjitha kjo nuk u arrit veçse nga talenti i saj i padiskutueshëm, mënyra se si e interpretonte këngën, luku plot shije dhe mbi të gjitha, për faktin se ajo pati guximin të fusë elementët e rinj bashkëkohorë dhe shumë modernë për kohën. Te këngëtarja Anita Bitri gjendet gjithçka që Zoti i ka dhuruar një artisti.
    Krahas këngës Anita nuk la pas dore dhe studimet, ishte vullneti dhe dëshira e saj që bën të mundur vazhdimin e studimeve për kanto dhe violinë në Shkollën Pedagogjike “Dhaskal Todri” në Elbasan, ku në vitin 1982 diplomohet si mësuese kantoje. Drejtori i kësaj shkolle, Sul Dedej do të shprehej për Anitën: “Nuk është vetëm një këngëtare e talentuar, por dhe një nxënëse e shkëlqyer”. Profesionin e mësueses, Anita e ushtroi vetëm për pak muaj, pasi ajo që e thërriste ishte kënga. Zoti i kishte caktuar një mision, të lumturonte popullin e vet me zërin e saj magjik. Koncerti i dytë recital “Anita”, që u zhvillua me një sukses të jashtëzakonshëm në çdo cep të Atdheut, bëri që ajo të fitonte një popullaritet të jashtzakonshëm në çdo qytet të Shqipërisë. Pas një shfaqjeje të suksesshme në Tropojë, iu bë ftesa për të shkuar në SHBA. Në mars 1996 Anita mbërrin në “tokën e premtuar”.

    Gjatë qëndrimit në Amerikë aktiviteti artistik i Anitës ka qënë i pandalshëm dhe gjithmonë në rritje. Anita ka qënë përherë e lidhur me problemet e Diasporës Shqiptare dhe ka ndihmuar shumë në rritjen e prestigjit të artit shqiptar. Ajo nuk ishte vetëm një artiste e thjeshtë, por edhe një patriote e flaktë. Vlen për t’u përmendur koncertet e bamirësisë dhe pjesëmarrja e saj në aktivitetet për mbledhjen e ndihmave për luftën në Kosovë si dhe koncerti i bamirësisë që u zhvillua në 10 prill 2000 për mbledhjen e ndihmave për fëmijët e varfër të Shqipërisë. Për këtë koncert ajo meritoi lavdërimet dhe respektin e Presidentit të Shqipërisë, zotit Meidani dhe gjatë interpretimit të disa këngëve u shoqërua nga vetë gruaja e Presidentit. Anita ishte njëkosisht dhe një anëtare aktive e Organizatës së Gruas Shqiptare në Amerikë “Motrat Qiriazi”. Ajo e shikonte pjesëmarrjen në koncertet e ndryshme të komunitetit si dhe ato bamirëse si vazhdimësi të rrugës së saj artistike. Në këtë mënyrë, talentin dhe zërin ia dedikoi tërësisht çështjes shqiptare.


    Material i sistemuar marre nga web www.anitabitri.com
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  6. #36
    i/e larguar
    Anëtarësuar
    09-11-2005
    Vendndodhja
    France ...
    Postime
    6,159

    Disa foto te anites ...

    Anita Bitri .....
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura    

  7. #37
    i/e larguar
    Anëtarësuar
    09-11-2005
    Vendndodhja
    France ...
    Postime
    6,159
    ja edhe disa ....
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   

  8. #38
    i/e larguar
    Anëtarësuar
    09-11-2005
    Vendndodhja
    France ...
    Postime
    6,159

    Rrefimi saj .......

    “Të gjithë njerëzit nxitohen. Por unë kam një moto: ta kthej kokën prapa, e të shoh të kaluarën time, dhe asnjëherë nuk dua ta ndjek sërish atë rrugë”

    Rrëfimi i këngëtares: Kjo është historia ime amerikane

    Anita Bitri: Tani nuk nxitohem më

    Admirina Peçi

    Anita Bitri e shkeli sërish Tiranën, pas nëntë vjetësh. Gjeti pallate të pikturuara, rrugë të bukura dhe të ndriçuara, një lumë të pastër në mes të qytetit, dhe asnjë kioskë.

    Iu duk një qytet i bukur. Dhe njerëzit nuk e kishin harruar. Që në aeroport e ndalonin, e përshëndesnin dhe e pyesnin: “Ku ke qenë? Ka kohë që nuk të shohim!”

