TAKIMI/ Presidenti grek dhe ai shqiptar, deklarata kundërshtuese lidhur me pronat e të dëbuarve në vitin 1944
Stefanopullos: “Harrojeni Çamërinë”
Moisiu: “Problemet e së shkuarës duhen zgjidhur”. Homologu grek: “Për mua, ky problem është i mbyllur”
Albana LIKA
TIRANË – “Çështja çame është një çështje e harruar, që i takon së kaluarës. Nuk e di se cilat janë takimet politike mes dy qeverive, por personalisht them se ky problem është i mbyllur. Nuk ekziston më”. Kjo ishte deklarata e Presidenti grek, Kostantinos Stefanopullos dhënë pas takimit kokë më kokë me Presidentin e vendit tonë, Alfred Moisiu. Duke iu përgjigjur interesit të vazhdueshëm të gazetarëve, Stefanopullos u shpreh se “nuk kam dëshirë të kujtoj të kaluarën që i përket vitit 1944. Greqia ka hequr dorë nga ide dhe pretendime të tilla”. Krejt të kundërtën e deklaratës së homologut të tij grek, ka shprehur Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu. Pasi vuri në dukje se ekzistenca e ndonjë problemi të trashëguar nga e kaluara nuk përcakton marrëdhëniet mes dy vendeve dhe se zgjidhja e kësaj çështjeje duhet të jetë me dialog dhe drejtësi, kreu i shtetit shqiptar kujtoi Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit mes dy vendeve dhe takimin e majit të këtij viti mes kryeministrit Nano dhe atij grek, Karamanlis. “Ne mendojmë, sikurse kanë rënë dakord kryeministrat, të fillojnë sa më parë negociatat dypalëshe në nivel ekspertësh për t’i dhënë zgjidhjen e drejtë juridike problemit të pronave të popullsisë çame dhe të shqiptarëve në Greqi si dhe të atyre greke në Shqipëri”, - theksoi Moisiu. Gjithashtu edhe legalizimi i emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe respektimi i minoriteteve ishin dy çëshje, për të cilat të dy kryetarët e shteteve fqinje theksuan rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut. Në takimin Moisiu-Stafanopullos, zhvilluar në Pallatin e Brigadave është rikujtuar edhe ngjarja e rëndë që ndodhi në Greqi pas ndeshjes së futbollit mes përfaqësueseve të dy vendeve. Ndërsa Stefanopullos e cilësoi “fatkeqësi” ndikimin e politikave të shtetit nga ngjarje të tilla, për Moisiun probleme të tilla zhvlerësojnë punën e qeverive të dy vendeve. Forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve në fushën ekonomiko-tregtare, nevoja për kthimin e kufirit shqiptaro-grek në një kufi ku zbatohet ligji dhe respektohet qytetari, ishin të tjera tema konkrete të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje që zunë vend jo pak të rëndësishme në bisedën mes dy homologëve. Ndërkohë, kundërshtia mes dy presidentëve është vënë në dukje edhe përsa i përket situatës në rajon. “Problemi i Kosovës ndikon në sigurinë në Ballkan, sepse sa më shumë të zgjatet çështja e zgjidhjes së statusit, aq më tepër hapësirë përfitojnë ekstremistët e të dyja paleve”, -ka thënë Moisiu, duke vlerësuar se siguria rajonale është pjesë e rëndësishme e integrimit evropian. Ndërsa Presidenti grek u shpreh për domosdoshmërinë e respektimit të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Pëveç takimit të zhvilluar kokë më kokë mes dy presidentëve u zhvilluan edhe bisedime zyrtare mes dy delegacioneve që shoqëronin të dy presidentët. Sot Stefanopullos do të takojë kryeministrin e vendit, Nano, kryeparlamentarin Pëllumbi si dhe kreun e opozitës, Berisha.
KRYEMINISITRAT/ Nano e Karamanlis: Ekipe ekspertësh për pronat
TIRANË – Takimi që u zhvillua në muajin maj të këtij viti mes kryeministrit shqiptar, Fatos Nano dhe atij grek, Kostas Karamanlis në Athinë shënoi hapin e dytë institucional për zgjidhjen e çështjes çame. “Shprehëm vullnetin e përbashkët politik për të zgjidhur të gjithë çështjet e mbetura pezull nga e shkuara historike si çështja e pronave të shtetasve shqiptarë në Greqi dhe atyre grekë në Shqipëri dhe ndaj vendosëm për të filluar më gjerë konsultimet e përbashkëta të ekspertëve për implementimin e detyrimeve që rrjedhin nga Traktati i Fqinjësisë së Mirë, Bashkëpunimit dhe Sigurisë midis dy vendeve tona, në mënyrë të veçantë nga neni 15 i këtij Traktati, i nënshkruar në vitin 1996 dhe i ratifikiuar nga parlamentet e dy vendeve tona në vitin 1997”, u shpreh Nano pas takimit. Ndërkohë, në të njëjtën linjë me Nanon është shprehur pas këtij takimi edhe Karamanlis.
