MAMURRAS
Qentë mësyjnë qytetin e Mamurrasit. Kope të tëra kafshësh rrugaçe kanë tmerruar banorët e këtij qyteti të vogël, duke bërë që nëntë prej tyre të shkojnë në spital nga kafshimet e duke përhapur panik tek banorët e tjerë. Ngjarja e rrallë ka ndodhur në afërsi të bankës së qytetit, kur tufa e qenve, e përbërë nga dhjetra të tillë, ka sulmuar njerëzit që kanë qenë duke ecur në rrugë. Të tmerruar ata janë munduar që t'i përgjigjen sulmit të qenve, madje njëri prej tyre i ka qëlluar me gurë. Kaq ka mjaftuar që tufa e qenve të uritur të vërsulej drejt "gjahut". Por jo të gjithë njerëzit që ndodheshin në atë kohë në rrugë i shpëtuan tërbimit të qenve. Sipas burimeve nga poliklinika e Mamurrasit, nëntë persona kanë marrë edhe mjekimin e nevojshëm. Të dëmtuarit janë fashuar dhe janë dezinfektuar dhe më pas kanë bërë edhe vaksinimin kundër tërbimit, pasi qentë e rrugës mund të jenë bartës të sëmundjeve të ndryshme. Pas ngjarjes, i menjëhershëm ka qenë edhe aksioni i organizuar nga policia e rendit e Mamurrasit për vrasjen e qenve të rrugës, e cila ka mundur të vrasë vetëm pesë të tillë. Sipas bluzave të bardha, në spitalin e qytetit kanë ardhur nëntë persona që janë mjekuar, por mendohet se mund të ketë edhe të tjerë, të cilët nuk kanë shkuar për mjekim. Mjekët u kanë bërë thirrje që të marrin mjekimin, pasi qentë mund të jenë të tërbuar. Të dëmtuarit kanë marrë mjekimin ambulator në urgjencë dhe më pas kanë shkuar në drejtim të kryeqytetit, ku kanë bërë edhe vaksinën kundër tërbimit në Spitalin Ushtarak dhe më pas janë kthyer në shtëpi. Hatixhe Sala, është mjekja e urgjencës, e cila ka qenë në punë në kohën kur personat e sulmuar nga qentë kanë shkuar për t'u mjekuar. Mjekja ka treguar për Gazetën se, si e kanë përballuar një situatë të tillë.
Kur u paraqitën të sëmurët në urgjencë?
Rreth orës 12.00, e para ka ardhur Çesena Katuçi, 35 vjeçe, e cila ishte e mbytur në gjak dhe me disa plagë. Më pas, brenda pesë minutash, kanë ardhur të tjerët.
Sa persona kanë ardhur për të marrë ndihmën e parë në spitalin e Mamurrasit?
Sipas numrit që është shënuar në regjistër, numërohen nëntë persona që kanë ardhur në urgjencë për t'u mjekuar. Për 20 minuta kanë ardhur të nëntë.
Në raste të tilla, çfarë ndihme ofron urgjenca?
Mjekim profilaktik, çka do të thotë mjekim të plagëve dhe fashimin e tyre, pasi te ne nuk bëhen vaksinat. Më pas i kam nisur të gjithë për në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Gjendja e të dëmtuarve nuk ishte e mirë dhe duhej që me çdo kusht të bënin edhe vaksinën kundër tërbimit.
A ju ka ndodhur ndonjëherë që në urgjencë të vijnë një numër i madh pacientësh të kafshuar nga qentë e rrugës?
Eshtë hera e parë që më ka ndodhur të vijnë nëntë veta njëherësh.
Çfarë thoshin të dëmtuarit për atë që ngjau?
Sipas tyre, ishin rreth 30 qen që u ishin vërsulur në të njëjtën kohë. Shumica e të sëmurëve ishin më shumë të lebetitur dhe të frikësuar.
Si arritët t'i dërgonit në Tiranë?
Të dëmtuarit janë nisur në drejtim të kryeqytetit me makinat e tyre.
A ka të shtruar në spital?
Jo, nuk ka, pasi kanë marrë mjekimin dhe kanë dalë. Ne po i ndjekim rast pas rasti dhe vazhdojmë mjekimin nëpër shtëpi. Pacientët nuk kanë qëndruar vetë në spital. Ndërkohë që ka më shumë se pesë persona të tjerë të cilët nuk janë paraqitur për të marrë mjekimin. Ne si shëndetësi kemi bërë lajmërimet që të gjithë personat e sulmuar nga qentë të paraqiten dhe të mjekohen, pasi qentë mund të jenë të tërbuar.