    E takojmë në hotel “Mondial” dhe ajo ka ndryshuar. Ajo ka hedhur tej kilet e tepërta, me flokët e gjatë, pak të dredhur, dhe zërin, ndoshta paksa më të pjekur. Ka ardhur të prezantojë albumin e saj të ri “Çdo gjë është e mundur”; ka ardhur të shohë gjërat që kanë ecur me një vrap të çmendur; të takojë miqtë e hershëm e të tregojë historinë e ikjes së saj. Tashmë ajo mendon se është pikërisht një ndërthurje: Anita e viteve ´90, të lëna në mes, dhe ajo e viteve 2000. Dikur i këndonte nxitimit, tani mendon se është ndryshe.

    Anita, ju sjell në Shqipëri albumi juaj i ri “Çdo gjë është e mundur”. Veçoni diçka prej tij?
    Në këtë album unë shfaqem si kantautore, këndoj me vajzën time, Siborën, e cila tani në gusht bëhet 8 vjeç. Këto janë për t´u veçuar, apo jo? Po ashtu, për këtë album bashkëpunoj me një kompani amerikane dhe këndoj me këngëtarë amerikanë. Stafi amerikan i këtij albumi ka nisur tanimë të punojë remikset e këngëve të mia, për stilin dans, për në klubet e Shqipërisë.

    Këngët janë shumë të veçnata, pasi përfshihen të gjitha sferat e jetës: janë gëzimet, dhimjet, emigracioni, nostalgjia, dashuria, mbase një dashuri e humbur, por e fortë, një dëshirë e çmendur për t´ia mbathuar me korvetë...

    Ju thoni se gjithçka është e mundur. Çfarë është e pamundur për Anita Bitrin?
    Asgjë nuk është e pamundur. Nëse dikush i vë një synim vetes së tij, çdo gjë është e munddur. Me pak besim, kurajo, dhe shumë, shumë punë, gjithçka është e mundur.

    Dikur, para 9 viteve, ju e latë Shqipërinë. Si ndodhi që ikët?
    Kam ikur, për herë të parë, me një kontratë pune me një grup të muzikës popullore për të kënduar në një restorant, ndër më të njohurit në Nju-Xhersi. Por mua më ndodhi që qëndrova në Amerikë, edhe pas 9 muajve punë që kisha nënshkruar kontratën. Ndodhën dhe trazirat e vitit 1997. Lindi edhe vajza ime, Sibora, e cila sot ka marrë pasaportë amerikane, sepse ajo lindi në Amerikë. Të gjitha këto bënë që unë të qëndroja në Amerikë. Po ashtu, edhe dokumentet. Unë u paraqita atje si këngëtare, ndërsa avokati im, që do të merrej me këtë gjë, gaboi, duke më paraqitur si azilante politike. Por ata nuk mund t´i lejojnë këto gjëra. E anulluan qëndrimin tim atje, dhe tani, pas kaq shumë kohësh, unë kam arritur ta siguroj qëndrimin tim në Amerikë dhe kam të drejtë, më së fundi, të udhëtoj në të gjithë botën.

    Çfarë është Amerika për ty?
    Amerika është një shtet shumë, shumë i civilizuar, me një hapësirë shumë të madhe krijuese, ku çfarëdo që mund t´i kërkosh vetes, atje mund ta gjesh.

    Pas kaq kohësh, mendoni se ekziston vërtet ajo historia e famshme e “ëndërrës amerikane”?
    Historia e “ëndërrës amerikane” nuk ekzisiton. Ajo shfaqet veç në ekranet e kinemasë, në filmat ku çdo gjë duket si ëndërr. Sepse “ëndërrën amerikane” nuk e kanë jetuar as amerikanët e vërtetë. As ata nuk janë të kënaqur në Amerikën e tyre. Mund të kujtojmë vetëm zezakët që vdisnin, ndërsa ndërtonin gradaçielat. Pa punë nuk mund të prekësh asgjë, asnjë ëndërr.

    Dikur ju këndonit “Mos u nxito, mos u gabo”. A është nxituar Anita Bitri?
    Unë nuk e di në ka vallë ndonjë njeri që nuk nxitohet. Të gjithë njerëzit nxitohen. Por unë kam një moto: ta kthej kokën prapa, e të shoh të kaluarën time, dhe asnjëherë nuk dua ta ndjek sërish atë rrugë. Pra, e shoh; e di që është e kaluara ime, por nuk është rruga ku do të doja të ecja sërish. Nëse do të kisha rast për një rinisje, nuk do të ecja nga ajo rrugë.