ÇAMËT/ Deklaratat e grekut, të çuditshme
TIRANË – Kryetari i Shoqatës “Çamëria”, Servet Mehmeti shprehet i zhgënjyer nga deklaratat e Presidentit të Greqisë, Stefanopullos, pas takimit me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu. Gjithsesi, ai ka besim se funksionarët e lartë të shtetit do të veprojnë si “shqiptarë në mbrojtje të çështjes shqiptaro-çame”.
Z. Mehmeti, Presidenti i Greqisë, Stefanopullos, i cili ka filluar një vizitë triditore në Shqipëri ka diskutuar dje me Presidentin Moisiu edhe për çështjen e Çamërisë. Besoni se këto bisedime dhe ato që do të pasojnë gjatë këtyre tri ditëve, do të mund të ndikojnë pozitivisht për këtë çështje?
Një president që thotë se nuk di se çfarë ka bërë qeveria e tij, ne nuk e marrim në konsideratë. Të bësh të qenurit, të paqenë, është absurditet. Nëse ky është oreksi i ndonjë individi, kjo do të thotë se ai është shumë larg ndërkombëtarëve dhe konventave universale të të drejtave të njeriut. E drejta e shqiptarëve dhe e Çamërisë do të zgjidhet patjetër. Çamët janë autoktonë mijëravjeçarë si shqiptarë. Ne, ato që kanë ndodhur këtu e para 60 vjetëve, na duket sikur kanë ndodhur dje.
Kjo do të thotë që ju nuk keni shpresë te zgjidhja e kësaj çështjeje, pas këtyre takimeve?
Jo, përkundrazi, ne kemi shpresë se çështja jonë do të zgjidhet, jo vetëm nga politika shqiptare, por edhe nga konventat ndërkombëtare, SHBA-ja etj. Besojmë te burrnia dhe patriotizmi i Presidentit Moisiu. Gjithashtu besojmë edhe tek kryeministrit Nano apo dhe te kryeatri i PD-së, Berisha, që si shqiptarë që janë do ta mbrojnë çështjen shqiptaro-çame.
Cili do të jetë hapi juaj i radhës për zgjidhjen e kësaj çështjeje?
Nuk mund të them ende asgjë konkrete, pasi vendimi për këtë nuk më takon vetëm mua, por gjithë anëtarëve të kryesisë së shoqatës.
Intervistoi: Albana Lika
KOMENTI/ Si t’i tejkalojmë problemet
Duke iu përgjigjur gazetarëve grekë, Presidenti Moisiu tha dje mes të tjerash: “Unë mendoj se ndjenjat dyshuese që shfaqen mes shqiptarëve e grekëve, nuk kanë lindur kohët e fundit dhe nuk janë vetëm të fundit. Ato kanë origjinë më të hershme. Por unë nuk mund të ngatërroj veprimet e një, dy apo pesë grekëve me ndjenjat e popullit grek, po ashtu dhe të popullit shqiptar. Ne jemi dy popujt më të lashtë në Ballkan. Sigurisht gjatë historisë kemi pasur edhe probleme, por në të njëjtën kohë i kemi qëndruar pranë njëri-tjetrit në momente të vështira. Shqiptarët kanë ndihmuar popullin grek në përballimin e zisë pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa populli grek iu përgjigj qindra mijëra emigrantëve që shkuan dhe vazhdojnë të punojnë në Greqi. Ne, shqiptarët kemi një thënie të vjetër: “Pyll pa derra s’ka”. Nuk e di nëse e përdor edhe populli grek. E rëndësishme është që organet shtetërore të jenë në rregull. Unë i thashë zotit Stefanopullos se ne, kryeministrat, ministrat takohen, por në qoftë se kjo ndjenjë mirëkuptimi dhe mirëbesimi nuk shkon poshtë në postat kufitare, te polici i trafikut rrugor apo te ndonjë punonjës që lidhet me këto probleme, sigurisht që ato na zhveftësojnë punën”.
http://www.gazetadita.com/index.html
E Martë 19 Tetor 2004
Krijoni Kontakt