Flet 32-vjeçari i sulmuar
"Si më kafshuanqentë në qytet"
Kishte dalë për të mbaruar një punë dhe për të takuar disa miq, por pas pak minutash është gjendur në spital, me plagët e dhëmbëve të qenve. Agim Laku, 32 vjeç nga qyteti i Mamurrasit, ka treguar për Gazetën dhe televizionin "News 24" se si ra viktimë e dhëmbëve të një kopeje qensh rrugaçë. "Sapo kisha dalë nga shtëpia dhe po shkoja për të takuar disa të njohur. Isha në rrugën kryesore të Mamurrasit dhe po drejtohesha për në një lokal ku e kishim lënë të takoheshim. Papritur vura re një tufë qensh që m'u hodhën e më kafshuan", ka thënë 32-vjeçari pas dërgimit në spitalin e Mamurrasit. Më tej, ai ka treguar se vetëm ndërhyrja e disa kalimtarëve ka bërë që ai të shpëtojë gjallë nga dhëmbët. "Po të mos ishin njerëzit në rrugë, kushedi çfarë do më kishte ndodhur. Duke më kafshuar, ata më rrëzuan, por fatmirësisht shpëtova", ka vijuar më tej i riu nga Mamurrasi. Ai ka treguar se nëpër rrugët e Mamurrasit ka gjithmonë qen, një pjesë janë rrugaçë, një pjesë janë të shtëpive private në qytet dhe në periferi. "Por, si sot nuk kisha parë asnjëherë dhe për momentin nuk i vura re. Kur po ecja, po ruhesha që të mos përplasesha me ta, sepse ecnin në turma përmes rrugës, por nuk e mendova se ata do të më sulmonin", ka vijuar më tej 32-vjeçari i kafshuar.
Dëshmitarja: Si i pashë qentë duke sulmuar njerëzit, Bashkia t'i vrasë
As që i kishte shkuar ndonjëherë në mendje se do të sulmohen nga një tufë e madhe qensh në mes të rrugës dhe në mes të ditës. Një nga gratë e sulmuara, tregon për frikën që e kishte pushtuar kur ka parë njerëzit të sulmohen nga qentë. "Kisha dalë rreth orës 10.00 të paradites për të bërë pazarin dhe isha duke u kthyer në shtëpi. I kisha të dyja duart e zëna dhe në atë moment ndodhesha afër godinës së bankës. Aty dëgjova fillimisht të lehurat e qenve. Një burrë kishte marrë një gurë në dorë dhe po i qëllonte", thotë gruaja. Por më pas ajo kishte parë që qentë e tërbuar ishin khtyer drejt saj. "U mundova të ikja me vrap dhe i lashë ato që i kisha blerë në mes të rrugës. U futa në një rrugë lagjeje, kur tre nga qentë më ishin sulur nga mbrapa. Shpëtova se hyra në një dyqan", tregon më ajo. Gruaja rreth të 50-ave, ka thënë dje se Bashkia duhet të marrë masa urgjente për të zhdukut qentë rrugaçë, pasi qyteti është mbushur.
Kryetari i bashkisë: Do vrasim qentë e rrugës
Shqetësimin për rritjen e numrit të qenve të rrugës e ka ngritur edhe kryetari i Bashkisë së Mamurrasit. "U kam kërkuar ndihmë forcave të policisë, pasi kohët e fundit numri i qenve të rrugës është rritur mjaft", ka pohuar kryetari i Bashkisë së Mamurrasit Anton Frroku. Madje, ai ka propozuar që në këtë fushatë për zhdukjen e qenve të rrugës të marrin pjesë edhe gjahtarët. "Bashkia e qytetit ka njoftuar Drejtorinë e Policisë së Qarkut së Lezhës për të ndërhyrë, ndërkohë që po planifikon masa për asgjësimin e tyre nga shoqata e gjuetarëve", ka saktësuar më pas ai. Kryebashkiaku ka shprehur edhe keqardhjen e tij lidhur me ngjarjen e ndodhur në qendër të qytetit mesditën e djeshme.
Krijoni Kontakt