    Jeni shprehur se do të merrni pjesë edhe në festivalin e dhjetorit.
    Kam, në fakt, shumë dëshirë, por pres që të më bëjnë një ftesë për pjesëmarrje. Kënga, besoj, nuk do të jetë nga CD-ja, pasi ajo ka ato emocione që unë kam pasur dikur. Tani unë jam në Tiranë dhe kam emocione të tjera. Unë jetoj me momentin. Madje, dhe suksesin tim e shoh në raport me momentin e jetës. Por jam e sigurt që do të kthehem në atë skenë, me po atë zë, me po atë ritëm dhe potencial, por shumë, shumë herë më fuqishëm.

    “Publiku nuk më ka harruar”

    Atë ditë që preku tokën, kur sapo zbriti në aeroportin e Rinasit, Anita Bitri e kuptoi se askush nuk e kishte harruar. Shihte ngado njerëz që e thërrisnin ose e pyesnin për mungesën. Dhe, ndërsa harrohet pas detajeve, tregon befasinë, përplasjen e saj me ndryshet në Tiranë. “Tirana ka ndryshuar e gjitha. Nuk e kisha pritur një Tiranë me rrugë të bukura, me fasada të larta dhe ku ishin zhdukur kioskat. Kur ika prej këtej, lashë kioska gjithandej. Tani e gjeta Lanën të pastër dhe piktura në pallate. Më kanë pëlqyer shumë të gjitha këto ndryshime”. Por arsyeja e këtij kthimi është, në fakt, muzika. Ajo e ka ndjekur që andej, përtej Atlantikut dhe e shqetëson kjo rrëmujë në muzikën shqiptare, tendenca e vulgut dhe kopjimet. “E shoh se në Shqipëri janë futur, më tepër seç duhet, rrymat e muzikës popullore. Por unë besoj se ky publik nuk meriton vetëm muzikën popullore. Po të sjellim ndërmend muzikën e bukur të festivaleve të viteve ´70, ´80, ´90 të Vaçe Zelës, Anita Takes etj., mendoj se duhet të punojmë pak më shumë me muzikën tonë, muzikën moderne shqiptare dhe të shmangim sa më shumë tendencat e këngëve të huaja”, - thotë ajo.



  9. #39
    i/e larguar
    Anëtarësuar
    09-11-2005
    Vendndodhja
    France ...
    Postime
    6,159
    Ja edhe disa foto te saj ........
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura    

  10. #40
    i/e larguar
    Anëtarësuar
    09-11-2005
    Vendndodhja
    France ...
    Postime
    6,159

    Ne 2 vjetorin e vdekjes se saj ,,,,,,,,,,

    Lajme nga Personazh

    Anita Bitri, dy vjet nga shuarja e legjendës së Vlorës


    Autori i Lajmit: Zenepe Luka
    19 tetori. Dita e Shënjtërimit të Nënë Terezës, për Vlorën ishte edhe një dhimbje më shumë. Familjarët, miqtë, artdashësit e këtij qyteti, në ditën e 2- vjetorit të vdekjes, kanë derdhur lule dhe lot tek varri i këngëtares vlonjate, Anita Bitri.

