Djali m'u mbyt në gomone, kufomën e bleva me lekë"
SHKODER
Me të vra fëmijët dhe me i ble kufomat dhe gjakun e tyre me lekë është tmerr. Kjo nuk ndodh në asnjë vend demokratik të botës". Me zë të dridhur, Sokol Ceka nga Shkodra tregon humbjen tragjike të djalit të tij në afërsi të brigjeve italiane, në 4 maj të vitit 2000. Në një intervistë për Gazetën, Ceka sqaron momentet e ndarjes me djalin e tij kur ishte gjallë, i cili u nis klandestin me gomone në Itali, si dhe momentin kur Elioni 20 vjeç i është kthyer në një arkivol, pa mundur t'ia shohë edhe një herë sytë.
Kur u nis djali juaj në Itali?
Edhe pse kanë kaluar më shumë se katër vjet, e mbaj mend shumë mirë ditën kur u ndava për herë të fundit me djalin tim, Elionin, i cili kishte vendosur të ikte si klandestin në Itali. Ishte data 3 maj e vitit 2000. Atë mëngjes kisha një ankth në zemër, ndaj nuk më bëhej që të dilja e ta përcillja djalin te sheshi "Isa Boletini". E përcolla me sy nga ballkoni i shtëpisë, teksa po shkonte në vendin ku do të nisej makina. Më pas mësova se Elioni ishte bashkuar me të tjerët te sheshi (ishin gjithsej 20 shkodranë, 10 prej të cilëve kanë vdekur) dhe ishte nisur me makinë të bardhë për në Vlorë. Djemtë kanë hipur në gomone më 4 maj. Rreth orës 23 ata kanë mbërritur afër brigjeve të Italisë. Në momentin që janë bërë gati të zbresin, klandestinët që ishin në gomone, e kanë parë veten të rrethuar nga skafet italiane. Të trembur kanë tentuar të kthehen sërish për në Vlorë, por atëherë ka ndodhur tragjedia. Djali im është gjetur i mbytur nga italianët pas 18 ditë kërkimesh.
Sa pagoi Elioni për të shkuar në Itali?
Ai pagoi 1 milion e 800 mijë lireta. Lekët nuk ia dhamë ne, prindërit e tij, pasi nuk kishim, por ia solli një i afërmi ynë nga Italia. Në fakt, unë nuk doja që djali im, atëherë 20 vjeç, të nisej me gomone, por ai ishte mërzitur shumë dhe nuk kishte asnjë lloj shprese që të vazhdonte të jetonte në Shqipëri. Në atë kohë jetonim vetëm me pensionin tim. Unë doja ta nisja Elionin me traget, por nuk arrita të nxirrja pasaportën.
Si e mësuat lajmin për vdekjen e tij?
Lajmin e tragjedisë e dhanë më 5 maj stacionet televizive italiane. Megjithëse atë ditë bëra shumë telefonata, askush nuk tregonte të vërtetën. Një infermiere në spitalin e Leçes, e cila kishte kontaktuar me një klandestin shqiptar të plagosur, më tha se djali im nuk gjendej.
Si e morët trupin e pajetë të djalit?
Ish-drejtori i policisë së Shkodrës i asaj kohe, Arben Zylyftari, na ka ndihmuar shumë. Ai na dha informacionet e para. Shteti italian nuk i nxirrte kufomat. Tejet të irrituar i dërguam 5 fakse Parlamentit Europian, 2 gjykatës së Hagës dhe vetëm pas kësaj nisi kërkimi i trupave. Vetëm për të sjellë kufomën në Shqipëri kam paguar 3.5 milionë lireta. Vepruam shpejt, ndryshe djali do të varrosej atje. Për paratë më ndihmuan të afërmit e mi. Me të vra fëmijët dhe me ble kufomat dhe gjakun e trupit të tyre është tmerr. Kjo nuk është parë në asnjë vend demokratik.
Familjet e të mbyturve: Shteti as që interesohet për autorët
Si e përplasi motovedeta gomonen me 31 vetë
Në orët e para të mëngjesit të 5 majit të vitit 2000, një tjetër tragjedi ka ndodhur afër brigjeve italiane. Një gomone me 31 klandestinë shqiptarë (vetëm nga rrethi i Shkodrës ishin 20) është goditur nga helika e një motovedete italiane. Për pasojë janë dëmtuar 6 dhomat e gomones, si dhe janë gjymtuar e kanë vdekur disa klandestinë. Bilanci i tragjedisë është mbyllur me 16 persona të vdekur, ndërsa kanë mundur të shpëtojnë 15 të tjerë. Drama e shkaktuar në det është mbuluar nga një heshtje e thellë si nga pala italiane, ashtu edhe nga qeveria shqiptare. Kështu të paktën deklarojnë të afërmit e 10 viktimave nga Shkodra. Prindërit e klandestinëve të vrarë nga rrethi verior kanë nisur një proces gjyqësor në Itali, për të vënë para drejtësisë ata që mbytën në det djemtë e tyre. Një proces ky i dështuar dhe i zvarritur pas kaq vitesh. Të trishtuar nga indiferenca e shtetit shqiptar, të afërmit e viktimave nga Shkodra u janë drejtuar për ndihmë gjithë institucioneve europiane. Ata kërkojnë që të zbardhet e vërteta. Ndërkohë, prindërit e viktimave kërkojnë një takim me presidentin e Republikës. Gjithashtu, ata kërkojnë që pala italiane të vërë në dispozicion të procesit gjyqësor të gjitha provat materiale.
Krijoni Kontakt