Fatmir Mera është vrarë me tre plumba pistolete, teksa udhëtonte me të shoqen në drejtim të vendlindjes
Ekzekutim për gjakmarrje në Tiranë
Policia akuzon për vrasjen Erzen Muçën. Autori u identifikua nga bashkëshortja e Fatmir Merës
Artur Qoraj
TIRANË - Një 36-vjeçar është ekzekutuar për gjakmarrje, në sy të bashkëshortes së tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 10.20 të ditës së djeshme, pranë Urës së Treshit në Kamëz. Sipas burimeve nga policia e Tiranës, autori i këtij krimi, tashmë i identifikuar e ka ndjekur hasmin për disa ditë radhazi derisa dje ka mundur t’i marrë jetën me tre plumba pistolete. Burimet sqarojnë se Fatmir Mera së bashku me të shoqen e tij, po udhëtonin me një furgon në drejtim të Bulqizës. Por hasmi i tij,që sipas policisë është Erzen Muça, e ka ndjekur furgonin –taksi me targa BZ 003A deri në Kamëz. Me ndihmën e pistoletës ai ka mundur të detyrojë drejtuesin e furgonit, Rasim Xhelili të ndalojë. Autori i kësaj ngjarjeje ka hapur derën e furgonit,duke tmerruar kështu pasagjerët dhe ka qëlluar tre herë në drejtim të 36-vjeçarit Fatmir Mera. Më pas është larguar me motorin e tij nga vendi i ngjarjes.
Viktima
Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Tiranës, vrasja është kryer tek shinat e trenit, ku motori i drejtuar nga autori i dyshuar, Muça, i ka dalë përpara furgonit-taksi. Drejtuesi i furgonit është marrë në pyetje nga policia, duke rrëfyer ngjarjen e ndodhur. Megjithëse ai është përpjekur të shpëtojë pasagjerin Fatmir Mera, duke e nisur drejt spitalit ushtarak, ku i fundit nuk ka mundur të shpëtojë. Ai ka dhënë shpirt sapo ka mbërritur në spital, pranë bashkëshortes së tij, e cila është tmerruar nga ajo që ndodhi. Dy plumbat në bark dhe një i tretë në trup kanë mposhtur 36 –vjeçarin Fatmir Mera. Sipas burimeve nga policia mësohet se shoferi i furgonit ka rrëfyer se sapo ka dalë nga autostrada për t’u futur në Kodër Kamëz, ka marrë edhe pasagjerin e radhës, që ka qënë Fatmir Mera. Viktima nga Bulqiza ishte shpërngulur prej pak vitesh në Tiranë për t’i shpëtuar hasmërisë së vjetër që i mori jetën.
Dëshmia
Shoferi Xhelili ka thënë për policinë se sapo ka arritur tek shinat e trenit, një motor i vogël i ka ndaluar përkarshi duke e urdhëruar të ndalonte. Autori ka hapur derën e furgonit. Fatmiri Mera nuk e ka pritur këtë goditje dhe është gjendur i papërgatitur. Sipas policisë dhe dëshmisë së shoferit, autori i dyshuar, Erzen Muça ka nxjerrë një pistoletë që mendohet të jetë e tipit “TT” dhe ka qëlluar nga afër trupin e hasmit. Nuk ka thënë asnjë fjalë dhe me qetësi ka hipur në motor, për t’u larguar me shpejtësi në drejtim të Universitetit Bujqësor të Kamzës. Burime të policisë thanë se janë marrë dhe gjurmët e gishtave të gjetura në furgon të autorit, i cili është identifikuar edhe nga persona të tjerë në furgon si dhe nga bashkëshortja e Merës.
Hetimet
Burime zyrtare të policisë së Tiranës thanë dje për “Shekulli” se Erzen Muça rezulton autor i vrasjes, në bazë të dëshmive të mbledhura dhe motivi që e ka shtyrë drejt këtij krimi ka qenë hasmëria e vjetër midis dy familjeve. Pasi ka mundur të identifikojë autorin e këtij krimi, policia e Tiranës ka filluar një aksion për kapjen e tij. Arrestimi i Erzen Muçës nuk është bërë i mundur deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme. Nga ana tjetër, policia ka shoqëruar shumë dëshmitarë dhe persona të dyshuar në lidhje me krimin, duke realizuar kështu zbardhjen e këtij krimi. Për të ndihmuar në hetimin e zbardhjen së kësaj vrasjeje janë thirrur edhe përfaqësues të Prokurorisë së Tiranës. Fotografia dhe karakteristikat e autorit të dyshuar, Erzen Muça janë shpërndarë menjëherë nëpër të gjitha komisariatet e vendit. Ndërkohë, agjentët e policisë kriminale kanë zhvilluar aksione për kapjen e 34-vjeçarit Erzen Muça, i cili vrau për gjakmarrje Fatmir Merën.
Krijoni Kontakt