    Pranë varrit të mermertë të këngëtares legjendë të Vlorës, në këtë ditë të shenjtë, e cilësuar Nata e Kadrit, është spostuar grumbulli i madh i njerëzve që kanë shkuar për të përkujtuar të dashurit e tyre. Një lule dhe një lot për Anitën, nderim për këngën e saj, shprehen dhjetëra qytetarë që përulen dhe përkëdhelin foton e artistes, të vajzës së saj, Siborës. Mbi tre varret, ku prehen tre breza, nëna, vajza dhe mbesa, rrethuar me kangjella, është vendosur në këtë dyvjetor të vdekjes një mal me lule të freskëta. Kuja vlonjate është përcjellë nga një kor cicërimash zogjsh mbi Shqipëri, që ngjasonin me këngën e parë dhe të fundit të Siborës 8- vjeçare, "E shtrenjta nëna ime".
    Njeriu që ngrysi ditën mbi varre
    Skënder Bitri, babai i Anitës, e ka ngrysur ditën e sotme mbi varret e të afërmëve të tij. Dhimbja e ka bërë ish- oficerin një grusht dhe sytë e tij që ngjajnë me dy guva, kanë qenë gjatë gjithë ditës të lagur me lot dhimbjeje. I plakur edhe nga vitet, ish- oficeri ka humbur burrërinë dhe me një rënkim të shpirtit, gëlltit lotët, që i rrokullisen në kurrizin e faqeve të rreshkura. Mundëm të bisedojmë me të vetëm në orët e vona të pasditës në shtëpi, teksa familjarët po ndiqnin dokumentarin që i kushtohet jetës dhe këngës së Anita Bitrit.
    Jeta dhe kënga e Anitës në një kasetë videoje.
    Familjarët kanë dashur të shuajnë mallin me Anitën në këtë ditë të 2- vjetorit të ndarjes me të, por ka ndodhur e kundërta. 45 minutat e këtij dokumentari, të realizuara artistikisht dhe prodhuar nën kujdesin e të vëllait, Arbenit, janë shoqëruar me lot e ofshama dhimbjeje, sikur tragjedia të kish ndodhur sot. Kulmi i kësaj dhimbjeje shkon kur vajza, Sibora 8- vjeçare këndon me Anitën këngën e parë dhe të fundit të kompozuar nga vetë Anita, ku i thonë njëra tjetrës: "Je më e shtrenja në botë".
    37 vjet jetë, 32 vjet karrierë artistike
    Këngëtarja legjendë Anita Bitri, hyri në rrugën e artit qysh në moshën 5- vjeçare, duke i rënë violinës. Profesori Robert Papavrami, teksa shihte mjeshtërinë e lëvizjes së gishtërinjve të vegjël të Anitës, ishte shprehur se "kjo vajzë do të ketë një të ardhme të madhe prej artisteje". Këngëtarja nisi rrugën e këngës në qytetin e Vlorës dhe shumëkush do ta cilësonte një Vaçe të ardhme.
    Pjesëmarrja në evenimentet artistike dhe çmimet
    Në festivalin e klasës punëtore në Elbasan, Anita paraqitet me një duet dhe duartrokitet me zjarr nga artdashësit. Më 9 qershor të vitit 1986, fiton çmimin e parë në festivalin e interpretuesve në Vlorë me kompozim të Arben Lezhës. 6 muaj më pas, Anita fiton çmimin e parë në festivalin e këngës që organizohet në Vlorë, ku ish mes të rriturave në moshë, por edhe në mes të rriturve në këngë. Në qershor të vitit 1987, fiton çmimin e dytë me këngën "Hartimi dhe bora", krijur nga shoqja e klasës së saj, Laureta Caku. Në vitin 1988, kur mbushi 18 vjeç, me këngën "E vogla mes shoqesh" me muzikë të David Tukiçit, juria e vlerësoi me çmim të tretë, ndërsa spektatorët me duartrokitjet e tyre e vlerësuan me çmim të parë. Pjekuria e Anitës do të sillte edhe suksesin e këngës së saj. I tillë do të vlerësohej kënga "Shikomë në sy", kënduar me Frederik Ndocin. Në koncertin e pranverës të vitit 1988, me këngën "Mos u gabo, mos u nxito", një bashkëpunim i Alqi Boshnjakut me Aleksandër Vezulin, ku ajo rrëmbeu çmimin e parë, do ta etiketonte kngëtaren vlonjate si një perlë.
    Shpërthimi i këngëtares
    Në pranverën e vitit 1989, Anita Bitri shpërthen me këngën "Lulet e majit, që çelin në janar", ndërsa tre muaj më pas, ajo fiton çmimin e dytë në koncertin e këngës me këngën " Era përcjell fjalën të dua" të kompozitorit Gjergj Leka. Pas këtyre evenimenteve dhe korrjes së suksesit, Anita do të merrte pjesë në Festivalin Ballkanik të marsit të vitit 1996, me një bashkëpunim të Flamur Shehut dhe Jorgo Papingjit. Në vitin 1990, në festivalin e këngës në RTV, mori çmimin e parë me këngën "Askush nuk do ta besojë". Sfida për këngëtaren e re, është e pafund. Me këngën "S ka formulë në dashuri", vlerësohet me çmimin e dytë, më pas një çmim të tretë me këngën "Dashuri, ti ke emrin tim" me muzikë të Artur Dhamos. Në vitin 1995 në festivalin e RTV, zotëron skenën tashmë si një e ftuar e festivalit, që artdashësit me duartrokitje i dhanë kryeçmimin e këtij festivali.
    Koncertet recitale
    Pas gjithë kësaj përvoje në skenë, Anita Bitri do të organizonte koncertin e dytë recital, i pari ishte organizuar më 1993, ku për gjatë dy ditëve në Pallatin e Sportit do të duartrokitej e vlerësohej maksimalisht nga bashkëqytetarët e saj, si një zë magjik, këngëtare profesioniste. Ajo i dha mundësinë edhe këngëtares së re, Aurela Gaçes, që të ngjitej në skenë bashkë me të.
    Në pritje të emërtimit të rrugës
    Këshilli Bashkiak i Vlorës ka vendosur që njëra nga rrugët e qytetit të emërtohet "Anita Bitri", por ende nuk është zhvilluar ceremonia.


