ATHINE
Prostituta rumune ther në gjumë tutorin e saj shqiptar. Daniela Miteru nuk e ka duruar më dhunën e 30-vjeçarit nga Fieri, Luan Semani, dhe ka vendosur që t'i japë fund vuajtjeve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në kryeqytetin grek, në Athinë, kur 22-vjeçarja rumune ka qëlluar plot katër herë me thikë mbi trupin e Semanit. Pas krimit, krejt gjakftohtë, prostituta ka lajmëruar fillimisht fqinjët e më pas policinë. Viktima është dërguar me urgjencë për në spitalin "Papa Nikolau", por gjithçka ka qenë e kotë, pasi ai kishte dhënë shpirt rrugës. Fieraku kishte marrë disa plagë në bark, kurse një plagë e marrë pranë zemrës mendohet se i ka shkaktuar vdekjen. Nuk kishin kaluar as dy orë nga ngjarja, dhe 22-vjeçarja Daniela Miteru vendos që të vetëdorëzohet në rajonin e policisë greke në kryeqytet, duke treguar edhe ngjarjen rreth vrasjes së tutorit të saj. Sipas rrëfimit të të vetëdorëzuarës, ajo ishte detyruar ta bënte krimin për vetëmbrojtje, pasi mbrëmjen e së enjtes tutori i saj e kishte keqtrajtuar rëndë fizikisht. Në cilësinë e dëshmisë i tregoi policisë shenjat e dhunës në pjesë të ndryshme të trupit, ku kishte edhe shenja të djegurash me cigare. Sipas 22-vjeçares nga Konstanca e Rumanisë, ajo kishte tentuar disa herë të largohej, por ishte përballur me kontrollin dhe dhunën e Semanit. Duket që ajo ka ruajtur momentin që atë e kishte zënë gjumi, për të kryer vrasjen. Duke iu referuar të dhënave të pakta të policisë greke, mësohet se 22-vjeçarja Miteru është mbajtur në polici edhe për të mësuar hollësitë e trafikimit të saj. Pas dëshmive të mbledhura, policia greke mendon se ka të bëjë me një rrjet të shfrytëzimit të prostitutave të Lindjes, pjesëtar i të cilit është edhe 30-vjeçari i vrarë. Pikërisht për këtë, policia greke është munduar të mbajë gjithçka të fshehtë rreth vrasjes së Semanit. Kurse sa i përket 22 vjeçares rumune, policia greke bën të ditur se ajo është vendosur në masa të rrepta sigurie, për t'a ruajtur nga ndonjë hakmarrje e mundshme nga ndonjë tjetër pjesëtar i gurpit ku bënte pjesë edhe viktima Luan Semani. Ndërkohë, pritet që ndaj rumunes të merret edhe masa e sigurisë për vrasjen e kryer dhe të cilësohet se në ç'kushte është kryer vepra penale.
Krijoni Kontakt