    Kronologji
    Jeta artistike e një këngëtareje
    -Në vitin 1996, Anita arriti në tokën e premtuar, duke përcjellë me zërin e saj mallin për vendlindjen, për tokën.
    -Në vitin 1999, Anita Bitri nxjerr albumin e parë në SHBA të titulluar "Mall". Këngëtarja vlonjate ngjalli interesin edhe të personaliteteve të Hollivudit dhe kish nënshkruar kontrata të rëndësishme, që kishin bazë zërin dhe talentin e Anitës.
    -Në vitin 2000, ajo ishte pjesë e rëndësishme e koncertit të madh që u organizua me pjesëmarrjen e Inva Mulës, Piro Çakos, Fadil Berishës, ku artdashësi thërriste: “Anita, Anita! Bravo Anita!” Gjatë viteve në emigrim këngëtarja vlonjate këndoi në shumë qytete të Amerikës, në pritje zyrtare me personalitete të larta, mjedise diplomatësh dhe pas suksesit do të përgëzohej: “Bravo, këngëtarja vlonjate!".
    -Në vitin 2002, Anita Bitri shfaqet si kantautore, tashmë ajo shkruan tekstin dhe kompozon muzikën, ku priste të korrte suksesin. Kënga e vetme që bëri ishte “E shtrenjta vajza ime", që e këndon bashkë me të bijën 8- vjeçare, Siborën.
    -Në vitin 2004, erdhi në Vlorë për të shuar mallin, për t u rikthyer pas disa muajsh në një koncert recital. Anita Bitri do t u drejtohej publikisht bashkëqytetarëve se nuk i ka harruar, i kërkoi ndjesë Tokës që është larguar në emigrim, porse ajo me zërin e saj ka ngritur lart emrin e artistit dhe të këngës shqiptare.
    Vdekja tragjike preu në mes ëndrrën e këngëtares së shquar vlonjate, duke lënë pas zërin legjendë dhe një karrierë artistike si asnjë artist tjetër. 37 vjet jetë, 32 karrierë artistike.


    OPINIONE
    Kompozitori Flamur Shehu:
    “Shteti shqiptar duhet të vlerësojë me titull të lartë këngëtaren vlonjate, Anita Bitri. Ishte ndër këngëtaret e mëdha të këngës së lehtë shqiptare. Shqipërisë i humbi një nga korifejtë e muzikës së lehtë, që është vlerësuar vazhdimisht me çmime, edhe kur ishte fëmijë. Anita Bitri nuk ishte thjesht këngëtare, por muzikante, kishte studiuar për violinë, njihte çdo parametër të këngës, qoftë në harmoni, qoftë në ekzekutim, ishte e lidhur si askush tjetër me skenën dhe e dashuronte këngën duke vlerësuar edhe talentin që i kish falur natyra”.

    Muzikanti Artur Dhamo:
    Një festival i përvitshëm me çmimin "Anita Bitri", është fare pak që mund të bëhet për këngëtaren legjendë të Vlorës.

    Ky lajm është publikuar: 21/10/2006

Faqja 4 prej 5 FillimFillim ... 2345 FunditFundit

Tema të Ngjashme

  1. Kujtojme: Kontributi i Hillari Cllintonit ne ceshtjen e Kosoves
    Nga Permeti_Boy në forumin Problematika shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 25-03-2005, 19:53
  2. Fakte, Fakte, Fakte !Te kujtojme te vertetat historike!
    Nga ALBA në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 29-03-2004, 04:14
  3. T'i kujtojmë edhe këto
    Nga Eni në forumin Albumi fotografik
    Përgjigje: 90
    Postimi i Fundit: 14-06-2003, 15:59

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •